Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1

    Kryengritja e parë antikomuniste e Postribës

    Kryengritja antikomuniste e Postribës

    Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës. Ura e Mesit është një monument i gjallë kulture e ndërtuar në kohë të Bushatllive. Kalaja e Drishtit është ndërtuar në mesjeten e hershme para sundimit të Venedikut. Rrugë të vjetra të shtruara me kalldrëm e lidhin atë me Shkodrën. Një vend të rëndësishëm zënë banorët e Postribës, në historinë e rrethit të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Burrat e Postribës morën pjesë në mbrojtjen e Ulqinit, të prirë prej bajraktarit të Boksit, Tahir Bajraktari. Ato luftuan trup me trup, në mbrojtjen e Shkodrës nga malazes 1912-1914, ku u vra Halil Isufi i Drishtit. Më 1920, në luftën e Koplikut, Adem Haxhia i Boksit, u priu 200 luftëtarëve nga Postriba. Në ditët e pushtimit italian 1939, përsëri princi Adem Haxhia me luftëtare postriborë, priti me pushkë në dorë ushtrinë italiane. Në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë, postribasit kanë vendin dhe kontributin e tyre për Çlirimin e Shqipërisë, sepse si patriotë, luftëtarë të lirisë ato kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Por shumë shpejt ashtu si gjithë shqiptarët, por pastriborët më parë se të tjerët e kuptuan mashtrimin e madh komunist, natyrën e tyre antinjerëzore, antidemokratike, antifetare, antiperëndimore dhe iu kundërvunë asaj.

    Organizimi i rezistencës antikomuniste

    Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë, të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore. Në malet e veriut, ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit etj, në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit etj, po kështu në Shllak etj. Në Postribë situata ishte në shpërthim. Filluan të zhvilloheshin mbledhjet e para, me qëllim pjesëmarrjen sa më të gjërë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politik në burgjet e Shkodrës e me gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, me datë 09. 09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07. 09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen, pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Në mbledhje morrën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijesi Osman Haxhia, i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë me 09.09.1946. Më datën 07.09. 1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës. Në pritje të datës së caktuar, njerëz të sigurimit komunist kishin depërtuar në rradhët e kryengritësve. Me datën 09.091946 filloi kryengritja. Asaj i parapriu aksioni i prerjes së telave të ndërlidhjes Shkodër -Tiranë, nga Hamza Trieshti me shokë. Ishte vendosur që grumbullimi i kryengritësve të bëhet në orën 02 të 9 shtatorit në Stom Golem, ku do të bëhet organizimi dhe përgatitja për fillimin e sulmit, sa po të fillonte të zbardhte drita. Kryengritësit synonin që me veprime të shpejta, të kordinuara me forcat e zonave të tjera të Gurit të Zi, të fshatit Oblik, të ndihmuar nga forcat brenda qytetit të krijonin një situatë të pasigurtë për forcat qeveritare. Kryengritës nga Oblika e Anës së Malit dhe Guri i Zi, nuk arritën të kalonin urat. Qyteti nuk ndihmoi kryengritësit, përveç ndonjë përjashtimi, sepse qytetarët nuk arritën të merrnin armët që ishin premtuar deri në orën 24 të natës, mungonte informacioni dhe organizimi. Sulmi u përqëndrua në tre drejtime: kundër gazermave të ushtrisë në Rus, kundër burgjeve politike dhe një pjesë tjetër do të sulmonte degën e punëve të brendshme që të paralizonte veprimet e këtij organi.

    Sulmi filloi, sipas dëshmive të Abdullah Sahitit, dënuar me burgim të përjetshëm në orët e para të mëngjesit. Me tri të shtëna pushke, nisi sulmin mbi gazermat e ushtrisë në Rus. Luftimet në këto gazerma u zhvilluan të ashpra deri në ndeshje trup me trup, sepse një pjesë e kryengritësve nuk kishte armë. Luftimet zgjaten rreth një orë e gjysëm. Nëpër lagjet e qytetit, patriotë si Qazim Rroji, u përpoqën të ngrinin popullin në kryengritje, por organizimi jo i mirë bëri që përkrahja e tij të ishte e vakët.

    Deri në atë moment ishin vrarë rreth 12 kryengritës dhe plagosur me dhjetra të tjerë, por një pjesë e kryengritësve, kishin arritur të depërtonin deri në lagjen Rus, te Doganët e Reja.

    Terrori komunist: 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi të djegura

    Forcat qeveritare, duke pasur epërsi numerike dhe armatimi, në mbështetje edhe nga forcat e reja të ardhur nga Tirana, arritën që nga pozicioni mbrojtës të kalojnë në sulm. Udhëheqësit e kryengritjes Osman Haxhia, Idriz Tahiri, Jakub Dani, etj., qenë shëmbuj burrërie. Kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin. Tërheqja qe e organizuar dhe e thellë. Gjatë tërheqjes mbeti i vrarë Elez Bazi, Nuz Salja. Osman Hyseni plagoset rëndë, lidhet pas një makine dhe tërhiqet zvarrë deri te Ura e Mesit. Në fshatin Krebaj, të bregut të Bunës, bie heroikisht me armë në dorë Rasim Gjyrezi. Filloi terrori i egër komunist. 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi të djegura me çfarë kishin brenda. Në çdo fshat kishte të paktën një të pushkatuar,10 shtëpi të djegura, çdo burrë i aftë për pushkë arrestohej. Me dhjetra qenë të pushkatuarit me gjyq. Çdo ditë para popullit vriteshin e torturoheshin me dhjetra kryengritës. Repartet ndëshkimore komuniste, kalonin nga fshati në fshat dhe pushkatimet, burgosjet, internimet, djegiet, plaçkitjet, torturat s'kishin të mbaruar. Nga viti në vit, për të thyer rezistencën, shpirtin antikomunist e demokrat të postribasve organizoheshin përsione të vazhdueshme. Por asgjë nuk i mposhte postriborët. Ato qëndruan si gjithmonë krenar e të pamposhtur. Nga viti në vit burgoseshin e internoheshin me dhjetra postriborë. Uria dhe varfëria bënin kurdinë. Por sa mposhtej mali, apo përkulej, aq mposhtej dhe përkulej postribori. Ai priste një ditë që të shpërthente përsëri, më fuqishëm se kurrë shpirti liridashës, demokrat, antikomunist i postriborëve. Në lëvizjet e para demokratike të vitit 1990-1991, ato janë në rreshtat e para të protestuesve. Me qindra e qindra bëhen anëtarë të PD, marrin pjesë në epopenë e 2 Prillit 1991, me qindra e mijëra i japin votën PD, dhe fitorja erdhi në 1992. Ato punojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike, dhe në krye të këtyre proceseve janë bijtë, nipat, bashkëfshatarët e atyre që u ndeshën me komunizmin 60 vjet më parë, por sot me fitore. Kryengritja komuniste e 1997, nuk i mposhti ato. Me votë dhe me armë në dorë mbrojten demokracinë dhe votat për PD vazhdojnë të rrjedhin lumë, sepse askush nuk mund të lëkundë besimin e tyre ndaj PD-së, kryetarit të saj Prof.Dr . Sali Berishes. Sot, Komuna e Postribës është në komunat më të përparuara të Qarkut të Shkodrës, që drejtohet me aftësi, profesionalizëm, ndershmëri, ideale të larta demokratike nga bijtë dhe bijat, nipërit, figurat më të nderuara të atyre që shkruan faqe lavdie 60 vjet më parë. Dje, më datën 09.09 2006 në qëndër të Komunës së Postribës, në kujtim të 60-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës, Komuna e Postribës, në bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës, organizuan aktivitet të gjërë përkujtimor, artistik, në të cilin morën pjesë qindra e mijëra postriborë, nga fshatrat përreth, qytetarë, drejtues të PD-së, pushtetit qendror dhe lokal.

    Fac Shabaj, Kryetar i Komunës së Postribës

    Shyqyri SELHANI

    Gazeta RD
    11-09-2006

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e abnk
    Anëtarësuar
    27-07-2004
    Vendndodhja
    Vendi i fundit i lire n'bote, USA
    Postime
    242
    Shpresoj qi Kryengritjes t'Postrribes t'i njifet vlera qi i takon.
    Defend the second amendment

  3. #3
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Postriba, harta memece e historiografisë sonë zyrtare
    AGRON TUFA

    Këto ditë, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit përkujtoi me një konferencë shkencore 65-vjetorin e njërës nga kryengritjet më të para antikomuniste, atë të Postribës. Studiuesit iu qasën kësaj ngjarjeje nga disa këndvështrime historiko-krahasuese me strategjinë dhe përshkrimet e sakta, duke u mbështetur në një dokumentacion të pasur arkivor, i cili paskësh ekzistuar, por, për çudi, nuk është shfrytëzuar. Por edhe në ato raste kur është përdorur në kumtesa të mëparshme, nuk është përfillur asnjëherë në tekstet e historiografisë zyrtare, duke e lënë të pandriçuar e të shpërfillur këtë datë për të gjitha nivelet e mësimit të lëndës së Historisë në shkolla e universitete. Dëshmimi i të vërtetës së 9 shtatorit 1946, ashtu sikundërse dhe e kryengritjeve të tjera antikomuniste, duhej të kishte qenë detyrë parësore e historiografisë sonë zyrtare në liri. Por, me gjithë arkivat e pasura, për fat të keq, ngjarje të tilla që, përveç së vërtetës, i ngrenë dinjitetin shqiptarit në histori, janë lënë, përkundrazi, në harresë të plotë. Dhe Postriba, një ndër kryengritjet e para antikomuniste jo vetëm në Shqipëri, por në krejt Europën Lindore, është shembulli flagrant i “hartës memece” të historisë, në kuptimin e saj më të drejtpërdrejtë.

    Me gjithë kujtimet, shënimet dhe përshkrimet që na vijnë nga ajo kohë e kobshme për Shqipërinë dhe në veçanti për Shkodrën, prapë është e vështirë t’i bësh sot vend në përfytyrim asaj shkalle mizorie, mllefi e urrejtjeje plebeje, që solli vëllazëria komuniste e sektit shqiptaro-sllav. Postribasit, ashtu si qytetarët e vjetër të Shkodrës, u bënë dëshmitarë të shtangur nga tmerri të pamjeve të lemerishme të masakrave ditën për diell, të ekzekutimeve publike, pa gjyq, pa proces, pa mbrojtje ligjore, pa të drejtë apeli. Çdo ditë përgatitej një “shfaqje” publike për diskreditimin e “armiqve të popullit”. Çdo ditë përgatiten mesha të zeza sataniste që shoqërohen me kryqëzimin e flisë së radhës nën ritualet, vallet rreth të pushkatuarve me këngën e padëgjuara asoane “Lule Sofo, lule djalë…”. Grupe malësorësh, intelektualësh e klerikësh parakalojnë të lidhur me pranga e litarë, krah për krah, ndërsa rreth e rrotull tyre, grupe të rinjsh e gra histerike – aktivistë të rinisë komuniste përsëritin në kor: “Plumbin ballit! Vdekje tradhtarëve!”.

    Të arrestuarit, burra shtatnaltë, përfaqësues të denjë të racës ilire që u ruajt për shekuj në naltësitë e Alpeve të Veriut dhe ajka e inteligjencies dhe klerit shikojshin me çudi këtë komedi të zezë funebre. Turma të topitura në të dyja anët e bulevardit heshtin të habitura e të frikësuara. Frika e ushtrueme nga partizanët po jepte frytet e saj të para: një popullsi e tërë zhvishej nga guximi qytetar tradicional. Mandej vijnë gjyqet ushtarake dhe sheshet e Shkodrës shndërrohen në poligonet e qitjes ushtarake të ekzekutimit. Kudo të sheh syri kufoma, të mbuluara e të pambuluara, në sytë e qytetarëve. Në përgjithësi kjo ishte tabloja, kjo ishte shija e parë e shoqërisë së re…

    Malësorët e Postribës guxuan, provuan ta ndalin dhe t’i përzënë me armë komunistët njëlloj si çdo pushtues tjetër, duke shpresuar për një përkrahje dhe zgjerim të aksionit, duke depërtuar në qytet, duke u ndeshur me kazermat dhe ushtrinë e madhe e të armatosur mirë. Edhe pse kryengritja u shtyp, ajo është rasti më i vetëdijshëm i kundërshtimit të organizuar të diktaturës gjakësore; ajo kishte një objektiv të qartë politik, një strategji dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët e nënshtruar, me një plan përhapjeje në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe lidhjen e mundshme me aleatët perëndimorë. E rëndësishme është nuhatja politike e postribasve: ata i parandjenë reformat e dhunshme që do të ndiqte politika e pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, lidhja me vendet e Lindjes si Jugosllavia e Bashkimi Sovjetik. Postribasit e kishin të vështirë, madje të pamundur, t’i besonin komunizmit, i cili vinte nga Jugosllavia. Postriba dhe Shkodra i kishin të freskëta djegiet dhe masakrat e serbo-malazezeve të 20-30 viteve më parë. Për ta ishte e pamundur të bashkëjetoje me shkjaun që për postribasit ishte një i pabesë historik. Të gjitha këto ndikuan te postribakët dhe sollën atë që i bëri të njohur kudo, kryengritjen e armatosur të 9 shtatorit 1946, e para kryengritje antikomuniste në të gjithë Europën Lindore. Ndonëse lëvizja e Postribës, e kombinuar edhe me qytetin e Shkodrës, vinte pas disa kryengritjeve të një viti më parë, siç ishte ajo e Kelmendit, Koplikut, Bërdicës dhe Anës së Malit, ajo ka meritën se guxoi të sfidonte me një aksion tashmë jo mbrojtës, por sulmues pushtetin e instaluar komunist në pikun e revanshit të tij. Madje, një pushtet që nuk fillonte vetëm në Shqipëri, por që ishte rrjedhojë e zgjatimit kontinental të gjithë kampit komunist, deri në epiqendrën e tij në Kremlin.

    Rrjedhimisht, siç është theksuar shpesh, kryengritja e Postribës është e para përplasje me krejt “Perandorinë e së Keqes”, plot dhjetë vjet para se të shpërthejë “Revolucioni hungarez”, gjithashtu i mbytur në gjak.

    Rrjedhimet e këtij akti vetmohus, siç shkruan prof. Sami Repishti, u treguan katastrofale: “Lëvizja e Postribës nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Në nji fushë afër qytetit, u ekzekutuen 28 katundarë. Me duzina shtëpi u dogjën, e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti. Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. Lëvizja u ba shkak ‘të pastrohej gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe, nga elementët ‘armiq të popullit’. Brenda nji mueji, qyteti kishte 11 burgje të përkohshme, e ma shumë se nji mijë e dyqind të arrestuem”. Sipas përllogaritjeve tona, numri i të vrarëve dhe të pushkatuarve të lidhur me Postribën, para dhe pas kryengritjes, mbërrin në 64 dhe disa qindra të tjerë me dënime të rënda me burg. “Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo! Por, natën, kur filloi pushka nëpër rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazinë e të gjithëve. Monstra e kuqe mishngranëse ishte plagos!”.

    Kanë kaluar 65 vjet nga lëvizja antikomuniste e Postribës, por ajo qëndron gjithmonë në zgrip të historisë tonë, e shmangur, e mënjanuar, ende e parehabilituar siç e meriton. Ajo kërkon llogari prej nesh; kërkon një të kuptuar më të thellë; kërkon bilancin tonë për atë plojë gjysmëshekullore, prej së cilës dolëm të gjymtë, të tjetërsuar, të shfytyruar dhe me një hendek të pakapërcyeshëm midis traditave, brezave, krahinave, mentaliteteve dhe trashëgimive e përvojave tona. Postriba lyp prej nesh një tjetër dialektikë thellimi e reflektimi mbi vlerën dhe çmimin e lirisë dhe raporteve tona morale, individuale e shoqërore me të vërtetën. Sa të forta janë sot raportet tona me të vërtetën? Me historinë tonë të largët e të afërt? Ku është sot pozicioni dhe vendi ynë në atë çarje të thellë që hapi komunizmi në shoqërinë tonë? Kulti gjysmëshekullor i mashtrimit, gënjeshtrës dhe falsifikimit, të vetmet parime që i kanë paraprirë për gjysmë shekulli sundimit komunist, kalendarit dhe ritualeve të tij festive, pedagogjikës së pandërprerë të mashtrimit dhe alibisë, vazhdon të ushqehet e të shpërthejë me frenetizëm e histeri në mbrojtje të trashëgimisë së vet!

    Por Postriba ishte një fakt i përgjakur; ishte çarja e thellë dhe e pariparueshme në historinë tonë; ajo është tortura dhe ndëshkimi i asaj ndërgjegjeje kriminale që kurrë nuk mund t’i blejë me harresë gjakun e lotët e derdhur të qindra familjeve dhe brezave të tyre për dekada persekutimi; për itineraret sfilitëse të familjeve pas bijve të tyre nëpër burgje e kampe shfarosëse internimi. Postriba, si kujtesë, është bilanci i të gjithëve, është një llogari e hapur në historinë tonë të mbuluar me dhé!

    Forcat e djathta të politikës shqiptare janë të vetmet që janë munduar ta nderojnë kujtimin e kësaj lëvizjeje dhe të martirëve të saj, e megjithatë, ne e dimë se jemi ende larg. Jo gjithçka është zbuluar, jo gjithçka ka dalë në dritë nga hiri i të vdekurve! Në këtë vend të verbuar nga shtjellat e urrejtjes, në këtë vend ku kanë ndodhur ligësitë dhe poshtërsitë më tronditëse me jetën e njeriut; në këtë vend dhimbjeje e zhgënjimesh, qenka vështirë të zbulosh fytyrën e plotë të së vërtetës, për të cilën kemi nevojë të gjithë! Dhe e vërteta nuk mund të flasë e shqyer në copa, në fragmente, e segmentuar në artikuj shtypi e as në një kërkim të përciptë dokumentesh, që na shmang nga zanafilla e thelbi i krimit. Në çdo përvjetor diçka harrohet: njerëz të gjallë, pasardhës të familjeve të pushkatuara, të shpërndarë anë e mbanë Shqipërisë e nëpër botë, ndoshta habiten e ndoshta preken prej kësaj “harrese”. Prandaj është e nevojshme të përvijohet një gjeografi e krimit dhe e plagëve.

    Postriba kërkon prej nesh një ballafaqim të hapët, diskret, të gjithanshëm, ashtu si shumë ngjarje të kyçura në kasafortat e arkivave, për t’u shpalosur fizionomia e shëmtuar e krimit në krejt pamjen e vet të përbindshme, pavarësisht se edhe kjo është e pamjaftueshme. Ju të gjithë e dini se jo çdo gjë e gjen në arkiva. Nuk i gjen të arkivuara torturat çnjerëzore, fyerjet e poshtërimet, shantazhet e përndjekjet. Nuk i gjen të arkivuara dot vetëmohimin dhe thyerjen e njeriut nëpër qelitë dhe hetuesitë e xhelatëve. Por ne ua kemi borxh atyre burrave dhe familjeve, ua kemi borxh brezave të tyre ndër dekada, që u rritën me tmerret, privimet dhe tragjeditë njerëzore si të mallkuar. Dhe ne duhet patjetër të na interesojnë këto histori njerëzore, të mos harrojmë as fatin e një njeriu të vetëm, që nga dita kur “në emër të popullit” xhelatët e Sigurimit i vunë prangat ne zyrë, në auditor, në rrugë, në kishë, mes familjes. Ç’u bë me këta njerëz nga ky moment? Ç’u bë me njeriun në përgjithësi? Atë babën e familjes, axhën a vllaun derisa e kthyen, në rastin më të mirë, të plakur, të sëmurë, të thyer, e në rastin më të keq, në një trastë najloni me kocka? Po për ata familje që nuk kanë ku të vënë një qiri, një tufë me lule, një përulje në gjunjë? Si janë rritur, vallë, ata fëmijë të vegjël kur me çantën e librave në krah kthejnë në shtëpi dhe e gjejnë oborrin plot me statuja familjare të ngrira?

    Ne rrezikojmë si popull, si vetëdije e krejt sociumit me indiferencë e harresë nën moralin cinik e nihilist të parullës – “Të shohim përpara”. Ashtu shikonin edhe postribasit, edhe shkodranët, edhe gjithë shqiptarët në vjetin 1945, por prapa, në shpatulla, u kujtuan, ajme, me vonesë, se kishin tytën e automatikut të komunistëve, ndërsa përpara – nxinte gremina.

    Postribën dhe rezistencën antikomuniste të Shkodrës dhe shqiptarëve janë përpjekur ta bëjnë memece, të pagojë; ta shmangin nga librat, nga tekstet e historisë shkollore e të të gjitha niveleve, nga tekstet e Akademisë për 40 vjet me radhë; trashëgimtarët e komunizmit shqiptar janë përpjekur e deri më sot ia kanë dalë t’i privojnë brezat shkollorë nga e vetmja kujtesë e denjë midis turpit të ngrefosur të izolacionit komunist. Në volume të tëra, pa mbarim, kemi parë të tirret saga e mërzitshme dhe e pafund e Udhëheqësit dhe apostujve komunistë me gjithë zhganin e tyre, të dëshmojnë truprojat, rrobaqepësit, gjelltorët e berberët, por kurrë nuk kemi parë të flitet për kryengritjet antikomuniste. Dhe në ato pak raste koprace kur është përmendur, historiografia zyrtare komuniste e regjur në manipulime, e cila ka ndot prej së vërtetës, e përmend rastin e kryengritjes së Postribës për t’i thurur lavde vetvetes. Ja si është karikaturuar kryengritja e parë antikomuniste në Europë mbas Luftës së Dytë Botërore në tekstin “Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë”, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, pranë KQ të PPSH, Tiranë 1968, f. 232:

    “Në shtator 1946, bandat kundërrevolucionare kryen një goditje të armatosur në qytetin e Shkodrës. Kjo goditje ishte llogaritur të shërbente si pikënisje për ndërhyrjen ushtarake të jashtme. Mirëpo llogaria nuk u doli armiqve, sepse bandat reaksionare u asgjësuan brenda ditës”.
    Në këtë kuptim, le të shtojmë, që “Bandat” ishin banorët vendas, ndërsa forcat e “sigurisë” kishin zbritur nga mali, dhe pjesa dërrmuese e tyre nuk kishte asnjë lidhje me Shkodrën. Nëse rishkrimi e rishikimi i historisë ka akoma kundërshtarë, atëherë, me siguri, ata janë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të atyre që bënë masakrën në Postribë, në Shkodër e në tërë Shqipërinë.
    panorama
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  4. #4
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Shkodra - epiqendra e rezistencës antikomuniste në Shqipëri
    17-09-2011 / Nga Kolec Topalli

    Shkodra, me një traditë të lashtë që arrin shekujt e parë të qytetërimit europian, me një kulturë që dallohej ndër të gjithë qytetet e tjera deri në Luftën e Dytë Botërore, qe njëkohësisht epiqendra e rezistencës antikomuniste në Shqipëri, sepse gjithçka që solli komunizmi, ishte në kontrast të plotë me zhvillimin e këtij qyteti, me mendësinë dhe jetën e popullsisë shkodrane.
    Shkodra qe kështjella shqiptare që u rezistoi ushtrive otomane më gjatë se asnjë tjetër. Qe ajo që ngriti krye ndër të parat duke mos pranuar çdo gjë që u binte ndesh traditave të jetesës qytetare perëndimore. Shkodra është qyteti që dha kontribute të veçanta në lëvizjen për shpalljen e pavarësisë pas një sundimi 500-vjeçar. Mbështetja e fuqishme në Lidhjen e Prizrendit, mbrojtja e Hotit e Grudës, pjesëmarrja aktive në kryengritjet e viteve 1911-1912, ngritja e flamurit shqiptar në Hot e shumë ngjarje të tjera, dëshmuan se pushtuesit asnjëherë nuk e kanë pasur të lehtë të nënshtrojnë frymën e lirisë të kësaj treve. Emrat e Ded Gjolulit, Mehmet Shpendit, Prel Tulit, Marash Delisë e shumë të tjerëve kanë vendin e tyre të merituar në histori. Ndërsa emrat e Oso Kukës, Marash Ucit, të Tringës e shumë të tjerëve u kthyen në legjendë nga poeti i madh kombëtar At Gjergj Fishta.

    Kjo është arsyeja që edhe rezistenca antikomuniste nisi në Shkodër. Përpjekja e parë, e zhvilluar me armë në dorë, nisi në Malësi të Madhe. Asnjë prej vendeve të Europës Lindore duke përfshirë edhe vetë Rusinë, çerdhe e murtajës së kuqe, nuk e kanë dashur komunizmin, por Shqipëria ka qenë vendi i parë që nisi rezistencën kundër tij me armë në dorë. Dhe këtë e nisën burrat e Malësisë, të njohur edhe në raste të tjera për trimërinë e tyre. Për një muaj rresht vijoi beteja ndërmjet forcave të malësorëve të drejtuara nga Llesh Marashi dhe forcave të Brigadës I që mbillte terror anembanë malësisë. Lufta e Tamarës që u zhvillua në zemër të dimrit të ashpër të vitit ’45, ka mbetur e panjohur në historinë e këtij vendi, që mohoi gjithçka që kishte lidhje me lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Por ajo u ruajt në kujtesën e trimave të Malësisë, në familjet e persekutuara dhe në memorien e kombit. Ata pak dëshmitarë që kanë mbetur gjallë nga burgjet e torturat komuniste, dëshmojnë se forcat komuniste kishin ardhë me një arkë të mbushur me pranga, që do t’i përdornin për të mbjellë terror. Prek Cali me 15 burra e vijuan rezistencën në shpellën që edhe sot mban emrin e luftëtarit trim. Komunistët e pabesë dogjën shtëpi edhe me luftëtarë brenda që nuk dorëzoheshin, pushkatuan pa gjyq para popullit luftarët trima, groposën të gjallë të tjerë, mbollën kudo tmerr e panik për të nënshtruar ata që nuk ishin nënshtruar prej shekujsh.

    Por shpirti kryengritës i Malësisë së Madhe nuk u mposht. Kuvendi i Maleve i mbledhur në janar të ’45 vendosi rifillimin e rezistencës. U mor Kopliku dhe u bënë përpjekje të shumta me forcat komuniste, ku mbeten shumë të vrarë; por më në fund forcat malësore u tërhoqën në male për të frenuar terrorin që kishte nisur. Gjyqet e hapura në Shkodër dënuan me vdekje shumë trima, të tjerë me shumë vite burg e internime. Shumë shtëpi u dogjën. Burgjet dhe kampet e internimit u mbushën si asnjëherë. Rezistenca u thye, por shpirti liridashës nuk u mposht. Ai u shfaq në një tjetër lëvizje antikomuniste një vit më vonë në kryengritjen e Postrribës.

    Shkodra e Postrriba dëshmuan se nuk mposhten lehtë. Kështjella e Rozafës, dëshmi e qëndresës në shekuj, u dha kushtrimin kështjellave të tjera përreth saj. Përsëri Shkodra u bë qendra e rezistencës antikomuniste, se ajo nuk i besoi kurrë propagandës së shfrenuar komuniste. Ata premtuan barazi shoqërore, liri, lumturi, por Shkodra nuk e besoi, se pau veç mjerim, luftë me njëri-tjetrin, hakmarrje, pabesi e grabitje. Intelektualët më të mirë, burrat më të shquar, klerikët më të ditur, të rinj e pleq, studentë e gra, futeshin në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit për t’u vrarë, për t’u masakruar, për t’u dënuar me gjyq e pa gjyq. Filloi vllavrasja, kontrollet, bastisjet, krimet mbi njerëz të pafajshëm. Në mëngjeset e zymta të atyre ditëve ëndrrat e trishta ndërpriteshin nga krismat e pushkëve, që binin mbi trupat e pafajshëm të atyre që pushkatoheshin në muret e varrezave të Rmajve. Nisi plaçkitja e tregtarëve. Mallrat e konfiskuara me dhunë udhëtonin drejt Jugosllavisë, mike e komunistëve shqiptarë në grabitje. Një hije e zezë kishte rënë mbi qytetin e lashtë. Kjo ishte Shkodra e vitit ’45, e dëshpëruar, e vrarë, e shkretuar, e persekutuar. Kudo dëgjoheshin thirrjet histerike “hakmarrje”. Kuvende e shtëpi të sekuestruara ishin kthyer në burgje, ku gjithë ditën dëgjoheshin ulërimat e të torturuarve për vdekje. Në kushtet e terrorit të egër, kur çdo përpjekje për demokraci me rrugë paqësore ishte e pamundur, nuk mbetej rrugë tjetër veç përpjekjeve me armë. Prandaj, i zhgënjyer plotësisht nga klika sllavo-komuniste, që uzurpoi pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, i revoltuar nga masakrat dhe tmerret e komunizmit, populli i Shkodrës u ngrit përsëri kundër bishës komuniste, që po mbyste me gjak çdo përpjekje për liri e demokraci.

    Lëvizja e Postrribës ishte përgjigja që i dha populli i Shkodrës qeverisë diktatoriale komuniste, që kishte shkelur me këmbë të gjitha të drejtat njerëzore dhe liritë demokratike duke vendosur një pushtet gjakatar, që në rend të ditës kishte shtypjen e çdo mendimi të lirë, eliminimin e të gjithë kundërshtarëve të regjimit, shpronësimin e qytetarëve, që me djersë e mund kishin vënë pasuri. Shkodra ishte kundër bashkëpunimit të hapur sllavo-komunist dhe nënshtrimit të vendit tonë ndaj klikës jugosllave. Kjo lëvizje dëshmonte se Shkodra nuk mposhtej lehtë, se pushteti që u mor me dhunë do të vijonte me dhunë të shtypte kundërshtarët e këtij regjimi. Kryengritja e Postrribës qe një lëvizje e organizuar për përmbysjen e diktaturës. Drejtohej nga burra që kishin dëshmuar se e donin Shqipërinë, e donin demokracinë, e donin lirinë dhe për të ishin gati të jipnin edhe jetën. Shumë pjesëmarrës në mbledhjet e organizuara në takime me çeta luftëtarësh deklaruan pa droje se kërkonin lirinë e shqiptarëve, për të cilën do të sakrifikonin gjithçka. Dhe shumë prej tyre u vranë në përpjekjet që u zhvilluan në pika të ndryshme të qytetit e në fshatrat përreth.

    Dhe pushteti i dhunës mori masa të përgjakshme. Shtypja e kryengritjes së Postrribës u shoqërua me një terror të pashëmbullt. Shkodra dhe Postrriba edhe kësaj radhe ranë martire. E jo vetëm këto, por edhe shumë fshatra të tjerë u ndeshkuan me mënyrat më barbare. Ende nuk ishte shuar jehona e pushkëve dhe mitralozave, kur në Postrribë u duk tymi i shtëpive të fshatarëve që digjeshin nga forcat e Sigurimit. Raprezalja nisi që ditën e nesërme të kryengritjes, kur shumë burra u pushkatuan pa gjyq në sy të familjarëve e bashkëfshatarëve të mbledhur me dhunë. E trupat e tyre u lanë për dy ditë me radhë të pavarrosur për të mbjellë terror ndër familjarë. Listat e të arrestuarve u hartuan gjatë natës që pasoi kryengritjen. Pushkatimet me gjyq e pa gjyq, burgosjet e internimet, djegiet e shtëpive, rrahjet e burrave, torturat çnjerëzore u vunë në rend të ditës në krejt fshatrat që në një mënyrë a në një tjetër kishin përkrahur këtë kryengritje. Në qytet dhe në fshatrat përreth u vendosën qendra hetuesie e torture. U dogjën me dhjetra shtëpi. U plaçkitën të tjera. U rrëmbye bereqeti dhe pasuria tjetër. Shumë nga pjesëmarrësit në këtë lëvizje u arratisën maleve për të gjetur vdekjen të rrethuar në ndonjë shpellë ose në përpjekje me armë me forcat e sigurimit. Të tjerë u arrestuan dhe familjet e tyre u internuan. Kontrollet, bastisjet, spiunimet ishin në rend të ditës. Zalli i Kirit pas vorreve të Rmajve u bë dëshmitar i vrasjeve të njëpasnjëshme, të njerëzve të pafajshëm, që binin nën breshninë e plumbave të diktaturës. Dhe Shkodra zgjohej çdo ditë e tmerruar nga thirrjet e të pafajshmëve që binin në gropat e përbashkëta. Me këtë mënyrë diktatura donte jo vetëm të shtypte me gjak kryengritjen antikomuniste, por edhe të vriste elitën intelektuale të qytetit verior, që me prirjet e saj perëndimore, ishte gjithmonë një rrezik potencial për komunizmin.

    Qindra familje jetonin me ankth në zemër kur trokiste dera dhe sigurimësat merrnin babanë a djalin për të mos i parë më kurrë, se shumë u pushkatuan, të tjerë vdiqën në tortura ose në burgjet e kampet e punës. Sa baballarë fëmijësh u zhdukën përgjithnjë nga faqja e dheut; sa fëmijë mbetën jetimë, Sa familje mbetën pa burra; sa gra mbetën të veja. Shkodra numëronte 11 burgje të krijuara për këtë rast. Me këtë terror diktatura donte të hakmerrej me Shkodrën për shpirtin e saj liridashës, për rezistencën që i kishte bërë komunizmit, për kulturën perëndimore, për frymën demokratike, për traditat patriotike, për krenarinë, elitarizmin, për fisnikërinë dhe historinë e saj.

    Edhe pse kam qenë në moshën 9 vjeçare, kujtimet e hidhura nuk m’i ka zhdukur koha. Mbaj mend atë ditë të zymtë të shkurtit të vitit ’48 kur Shkodra u zgjua më shpejt se asnjëherë nga krismat e pushkëve e mitralozave, që lajmëronin kasaphanën e re të komunistëve prapa mureve të varrezës së Rmajve. Pas një hetuesie të stërzgjatur të shoqëruar me torturat më të tmerrshme dhe pas një gjyqi-farsë, listës së gjatë të të vrarëve pa gjyq iu shtuan edhe 5 të pafajshëm. Lajmi i zi pushtoi Shkodrën. Në shtëpinë e Serreqëve u hap vaji për vrasjen e Cinit, një vaj pa të vdekur, pa varr, që vazhdoi me ditë e me javë, se miqtë e familjes shtriheshin prej Vermoshit e deri në Breg të Matës. Qante nëna për birin e vrarë pa faj, gruaja për burrin që e la të vejë, dy fëmijët që mbetën jetimë, qante motra për vëllanë, farefisi, miqtë, të gjithë; ndërsa sigurimsat në rrugicë përgjonin hyrjet e daljet, se duheshin hapur dosje të tjera, se duhej derdhur përsëri gjak. Megjitëse nuk pati asnjë aktivitet dhe asnjë lidhje me lëvizjen e Postrribës, Cin Serreqi u vra se i përkiste një familjeje me emër në Shkodër, u vra pa asnjë faj, u vra për kulturën perëndimore, për antikomunizmin dhe qëndresën e tij. Ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e rreme që ngriti për të Sigurimi, sepse ai nuk qe as organizator, as pjesëmarrës i Lëvizjes së Postrribës, e cila shërbeu vetëm si pretekst nga pushteti gjakatar për të zhdukur elitën shkodrane, intelektualët më të spikatur të qytetit verior. Dhe mënyrat më barbare me të cilat u torturuan dhe u vranë, janë dëshmi e pafajësisë së tyre. Cin Serreqi mbeti pa varr edhe sot e kësaj dite, se trupat e tyre u tretën në një varr të përbashkët, ndoshta për t’i marrë eshtrat e tyre rrjedha e Kirit për t’i bashkuar me ata të poetit kombëtar At Gjergj Fishta. Dhe familja e tij nisi kalvarin dhjetravjeçarë sa në Veri e në Jug, për të mos u kthyer kurrë më në qytetin e lindjes, aty ku nuk kishin as shtëpi, as punë dhe as varrin e babait për të vënë një lule.

    Me shtypjen e kryengritjes së Postrribës terrori komunist vijoi për vite me radhë, në Shkodrën martire më shumë se në asnjë krahinë tjetër. Qyteti me më shumë burgje, me më shumë qendra hetuesie, qyteti me më shumë të vrarë, me më shumë të burgosur e të internuar, qyteti me më shumë xhelatë dhe ustallarë të dajakut të tipit të Zoj Themelit, Fadil Kapisyzit, Zoj Shkurtit, Dul Rrjollit, Nesti Kopalit, Dulaq Lekiqit, Elez Mesit, Xhemal Selimit, Smajl Lulos e sa të tjerë. Dhe nata e errët e robërisë komuniste vijoi gjatë, tepër gjatë, deri sa përsëri Shkodra dha e para kushtrimin kundër diktaturës në vitet ’90. Përsëri rrugët e Shkodrës u lanë me gjak të pafajshëm të 4 deshmorëve të demokracisë e të disa dhjetrave të tjerë, që guxuan ashtu si baballarët e tyre të kërkojnë liri, demokraci, jo më me armë, se armët i kishin ata, por me fjalën e lirë e me shpirtin demokrat. Dhe Shkodra, martirja e shekujve, mbetet edhe sot simbol i demokracisë shqiptare, e papajtueshme me çdo lloj dhune dhe armike e çdo diktature.
    Gazeta 55

    Anëtar i Bordit Ekzekutiv pranë Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •