Policia speciale malazeze, gjatë një aksioni në Malësi, ka arrestuar rreth 20 shqiptarë. Partia e re, Alternativa shqiptare, ka reaguar te të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, duke thënë se gjatë këtij aksioni policor, është shkelur ligji dhe të drejtat qytetare. Ndryshe, zyrtarët malazezë thonë se janë arrestuar 14 persona nga rrethina e Tuzit, nga të cilët edhe tre shtetas amerikanë.
Policia thotë se te arrestuarit ka disa muaj që gjenden nën vëzhgim policor dhe se arrestimet janë bërë atëherë kur është bërë e qartë se jetët e qytetarëve do të mund të rrezikoheshin në ndonjë “aksion terrorist”. Njoftohet po ashtu se në shtëpitë e të arrestuarve është gjetur një sasi e vogël armësh, ndërsa një “arsenal i tërë” është gjetur në “tri shpella dhe lokacione tjera”.
Kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka thënë se aksioni policor në Tuz, pikërisht në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale ne atë vend - të krijuar me përkrahjen mjaft vendimtare të shqiptarëve- ka qenë i domosdoshëm "për shkak të sigurisë së qytetarëve në rajonin e Malësisë".
Sipas disa njoftimeve, arrestimet janë bërë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë.
RTK 10/09/2006 13:04:17
Krijoni Kontakt