Ja dhe nje cudi tjeter nga Shqiperia
Ne gjith boten shteti mundohet te pengoj monopolet dhe mareveshjet per fiksimin e cmimeve
Ne Shqiperi... Vete Ministria e Financave vendos per krijimin e monopoleve
Ja dhe shkrimi
SHEKULLI
Qeveria miraton trustin, për të trefishuar të ardhurat në buxhetin e saj
Trusti i sigurimeve, rriten deri në 3 herë kostot e qytetarëve
Eltion Hoxha
Që nga krijimi i ASA, sigurimi i detyrueshëm i automjetit është rritur 200-300%
Kush posedon një makinë, është i detyruar të paguajë dy deri në tre herë më shumë për sigurimin e detyrueshëm. Prej pak muajsh, çmimi i sigurimit të detyrueshëm i mjeteve motorike, për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, i njohur si TPL, është unifikuar nga të gjitha kompanitë dhe ka pësuar një rritje deri në 300 për qind. Deri para pak kohësh, sigurimi i detyrueshëm vjetor për një Mercedez Benz 1900, arrinte deri në 5 mijë lekë, ndërkohë që sot, asnjë nuk mund të paguajë më pak se 13,500 lekë për këtë policë. Me hyrjen në treg të kompanisë ASA, e cila shet on-line sigurimet e detyrueshme të shtatë kompanive të sigurimit, çmimet janë rritur disafish, në varësi të kapacitetit motorik, por me çmim të unifikuar për çdo kategori.
Tregu
Në të kaluarën, shumica e policave të sigurimit të detyrueshëm varionin pesë deri në nëntë mijë lekë dhe mund të bliheshin në të gjitha filialet e shoqërive të sigurimit në mbarë vendin. Por, kjo situatë zgjati deri në prill të këtij viti, kur shtatë kompanitë e sigurimit pa kompaninë shtetërore, “Insig”, vendosën të shisnin nëpërmjet një agjenti sigurimesh, policat e sigurimit të detyrueshëm me një çmim të vetëm, duke krijuar një trust. Ky çmim varion 200 deri në 300 për qind më i lartë se çmimi në të shkuarën. Tregu i sigurimeve të detyrueshme për mjetet motorike, me përgjegjësi ndaj palëve të treta, është i paliberalizuar në Shqipëri. Ministri i Financave, me anë të një udhëzimi vendos tarifat dysheme dhe tavan, duke kushtëzuar konkurrencën midis të gjithë operatorëve të tregut, madje ka qenë shkaku për krijimin e trustit nga këto kompani, për këtë lloj produkti. Në të kaluarën, kompanitë shisnin nën tarifat minimale, të miratuara më udhëzim të ministrit të Financave, vetëm e vetëm për të zgjeruar treg. Në shumicën e rasteve, kjo i bënte ato të paafta për të zhdëmtuar dëmet e shkaktuara nga klientët e tyre. Degradimi dhe dalja jashtë kontrolli e këtij tregu, bëri që kompanitë të krijonin një trust, i cili përkoi edhe me dëshirën e qeverisë për të rritur të ardhurat. Përfituesit e vetëm në këtë situatë janë qeveria dhe më pak operatorët e tregut. Me rritjen e këtyre tarifave, qeveria do të arkëtojë më shumë të ardhura në TVSH, tatim-fitimi dhe përqindje të primeve. Kjo, në kurriz të të gjithë atyre qytetarëve që kanë një automjet. Të ardhurat nga ky treg për qeverinë shqiptare, e cila e ka lënë jashtë këtij sistemi kompaninë që zotëron, “Insig”, do të rriten dy deri në tre herë, jo nga zhvillimi i tregut, por nga xhepat e qytetarëve.
Trusti
Praktikisht në tregun e sigurimeve mungon konkurrenca, e cila në vetvete përfaqëson garën në çmime dhe uljen e vazhdueshme të kostove. Në sportelet e ASA, nuk shiten policat me tarifa të ndryshme për kompani të ndryshme. Madje, edhe nëse preferon të sigurohesh tek një kompani, kjo është e pamundur. Vetë kryetarja e Këshillit të Autoritetit Mbikqyrës të Sigurimeve, Ermela Guxholli, pohoi për “Shekullin” se në të shkuarën klientët ishin të detyruar të blinin sipas shortit që hidhte kompjuteri, por tashmë me instalimin e një programi tjetër, ky problem është eliminuar. Tregu i sigurimeve të detyrueshme për automjetet është në një situatë monopoli. Ky monopol është krijuar nga ndërthurja e një oligopoli me një trust. Kompanitë e sigurimit kanë rënë dakord të shesin me çmime të njëjta, duke krijuar një oligopol në këtë treg, madje duke shkuar më tej, në përqendrimin e produktit dhe në ndarje të tregut për policën e sigurimit të detyrueshëm, TPL, duke prodhuar trustin. Për sa kohë kompanitë e sigurimit ndajnë fitimet me njëra-tjetrën, në këtë treg nuk ka asnjë shenjë më të vogël konkurrence. Shitja me të njëjtin çmim nga i vetmi agjent përbën situatën monopol në tregun e TPL-ve. Futja e një agjenti sigurimesh në shitjen e sigurimeve të detyrueshme dhe jo për shitjen e produkteve të tjera, si sigurimi i pronës, jetës, apo produkteve të tjera të sigurimeve, duket se është vetëm krijimi i një alibie, për të treguar se në këtë treg ka konkurrencë, ku në të vërtetë mungon tregu.
Liberalizimi i tregut dhe fokusimi tek shërbimet më cilësore, duke u shoqëruar me një kontroll të rreptë të autoritetit përkatës ndaj atyre që nuk paguajnë dëmet dhe nuk risigurohen për risqet e tyre, do të jetë zgjidhje e vetme drejt një tregu me konkurrencë perfekte. Një treg ku do të fitojnë kompanitë më të mira dhe qytetarët shqiptarë.
10/09/2006
Krijoni Kontakt