Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 10
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17

    Kujdesi i Kishës për arsimimin e fëmijëve shqiptarë

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë duke vazhduar përkujdesjen e saj për arsimimin e rinisë, me bekimin dhe kujdesin e përditshëm të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë Anastasit, njofton vendimin për të filluar funksionimin, nga vjeshta që vijon, në Mesopotam:

    SHKOLLË E MESME PROFESIONALE

    Shkolla e Mesme profesionale do të funksionojë në një godinë bashkëkohore, pronë e Kishës Orthodhokse, që është pajisur në mënyrë të posaçme. Mësimet në këtë shkollë do të zgjasin tre vjet dhe me dëftesën e studimeve nxënësit do të kenë mundësinë të punësohen në sektorin e ndërtimit ose të vazhdojnë studimet në Institute analoge të përgatitjes profesionale.

    Specialitetet që kemi vendosur për të filluar sivjet dhe në bazë të kërkesave për regjistrim do të jenë:

    1- Specialist për rrjete kompjuterike
    2- Instalime elektrike në godina
    3- Instalime hidraulike dhe sisteme ngrohjeje
    4- Instalime kondicionimi dhe klimatizimi


    Mësimdhënia përfshin përveç mësimeve teorike, ushtrim praktik dhe laboratore në ambiente të përshtatura dhe nga specialistë të përgatitur.

    Qendra jonë arsimore do të kujdeset edhe për transportin e nxënësve nga dhe prej shkollës.

    Për më shumë informacion komunikoni:

    Tel. +355 846 4266; +355 846 3227
    fax. +355846 3773;
    cel. +355693089345


    Adresa:
    Pranë Kishës “Apostujt Pavli dhe Petro”, Mesopotam

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Vit i bekuar shkollor!

    Një bekim i veçantë për Kishën tonë kanë qenë institucionet arsimore të ngritura në këta 15 vjet, me kujdesin e drejtpërdrejtë e financimet bujare të siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Ndaj, fillimi i vitit të ri shkollor nuk është vetëm një festë e dijes, por edhe një moment lutjeje e falënderimi për Perëndinë, që me Hirin e Tij bëri të mundur këtë mrekulli.
    Kështu, rinisën nga funksionimi 15 përkujdesjet ditore të fëmijëve, të cilave u shtohet kopshti më i ri, ai i Dervicianit. Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe godinën e re të kopshtit të Durrësit dhe shtesën e rikonstruksionin e atij të Tiranës. Në godinë të re e moderne është edhe shkolla 9-vjeçare “Frymë Dashurie”, në Durrës. Ndërsa ajo “Protagonistët”, në Tiranë, ka sivjet mjedise të reja moderne shtesë.
    Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër, pret sivjet 22 nxënës të rinj, ndërsa mjaft interes ka tërhequr edhe shkolla profesionale e Mesopotamit.
    Viti i ri shkollor nisi dhe në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash dhe Institutin e Formimit Profesional “Frymë Dashurie”. Dega e Gjirokastrës e këtij instituti sivjet nisi në një mjedis krejt të ri dhe bashkëkohor.
    Ecurinë e tyre do ta ndjekim edhe gjatë vitit mësimor, por donim të veçonim një fakt që nuk përmendet shpesh. Atë se nxënësit e Akademisë Teologjike, ata të Shkollës së Mesme Kishtare, konviktoret e Bularatit apo nxënësit nga Shtëpia e Fëmijës “Shpresa”, studiojnë me bursa të dhëna nga Kryepiskopi Anastas.
    Po ashtu edhe një numër nxënësish në shkollat 9-vjeçare dhe disa fëmijë të kopshteve. Një ndihmë kjo mjaft bujare dhe shumë e konsiderueshme, që bën të mundur studimin për shumë fëmijë, që ndryshe nuk do ta kishin mundësinë e edukimit në këto nivele.

    Ngjallja
    Tetor 2006

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Promovimi i një jete të shëndetshme për fëmijët

    Zyra Diakonia Agapes është zyra sociale, zhvilluese dhe e emergjencës e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ajo është krijuar që në vitin 1992, me bekimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Fortlumturisë së Tij, Krypiskopit Anastas.
    Kjo zyrë realizon projekte dhe programe në disa fusha, si: zhvillimi rural i integruar; shëndeti dhe edukimi; kujdesi social.
    Një nga projektet që realizohet në kuadër të fushës së “Shëndetit dhe Edukimit” është “Jetë e shëndetshme për fëmijët”. Ai e ka fillimin në vitin 2001, në shkollën 8-vjeçare të fshatit Kalush, rrethi Kavajë. Që prej vitit 2001 e deri më sot projekti është zbatuar në 12 shkolla 8/9-vjeçare të zonave rurale të rretheve Kavajë, Elbasan e Gramsh.
    Motoja e projektit është: “Edukim, Informim dhe Veprim”.
    Komponenti edukim: përfshin “takimet e shëndetit” dhe bisedat për mjedisin që zhvillohen me nxënësit e këtyre shkollave. “Takimet e shëndetit” përmbajnë njohuri për higjienën personale, sëmundjet që mund të merren nga kafshët shtëpiake, higjienën e të parit; etj. Bisedat për mjedisin kanë të bëjnë me rrezikun që mund të vijë nga mbetjet dhe si ato duhen trajtuar, rëndësinë e hapësirave të gjelbra dhe krijimin e tyre, si dhe kontributin që ne duhet të japim për të pasur një mjedis të pastër.
    Shumë nga shkollat ku projekti është zbatuar dhe po zbatohet janë larg qendrave shëndetësore. Si rezultat i kësaj prindërit i çojnë fëmijët për vizitë tek mjeku specialist vetëm kur ata kanë probleme shëndetësore tepër të dukshme. Duke parë këtë nevojë në zonat rurale janë ofruar vizita falas për të gjithë nxënësit e shkollave me specialistë të ndryshëm.
    Komponenti informim: synon të informojë prindërit dhe stafin mësimdhënës me qëllim që ata të luajnë rolin e duhur në kultivimin e një stili jetese të shëndetshme për fëmijët. Nga të gjithë stafet mësimdhënëse të shkollave është vlerësuar pozitivisht dhe shumë i dobishëm seminari i zhvilluar me ta me tematikë. Për ndihmën e parë në raste emergjente dhe fenomenin e keqtrajtimit të fëmijëve.
    Komponenti veprim: ka synuar të kontribuojë në përmirësimin e terreneve sportive dhe atyre të gjelbëruara në shkollat ku projekti është zbatuar.
    Një nga aktivitetet e projektit është edhe “Shfaqja me maska”, e cila synon të promovojë talentet e shkollës, si dhe të japë një mesazh për rëndësinë qa ka higjiena personale dhe e mjedisit për të pasur një jetë të shëndetshme.
    Për zbatimin me sukses të projektit në të gjitha shkollat stafi i zyrës Diakonia Agapes ka pasur mbështetjen e zyrave të drejtorive arsimore të zonave përkatëse dhe të drejtorive të çdo shkolle. Gjatë 5 viteve të realizimit të këtij projekti janë rreth 2500 nxënës dhe 130 mësues që kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti. Gjithashtu përfitues jo të drejtpërdrejtë kanë qenë prindërit e të gjithë nxënësve si dhe komuniteti përkatës.
    Gjatë vitit 2006 projekti po zbatohet në tri shkolla të rrethit Gramsh, të fshatrave Drizë, Kukur e Gribë. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor këtyre shkollave iu shpërnda një paketë ndihme mësimore për rreth 530 nxënës dhe 35 mësues. Ajo ishte e përbërë nga mjete mësimore të nevojshme për nxënësit që ndihmojnë në procesin mësimor. Një mesazh shoqëron çdo paketë, në të cilin promovohen disa nga të drejtat themelore të fëmijëve.
    Zyra Diakonia Agapes do të vazhdojë realizimin e këtij projekti edhe gjatë vitit 2007, duke u përpjekur për të sjellë sadopak gëzim dhe buzëqeshje për fëmijët, të cilët jetojnë në zonat rurale nëpërmjet vizionit të saj “Dashuri që bën ndryshime”.

    N. Gramo (Përdhiku), K. Josifi



    Paketat e ndihmës mësimore në shkollat e përfshira në projektet e Diakonia Agapes.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Shprehje e kujdesit të veçantë për brezin e ri

    - Një shkollë e re profesionale ka hapur dyert në Mesopotam ndërsa dega e Institutit të Formimit Profesional është vendosur në një godinë bashkëkohore -

    Edhe ky vit i ri shkollor filloi me kushte më të mira në institucionet e ndryshme arsimore që janë themeluar nga Kisha jonë Orthodhokse, me nismën, përkujdesjen dhe financimin e Kryepiskopit Anastas. Kjo vlen edhe për institucionet në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës. Dhe nuk janë të pakta.

    Ato janë shprehje të kujdesit të veçantë të Kryebariut tonë për të zbatuar ide sa më progresiste për arsimimin dhe përgatitjen e brezit të ri të vendit, me standarde sa më bashkëkohore. Nisma të tilla në sektorin e arsimit e kanë bërë Kishën Orthodhokse faktor zhvillimi dhe përparimi për gjithë vendin. Kështu, për të tetin vit radhazi hapi dyert Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, një prani e bekuar e Kishës sonë për të ndihmuar të rinjtë orthodhoksë, në mënyrë që në të ardhmen të bëhen kuadro të denjë të Kishës sonë. Në kushte edhe më të përmirësuara nga pikëpamja e godinave dhe infrastrukturës së mësimdhënies, plot 65 nxënës nga të gjitha mitropolitë e Kishës sonë, të gjithë me bursë të dhënë nga Kryepiskopi, fillojnë edhe një vit përpjekjesh për arsim, por edhe për beteja shpirtërore.

    Shkolla “Kryqi i Nderuar” në gjithë ecurinë e saj tetëvjeçare dëshmon dhe justifikon sakrificën për ta krijuar dhe mirëfunksionuar. Dhjetëra të rinjve nga zona të thella, u jepet mundësia e arsimimit në standarde të avancuara, por edhe njëherësh u krijohet përvoja e jetës së përbashkët kristiane, një përvojë që do t’u jetë shumë e dobishme në ecurinë e jetës së tyre.

    Rezultatet e nxënësve që kanë përfunduar mësimet këtu, pasi shumica e tyre dërrmuese ndodhen në universitete brenda dhe jashtë vendit (lidhur gjithmonë me faktin se kudo që ndodhen ata nuk kanë shkëputur kontaktin me aktivitetin shpirtëror dhe kishtar), tregon se shkolla ndodhet në rrugë të mbarë. Lutjet jo vetëm të nxënësve, kolektivit mësimdhënës dhe ndihmës, por edhe të dhjetëra familjeve që kanë fëmijët e tyre atje, përbëjnë mbështetje thelbësore për të ecur edhe më tej. Sivjet, me masat e reja të marra nga Kisha dhe drejtoria e shkollës synohet, në veçanti në organizimin më të mirë të aktivitetit jashtëmësimor të nxënësve, në mënyrë që kjo të përdoret akoma më mirë për aftësimin e tyre dhe afirmimin e shkollës si një faktor i rëndësishëm social në mbarë trevën në të cilën zhvillon veprimtarinë.

    Mbi 150 vogëlushë do të ndjekin këtë vit përkujdesjet ditore që ka krijuar Kisha jonë në qytetet e Mitropolisë së Gjirokastrës. Konkretisht, filluan kopshtet në Përmet, në të dyja qendrat e qytetit të Gjirokastrës, si edhe në Sarandë. Ndërkaq këtë vit shkollor filloi përpjekja edhe për një kopsht fëmijësh në fshatin Dervician. Kjo si një kontribut i veçantë i Kishës sonë për t’iu përgjigjur problemeve të fëmijëve nëpër fshatra ku jeton kryesisht komuniteti etnik grek. Si rrjedhojë e mungesës së numrit të nevojshëm të fëmijëve në shumë nga këto fshatra janë mbyllur kopshtet publike. Kështu me këtë nismë të Kishës Orthodhokse mbi 20 fëmijëve, që do të ishin të privuar nga e drejta për arsim parashkollor, u krijohet kjo mundësi. Përbën edhe kjo një kontribut të Kishës sonë në zbutjen e problemeve sociale.

    50 nxënëse të reja edhe këtë vit shkollor janë pritur në Konviktin Orthodhoks të Vajzave, që për vitin e gjashtë funksionon në fshatin Bularat. Nxënëset, bursiste të Kryepiskopit, vazhdojnë mësimet në shkollën e mesme publike në këtë fshat duke i dhënë një motiv më shumë ekzistencës dhe mirëfunksionimit të saj. Privilegj përbën për të gjitha të rejat qëndrimi në këtë konvikt, jo thjesht si një mundësi për ndjekjen e mësimeve, por edhe për faktin se në konvikt janë përfituese të një seri njohurish që marrin, jetës kristiane që përbën bekim të veçantë, dhe mundësive të tjera. Në konvikt kanë mundësinë të mësojnë gjuhë të huaja, kompjuter, jetë kristiane. Bëjnë ekskursione në vende të ndryshme, monumente kulture dhe natyrore. Ajo që është shumë e rëndësishme të theksohet është fakti që këtyre të rejave u jepet një mundësi unikale që gjithçka që mësojnë e përfitojnë ta ndajnë me të tjerët: kjo në saje të kurseve të katekizmit dhe punës me fëmijët e grupeve që vajzat krijojnë në fshatrat e zonës përreth.

    Ndërkaq, Instituti i Formimit Profesional, i cili prej katër vjetësh funksionon në Gjirokastër, këtë vit transferohet në kompleksin madhështor dhe bashkëkohor arsimor “Emaus”. Është një hap i rëndësishëm që do ta shndërrojë këtë institucion në një qendër që do ndikojë ndjeshëm në gjallërimin e veprimtarive arsimore e kulturore përtej procesit rreptësisht mësimor. Godina mbi 3500 metra katrore është një kompleks që plotëson të gjitha kushtet për qëllimin të cilit do t’i shërbejë. Bëhet fjalë për kompleksin arsimor më modern në të gjithë vendin.

    Sivjet Instituti i Formimit Profesional ka për synim të vet edhe tri degë të reja me objekt direkt teknik: për instalime hidraulike, instalime elektrike dhe riparim automjetesh. Në sektorin e arsimit profesional sivjet Kisha jonë ndërmori edhe një hap tjetër të guximshëm dhe të bekuar njëherësh. Në fshatin Mesopotam të Sarandës u çel dhe filloi nga procesi mësimor shkolla e mesme profesionale “Apostull Pavli”. Bëhet fjalë për një institucion tjetër në zinxhirin e institucioneve të Fondacionit “Frymë Dashurie”.

    Shkolla ka këtë vit katër degë: informatikë, instalime elektrike, instalime hidraulike dhe instalime frigoriferike- kondicionimi. Janë regjistruar dhe ndjekin mësimet 58 nxënës nga zona e Sarandës, Delvinës dhe Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një kontribut të veçantë të Kishës Orthodhokse, ngaqë sistemi profesional përbën synimin e këtij dhjetëvjeçari në vendin tonë. Duke marrë parasysh faktin se në këtë shkollë kanë ardhur kryesisht nxënës me prirje teknike, por me nota të ulëta, kjo ndërhyrje i merr këta nxënës dhe i integron me dinjitet në tregun e punës dhe në shoqëri.

    Janë marrë të gjitha masat për pedagogë të kualifikuar (kanë ardhur madje ndihmës me përvojë të gjatë në këtë fushë edhe nga Greqia), për laboratorë dhe transportin e nxënësve. Përveç një kontributi për zhvillimin e arsimit, kjo ndërhyrje ka për të luajtur rolin e saj edhe në zhvillimin e ekonomisë, ngaqë synimi është të nxjerrë profesionistë të përgatitur me metodat bashkëkohore, por edhe njerëz me ideale dhe ambicje progresiste.

    Nga një pikëpamje tjetër e gjithë kjo prani e Kishës Orthodhokse në sektorin e arsimit, veç të tjerash, ofron mundësi punësimi direkt dhe indirekt për dhjetëra arsimtarë dhe personel ndihmës, si dhe plotësim në të ardhurat për ata që japin mësim në sektorin publik. Kjo, në zona të periferisë, larg qyteteve të mëdha, përbën akoma më shumë një kontribut të guximshëm dhe frytet e përpjekjes janë më të pëlqyera.

    O. Beci

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Shkolla i ka të gjitha premisat për të përgatitur të ardhmen

    - Intervistë me drejtorin e shkollës “Kryqi i nderuar”, z. Thanas Bej -


    Cilat janë objetivat për këtë vit të ri shkollor?


    Nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas prej 8 vitesh funksionon Shkolla e Mesme unike Kishtare në Gjirokastër. Funksionon duke synuar që të kontribuojë në radhë të parë në edukimin e nxënësve të saj, për integrimin e tyre si anëtarë të denjë të shoqërisë, si dhe përgatitjen e kuadrove të aftë për nevojat dhe kërkesat e ndryshme të Kishës. Origjina e nxënësve nga krahina të ndryshme, nga qyteti dhe nga fshati, sjell si rezultat përparimin në nivele të ndryshme për sa i përket formimit kulturor e shkencor të tyre. Objektivi i shkollës edhe për këtë vit të ri arsimor do të jetë krijimi i premisave të përshtatshme për një nivel të lartë kulturor e shkencor, për të gjithë nxënësit pa përjashtim.

    Çfarë kushtesh u ofrohen nxënësve?

    Kushtet janë mjaft të mira. Shkolla ka një konvikt komod me të gjitha premisat që i duhen një nxënësi. Gjithashtu konvikti disponon salla shumëfunksionale. Edhe ambientet e tjera janë shumë të përshtatshme, si: kuzhina dhe mensa me ushqim cilësor. Shkolla disponon ambiente të përshtatshme për studim dhe të gjitha këto do sigurojnë arritje për të realizuar objektivin e shkollës. Mendojmë se edhe futja e internetit në shkollë do luajë një rol të rëndësishëm. Ne disponojmë një klasë me kompjutera të rinj, të cilët janë në dispozicion të nxënësve, të cilët kanë arritur të fitojnë aftësi në lidhje me këtë drejtim.

    Si paraqitet stafi pedagogjik?

    Stafi pedagogjik është i specializuar. Të gjithë kanë shkollën e lartë dhe disa prej tyre kanë grada shkencore. Janë mësues të kualifikuar dhe mundohen që të japin mësim me një nivel mjaft të lartë. Shkolla disponon një bazë materiale aktive dhe laboratorë të cilët përdoren nga vetë mësuesit.

    Çfarë thirrje do t’u bënit nxënësve të ardhshëm për të ndjekur studimet në këtë shkollë?

    Krahas anës shkencore ku shikojmë që të gjithë nxënësit marrin një formim të mirë, drejtimi tjetër i shkollës është edhe përgatitja morale dhe fetare që ata të jenë njerëz të aftë për Kishën dhe shoqërinë në përgjithësi. Prindërit dhe vetë fëmijët le ta shikojnë me seriozitet këtë shkollë, e cila i përgatit në mënyrë cilësore për të ardhmen e tyre vetjake dhe sociale.

