Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Il padrino Maska e DEN_Bossi
    Anëtarësuar
    31-07-2006
    Vendndodhja
    Shkoder-Tirane
    Postime
    450

    Egjipti, vendi i piramidave të lashta dhe i “faraonëve” shqiptarë

    BAJRUSH MORINA

    19 Shtator Kur aeroplani i kompanisë “Turkish Airlines” po bëhej gati të ulej në pistën e Kajros, përkundër frikës së përhershme që më kaplon gjatë fluturimeve (aerofobia), e para gjë që dëshiroja të shihja nga dritarja e aeroplanit, ishin piramidat, ose Piramida e Keopsit. Për këtë piramidë dhe për piramidat në përgjithësi, kisha mësuar shumë vjet më parë në shkollën fillore e të mesme. Por, kureshtja ime për piramidat më është shtuar sidomos pas leximit të romanit “Piramida” të Ismail Kadaresë.

    Përderisa për Piramidën e Keopsit kam mësuar nga mësuesit e lëndës së historisë, kam pasur rastin e pse të mos them edhe nderin që “Piramidën” e Ismail Kadaresë ta kem pasur në dorë si dorëshkrim të shkrimtarit, ende pa u botuar si novelë, e më pas edhe si roman. Në janar të vitit 1991, Remzi Lani, një prej miqve të shkrimtarit Ismail Kadare, na dha si dorëshkrim novelën “Piramida” të Kadaresë. Kjo novelë e shkrimtarit të madh shqiptar, për herë të parë e ka parë dritën e botimit në Kosovë, në revistën javore “Zëri”, që botohej në Prishtinë.

    Disa ditë para se të nisesha për në Egjipt, përveç konsumimit të informatave paraprake që ofrojnë vebfaqet e Egjiptit e të Kajros, jo pa qëllim e lexova edhe njëherë romanin “Piramida” të Ismail Kadaresë. Historia e ndërtimit të piramidave, e përshkruar sipas shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, më provokonte kërshërinë time që të futesha thellë në labirinthet e këtyre ndërtesave interesante e mistike, të prekja me dorë gjithë ata gurë që u hodhën mbi Piramidën e Keopsit për 20 vjet rresht dhe mundësisht të gjeja edhe misterin e kësaj piramide: varrin e Keopsit.


    Kush është UNMIK-u, çka është UNMIK-u?


    Peripecia e parë e udhëtimit në një prej vendeve me historinë më të lashtë të njerëzimit, në Egjipt, na shfaqet që në aeroport. Një prej policëve që kontrollonte pasaportat, në momentin kur mori në dorë dokumentin tim të udhëtimit, më shikoi drejt në sy, e rrotulloi disa herë nëpër duar të tij, “pasaportën” time, e verifikoi vizën egjiptiane në këtë dokument dhe pas një 2-3 minutash e thirri me zë të lartë një polic tjetër, që dukej të ishte më kryesori. Ata ndërruan disa fjalë arabisht dhe më urdhëruan të dilja nga radha dhe të prisja derisa ata të kryenin punën e tyre. Kur unë i pyeta se çfarë problemi ishte, polici që dukej më kryesori, me theksin dhe fjalorin e tij karakteristik në anglishte më pyeti: “Kush është UNMIK-u, çka është UNMIK-u? Të kota ishin përgjigje tona për t’ia shpjeguar atij se kush është dhe çka është UNMIK-u. Ai i mblodhi të gjitha pasaportat tona, në mesin e tyre edhe të dy qeveritarëve të lartë të Kosovës, një ministri dhe një zëvendësministreje dhe na tha të presim 10 minuta, derisa ta gjejmë në hartë se ku i bie UNMIK-u dhe derisa të dimë se kush është ky farë shteti me emrin UNMIK.

    Pritja prej 10 minutash zgjat nja 2 orë e gjysmë dhe me që ishte ora 2 pas mesit të natës, sa më shumë që na vonoheshin “pasaportat” tona, aq më shumë shtoheshin shakatë tona në adresë të UNMIK-ut. Dikush thoshte UNMIK-u është UNMIKISTAN, dikush thoshte UNMIK-u është sëmundje e rrezikshme si SIDA, e njëri prej nesh edhe se është “Dreq me bisht”. Udhëtimi prej aeroportit deri në hotel zgjat edhe një orë, ndërkaq lodhja dhe gjumi i rëndë i mëngjesit e bënin të veten. Vetëm të nesërmen e shohim “pjesën e parë” të realitetit egjiptian. Shumë vetura, varfëri ekstreme dhe vapë e padurueshme

    Piramidat nuk janë larg prej hotelit ku jemi vendosur, por itinerari i vizitës tonë nuk parashite vizitën te këto piramida. Ato, në fakt, nuk shiheshin me sy as prej katit më të lartë të hotelit, por as rruga për në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit e Kulturës nuk binte përskaj piramidave. Në fakt, ne të gjithë kishim ardhur me qëllim që të merrnim pjesë në këtë panair dhe të prezantonim kulturën dhe turizmin e Kosovës në mesin e 50 shteteve të botës, por në logjikën dhe mendjen e të gjithë neve ishin piramidat. Madje, kishim planifikuar që një ditë patjetër t’i vizitonim ato. Rrugët e Kajros janë plot. Janë plot vetura. Në Kajron e 20 milionë banorëve, nuk dihet se kur është natë e kur është ditë, sa i përket trafikut. Ajo që na bie në sy neve nga Kosova, është prania shumë e madhe e veturave të vjetra të tipeve jugosllave. Madje, ta merr mendja se çdo e 5 veturë në trafik është ose Ladë e vjetër, ose Zastava 101 apo 128.

    Këto vetura, pos që janë “të vrazhda” për sytë tanë, janë edhe tepër të vjetra. Praninë e këtyre veturave të vjetra jugosllave, dikush prej nesh e arsyetoi me miqësinë e hershme të Titos me Naserin. Instiktivisht më shkoi mendja se edhe në Kosovë, në kohën e kësaj miqësie, u patën shtuar emrat Naser, Sadat etj. Megjithëse hoteli ka 5 yje dhe ofron kushte komode, ai gjendet në lagjen më të varfër të Kajros. Lumi që kalon pranë hotelit i gjason lumit Lana të Tiranës, por jo Lanës së sotme që është i pastruar, por atij lumit Lana të ndotur e bërë pis në vitet e ‘90-ta. Bile, si për koincidencë, pamjet që shihja nëpër rrugët e Kajros së vitit 2006, i kisha parë 16 vjet më parë nëpër rrugët e Tiranës. Tollovi, autobusë me xhama prej kartoni, udhëtarë që hipin edhe mbi
    autobusë për të udhëtuar, të papunë që sillen kot rrugëve, papastërti e rrugëve, vetura që kanë përparësi më shumë sesa këmbësorët, semaforë që nuk punojnë dhe policë të trafikut që fishkëllojnë me “pipa” në gojë e që tentojnë të ndalojnë makinat me dorë, e jo me shenjën “stop” të komunikacionit, por që në instancë të fundit, pakkush prej drejtuesve të veturave “ua var” këtyre policëve të shumtë në numër, por të pazotë për të mbajtur rregullin e trafikut.

    Egjipti, megjithëse vend i lashtë, megjithëse vend e shtet me traditë, megjithëse prodhon naftë e energji elektrike të mjaftueshme për popullatën e vendit, megjithëse është vend “urë lidhëse” për vendet e Lindjes së Mesme e Afrikës, megjithëse ka lumin Nil dhe kanalin e Suezit, megjithëse ka dalje në det, megjithëse 40% e të hyrave buxhetore realizohen prej turizmit, duket se ka një papunësi të madhe dhe një pjesë e popullatës ekziston në varfëri ekstreme.
    Kjo varfëri mund të shihet dhe të hetohet edhe në disa pjesë periferike të Kajros. Shtëpitë që më shumë u gjasojnë kasolleve dhe vendbanime që janë një ferr i vërtetë, janë realitet i sotëm i një pjese të Kajros.


    Legjenda e gjallë për Keopsin dhe varri i zbrazur në fund të Piramidës.


    Ata që kanë probleme me zemrën dhe me frymëmarrjen, nuk preferohet të vizitojnë Piramidën, në brendi të saj nuk lejohet fotografimi, më shumë se 100 vizitorë nuk mund të vizitojnë Piramidën e Keopsit. Këto të dhëna na i bën të ditur Vedat Sahiti, një gjilanas, i cili kishte ardhur në Egjipt 7 vjet më parë. Vedati ka kryer Fakultetin e Teologjisë, ka mbrojtur edhe magjistraturën dhe tash po punon në temën e doktoraturës. Ai ka vetëm 27 vjet dhe pos
    njohurive perfekte të teologjisë, e di “në gishta” edhe historinë e Egjiptit, të Piramidave, periudhën e shqiptarit Mehmed Ali Pasha, të mbretërve me prejardhje shqiptare, Mbretit Faruk....etj. Prej vendit ku ndalon vetura, deri në afërsi të Piramidës shkojmë hipur ne deve. Udhëtimi me deve është atraksion i vërtetë. Shoqëruesi ynë Vedati, na thotë se udhëtimi me deve quhet edhe “udhëtimi me anije të shkretëtirës”. Devetë janë kafshë të mrekullueshme, janë të urta, ulen poshtë duke lakuar dy herë këmbët, ecin ngadalë e lehtë dhe megjithëse rruga është shkretëtirë dhe me gurë të thepisur, shputat e tyre janë tepër të buta. Devetë janë shtazë që janë përdorur në luftëra të ndryshme në luftimet në shkretëtirë, ato pinë ujë një herë në shtatë ditë dhe thuhet se ushtarët i kanë përdorë ato edhe për të shuar etjen: i kanë prerë devetë dhe në barkun e tyre kanë gjetur ujë, të cilin e kanë përdorur për pije.

    Përballë Piramidës së Keopsit, në temperaturën prej 42 shkallëve të Celsiusit, i mbështjellë si “sheik” me mushamanë e bardhë rreth kokës po vraja mendjen për gjithë historinë 20-vjeçare të ndërtimit të kësaj piramide. Duke u lëshuar shkallëve teposhtë Piramidës, në një gjatësi prej më se 50 metrash, i kërrusur nëpër hyrjen në piramidë që ka përmasat e dimensionit prej 1 metër katrorë, arrijmë në pushimoren e parë. Një hapësirë me dimensione prej 3 me 5 metra është “vendkalimi” i parë, para se të vazhdohet pjesa e dytë e “marshit” drejt varrit të Keopsit. Duke marrë frymë paksa në këtë ndalesë të parë, i bërë qull nga djersët, më kujtohen pjesë të novelës “Piramida” të Ismail Kadaresë. Para syve më dalin një mori arkitektësh, muratorësh, gurësh të dimensioneve të ndryshme, hatllash dhe herë pas here kryearkitekti me pamje nervoze dhe shqetësim të përhershëm. Në një të çarë të një guri më bëhet se po shoh një dorë të këputur apo një pjesë tjetër të trupit të njeriut. Thuhet se gjatë ndërtimit 20-vjeçar të Piramidës, kanë vdekur rreth 3 mijë veta, punëtorë krahu, muratorë, arkitektë, kryearkitektë ...

    Leximin imagjinativ të “Piramidës” së Ismail Kadaresë ma ndërpreu Vedati. Përmes të njëjtës hapësirë të ngushtë, ngjitemi tatëpjetë drejt varrit “të fshehur” të Faraonit Keops. Të mbushur frymë (në brendësi të Piramidës nuk ka ajër të mjaftueshëm, prandaj ata që kanë probleme me zemrën dhe me frymëmarrjen, nuk preferohet të vizitojnë Piramidën në brendësi) e të djersitur si të ishim larë me ujë, arrijmë te “froni” i Faraonit Keops, te varri i tij i rregulluar me gurë të qelibarit. Në varr nuk ka eshtra, por ekzistojnë konturet e një varri. Dy çifte arabësh kanë futur fshehurazi dhe pa lejen e autoriteteve një aparat dixhital fotografik. Ne shfrytëzojmë rastin që të bëjmë fotografi “ilegalisht”, pranë varrit të Faraonit Keops. Kur dalim jashtë Piramidës, Vedati më tregon edhe një
    “fshehtësi” që ka të bëjë me Keopsin. Ky Faraon që ka ndërtuar piramidën më të madhe në botë, në Muzeun Nacional të Egjiptit ka statujën më të vogël, vetëm në madhësinë e 10-12 centimetrave. Këtë statujë do ta shohim gjatë vizitës në këtë muze.


    Egjipti modern që mban vulën e mbretërve me prejardhje shqiptare


    Duke e parë realitetin e jashtëm të Kajros së sotme dhe realitetin e brendshëm të Muzeut Nacional të Egjiptit, nuk mund t’u besosh syve se në mes të egjiptianëve të sotëm dhe egjiptianëve të lashtë ka një lidhje gjenetike e historike. Pranë Muzeut, disa egjiptianë shesin rruaza e shallvare të grave për pak pont, te hyrja në Muze bëjnë roje policë turistikë egjiptianë të shumtë, të cilët më shumë janë “hije” të gjalla sesa policë të aftë që reagojnë shpejt. E në brendësi të Muzeut është një histori e dokumentuar, një thesar i çmueshëm i një epoke të lashtë të njerëzimit që do t’ia kishte lakmi çdo popull i rruzullit tokësor. Në muret e Muzeut janë vendosur dorëshkrime në papiruse të lashta më shumë sesa 45 shekuj. Në hollet e Muzeut janë ekspozuar statuja e portrete të faraonëve të e faraoneve egjiptase. Këtu janë ekspozuar edhe shtrate të faraonëve, punëdore të tyre, qafore, vathë, e dekorime të tjera të vilat pos që janë të praura në ar e argjend, janë të dekoruara aq bukur sa nuk besoj se një argjendar i sotëm mund të bëjë një dekorim të tillë, sot 4500 vjet më pas.
    Vetëm dhoma e fjetjes e bashkëshortes së faraonit, përfshirë konstruksionet e murit, shtratin, dhe elementet përcjellëse të një dhome, peshon më shumë sesa 500 kilogram ar. Të gjitha këto janë të gdhendura më lloj-lloj figurash e hiroglifesh të ndryshme që të lënë pa mend me bukurinë dhe mjeshtrin artistike të gdhendjes.


    Balsamosja, një dukuri e lashtë egjiptiane më se 4500 vjeçare


    Në një nga holet e muzeut janë ekspozuar edhe trupat e balsamosur të faraonëve e faraonëve si dhe skulptura të ndryshme që shprehin aktivitetin e përditshëm jetësor të asaj kohe. Një skulpturë paraqet një grua duke larë rrobe, një tjetër duke tjerrë lesh, një skulpturë tjetër një burrë me armët e gjahut në krah... Në brendësinë e këtij Muzeu janë ekspozuar edhe trupat e balsamosur të pothuaj të gjitha llojeve të shtazëve të buta e të egra që kanë ekzistuar nga ajo kohë e lashtë. Aty e kam parë me sy krokodilin e balsamosur e të gjatë 4 metra, gjarprin rreth 10 metra, një qen, një mace, një dele e një dash, një harabel dhe një trumcak të vogël, të gjithë të balsamosur mijëra vjet më parë.

    Shëtitja nëpër këtë muze kërkon më shumë sesa një ditë, ndërkaq përshkrimi i gjithë kësaj pasurie të lashtë të njerëzimit nuk mund të përmblidhet dot vetëm përmes një reportazhi. Për këtë histori të lashtë të ekspozuar në këtë muze janë shkruar më qindra e mijëra libra, janë bërë studime e hulumtime shkencore në ndërkohë që shkrimet dhe hulumtimet nuk kanë të ndalur as sot e kësaj dite. Në këtë muze nuk lejohet fotografimi dhe gjithçka që mund të regjistrosh është mbamendja vizuale dhe ndonjë shënim në copë letre. Para Muzeut nuk mund t’i besosh as vetvetes se vërtetë në brendësinë e katër mureve të këtij muzeu gjendet gjithë ai thesar i çmueshëm historik e arkeologjik.


    Pse kanë arsye të krenohen shqiptarët me Egjiptin?


    Me historinë e Egjiptit kanë arsye të krenohen edhe shqiptarët. Madje themelet e shtetit bashkëkohor të Egjiptit ia kanë vënë shqiptarët, përkatësisht
    personalitetet e larta shqiptare që kanë pasë prejardhje shqiptare.
    I pari personalitet shqiptar që përmendet në historinë e re të Egjiptit është Muhamed Ali Pasha, i lindur në fshatin Kavallë në afërsi të Selanikut, vendbanim i njohur i shqiptarëve të asaj kohe. Pas okupimit të provincës otomane të Egjiptit nga Napoleoni, Mehmed Ali Pasha dërgohet nga Perandoria Otomomane si zëvendëskomandant i kontingjentit shqiptar për të evakuuar trupat franceze. Ai do të shkel në Kajro për herë të parë më vitin 1979, ndërkaq 6 vjet më pas, më vitin 1805, Istambuli zyrtar do ta pranojë Mehmed Ali Pashën si guvernator apo si “vali” të Egjiptit. Mehmed Ali Pasha do të vazhdojë të ushtrojë pushtetin e tij deri më vitin 1848, për ta bartur pastaj brez pas brezi te rrethi i tij a afërt familjar Ibrahim Pasha, Abas Pasha deri te Mreti Fuad, Ismail, e Mbreti Faruk i Egjiptit, të gjithë këta me prejardhje shqiptare.

    Në xhaminë e Mehmet Ali Pashës janë të ekspozuara fotografitë e të gjithë anëtarëve të familjes pashallarë e mbretërore të Egjiptit. Të gjitha portretet e tyre kanë pamje burrnore shqiptare, janë burra të veshur zotnisht e me mustaqe dhe janë gra elegante me pamje e bukuri tipike shqiptare. Të gjithë këta pashallarë e mbretër të Egjiptit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Egjiptit. Mehmed Ali Pasha arrin t’ia kthejë nderin dhe krenarinë
    Egjiptit të okupuar nga Napoleoni dhe forcat britanike. Ai ia ka vënë bazat e ushtrisë moderne egjiptiane. Luftëtarët e Mehmed Ali Pashës të njohur si “nizamë” kanë treguar një trimëri dhe art të lart luftarak nën komandën e Mehmed Ali Pashës.

    Djali i Mehmed Ali PAshës, Ismail Pasha e ka ndërtuar Kanali e Suezit, portin më të madh dhe më profitabil të Egjiptit. Nga ky port mendohet se Egjipti fiton rreth 10 milion euro në ditë. Ky kanal lidh Detin e Kuq me Detin e Mesdheut. Familja pashallarë shqiptare arrin të konstituohet në Mbretëri përmes Mbretit Fuad I. Ai njihet si mbreti i parë në historinë moderne të Egjiptit. Ky mbret me prejardhje shqiptare ka lindur në Giza, një lokalitet i Kajros, në të cilin jemi vendosur edhe ne, pasardhësit shqiptarë të kësaj elite mbretërore të Egjiptit.

    I fundit mbret i Egjiptit është Mbreti Faruk. Ai ka lindur në Kajro më vitin 1920. Kur i ka mbushur 18 vjet ai ka marrë pushtetin e plotë mbretëror, pas vdekjes së babait të tij. Prej vitit 1938 e deri më vitin 1952, Mbreti Faruk do të sundojë Egjiptin, duke aplikuar një metodë moderne të pushtetit. Ndërtimet e stilit evropian që edhe sot e kësaj dite janë në Kajro janë bërë në kohën e mbretërisë së Mbretit Faruk. Madje, sot Egjipti konsiderohet si një shtet modern, i civilizuar, properëndimor e proamerikan falë Mretit Faruk. Me ardhjen në pushtet të “Oficerëve të lirë” të udhëhequr nga kryetari Abdul Al Naseri (një mik i
    ngushtë i Titos), mbreti Faruk emigron në Itali dhe vdes në Romë më vitin 1965.
    Prania e pushtetit të pasardhësve të shqiptarëve në Egjipt mësohet në historitë shkollore të Egjiptit. Madje egjiptianët, me pamje fizike e prejardhje etnike krejt ndryshe nga shqiptarët, nuk xhelozojnë nga kjo perandori e gjatë e sundimit të shqiptarëve në Egjipt. Madje, ata e konsiderojnë si histori të vlefshme të tyre.

    Sot, nuk dihet sa ka shqiptarë në Egjipt. Shqiptarët nuk kanë pushtet, por ndonjë deputet apo ministër i qeverisë së sotme egjiptiane, në një degëzim të lashtë etnik, prek në prejardhjen shqiptare. Në Egjipt sot ka studentë nga Kosova e Shqipëria, ka edhe biznesmenë shqiptarë. Zeno Salihi është një ferizajas nga Kosova që ka një agjenci turistike. Brenda vitit ai sjell në Egjipt deri në 70 mijë turistë të huaj. Selinë e tij e ka në qendër të Kajros, është i martuar me egjiptiane, ka dy djem, një djalë dhe një vajzë që kanë emra shqiptarë por që nuk e flasin edhe aq shumë shqipen. Zeno Salihi na shtron darkë në anijen “The Pharaohs”, anije kjo e cila gjatë gjithë darkës, i shëtit mysafirët e saj përgjatë lumit Nil. Nga kjo anije shohim me sy bukurinë përrallore të Kajros, përgjatë lumit Nil.


    Prapë Piramidat, prapë Kadareja


    Nuk e di a kam arritur të futem thellë në gjithë “shpirtin” e Egjiptit e aq më pak në brendësinë “misterioze” të Piramidave të Egjiptit. Një javë në Egjipt është fare pak për të njohur realitetin e këtij shteti, politikisht aleat me Amerikën dhe gjeografikisht pjesë e vendeve arabe. Por Egjipti vërehej se ishte vend i tolerancës fetare e racore e i lirisë e demokracisë politike. Egjipti i lashtë bashkë me Egjiptin e sotëm janë interesant për turistë. Prandaj turizmi në Egjipt shënon të hyrat më të mëdha buxhetore. Në Egjipt nuk ka pastërti si në vendet e Evropës, por ka rrugë të gjëra e infrastrukturë të lartë rrugore. Në Egjipt nuk ka burime të mëdha të naftës, por një litër dizel kushtonte 0.9 pount, apo me një Euro mund të merrje 6 litra benzinë dhe 9 litra naftë.

    Duke “fluturuar’ nga Egjipti, përsëri më bëhen “lëmsh” në kokë pamjet e soditura të Piramidave të Kajros dhe rrëfimet e ngjeshura të “Piramidës” së Ismail Kadaresë. Madje pas vizitës së Piramidave të Egjiptit, e kam kuptuar më mirë “Piramidën” e Kadaresë. Veçse, në mes të këtyre dy Piramidave, asaj të Keopsit dhe të Kadaresë ka një dallim të madh. Në Piramidën e Egjiptit e ka ndërtuar një faraon që sot e mahnit botën më madhështinë e ndërtimit të tij të asaj kohe. “Piramidën” e Kadaresë e ka ndërtuar një diktator i cili e la prapa për 50 vjet popullin shqiptar të Shqipërisë. Por, madhështia i takon shkrimtarit të madh
    shqiptar më përmasa ndërkombëtare, Ismail Kadaresë, i cili arriti të shkruajë një vepër siç është “Piramida” duke e demaskuar deri në palcë një epokë të tmerrshme diktatoriale.
    Në Aeroportin e Prishtinës, një prej doganierëve më pyeti se sa kushtojnë piramidat e kristalta e të gdhendura në llaç, të cilat i kisha blerë për dhurata ndonjë miku. E dija se i pëlqente njëra prej tyre, por ai nuk e mori asnjërën, edhe pse me gjithë dëshirë ia ofrova njërën si dhuratë. Sidoqoftë, historinë e Piramidave të Egjiptit edhe ai e ka mësuar në shkollë.



    147 vjet të sundimit të shqiptarëve në Egjipt


    Historia e moderne e Egjiptit mban vulën e personaliteteve që kanë prejardhje shqiptare. Mehmed Ali Pasha, Mbretërit Fuad e Faruk si dhe pasardhës të tyre janë emra që kanë lënë gjurmë në ndërtimin e shtetit modern të Egjiptit. I pari vali me prejardhje shqiptare që e mori pushtetin në Egjipt është Mehmed Ali Pasha, më vitin 1805, ndërkaq i fundit që me “puç” ushtarak u rrëzua nga pushteti ishte Mbreti Faruk më vitin 1952. Sipas kësaj del se udhëheqësit e Egjiptit me prejardhje shqiptare kanë qenë në pushtet plot 147 vjet.

    Gazeta metropol
    Ndryshuar për herë të fundit nga Darius : 10-01-2007 më 20:57

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  2. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  3. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  4. Letërsia Shqiptare dhe Mbresat e tyre!!
    Nga Shpirt Njeriu në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-06-2003, 08:25

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •