Bashkëpunim mes bashkisë së Tiranës dhe GTZ-së gjermane për promocionin turistik të kryeqytetit

Metropoli shqiptar Tirana, me afër 1 milion banorë, megjithëse në një proces zhvillimi e trasnformimi të vrullshëm në vitet e fundit është ende e prapambetur në orientimin apo informimin e vlerave të saj gjeografike, historike, të traditës, të vendodhjes së pikave shlodhëse e argëtuese në territorin e saj, pra e thënë shkurt në një varfëri të plotë të marketingut turistik të vetëvetes.

Për të ndryshuar këtë gjendje, si dhe për të ndihmuar e tërhequr sa më shumë vizitorët që mbërrijnë në kryeqytet nga vise të tjera të vendit, apo nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga diaspora, apo turistë të huaj, Bashkia e Tiranës po mbështetet nga programi gjerman për bashkëpunimin teknik, GTZ, duke nisur një projekt të vecantë në ndihmë të zhvillimit turistik të zonës.

Organizatorët e projektit jo pa qëllim po nxisin të rinjtë, nxënës e studentë, të cilët me dinamizmin dhe gjallërinë e tyre do të jenë aktorët kryesorë në promovimin e vlerave turistike të kryeqendrës së shqiptarëve. Punime nga studentët e Akademisë së Arteve të Bukura, apo të Liceut Artistik janë përzgjedhur dhe po përdoren si logo a panorama ilustruese te stampuara ne nje arsenal propagandistik, që destinohet për t’iu shpërndarë turistëve në pika të ndryshme të Tiranës, veçanërisht në ato që janë më të populluarat në keto ditë të sezonit veror.

Suveniret me logo që të urojnë mirëseardhjen dhe kënaqesinë e qëndrimit në kryeqytet, të stampuara në bluza shumëngjyrëshe, apo sende të përdorimit vetjak, sipas oragnizatorëve, do të krijojnë një atmosferë atraktive dhe informuese për vlerat e qytetit. Sipas kryetarit të Bashkise së Tiranës, Edi Rama, kjo përbën vetëm fillimin e ketij procesi e për këtë do të bashkëpunohet me rrjetin e hoteleve apo pikave të tjera turistike në qytet e në rrethinat e tij. Shumë shpejt Tirana në bazë të këtij projekti promovues do të ketë për herë të parë një hartë të plotë turistike që do t’u shërbejë vizitorëve të saj.

Prej kohësh GTZ-ja gjermane po bashkëpunon me Bashkinë e Tiranës edhe në fushën e nxitjes, informimit dhe orientimit të biznesit të mesëm dhe atij të vogël, duke vënë në funksion të sipërmarrësve e qytetarëve të interesuar një zyrë të posaçme, që quhet Njësia e Zhvillimit Ekonomik. Sipas njerit prej koordinatorëve të zyrës, Sokol Mici, “vënia në funksion e kesaj infrastrukture është tërësisht në shërbim të biznesit tiranas, qoftë sipërmarrësve qe janë në aktivitet, ashtu dhe atyre që kanë ide për ta nisur një të tillë”.

Arben Muka