    Isidor Koti
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 04-12-2006 më 01:15

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    E ardhmja e Shkollës së Konservimit dhe Restaurimit të Veprave të Artit

    Zhvillimi i demokracisë në Shqipëri u krijoi mjaft mundësi të rinjve në drejtim të kualifikimit të tyre. Për t’u ardhur në ndihmë të rinjve në zgjedhjen e profesioneve që dëshirojnë, në ditët e sotme janë hapur shumë shkolla të larta jopublike të nivelit universitar dhe jouniversitar, që ofrojnë specializim në profesione të ndryshme. Një shkollë e tillë është edhe Instituti 2-vjeçar i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, i hapur që nga viti 2000 me nismën, financimin dhe përkujdesjen e Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit.

    Kjo shkollë ka një profil të mirëfilltë profesional në disa degë, një nga të cilat është dhe dega e Konservim - Restaurimit të veprave të artit dhe kërkimeve arkeologjike. Hapja e kësaj dege lindi si domosdoshmëri për konservimin dhe restaurimin e pasurive kulturore në vendin tonë dhe është e para e këtij lloji, duke plotësuar në këtë mënyrë një boshllëk në formimin e të rinjve në këtë sektor.

    Restaurimi e konservimi i veprave të artit është një praktikë shumë antike, por që nga gjysma e dytë e shekullit të 20-të filloi të zhvillohej shumë shpejt si një shkencë e pavarur. Sistemi i studimeve në këtë degë, si në të gjitha degët e tjera që mbulon ky Institut, mbështetet në programe mësimore të standardeve europiane, gjë që pasqyrohet në planin mësimor të lëndëve që trajtohen gjatë dy viteve tij.

    Në përputhje të plotë me planin dhe programin mësimor, studentët janë të detyruar të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme leksionet në auditor dhe punët praktike në një laborator bashkëkohor që funksionon pranë shkollës. Një tjetër avantazh për studentët e kësaj dege është që gjatë dy viteve të formimit të tyre, mund të punojnë në laborator mbi vepra origjinale të epokës.

    Pas përfundimit të studimeve studentët paraqesin një punim të pavarur mbi temën e zgjedhur prej tyre. Konservimi dhe restaurimi i veprave të artit dhe kërkimet arkeologjike janë një profesion i së ardhmes, sepse çdo ditë edhe më shumë qytetërimi ynë vlerëson rëndësinë e kulturës sonë dhe të veprave e objekteve antike, si edhe nevojën absolute të konservimit të tyre. Shkolla për momentin është e specializuar në konservimin e drugdhendjes, të pikturës në telajo të ikonave, të pikturës murale, të ndërthurura me konservimin e mozaikëve, qeramikës dhe letrës. Perspektiva e shkollës për vitet e ardhshme konsiston në specializimin për konservimin dhe kërkimet arkeologjike të metaleve, të qelqit, të letrës dhe tekstileve.

    Në këtë degë japin mësim profesorë të huaj me përvojë dhe shumë të njohur, që në të njëjtën kohë janë lektorë dhe në vende të tilla si Itali, Greqi, Angli etj., si edhe profesorë shqiptarë me përvojë dhe kualifikime jashtë shtetit.

    Specialistët e diplomuar nga Instituti në këtë degë sot për sot kanë gjetur mundësi punësimi pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në studion e Restaurimit të pasurisë kulturore me vlera antike, si edhe në tregun privat të punësimit.

    Por, si një profesion i së sotmes dhe i së ardhmes dhe në kushtet kur mjaft qytete muze si Butrinti, Gjirokastra, Berati me objektet, veprat dhe vlerat e tyre historiko-kulturore kanë fituar mbrojtjen e UNESKO-s, mundësitë e punësimit të brezave të ardhshëm të specialistëve të restaurimit dhe konservimit do të jenë edhe më të mëdha.

    Drejtore e Institutit
    Prof. As. Dr. Beatriçe Polo

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Viti i ri mësimor 2006-2007 me ambiente të reja dhe me një staf pedagogjik të kualifikuar

    Në dy shkollat 9-vjeçare të Kishës sonë, “Protagonistët” në Tiranë dhe “Frymë dashurie” në Durrës, atmosfera e gëzuar e nisjes së vitit të ri arsimor u shoqërua edhe me një dhuratë të veçantë nga Kryepiskopi Anastas. Për këto shkolla, përveç stafit të kualifikuar dhe mjeteve didaktike janë siguruar mjedise të reja dhe bashkëkohore për zhvillimin cilësor të mësimit. Për klasën e katërt dhe të pestë në shkollën “Protagonistët” pranë qendrës së re shpirtërore-arsimore të Kishës sonë “Thavor” është kompletuar ndërtesa e re dhe moderne, e cila do të funksionojë posaçërisht për klasat e reja. Edhe në shkollën “Frymë dashurie” në Durrës është bërë rikonstruksioni i plotë i ambienteve.

    Drejtoresha e shkollës shqiptaro- amerikane “Protagonistët”, znj. Polin Rasëll, tha ditën e parë të fillimit të vitit të ri mësimor se “kushtet moderne dhe mësimdhënia janë në dobi të ngritjes së mëtejshme formuese të nxënësve, të cilët gjejnë në këtë shkollë të gjitha shërbimet e nevojshme.” Vlen të theksohet se edhe pse është në vitin e pestë të funksionimit të saj, shkolla “Protagonistët” konsiderohet një nga qendrat arsimore më konkuruese në kryeqytet.

    Gjithashtu, në këtë linjë ndodhet edhe shkolla e re “Frymë dashurie” në Durrës, e cila ka hyrë në vitin e dytë të jetës së saj. Atë e frekuentojnë shumë nxënës nga qyteti dhe rrethinat e tij. Shërbimi që iu ofrohet nxënësve të klasës së parë dhe të dytë është me nivele të larta dhe bashkëkohore.

    “Për ne, ky vit i ri shkollor sjell dy evenimente: e para është shkolla e re, një dhuratë shumë e bukur e Kryepiskopit Anastas për qytetin e Durrësit dhe së dyti është nisja e një viti të ri me objektiva të rinj, për të ngritur gjithnjë e më shumë nivelin e përgatitjes së nxënësve”, - tha drejtori i shkollës z. Kristaq Milo. Gjithashtu ai tha se stafi pedagogjik i kësaj shkolle kishte përgatitur një letër falënderimi për Kryepiskopin Anastas.

    Isidor Koti
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Filluan Përkujdesjet Ditore të Kishës

    Në shtator rinisën nga funksionimi 15 përkujdesjet ditore të fëmijëve, të cilave u shtohet kopshti më i ri, ai i Dervicianit.
    Duhen veçuar këtu risitë në kopshtet e Tiranës dhe Durrësit. Kopshtit të kryeqytetit iu shtuan mjedise të reja dhe një kuzhinë model, që do bëjnë të mundur kalimin në sistemin “me drekë” të një pjese të fëmijëve.
    Ndërsa kopshti i Durrësit sivjet u vendos në mjedise plotësisht të reja dhe me kushte bashkëkohore. Gjithashtu, edhe ky kopsht do të kalojë në sistemin me drekë.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Ëndrra që u bë realitet

    Është kënaqësi të punosh me fëmijët; ata janë të mrekullueshëm e çapkënë... Por më kënaqësi është t’u dhurosh atyre dashuri dhe përkujdesje; cilësi këto që çdo edukatore duhet t’i ketë. Por fëmijët kanë kërkesa; disa na i thonë e ne mundohemi t’i realizojmë, por disa të tjera edhe i ruajnë për vete. Ndërsa disa të tjera, pavarësisht, nga dëshira jonë e mirë nuk mundemi t’ua realizojmë.

    Gjatë gjithë këtyre viteve pune me fëmijët ruaj shumë kujtime dhe mbresa të bukura. Kam dëshiruar e dëshiroj gjithmonë të futem në botën e tyre që të di dhe të realizoj sado pak ëndrrat e tyre të mrekullueshme. Bota e tyre është mrekulli si vetë ata... Lum kush e ka këtë fat!

    Por një mrekulli është edhe kopshti ynë. Ai u bë realitet falë shpirtit hyjnor të Kryepiskopit tonë, Anastasit, dora e ngrohtë e të cilit është ndjerë në shumë akte bamirësie. Ti rreshtosh ato do duhen tërë faqet e gazetës dhe shumë kohë.

    Ne edukatoret e kopshtit të Tiranës kemi kohë që i gëzohemi kopshtit të ri. Më vonë ai do mbushet me fëmijë e do të bëhet edhe më i bukur. Ata do lumturohen nga kopshti i tyre i ri: duke realizuar ëndrrën e tyre.

    Tani që po shkruaj këto radhë jam në ambientet e tij të bukura e të bollshme dhe nga koleget e mia dhe prindër të ndryshëm dëgjoj të thonë: “Sa mirë dhe sa shpejt u ndërtua..., faleminderit Kryepiskopit tonë të nderuar”. Këto janë fjalët që dalin nga zemra jonë, nga ajo e prindërve dhe e fëmijëve të tyre.

    Edhe një herë faleminderit dhe jetë të gjatë Fortlumturi, për të mirën e Ordhodhoksisë shqiptare.

    Me përulësi, dashuri dhe mirënjohje,
    Janulla Toslluku

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,345
    Postimet në Bllog
    17
    Përvojë pozitive me kampet e fëmijëve

    Këtë verë ashtu si edhe 5 vitet e shkuara, Kisha jonë, nëpërmjet Zyrës së Fëmijëve, në bashkëpunim me atë të Katekizmit dhe me të rinj nga grupet rinore orthodhokse, organizoi kampe ditore për fëmijë.
    Këtë vit u përzgjodh për t’u përcjellë tek fëmijët tema: “Të mësojmë nga shenjtorët”. Këto kampe u organizuan në 28 qytete e fshatra në të gjithë vendin Programi i tyre përmbante: Lutjen e mëngjesit, këngë, vargun e ditës, mësim, punëdore, lojëra të ndryshme, lutjen e mbylljes etj. Programi i çdo kampi zgjat 7 ditë. Si gjithmonë, dita e fundit është mbyllja e veprimtarisë.
    Në këtë ditë u organizuan festivale, ku qenë të ftuar prindërit, të cilët mund të shikonin ato gjëra që fëmijët kishin mësuar përgjatë kampit. Në vendet ku u zhvilluan kampet, si në Kavajë, Durrës, Bubullimë, Lushnjë, Elbasan, Shën Joan Vladimir dhe Fikas, nga vizitat dhe bisedat me koordinatorët përkatës të kampeve rezulton se ato janë të dobishme, sepse fëmijët zbaviten dhe përdorin në mënyrë aktive kohën e tyre të lirë, si edhe ajo që është më e rëndësishme, mësojnë për Perëndinë përgjatë një kohe ku ky mësim ofrohet më intensivisht në disa zona dhe për herë të parë në disa vende të tjera. Këto kampe ndihmojnë shumë për afrimin e sa më shumë fëmijëve pranë Kishës dhe aktiviteteve të saj.
    Edhe për vitin shkollor në vazhdim Zyra Kombëtare e Fëmijëve ka planifikuar një sërë aktivitetesh të larmishme.

    Gabriela Bezhani
    Ana Kërçuku

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Besimet fetare
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-11-2011, 07:16
  3. Plavë e Guci
    Nga Davius në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 05-10-2008, 23:36
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. 101 personalitete dënojnë qëndrimin e At Foti Cicit
    Nga dodoni në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 26-09-2003, 05:05

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •