“Pensionet, jo ndryshim të moshës, por të skemës”

Shqipëria nuk ka problem plakjeje, por problem të skemës së pensioneve. Për ish-drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore është pikërisht skema dhe ligji me të cilin funksionon Instituti, që përbën problemin më të madh të funksionimit të pagesës së pleqërisë në Shqipëri.

Naim Hasa, aktualisht drejtues i Fondit të Pensioneve Vullnetare, SIGAL, në një intervistë për gazetën tregon se ndryshimi i ligjit, të paktën në pjesën e ndarjes së përfitimeve, do të sillte një frymëmarrje për skemën e pensioneve në vend. Sidoqoftë, ai nënvizon se vendet e tjera në botë, apo edhe në rajon, kanë zgjedhur një kombinim të skemës, duke e shndërruar atë me tri kolona. Hasa thekson se vetëm në këtë mënyrë, skema e pensioneve do të bëhet atraktive për të punësuarit dhe do të sillte përfitime reale për to në moshën e pleqërisë.

Shumë është folur kohët e fundit për sistemin e pensioneve. A është sot i domosdoshëm ndryshimi?

Sigurimi i shtetasve në kohën e pleqërisë është problem i çdo shoqërie. Në përcaktimin e trajtimit të tyre ndikojnë dukshëm disa faktorë, si: niveli ekonomik, struktura demografike e popullsisë etj. Shekullin e kaluar, kur struktura e popullsisë ishte shumë e re, pothuajse në të gjithë botën u instalua sistemi i sigurimeve shoqërore “Pay As You Go“, në themel të të cilit qëndrojnë parimet e solidaritetit dhe të vazhdimësisë së brezave, ku brezi i punësuar derdh aq kontribut sa duhet për të mbajtur brezin e pensionuar. Kur popullsia është e re dhe brezi i punësuar është shumë më i lartë se ai i pensionuar, derdh më pak kontribute nga çka do marrë kur do të dalë në pension. Ky sistem, që mbizotëroi gjatë shekullit të kaluar, mendohet që përgjithësisht e kreu mirë misionin e tij. Por shekulli XXI ka shtruar para këtij sistemi sfida të reja. Në kushtet kur ritmet e lindjes po bien dhe jetëgjatësia po zgjatet, popullsia e moshuar po rritet me ritme mjaft të larta. Për rrjedhojë, sistemi po përjeton gjithmonë e më shumë probleme, çka e detyron brezin e punësuar të rrisë kontributet e tij për të mbajtur brezin e pensionuar, gjë që po shkon drejt pamundësisë për të plotësuar nevojat e popullsisë së tretë. Këto situata shtrojnë nevojën e reformimit të sistemit të pensioneve. Një nga sistemet që po instalohet sot në të gjithë botën është vendosja e sistemit “të alternuar” të pensioneve, ku sistemi i përgjithshëm do të përbëhet nga dy a më shumë skema. Skema e parë, sistemi shtetëror “PAYG”, e cila garanton një nivel bazë jetese; skema e dytë, sistemi privat (i detyruar e vullnetar), i cili presupozon një kontribut shtesë që do të garantojë një jetesë më të kënaqshme në moshën e tretë.

Ju thatë që shumë vende po e ndryshojnë skemën. A është e rrezikuar situata aktuale e pensioneve në Shqipëri?

Aktualisht skema e pensioneve në Shqipëri ka mbi 570 mijë pensionistë, që përfaqësojnë 17.2% të popullsisë që banon në Shqipëri, tregues ky me prirje të qarta në rritje. Për sistemin e pensioneve sot shpenzohen mbi 95 miliardë lekë, që përfaqësojnë mbi 85% të shpenzimeve në total për sigurimet shoqërore. Duke analizuar situatën e pensioneve në Shqipëri, konstatohen se treguesit kryesorë të këtij sistemi janë shqetësuese. 1. Niveli i ulët i të ardhurave (kontributeve) në raport me GDP (5.6% kundrejt 10-12 të vendeve përreth nesh). 2. Raport mjaft kritik i kontribuuesve me përfituesit në sistem (1.2 me 1), pra 1.2 kontribuojnë dhe 1 përfiton nga skema, ku raporti optimal është 4 me 1. 3. Raport shumë i ulët pension-pagë në nivele mesatar 30-35% kundrejt 70-75% norma ligjore etj. Zhvillimi i sistemit të pensioneve dhe rritja e qëndrueshmërisë financiare të tij edhe në Shqipëri është një domosdoshmëri që mendoj se lidhet me tri çështje kryesore që kërkojnë zgjidhje. Së pari, demotivimi i brezit të ri për të marrë pjesë në skemat e sigurimeve shoqërore me bazë të gjerë, sidomos të solidaritetit, të cilat në kushte aktuale dhe të perspektivës ofrojnë pensione të ulëta me kontribute të larta. Së dyti, mosfuksionimi i skemave private të pensioneve për një periudhë 10-12-vjeçare në Shqipëri ka ulur në mënyrë të ndjeshme shkallën e zëvendësimit (raportin, pension mesatar/pagë mesatare). Së treti, problemet e papunësisë, të informalitetit dhe veçanërisht të emigracionit, kanë ulur ndjeshëm përqindjen e popullsisë së siguruar në këto 15 vitet e fundit, gjë që krijon një shqetësim të madh social për të ardhmen. Në këto kushte duhet pranuar që sistemi afron përfitime të ulëta me kontribute relativisht të larta. A është rritja e moshës së pensionit një zgjidhje për skemën?

Sigurisht, situatat e krijuara e bëjnë imediat studimin dhe rishikimin e sistemit të pensioneve në Shqipëri. Por mendoj se ky studim nuk duhet të ketë në fokusin e tij rishikimin e moshave të daljes në pension me synim rritjen e tyre për këto arsye: Së pari, në vitin 2002 u bë rritja graduale e moshave të daljes në pension për të gjithë kategoritë e punonjësve, nga moshat 45, 50 e 55 për gratë, sipas vështirësisë së punës, në moshën 60 vjeç dhe nga moshat 50, 55 e 60 për burrat, në moshën 65 vjeç, duke u njësuar me moshat e vendeve të BEsë, si kusht i domosdoshëm për anëtarësim. Kjo reformë është në proces, pra nuk ka përfunduar. Çdo vit punonjësve u shtohet mosha e daljes në pension për 6 muaj, për të përfunduar për kategorinë e dytë e të tretë (të zakonshme) në vitin 2012 dhe për kategorinë e parë (gratë 45 vjeç dhe burrat 50 vjeç) në vitin 2023. Pra, sipas akteve ligjore, në vitin 2023 përfundon rritja e moshave të daljes në pension për të gjitha kategoritë e punonjësve. Gjykoj që në radhë të parë duhet të përfundojë reforma e ndërmarrë dhe më pas, kur ajo të përfundojë, të studiohet si do të veprohet për moshat në të ardhmen. Me sa jam në dijeni, shumë pak vende europiane kanë mosha të daljes në pension 70 vjeç, kryesisht ato skandinave, të cilat kanë një popullsi shumë të plakur, mbi 50 vjeç mosha mesatare dhe shumë pak papunësinë, 2-3%. Përgjithësisht moshat e pensionit fokusohen kryesisht 65 vjeç dhe pak vende, si Gjermania apo Danimarka po tentojnë t’i çojnë 67 vjeç, por duke krijuar alternativa (mundësi daljeje para këtyre moshave nëpërmjet sistemeve private). Së dyti, nga shifrat e INSTAT-it, mendojmë që Shqipëria nuk e ka shumë problem plakjen e popullsisë, siç e kanë vendet europiane, çka i ka detyruar të bëjnë rritjen e moshës për të mbajtur ekuilibrin financiar të sistemit. Shqipëria ka një popullsi të re, ku mosha mesatare e saj është 31 vjeç, kundrejt 48 vjeç që e ka Europa. Pra, ne kemi kontingjente të reja pune për t’u shfrytëzuar nga sistemi i sigurimeve shoqërore, i cili nëpërmjet politikave shtetërore duhet të fokusohet në thithjen e rezervave. Këto rezerva ekzistojnë nga: papunësia e lartë mbi 14-18%, duke hapur vende të reja të punës e, për rrjedhojë, thithja në sistem e këtij kontingjenti; puna jo formale, sidomos ajo gri në nivele jashtëzakonisht të larta mbi 25-30%, duke vendosur një sistem monitorimi e informimi të njësuar me komponentët e tatimit, sidomos tatimit mbi të ardhurat; emigrantët, një rezervë ku përfshihen 32% e popullsisë aktive, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale me vendet ku është ky emigracion si Greqinë, Italinë, Gjermaninë etj., duke transferuar kontributet që ato paguajnë në vendet respektive ku punojnë. Mjafton të përmend marrëveshjen e Turqisë me emigrantët e saj në Gjermani (mbi 5 milionë), ku sigurimet shoqërore të Turqisë çdo muaj thithin shuma marramendëse nga sigurimet e Gjermanisë etj. Së treti, mendoj se rritja e moshës së daljes në pension mund të ketë impakte negative për ekonominë e vendit, duke shtuar radhët e të papunëve, kryesisht në brezin e ri produktiv dhe probleme të mëdha sociale, duke i lënë në pritshmëri për periudha të gjata kohe e pa mjete jetese një kontingjent të madh të të papunëve apo personave që janë përgatitur për të dalë në pension.

Cilat mendoni se janë rrugët në të cilat duhet të zhvillohet sistemi i pensioneve në Shqipëri?

Studimi i skemës së sigurimeve shoqërore mendoj se duhet të fokusohet në dy çështje themelore: Së pari, konsolidimi i skemës publike shtetërore aktuale të sistemit të pensioneve nëpërmjet reformave parametrike. Ka mjaft elemente të sistemit të pensioneve ku koha dikton nevojën e ndryshimit si: a) Ndryshimi i raportit të pensioneve. Sot ka një kontradiktë të madhe parimore ndërmjet raporteve të pagave që paguhen kontributet dhe pensioneve, çka krijon premisa për pensione të ulëta, pavarësisht nga paga. Në ligjin ekzistues parashikohet që raporti i pagave që i nënshtrohen derdhjes së kontributit është 1 me 5 (paga maksimale është pesëfishi i pagës minimale), ndërsa raporti i pensionit është 1 me 2 (pensioni maksimal sa dyfishi i pensionit minimal). Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e pagës të kalojë në rishpërndarje dhe pensionet të fokusohen drejt minimales. Mjafton një fakt. Sot në strukturën e pagave, pagat minimale zënë 3-5% të tyre, në strukturën e pensioneve, pensionet minimale zënë 60-65 për qind të tyre, me tendencë thellimi. b) Diferencat e theksuara të pensioneve brenda së njëjtës kategori, si rrjedhojë e mosindeksimit sipas indeksit të rritjes së çmimeve. Pensionistët në kushte të njëjta, por dalë në momente kohore të ndryshme, megjithëse i njëjti ligj, marrin pensione të ndryshme. c) Ndryshimi i mënyrës së llogaritjes së pensioneve, duke i lidhur më mirë me kontributet që kanë derdhur, duke hequr kufizimet diskriminuese, cila të jetë më e vogël etj. Sot, sipas dispozitave ligjore, për llogaritjen e pensionit nxirren tre tregues mesatarë: 1) Duke u llogaritur mbi të gjitha periudhën e punës, nga fillimi deri ditën e lënies së saj. 2) Duke marrë pagën neto të tre vjetëve në 10 vitet e fundit të punës. 3) Duke llogaritur pensionin maksimal. Por, kur zgjidhet se cila nga këto do të jetë pensioni që do të marrësh, në çdo rast merret pensioni më i vogël. Së dyti, vendosja dhe vënia në funksionim e sistemeve të alternuara të pensioneve, si ai privat. Tashmë një gjë është e qartë, si rrjedhojë e prishjes së ekuilibrave demografikë, sistemi i pensioneve në të gjitha vendet e botës, madje edhe në Kosovë e Maqedoni, është një sistem i përbërë nga më shumë se një skemë pensioni. Duke iu referuar eksperiencës së zhvillimit të këtij sistemi, dalin në pah dy tendenca ose dy modele, të ndërtuara në mbështetje të kushteve konkrete të çdo vendi. Modeli i parë dhe më i përgjithshmi, sistemi të jetë me tri skema ose (sipas përkufizimit të Bankës Botërore) me tri kolona. Kolona e parë, një sistem bazë shtetëror të detyrueshëm, i cili të mbulojë 35-40% të pensionit; kolona e dytë, sistem privat i detyruar, ku një pjesë e kontributit i kalon në llogari individuale të çdo të siguruari, i cili të mbulojë 20-25% të pensionit; kolona e tretë, sistemi vullnetar privat, i cili të mbulojë 10-15% të pensionit. Këtë model e kanë në Poloni, Bullgari, Hungari, Kroaci, Estoni, Rumani, Sllovaki, Kosovë, Maqedoni etj. Modeli i dytë është për një sistem dykolonësh që përbëhet nga një skemë bazë shtetërore e konsoliduar, e cila të përballojë 55-60% të pensionit dhe një skemë e sigurimit privat vullnetar të zhvilluar, ku t’i krijohet mundësia nëpërmjet lehtësirave fiskale të gjithë popullsisë aktive të përfshihet në këtë skemë dhe të mbulojë 15-20% të pensionit. Këtë sistem të miradministruar e gjejmë në Çeki, Slloveni, dhe jo të zhvilluar në Shqipëri. Skema publike në një sistem pensionesh të përbërë ka dy misione; në radhë të parë, t’i garantojë brezit të pensionuar, i cili ka qenë pjesëmarrës vetëm në këtë skemë një nivel të pranueshëm të ardhurash, duke i mbuluar totalisht pensionet e tyre. Dhe, së dyti, t’i ofrojë brezit që do të dalë në pension, pjesëmarrës edhe në skemat e tjera të pensionit, një nivel pensioni bazë që të garantojë në çdo rast minimumin jetik. Ndërsa zgjidhjet ky brez pjesëmarrës edhe në skemat e tjera private të pensioneve do t’i marrë pikërisht nga këto skema. Në këtë kontekst, ka ardhur koha të studiohen me ekspertë ndërkombëtarë, veçanërisht ata të Bankës Botërore, që kanë asistuar në zhvillimin e këtij sistemi, si dhe të sigurimeve shoqërore, skema e pensioneve. Nga dy modelet që aplikohen sot në botë, mendoj se më i përshtatshëm për kushtet e vendit tonë, me një popullsi të re, do të ishte modeli i parë, pra vendosja edhe e sistemit të detyruar privat, ku për momentin një pjesë e kontributit të punëmarrësit 3-5% mund të kalojë në administrim në këto skema.

Panorama
NERTILA MAHO