Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Seria Shpirtërore III: Kisha dhe shërbesat

    Botohet tne miratimin dhe bekimin e Fortlumturisë së Tij
    +Anastasit,
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë



    SERIA SHPIRTËRORE

    III






    KISHA dhe shërbesat




    Përgatiti për botim: At Justini



    Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
    Tiranë, 2005
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    "Edhe një te shtunë [Jisui] ishte duke mësuar [njerëzit] në një sinagogë. Edhe ja, një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, dhe ishte kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt. Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, u zgjidhe prej sëmundjes sate. Edhe vuri duart mbi të, dhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.
    Por, i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui [ditën] e shtunë e shëroi, dhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto, pra, ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë. Zoti pra u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithsecili prej jush ditën e shtunë a nuk zgjidh kaun e tij a gomarin e tij nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë? Edhe kjo që është bijë e Avraamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?
    Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë ata që i dilnin kundër turpëroheshin; dhe gjithë turma gëzohej për gjithë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij" (Lluk. 13.10-17).
    Tre janë protagonistët e ngjarjes që u përshkrua: i pari i sinagogës, gruaja e kërrusur, Jisui ynë. Sinagoga ishte dhe është vendi ku bëhet lutja e përbashkët judaike, kurse në kuptimin më të gjerë sinagoga ka qenë dhe është populli izraelit. Ne përdorim si term përkatës Kisha, që në kuptimin më të ngushtë është tempulli, ndërsa më gjerësisht organizata e perëndinjerishme, kreu i së cilës është Krishti (Kol.1.18) dhe anëtarë, të gjithë orthodhoksët (Rom. 12.5).
    Fjala do të sillet rreth predispozitave të adhurimit të saktë, të përbashkët, të cilin e përfaqëson gruaja që më parë ka qenë e mjerë, që t'u shmangemi devijimeve, adhurimit akuzues, qortues, që përfaqësohet nga i pari i sinagogës, që më parë ka qenë i respektuar nga populli, hipokrizinë e të cilit ua zbuloi Krishti. Tema jonë ka fushë të përbashkët me lutjen e veçuar, personale. Këtu do të përqendrohemi dhe kufizohemi tek pjesëmarrja në shërbesat kishtare.
    Pra, e kërrusura u zvarrit deri te sinagoga, pavarësisht se ishte invalide në gjendje të rëndë, ashtu siç nënkuptohet nga konteksti. Mundimi i saj i madh tregon zjarrin e dëshirës së saj për lutjen e përbashkët. Kështu që Shpëtimtari, pavarësisht nga zakoni i Tij, nuk i kërkon para shërimit të saj t'i deklarojë shpresëtarinë, besimin e saj. Janë faktike dhe këto i deklaron edhe vetëm prania e saj kaq e mundimshme në sinagogë. Gjithashtu, Krishti e quan "bijë [të] Avraamit", kjo përbën një emërtim lavdërues, dhe së fundi, nuk i thotë ato që zakonisht thotë para terapisë, nuk i thotë "mëkatet e tua u falën" (Mat. 9.2).
    Shërimi i saj ishte njohje dhe "dekorim" i kostos së dhimbjes, që pagoi për të qenë e pranishme në adhurimin e Perëndisë! Perëndia për 18 vjet vinte në provë durimin, lëngimin pa u ankuar të saj. Nëse do të ishte shëruar më parë, nuk do ta kishte kontaktin e drejtpërdrejtë me Çlirimtarin. Dhe pa diskutim, nuk do ta njihnim ne, brezat e shekujve të të krishterëve. Ajo shkoi atje për dobi shpirtërore dhe shijoi edhe truporen. Ia ofroi Ai, i cili na fton me dhembshuri: "Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju çlodh" (Mat. 11. 28). Ishte e rënduar nga sëmundja deri në kërrusje dhe e qetësoi Jisu Perëndia. Çfarë nderi! I doli për më mirë stërzgjatja e sëmundjes.
    Njësoj doli i fituar edhe fatkeqi që kishte dorën e djathtë të tharë, të paralizuar. Jisui ia ridha shëndetin atje, në sinagogë (Luk. 6.6-11).
    Njësoj u bamirësua edhe Andrea. U bë apostull dhe madje i Parëthirrur. Bashkë me dikë tjetër kishin mbetur shumë orë me durim dhe ngulm në shoqërinë e Mesias. Pasi "i thanë Rravi (që i përkthyer do të thotë mësues), ku rri? Ai u tha: Ejani e shikoni. Erdhën pra dhe panë ku rri dhe ndenjën pranë atij atë ditë", që ishte dita më vendimtare për jetën e tyre dhe e paharrueshme (Joan. 1. 37-41). U mahnitën dhe u skllavëruan nga fjala e Tij, dhe iu përkushtuan. Por edhe shërbesat kishtare, çfarë tjetër janë? Janë përkushtim adhurimi; leximet dhe himnet janë përkatësisht fjala e Tij dhe komentet e saj melodike, pra të këndshme.
    Njësoj u shpërblyen edhe Petri me shokët e tij peshkatarë në rastin e peshkimit të mrekullueshëm. Pavarësisht se ishin të dekurajuar psikologjikisht nga dështimi i peshkimit gjatë gjithë natës dhe sigurisht edhe shumë të lodhur fizikisht, pak a shumë si e kërrusura, nuk ikën për t'u çlodhur, por qëndruan të dëgjonin predikimin e Mësuesit. U shpërblyen pasurisht. U bënë apostuj! (Luk. 5. 3-11).


    * * *

    Ardhja në sinagogë na jep shembullin: Akoma më shumë duhet të shkojmë ne tek kisha, sepse është më e domosdoshme dhe më e rëndësishme nga sinagoga. Sqarojmë:
    Krishti u gjend në sinagogën e të kërrusurës ndoshta një herë, por është gjithmonë i pranishëm në kishë "Sepse atje ku janë dy a tre të mbledhur në emrin tim, atje jam në mes të tyre" deklaroi (Mat. 18.20).
    Edhe nëse ndodhet në mes të mbledhjes adhuruese të disa besimtarëve shumë të pakët, aq më shumë gjendet në mbledhjen e gjithë komunitetit, klerit edhe popullit. Për më tepër ata rrethojnë Misterin e papërlyer që Ai e themeloi dhe na e theksoi, duke thënë: "Këtë bëjeni për kujtimin tim" (Luk. 22.19).
    Sa herë më e lartë është kisha dhe adhurimi ynë nga sinagoga dhe adhurimi i saj! "Sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepëve të heqin mëkatet" (Hebr. 10. 4). Këtë gjë e arrin jo gjaku i kafshëve, as edhe i njerëzve, por i Perëndinjeriut, që derdhet brenda në kishë "për faljen e mëkateve" (Mat. 26.28).
    Kështu që, nëse thënia "atje ku janë dy a tre të mbledhur, në emrin tim..." na siguron për praninë e padukshme të Shpëtimtarit, Eukaristia Hyjnore dëshmon shumë qartë prezencën e Tij të dukshme në kishë; ose rastësisht, sa herë kryhet sakrifica e pagjakshme, ose kurdoherë, brenda Artoforit të shenjtë, që është sipër Tryezës së shenjtë dhe ka brenda Kungatën (për kungime në raste urgjente).
    Në Liturgji dhe më gjerësisht në kishë, e cila është e lidhur në mënyrë të pandarë me të, ndodhet e gjithë bota. Mbi Dhiskun e shenjtë mbizotëron Qengji, Zoti dhe rreth Tij batalionet dhe "pjesët" e engjëjve, të shenjtorëve dhe të njerëzve të tjerë, të gjallë dhe të vdekur, mëkatarëve dhe të drejtëve. Bashkimi, përmbledhja dhe komunikimi i të gjithave.
    Dhe ka një rëndësi shumë të madhe kujtimi i emrave. Domethënë, atëherë kur prifti përgatit Dhuratat e Shenjta në Proskomidhi (Blata), para se të fillojë Liturgjia, lexon emrat e të gjallëve dhe të vdekurve duke nxjerrë pjesët (thërrimet) e tyre nga mesha dhe i vendos sipër Dhiskut.
    Më vonë, kur do të bëhet ndryshimi i bukës dhe i verës në trup dhe gjak të Krishtit, hedh pjesët brenda në Potirin e shenjtë duke u lutur "Laji, o Zot me gjakun tënd të shenjtë mëkatet e shërbëtorëve të tu, që u kujtuan këtu, me ndërmjetimet e Hyjlindëses dhe të gjithë shenjtorëve të tu".
    Është katërcipërisht e vërtetueshme, se me kujtimin e shpeshtë bëhen mrekulli. Do të tregojmë një mrekulli, me shumë hezitim - do ta shpjegojmë në fund hezitimin tonë.
    Thuhet pra, se gjatë periudhës së pushtimit turk të ishullit të Kretës, një turk muhamedan turpëroi një vajzë të krishterë. E reja ngeli shtatzënë, lindi një djalë dhe e rriti pa i thënë asnjëherë se kush ishte i ati - mentaliteti i sotëm dhe ateist do t'i këshillonte asaj abortin, krim shumë herë më i rëndë se ai i muhamedanit.
    Vitet kaluan dhe djali u bë klerik dhe në çdo Liturgji, sikundër është e natyrshme, kujtonte prindërit e tij: "Kujto, o Zot, atin dhe nënën time (filanen)" - emrin e nënës e thoshte, sepse e dinte. Duhet të kemi parasysh, se në Proskomidhi kujtohen ekskluzivisht orthodhoksët.
    Kështu e kujtonte vazhdimisht me mijëra herë, derisa njëherë, në çastin që nxori pjesën për atin, u dëgjua një ulërimë e tmerrshme e tërë inat: "Qepe! E nxore turkun nga Ferri!".
    E treguam me hezitim, sepse shpirtrat nuk transferohen nga Ferri në Parajsë. Dogmatika nuk pranon dogmën "novatore" të romanokatolicizmit, që dëshiron një gjendje të mesme, "Purgatorin", zjarrin nga i cili çlirohen shpirtrat "gjysmë mëkatarë", për hir të lutjeve dhe kryesisht për hir të blerjes së "kripur" të indulgjencave nga ana e të afërmve të gjallë. Kështu u ndërtua kisha e Shën Pjetrit dhe kështu - dhe jo vetëm kështu - shpërtheu stuhia e Protestantizmit.
    Megjithatë, përmenden raste shumë të rralla - e përsërisim raste të rralla - shpërnguljeje të shpirtrave për hir të lutjeve dhe të Liturgjive të disa orthodhoksëve të shenjtëruar. Këtë fakt e respektojmë, por edhe jemi të rezervuar.
    Rastësisht: Por nëse nuk çlirohen shpirtrat nga Ferri, përse bëhen lutjet dhe përkujtimoret?
    Besojmë se ofrojnë "një dobi", por nuk thuhet se çfarë. Ne mendojmë për të pasurin e pamëshirshëm të Ungjillit. Duke qenë në torturat e zjarrta të Hadhit iu lut patriarkut Avraam të dërgonte, Llazarin, i cili më përpara ishte i varfër, "të lagë majën e gishtit të vet në ujë, që të ... freskojë gjuhën" e tij (Luk. 16.19-24). Një pikë uji nuk është asgjë subjektivisht, megjithatë ishte diçka shumë kolosale për të dënuarin.
    Ndoshta diçka e tillë ndodh edhe për ne; një lëmoshë ose një përkujtim është diçka e vogël, por për të fjeturit mund të jetë diçka e madhe.
    Me anë të Liturgjisë duket tërësia e Kishës, theksojmë këtu frazën "le të lutemi për paqen e gjithë botës", të botës së afërme edhe të asaj të largët. Jemi të gjithë të lidhur - shoqëria dhe komunikimi i "shenjtorëve", domethënë i besimtarëve nëpërmjet pjesëmarrjes në Kungatën e shenjtë, të një Qengji. "Meqë të shumtët jemi një trup; sepse një bukë [është], të gjithë prej njërës bukë marrim pjesë" (I Kor. 10.17).
    Një tekst i viteve të para të krishterimit (Dhidhaskalia ton dhodheka apostolon, IV,4), lutet: "Ashtu sikundër kjo pjesë [e bukës së Eukaristisë Hyjnore ishte grurë] i shpëmdarë sipër maleve dhe u grumbullua e u bë një, kështu le të mblidhet Kisha Jote nga të katër anët e dheut në Mbretërinë Tënde", dhe le të bëhet një dhe le të ketë një mendje dhe le të bashkohet.
    Prandaj Kungimi hyjnor i përbashkët është shprehje e njëjtësisë absolute të besimit. Ndaj përjashtohet absolutisht dhe ndalohet Liturgjia e përbashkët me heretikët, përderisa ndalohet akoma edhe lutja e përbashkët (Kanon. 45 dhe 66 Apostujve të Shenjtë). Natyrisht, që nuk lejohet t'u japim atyre Kungatën tonë Hyjnore ose të marrim ne kungatën e tyre edhe pse e dëshirojnë shumë.
    Pra Kisha, të paktën në formën e saj të dukshme, fokusohet në Misterin e madh që e kryen episkopi (ose presviteri i autorizuar prej tij), i rrethuar nga kleri dhe populli i Perëndisë.
    Kisha është qendra e botës, kërthiza e gjithësisë, Qielli mbi dhe!
    Rrjedhimisht me të drejtë në manastire naosi kryesor (quhet "Katholiko"), gjendet dhe sundon në qendër të të gjithë kompleksit, në mes të avllisë, në qendër të jetës asketike monakale, të gjitha ditët, qoftë zyrtare ose jo.
    Ai që i është dedikuar Perëndisë "nëpërmjet kreshmëve dhe lutjeve", sipas shembullit të profeteshës Ana gjatë Ipapandisë, të cilin e përmendëm (Luk. 2.36-38), ka një dëshirë të fortë, përsëri sipas shembullit të asaj. E shpreh dhe e rrëfen në mënyrë psalmike, sepse është e papërmbajtshme dhe e padurueshme; dëshira "të banojë në shtëpinë e Zotit gjithë ditët e jetës sime, të vështroj kënaqësinë e Zotit dhe të vizitoj tempullin e shenjtë të Tij" (Psalm. 26.4). Këndon: "Sa të dashura [janë] tendat e Tua, Zot i fuqive! (Psalm. 83.2-3). "Në oborret e tua do të të himnoj ty, Shpëtimtarin e botës" (Esperio tis Pentikostis).
    Kisha dhe banuesi i saj, Krishti! Sinagoga E profetizonte, E priste dhe përgatiste ardhjen e Tij. Ndërsa ne, " Izraeli i ri, Kisha nga kombet" (Esperio e Dafinave) E pranuam dhe e morëm kur Ai erdhi dhe u mohua nga Sinagoga. Sinagoga degëzoi vreshtin - Krishtin (Joan. 15.6), bukën e jetës (Joan. 6.35), por ne volëm shpëtimin dhe e shijojmë në mënyrë dehëse verën (gjakun) dhe bukën (trupin) e Tij!
    Që atëherë, nga fillimi, Krishti është vazhdimisht i pranishëm në Kishë brenda Artoforit dhe brenda Ungjillit, sipër Tryezës së shenjtë, vazhdimisht dhe jo kalimtar, siç ishte në krahinën e të kërrusurës.
    Kështu që, në kohët e vjetra tempulli u quajt "shtëpi Perëndie dhe... portë e Qiellit" - Këto janë emërtimet që dha Jakobi në vendin e shenjtë, ku pa vizionin e shkallës së Qiellit (Gjen. 28.10-22). Kjo përbën parafigurimin e vendit të përmbishenjtë, të adhurimit të përjetshëm, domethënë të Qiellit, atje ku engjëjt dhe shenjtorët i këndojnë himne Trinisë së Tërëfuqishme. Nga kisha fillon jeta e përjetshme!
    Ja edhe një ndryshim tjetër me sinagogën: Ajo funksionon të shtunën, që është dita e Krijimit - kisha kryesisht të dielën, që është fundi i rikrijimit. Me anë të rënies njeriu u prish, por me anë të ardhjes trupore të Perëndinjeriut dhe kryesisht me anë të Ngjalljes së Tij u shkel prishja, mëkati dhe satanai, kështu që u ripërtërit njerëzimi. Ndaj e diela tregon fundin e rikrijimit dhe rrjedhimisht fillimin e krijesës së re më Krishtin (II Kor. 5.17). Asgjësohet në kishë satanai, ashtu siç u asgjësua në sinagogë, atëherë kur u detyrua të zgjidhte të kërrusurën.
    Tjetër dobi e pjesëmarrjes në kishë: Lutja e përbashkët ndaj Atit të përbashkët bashkon fëmijët. Duke përjetuar lidhjen me Atin tonë, bëhemi të ndërgjegjshëm për marrëdhënien me fëmijët e Tij, vëllezërit tanë. Nuk ka mundësi të lutemi bashkë pranë njëri-tjetrit, të komunikojmë me njëri-tjetrin dhe të kungojmë nga i njëjti Potir dhe, megjithatë, të urrejmë njëri-tjetrin!


    * * *


    Me të drejtë pra, Kisha e viteve të para theksonte gjithmonë rëndësinë e adhurimit të përbashkët. Ungjilli i Lukait ka si varg përfundimtar këtë: "[Apostujt mbas Ngjitjes në qiell të Zotit] ishin gjithmonë tek Hierorja [e Jerusalemit], duke himnuar dhe lavdëruar Perëndinë. Amin" - këtu rikujtojmë Anën e Ipapandisë, që e përmendëm më lart, "e cila nuk largohej nga hierorja"(Luk. 2.37).
    Apostujt mblidheshin në Tempullin e Jerusalemit "gjithmonë", rregullisht, sepse nuk ishin krijuar akoma mjediset e posaçme të adhurimit të krishterë. Nuk linin mbledhje adhuruese pa shkuar. Shembullin e frekuentimit të rregullt në ambientet e posaçme adhuruese e kishte dhënë vetë Jisui, ashtu siç e dëshmon edhe ngjarja me të kërrusurën e të tjera e të tjera. Merrte pjesë rregullisht "siç e kishte zakon, ditën e shtunë në sinagogë" (Lluk. 4. 16) dhe predikonte. Predikonin në sinagogat edhe apostujt (p.sh. Vepr. 13.5).
    Megjithatë, shumë shpejt adhurimi i përbashkët i krishterë u dallua nga ai judaik. Si vendin e parë të lutjes, ekskluzivisht kristian, mund të karakterizojmë sallën e sipërme "ku qëndronin" dymbëdhjetë nxënësit e Zotit. "Të gjithë këta qëndronin së bashku me durim në lutje" (Vepr. 1.13-14). Shprehja nënkupton këmbëngulje dhe frekuentim të pandërprerë. Nga ana tjetër, ndoshta i njëjti vend është i shenjtëruar nga vetë Çlirimtari, si vend i lutjes së përbashkët. Njëjtësohet ndoshta me "katin e sipërm" të Darkës Mistike (Lluk. 22.12). Pas Liturgjisë së parë, që e celebroi vetë Zoti, grupi "pasi himnuan dolën te Mali i Ullinjve" (Mat. 26.30), ku pas pak u arrestua Jisui dhe filluan Pësimet e hirshme. Pra, të psalurit e himneve gjatë takimeve adhuruese është i shenjtëruar nga Kryeprifti i Madh Krisht.
    Në stadin e mëpasëm, kur Kisha u shtua dhe u përhap, kështu që nuk ishte i mjaftueshëm tashmë vetëm një vend, u krijuan "kishat nëpër shtëpi". Termi nënkupton ose familjen shpresëtare, ose shtëpitë ku mblidheshin besimtarët për të bërë adhurimin (p.sh. Rom. 16.4).
    Kur ishte e nevojshme, në vende adhuruese shndërroheshin edhe burgjet, si atëherë kur të burgosurit Pavli dhe Silla "duke u lutur himnonin Perëndinë; dhe i dëgjonin të burgosurit", derisa një tërmet hapi automatikisht portat dhe zinxhirët ranë nga duart e tyre (Vepr. 16.22-26).
    Në kalvarin e fazave të mjedisit të adhurimit që pasojnë, vijnë në vazhdim katakombet e kohës së përndjekjeve, për të përfunduar tek kishat në formën që i kemi deri më sot.
    Nga ky kthim i shkurtër prapa në histori u tregua se, asnjëherë nuk mungoi lutja e përbashkët në çfarëdo kushtesh, qoftë paqësore dhe të qeta, qoftë të çrregullta dhe të vështira. Pikërisht kjo gjë vërteton dhe domosdoshmërinë e saj.


    * * *

    Meqenëse pra, adhurimi kolektiv është shumë i nevojshëm, le të ndalemi tani në kushtet për një adhurim të mirë, si edhe në vështirësitë e tij.
    Do të mundnim t'i ndajmë këto të fundit në tri kategori: në ato që burojnë qartë nga ne, në ato që vijnë nga djalli dhe në të tjerat - nga mjedisi. Por, preferojmë një metodikë tjetër, gjithashtu të trefishtë: Cili duhet të jetë qëndrimi dhe përballimi ynë para, gjatë dhe pas mbarimit të shërbesës ose me fjalë të tjera, jashtë, brenda dhe jashtë kishës?
    E para: Atëherë kur Moisiu shkoi në majën e Sinait, që të takojë të Lartin dhe të marrë porositë e Tij "bëheshin zëra dhe vetëtima dhe re e zezë... zëri i borisë kumbonte fort dhe u frikësua i tërë populli që ishte në kamp... I tërë Mali i Sinait nxirrte tym, sepse kishte zbritur mbi të Perëndia me zjarr, dhe ngjitej tymi porsi tymi i furrës (Eks. 19.16-18). "Dhe, meqenëse i tërë populli u tremb, qëndruan larg. Dhe i thanë Moisiut: 'Na fol ti dhe mos të na flasë Perëndia, se mos vdesim" (20.18-19).
    Sy njeriu nuk e ka parë kurrë të Tërëfuqishmin. Vetëm "panë vendin, ku qëndronte Perëndia i Izraelit; dhe vendin poshtë këmbëve të tij si vepër tullë zafiri dhe si dukje kupe qiellore për sa i përket pastërtisë" (Eks. 24.10).
    Më vonë, kur Moisiu u lut të shikonte Perëndinë, Ai iu përgjigj se ishte e pamundur që Ta vështronte njeri dhe të jetonte. Kështu, vetëm sa do kalonte para tij, ndërsa do kishte mbuluar me dorën e Tij fytyrën e Moisiut dhe atëherë do hiqte dorën e Tij, që i drejti të shikonte "pjesën e mbrapme" të Tij (Eks. 33.8-23), d.m.th. dukuritë shoqëruese të pranisë hyjnore, si retë e vrenjtura dhe stuhitë.
    Një pjesë e himnologjisë së Ipapandisë vërtitet shkëlqyeshëm në dy pole ose më saktë, në një kundërvënie: e tmerrshme "shfaqja" e hyjnisë në Sina - foshnjë e pafuqishme Perëndi-njeriu gjatë hyrjes së Tij të parë në Tempull (Luk.2.22). "E pakonceptueshme është pra ajo që bëhet në ty edhe për engjëj edhe për të vdekshmit" (Odeoni i shtatë i Kanonit).
    Nëse do hynim në errësirën e Sinait, që të shikojmë jo esencën e Perëndisë, por vetëm "pjesën e mbrapme" të Tij, do rrëzoheshim nga tmerri, porsi Izraelitët - "zjarr përpara Tij... dhe rreth Tij stuhi e fuqishme" (Psalm. 49.3).
    Por, në tempullin e krishterë shohim, prekim dhe shijojmë Perëndinë! Vendi është i shenjtë, përderisa kisha, Artofori, është banesa e përhershme e Perëndisë; "tokë e shenjtë" që merr flakë, por nuk digjet, si shkurrja që kishte parë Moisiu në shkretëtirë (Eks. 3.1-5).
    Kisha me të vërtetë është "shtëpi Perëndie dhe... dera e Qiellit". Hebrenjtë kishin të drejtën të hynin në ndërtesat e tjera të kompleksit të Tempullit jerusalimitik, por në pjesën e tij kryesore, në të Shenjtat e Shenjtëve, që ishin "shëmbëllime" (Hebr. 9.24) të të Shenjtave të vërteta, hynte një herë në vit "vetëm kryeprifti" (Hebr. 9.6-7). Por, në tempullin tonë, që është më i shenjtë nga të Shenjtat e Shenjtëve të atëhershme dhe shumë më i afërt me Qiellin, hyn cilido dhe kurdoherë. Çfarë nderi, por edhe çfarë përgjegjësie....
    E madhe pra është frika dhe rreziku i familjarizimit për të gjithë ne dhe sidomos për klerikët, që të hyjmë d.m.th. dhe të sillemi brenda në kishë sikur të jetë një vend i zakonshëm dhe jo vend tërësisht i veçantë, "shtëpi Perëndie". Kështu që, gjëja e parë që kërkohet është ndjeshmëria, ndërgjegjësimi për këtë.
    "Askush që është jogjeometrik të mos hyjë", thuhet se kishte shkruajtur Platoni sipër derës së shtëpisë së tij. Nuk donte që të futej askush që ishte pa gjeometri, ose sepse e konsideronte gjeometrinë si një kusht të domosdoshëm të filozofisë ose sipas një shpjegimi të dytë, sepse me fjalën "jogjeometrik" nënkuptonte josimetriken dhe jo të barabartën, pra të padrejtin, të paekuilibruarin.
    "Askush që është jogjeometrik të mos hyjë". Ne, le të shohim në narteksin e kishës një tjetër thënie që na ndalon: "Akush që është i pandërgjegjshëm mos të hyjë!"
    Akoma më shumë "larg profanët". Misteret e Krishtit dhe vendi ku celebrohen janë pa krahasim të ndryshme nga misteret e Eleusinës nga të cilat qëndronin "larg profanët".
    "Jashtë të përlyerit!" Megjithatë të përdhosur jemi të gjithë si mëkatarë, meqenëse "nuk ekziston njeri, që nuk do mëkatojë (II Kron. 6.36), jemi fajtorë edhe në lidhje me Zotin dhe në lidhje me njerëzit. Ç'bëhet atëherë?
    Në lidhje me të afermin tonë: Tha Shpëtimtari se nëse ti "ofron dhuratën tënde mbi altarin dhe atje do të kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde para altarit dhe shko më parë pajtohu me vëllanë tënd dhe atëherë duke ardhur ofro dhuratën tënde" (Mat.5.23-24). Sa e çmuar dhe e domosdoshme për hyrjen tonë të denjë në kishë janë marrëdhëniet tona harmonike me vëllezërit tanë! Lër Perëndinë të presë. Përparësinë e ka vëllai!
    Në lidhje me Perëndinë: Të njohim mjerimin tonë, që është në kundërshtim të plotë me shenjtërinë e Tij. Me fjalë të tjera, duhet të sundohemi nga predispozicioni i doganierit dhe i plangprishësit, që T'i pohojmë me dërrmim "Mëkatova tek qielli [tek engjëjt] dhe para teje" (Luk. 15.18) dhe të lusim "O Perëndi, falmë mua mëkatarin" (Luk. 18.13).
    Një këndvështrim dhe përballim i tillë pastron nga përdhosja sipas mënyrës së doganierit dhe të plangprishësit. Na bën të zbresim nga kisha të drejtësuar dhe jo si ai gjoja i drejti, Fariseu, të veshur me "stolinë e parë" të bukurisë së parë. D.m.th. pendimi pastron dhe risjell në birësimin hyjnor para mëkatit dhe shkëlqimin e njeriut.
    Kur i Tërëfuqishmi i dorëzonte Dekalogun Moisiut urdhëroi që altarët prej guri të ngriheshin me gurë të përshtatshëm; gurë të tillë ishin gurët e palatuar, jo të gdhendur (Eks. 20.25). Disi paralelisht shpirtrat që përbëjnë Kishën dhe ofrojnë adhurimin përpara Hierores, ku ndodhet altari i pagjak, nevojitet të jenë të paskalitur, të shpenguar, origjinalë dhe jo falso; të padjallëzuar, të plotë - të shenjtë ose duke u shenjtëruar nëpërmjet pendimit.
    Pyeste Davidi: "Kush do ngjitet në malin e Zotit [në kodrën e Jerusalemit, ku ishte vendosur Arka, tempulli i përkohshëm] dhe kush do qëndrojë në vendin e Tij të shenjtë?" Dhe përgjigjej vetë: "I pafajshëm në duar dhe i pastër në zemër" (Psalm. 23. 3-4). Edhe ava Isaak siriani këshillon: "Fito pastërtinë në veprat e tua, që të shkëlqejë shpirti yt në lutjen tënde" (Ta evrethenta askitika fq. 92).
    Por, kush është përsosmërisht i pastër? Prandaj, përsëri Davidi ndjente frikë, kështu që bazohej vetëm në dhembshurinë hyjnore, që të paraqitej përpara të Lartit: "Por unë në shumicën e përdëllimit Tënd do hyj në shtëpinë Tënde, do falem përpara tempullit tënd të shenjtë me frikën Tënde" (Psalm. 5.8).
    Rrjedhimisht, nëse do të kemi si pasuri zemër të bardhë ose që bëhet e bardhë, d.m.th. me predispozicion dhe përpjekje pendimi dhe pastrimi, dhe akoma me frikën e Perëndisë, mezi do presim çastin që do gjendemi në adhurim. "Sipas mënyrës që sorkadhja dëshiron fort [të jetë tek] burimet e ujërave, kështu dëshiron fort shpirt im tek Ty, o Perëndi. Shpirti im pati etje për Perëndinë e gjallë [në kundërshtim me idhujt e vdekur]. Kur do vete dhe do paraqitem në faqen e Perëndisë?" (Psalm. 41.2-3). E brente psalmistin fakti që ishte larguar nga shenjtërorja për shkak kushtesh jo normale. Dëshira e tij e zjarrtë e paraqiste kthimin e tij të ardhshëm si diçka të sigurt: "Do hyj tek altari i Perëndisë, tek Perëndia që dëfren rininë time" (Psalm. 42.4); le ta dëgjojnë të rinjtë! Ja cili është gëzimi i vërtetë dhe jo gëzimi i ariut - ariu duket se gëzon, meqë kërcen. Në fakt, realiteti është zinxhiri në hundë; dikush tjetër i bie daulles (djalli i bie daulles dhe gjoja gëzohet dhe kërcen i nënshtruari i tij).
    Konkluzioni i më të lartëve: Të mos na rëndojnë arsye që largojnë Hirin e shenjtë dhe e dyta, të jemi të ndërgjegjshëm për shenjtërinë e vendit dhe të kohës, që të hyjmë me hare-pikëllim, me hare, por edhe me ndrojtje dhe frikë. Pikërisht shpresëtaria është rezultat i besimit te Zoti dhe i besimit për praninë e Tij në tempull. Prandaj dhjaku ose presviteri në çdo fillim të shërbesave më kryesore të njëzetekatërorëshit, që janë Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja, si edhe në fillim të Liturgjisë Hyjnore, fton besimtarët: "Për këtë shtëpi të shenjtë dhe për ata që hyjnë brenda në të me besë, shpresëtari dhe frikë Perëndie, le t'i lutemi Zotit".
    Të kemi shpresëtari në kishë, por sigurisht, e para është të shkojmë në kishë!
    Të shumta pengesat. Faktorë objektivë dhe subjektivë. P.sh. kur festohen shenjtorët e mëdhenj, besimtarët janë të detyruar të punojnë, kur nuk kanë veprimtari private dhe mund të vendosin vetë. Kështu, mundet që kalendari kishtar të shkruajë "29 qershor: kujtimi i Petrit dhe Pavlit, apostujve të mëdhenj protokorifej. Pushim dhe hahet peshk [pavarësisht se mund të jetë e mërkurë ose e premte]". Megjithatë, të krishterët janë të detyruar jo vetëm të mos bëjnë pushim, por edhe të mos shkojnë në kishë.
    Të paktën, të mos humbasim mbrëmësoret. Le t'i rizbulojmë! Troparet e shkëlqyeshëm përbëjnë hyrjen më të mirë të festës. Madje, nëse ti di ngjarjet e së kremtes ose jetën e shenjtorit që festohet, nuk humbet asgjë nga himnologjia. Ndjek dhe përvetëson gjithçka!
    Të paktën, le të mos sakrifikojmë pushimin e së Dielës dhe elementin e saj qendror, kishërimin. Nuk kuptohet i krishteri i shkëputur nga kisha. Le të përmendim si pikë referimi, se Sinodi i Gjashtë Ekumenik, në Konstandinopojë, dëbon (aforizon) me anë të kanonit të tij të 80te ata që, megjithëse gjenden në qytet (ku ka kisha), në "tri të Diela radhazi" mungojnë nga Liturgjia. Përjashtohen nga dënimi ata që kanë ndonjë nevojë të rëndë (p.sh. sëmundje). Praktikisht, është e vështirë të mbahen lista në enoritë e mëdha të qyteteve, se cili vjen dhe cili jo, por përfundimisht, ai që nuk merr pjesë në Liturgji është i vetëaforizuar (vetëdëbuar)!
    Elementi i parë i dukshëm i besimtarit është dashuria për shërbesat, pjesëmarrja e tij në to dhe sidomos në Misteret e Shenjta dhe aq më tepër, në Liturgji. "Ai shkon në kishë", thonë të tjerët. E kanë të pamundur t'i shikojnë thellësitë e zemrës, por shikojnë pamjen e jashtme, kishërimin, diçka shumë të dukshme, alfabetin dhe bazën e shpresëtarisë. Është e pakonceptueshme të zotërojë dikush spiritualitet (gjoja) të lartë dhe të mos shkelë në kishë, ashtu siç është e pakuptueshme të ketë diell një bodrum i mbyllur nga të tëra anët, pa dritare. Shumë i nevojshëm adhurimi!
    Prandaj satanai lufton të na lidhë me litarë, me qëllim që të mos shkojmë në mbledhjen e adhurimit.
    I ligu shfrytëzon dhe nxjerr në pah edhe vështirësi - pengesat tona subjektive. Kishte lidhur të kërrusurën për 18 vjet, por megjithatë nuk ia kishte arritur t'i priste dhe t'i largonte dëshirën hyjnore.
    Po tek ne çfarë bën? Na lidh në krevat mëngjesin e së dielës me një mijë justifikime, me dembelizëm, d.m.th. njësoj si i plogështi i Fjalëve të Urta, që justifikohet "luani [është] në rrugë, ndërsa shesheve [ka] vrasës" (Fjalët e Urta 22.13) - vështirësi të frikshme dhe të pakapërcyeshme me të vërtetë! Djalli pëshpërit me ligësi dhe në mënyrë joshëse: "Je pak pa qejf. S'ka gjë, shko të dielën tjetër. Është koha e ftohtë dhe do të ftohesh, nëse do të ngrihesh herët dhe do të të lagë vesa". Ose "Ke fjetur pak, dje shikoje televizor (!) deri vonë. Nuk u përmbys bota, o i shkretë, nëse do mungosh një herë. Perëndia është përdëllimtar"! Ose "Sot ke shumë punë. Shkove javën e kaluar".
    Ai që bën diçka dhe vazhdon, megjithëse vjen ora e lutjes, mashtrohet nga demonët, na zbulon shën Joani i Shkallës (28. 39), ndërsa shën Kozma etolosi thekson, se paratë e fituara të dielën janë të mallkuara - nëse është i detyruar dikush (p.sh. çobani) të punojë të dielën, duhet që fitimi i ditës t'u jepet nevojtarëve, këshillon shenjti.
    Djalli kurdis dhe ofron një mori vështirësish dhe na bën rrethim, dhe na lidh litar të shkurtër, që të mos arrijmë dot deri tek Kisha. Ose të paktën, përpiqet që të mos shkojmë herët. Humbasim mëngjesoren, e cila ashtu si edhe mbrëmësorja shqyrton të kremten në thellësi dhe në mënyrë shumë të dobishme shpirtërisht. Humbasim hyrjen, parapërgatitjen dhe arrijmë vetëm në Liturgji, për të mos thënë se ndonjëherë atëherë kur Mistagogjia ka ecur shumë përpara. Liturgjia është kurora, çatia dhe plotësimi i festës. Pa strukturën e plotë ajo vazhdon sigurisht të përbëjë Misterin më të madh, por e shkëputur nga e kremtja na duket si një Liturgji e zakonshme.
    I nënvleftësuam festat dhe të dielat - dhe e diela është festa më e madhe, festa e Ngjalljes. Ungjijtë e mëngjesoreve të saj, këndimet dhe psalmet janë dëfrim! Çdo të diel përjetojmë përsëri gëzimin e Pashkës.
    Gjynah pra, nëse kufizohemi vetëm tek një qiri, nëse bëjmë vetëm formalisht adetin: "Është e kremte e madhe sot, ditë e shënuar, duhet të shkojmë në kishë; është zakon". Ose "Të ndezim një qiri, që të shkojë mirë java dhe të shkojë mbarë çëshja që na shqetëson".
    Aq më tepër, adhurimi ynë nuk ka karakter magjik; me veprimin e jashtëm, le të themi me ofertën e qiriut, nuk e detyrojmë hyjninë, do apo nuk do, të na plotësojë kërkesën. Veprimi i jashtëm, pa komunikim të brendshëm me shpirtin, nuk arrin të bëhet ombrellë që të na mbrojë nga e keqja; nuk bëhet magnet i palogjikshëm dhe i papersonifikuar që do të tërheqë patjetër të mirën. Edhe qiriu që ofrohet me zemër të bardhë ka sigurisht vlerën e tij, por është vetëm disa pika të Hirit në krahasim me Misterin, që është kroi i Hirit.
    Vitet e kaluara ekzistonte edhe një justifikim tjetër "Mbetet vetëm një ditë në javë për çlodhje, e diela. Si të ngrihesh herët?". Por tani pothuajse të gjithë zyrtarët, ata që punojnë në sektorin shtetëror, nxënësit e studentët, ata që punojnë në sektorë privatë apo ndërmarrje, kanë pesëditëshin, kanë pushim edhe të shtunën.
    Megjithatë tundimi është i madh. Por nëse do bëhej fjalë p.sh. për ekskursion, me shumë vullnet edhe që pa gdhirë do të ishim në këmbë.
    Le të mendojmë dhe le të marrim shembuj nga njerëz të vendeve të tjera. Atje besimtarët, p.sh. emigrantët tanë, ndodh të udhëtojnë me orë të tëra për të vajtur në kishë. Në kohën e përndjekjeve të sistemit komunist, kishërimi i kushtonte gjithë familjes - rrezikohej vendi i punës, e drejta e studimit e të tjera. E dimë që këtu nëse dikush bënte shenjën e kryqit, i kushtonte deri burgim, dhe çfarë burgimi? Burgjet e atëhershme nuk krahasohen me të sotmit. Nuk flasim për kishërim në atë kohë për arsyen "e thjeshtë", sepse kishat ishin shkatërruar ose ishin kthyer në stalla.
    Të gjitha këto le të na bëhen "orë me zile", që të na zgjojnë nga gjumi shpirtëror dhe trupor, me qëllim që të vrapojmë në Liturgji.


    * * *

    Vazhdojmë tani gjatë kishërimit, brenda në kishë, meqenëse nuk mjafton të shkojmë thjesht deri në kishë.
    Kisha! Gjithçka, ikonat, arkitektura, kupola që na tërheq shikimin lart, të gjitha të çojnë te Perëndia i Lartë, në kundërshtim me aksesorët dhe pajisjet jetësore, mobiljet luksoze, kuzhinat e shtrenjta, televizorët me plazmë etj., që të tërheqin poshtë. Në kishë edhe muret flasin. Aq më tepër kur është ora e adhurimit! Atëherë me të vërtetë zbret Qielli në tokë. Hyre? Tërhiqu në një cep, hape zemren tënde dhe thith! "Kur kryhet shërbesa shikoj tërë kishën si zjarr", rrëfente ava Markelini i Thivaidës. Dhe kur bëhet përlëshimi, përsëri largohej zjarri (Jerontikoja e Madhe IV, 340).
    Mistagogjia hyjnore përbën përmbledhjen dhe rikapitullimin e gjithçkaje, madje edhe nga ana "historike". Të gjitha kanë domethënien e tyre. Për shembull, Hyrja e Vogël me Ungjillin simbolizon hyrjen e Krishtit në aktivitetin publik dhe fillimin e predikimit të Ungjillit. E Madhja, simbolizon pritjen me dafina (të Dielën e Palmave) dhe ardhjen e Çlirimtarit në Pësim.
    Nëpërmjet veprimeve që kryhen brenda Liturgjisë, merr pjesë i tërë njeriu shpirt-trupor: shikimi, në zhvillimin e ngjarjeve; dëgjimi, në këndimet dhe psalmimet; nuhatja në "Le të drejtohet lutja ime si temjam përpara Teje" (Psalm. 140.2); prekja dhe shijimi, në Dhuratat e Shenjta.
    Pra, nëse lutja e djeg djallin, Liturgjia Hyjnore e përvëlon atë, sepse nuk është vetëm lutje, por edhe Misteri i frikshëm. Kështu që dinaku e lufton ashpër. Shkalla e shën Joanit na hap ekranin e satelitit shpirtëror dhe shikojmë "se kur buçet trumpeta shpirtërore [kambana] mblidhen në mënyrë të dukshme vëllezërit, ndërsa në mënyrë të padukshme armiqtë" dhe përpiqen me lloj-lloj mënyrash që ta shpërndajnë dhe ta bëjnë të pafrytshëm, ta asgjësojnë adhurimin.
    Me të vërtetë, shpesh na shkaktojnë "plogështi", na prishin hovin. Kalon çiraku i satanait, velzevuli, me penelin e tij nga krevati, por kalon edhe nga karigia në kishë dhe na lyen sytë me serën e tij. Dhe qepallat rëndohen, dremit dhe lëshohesh, sipas vizionit të një oshënari. Kalon ora pa kuptim, këndimet dhe psalmet e tingujve qiellorë të melodive shpirtërore bizantine nuk na prekin, ndërsa duhej të na thitheshin deri te palca kurrizore, meqenëse është diçka unikale, e papërsëritshme. Ka hir. E ul Qiellin në tokë. Ushtron një tërheqje kolosale tek ata me predispozicion të mirë. Është e pranueshme njëzëri, se adhurimi orthodhoks është mjeti i parë i misionarizmit! Shumë joorthodhoksë pranuan Orthodhoksinë tonë meqenëse "rastisi" të njohin adhurimin e saj. Të krishterët e tjerë, dhe kryesisht protestantët, kanë adhurim të thatë, nëse kanë adhurim, meqenëse atje sundon vetëm "fjala e Perëndisë", por kjo shpesh si mbulesë dhe maskë e fjalës njerëzore. "Fjalë, fjalë, fjalë...", thoshte një pastor që u pagëzua dhe madje u dorëzua edhe murg.
    Për fuqinë e adhurimit flet qartë fakti i krishterizimit të rusëve. Tregohet në Kronikat e Kievit, se kur mbreti Vladimir, që më pas u shpall shenjtor, lëkundej se cilën fe duhej të pranonte, dërgoi njerëz që të njohin besimet më kryesore. Kur u kthye delegacioni nga Bizanti, i zbuluan të mallëngjyer se kur ishin duke ndjekur shërbesën brenda në Shën Sofi, kujtonin se gjendeshin në Qiej. Kjo ishte feja e shkëlqyeshme!
    Nëse gjithmonë adhurimi i përbashkët është diçka e pazëvendësueshme, shumë më tepër është adhurimi i festave të mëdha. Na mëson përsëri drita e Sinait, Joani, që ashtu si mbretërit e lashtë ndanin dhurata tek ushtarët në disa raste shumë të veçanta ose përvjetorë - si amnistitë e sotme për të dënuarit, me rastin e ditëve të shënuara - kështu edhe Mbreti Krisht: U jep dhurata njerëzve të Tij të përkushtuar gjatë festave shumë të mëdha (Shkalla 31.17).
    Pra, himnologjia e panaireve fetare është të paktën një dhuratë e çmuar nga Zoti për besimtarët e zellshëm, të zjarrtë dhe të kujdesshëm! Kjo që thamë nuk është fjalë goje, por realitet i gjallë. Çfarë humbasin ata që nuk vijnë në kishë ose vijnë, por nuk ndjekin me shpirt. Dinaku u vjedh me dinakëri mendjen dhe e drejton në çështje të shumta, duke e shqitur nga qëndrimi pranë Perëndisë. Fatkeqësisht dhe në mënyrë të frikshme, deri edhe mendime mëkatare vërtiten në mendje, si p.sh. mbajtje mërie (ai atje, që më ka fyer, do t'ia tregoj unë...), qortime (si rri ashtu ai ose si është krehur ajo), mburrje e kotë (sa të bukura rrobat e mia të reja), madje edhe grykësi dhe imoralitet... Vajton poeti: "Shumë herë duke bërë himnodinë u gjeta duke kryer mëkatin. Nga një anë duke thënë me gjuhë troparet, ndërsa me shpirt duke i menduar të çrregullta". Mëkate të shumta me gjakftohtësi ose me "vjedhjen e mendjes".
    Kishte të drejtë pra ava Theodhori i Nëntë, që besonte se "nëse do na llogarisë Perëndia pakujdesitë në lutjet dhe skllavërimet [e mendjes] gjatë psalmimeve, nuk mund të shpëtojmë". Nëse do shtosh këtu edhe bisedat e kota, për të mos u shprehur më rëndë, që shkaktojnë shpërqëndrimin edhe të të tjerëve dhe lëvizjet pa qëllim, hyrjet - daljet në kishë, atëherë çfarë bëhet? Kisha nuk është një vend i zakonshëm, kafene për muhabet, as trotuar për ecje, as plazh për veshje jo të hijshme dhe jo serioze. Folëm për mendime grykësie gjatë shërbesës - çfarë do të hamë, kur do mbarojë Liturgjia etj. Jeta e oshënar Andreas, i marrë për Krishtin, na rrëfen ngjarjen e mëposhtme:
    Një i ri perëndidashës kishte zakon të mbante gjatë Javës së Bardhë jo vetëm "triditësh"-in (tri ditë pa pirë dhe pa ngrënë), por "pesëditësh". Fillonte të hante pasi kungonte të shtunën e Shën Theodhorit. Deri atëherë nuk fuste në gojë as ujë.
    Njëherë ndodhi që, pas një pesëditëshi, ndërsa gatuante në dhomën e tij në pallatin e tyre të pasur, ra kambana për shërbesën. La tenxheren në zjarr dhe vrapoi në kishë.
    Por atje e luftoi shumë fort i ligu: "Një javë pa shijuar ose pirë asgjë; t'u tha stomaku, u trete! Është e logjikshme të hash sot mbas kaq ditësh agjërimi. Nuk i the asnjërit të kujdeset për fasulet e tua. Shko të shikosh se mos ngjiten dhe vjen erë gjithë shtëpia. Kishën atje e ke, nuk ikën!".
    I riu e kundërshtoi me mendim të mirë, d.m.th. i Tërëfuqishmi që kujdeset për krijesën e Tij nuk do t'ia privonte ushqimin. Dhe mbeti deri në fund të Liturgjisë.
    Në fillim, na dha shembull e kërrusura për 18 vjet. Tani na mëson jo kohëzgjatja, por intensiteti - një pesëditësh pa pirë as edhe ujë - i durimit të të riut heroik. I "gëlltiti" që të dy sipas shprehjes psalmike "zelli i shtëpisë" së Perëndisë (Psalm. 68.10; Joan. 2.17).
    Megjithatë, nuk mbaroi këtu historia jonë. Sapo djali kthehet në shtëpi, i gjen të gjithë të habitur; një aromë e këndshme, s'dihej nga vinte, ishte përhapur kudo. Drejtohet për tek dhoma e tij dhe shikon një të ri shumë të gjatë, me fytyrë që shkëlqente dhe të stolisur me flori, i cili po trazonte gjellën, e provoi, pastaj nxori nga gjoksi i tij diçka si erëza dhe e hodhi në formë kryqi në tenxhere. Përfundimisht, pasi i buzëqeshi nxori flatra dhe fluturoi, ishte engjëll!
    Shën Epifani, i cili më pas u bë patrik i Konstandinopojës - sepse ai ishte protagonisti i kësaj ngjarjeje - as kishte ngrënë më parë edhe as hëngri ndonjëherë gjellë të tillë! ("Osios Andhreas o dhia Hriston salos, Metafrasi Isaak monahu, M. Paraklitu, Oropos, Atiki, 1985, fq. 66-69).
    Gjithashtu, djalli "vendos bishtin e tij" për një adhurim të keq, nga ana e atyre që janë posaçërisht të ngarkuar, që mbajnë vendin kryesor në kryerjen e shërbesave. Psalja jo e mirë, ose leximi i keq, shumë i shpejtë ose shumë i ngadaltë, e vështirësojnë kuptimin. Ndërsa e kundërta, një lexim shprehës i teksteve i bën ato të këndshme dhe të kapshme. Gjynah kur shtrembërohen. Fshehin një shumicë dobish. Thamë më parë, se thith hirin e shërbesave! Kudo që ta kthesh vëmendjen do të ndeshësh bimësi të harlisur, livadhe të pasura dhe gjithmonë të gjelbëruara, gëzim për sytë. Shpesh është i mjaftueshëm një kuptim i vetëm, një himn që të shpojë si shigjetë hyjnore shpirtin tënd dhe të të krijojë atmosferë shpirtdërrmuese. Atëherë të ëmbëlson, të ngazëllon dhe të mbush. Të forcon për ditë të tëra.
    Folëm tashmë diçka për trimërinë. Etërit nuk ishin dakord që të mbështeteshin besimtarët në murin e kishës. E konsideronin ngathtësi (Shkalla 18.3). Edhe sot në vendet sllave nuk ekzistojnë "stasidhe" (ngjajnë me stola, por më tepër janë ndihmëse për t'u mbështetur ndërsa qëndrojmë në këmbë). Shumë-shumë, kur dikush lodhet të gjunjëzohet në dysheme, edhe pse kjo nuk mund të bëhet zakonisht, pasi besimtarët janë të shumtë dhe kështu detyrohen të rrinë ngjeshur gjatë shërbesave edhe pse zgjasin katër-pesë orë! Ja cila është kostoja e kishërimit. Sakrificë e mundim trupor. Por njëkohësisht edhe lodhje shpirtërore: të mos i lejojë mendjes dhe zemrës të arratiset dhe të vërdalloset nëpër botë. Lufta është heroike. I mungonte Eftihit. Le të kujtojmë skenat:
    Kur Pavli gjatë udhëtimit të tretë apostolik të tij kaloi nga Troja, vëllezërit u grumbulluan për kryerjen e Eukaristisë Hyjnore të Dielën në darkë, sipas praktikës së atëhershme të Kishës. Meqenëse apostulli do ikte të nesërmen, u predikoi gjatë, deri në mesnatë. I riu Eftih dëgjonte i ulur në dritaren e katit të tretë. Por nuk vigjiloi, u përkul nga gjumi dhe ra që lart në tokë. Dha frymë në vend. Por fatmirësisht e ngjalli apostulli korife për gëzimin e madh të të gjithëve (Vepr. 20.6-12).
    Mos të humbim vigjilencën dhe biem në qetësi vetëm me praninë trupore në kishë; nevojitet edhe shpirtërorja. Në Manastirin e Ivironëve në Malin e Shenjtë, një klerik i shenjtëruar në kohën e temjanisjes parakaloi dikë pa e temjanisur. Kur më vonë e pyetën për sjelljen e tij të çuditshme, u habit dhe u përgjigj se nuk e kishte parë, prandaj dhe nuk e temjanisi.
    Meqë hieromonaku njihej për virtytin e tij, etërit e shqyrtuan çështjen. Pas kësaj, tjetri pohoi se në çastin konkret mendja e tij vraponte jashtë vendit të shenjtë (Ark. Ioaniki, Athonikon jerontikon, Selanik 19922 fq. 261-262).
    Herë të tjera temjanisnin "stasidhet" bosh, sepse ata që mungonin ishin me shërbim, ku i kishte dërguar manastiri - ndoshta ishin duke u përkujdesur për ndonjë të sëmurë etj. Nuk ishin fizikisht, por shpirtërisht ishin të pranishëm dhe bashkëluteshin me vëllazërinë!
    Shikojmë se kemi raste mungese, për shembull, kur ekziston nevojë serioze perëndidashëse, kujdesje për një të sëmurë ose mikpritjeje. Por edhe atëherë, ai që shërben nuk mbetet i paaktivizuar për sa i përket lutjes, por duke ushtruar shërbimin e tij lutet si të jetë përpara Perëndisë, meqë u shërben vëllezërve të Krishtit - "përderisa bëtë tek një nga vëllezërit e mi të vegjël, tek unë bëtë" (Mat. 25.40).


    * * *

    Tashmë pas Liturgjisë dhe jashtë kishës.
    Le të vazhdojmë klimën e adhurimit. Nëse dalim nga Eukaristia Hyjnore dhe duke pirë kafe nisim muhabet rreth kafes dhe rreth të gjithave e të gjithëve, edhe për më tepër akoma, nëse do fillojmë shakatë dhe pallavrat e kota (Mat. 12.36), atëherë gjynah - dhe vetëm gjynah? Avullojnë bashkë me "fjalë fluturuese" dobitë që fituam, shpërbëhet atmosfera e lutjes. Çdo gjë që përmendëm më përpara si faktor i suksesit brenda në kishë, vlen pjesërisht dhe sipas mundësisë, edhe pas kishës - kujdesi dhe jo shpërndarja ndihmojnë në frytshmërinë e adhurimit.
    Përndryshe vijnë zogjtë dhe hanë farën, ashtu siç tregoi Zoti në paravolinë e mbjellësit (Mat. 13.1-23). Nuk lodhet peshkatari shumë gjatë natës, brenda dallgëve dhe të ftohtit, që të kapë shumë peshk, që pastaj më vonë, kur del në tokë, t'i hedhë nëpër rrugë.


    * * *

    Tempulli i parë, ka qenë Tenda e Dëshmisë, të cilën e ndërtoi Moisiu (Eks. kap. 37-39), i dyti, ishte tempulli i famshëm i Solomonit. Gjatë inagurimit të tij të shkëlqyer monarku i famshëm "ra në gjunjë para gjithë asamblesë së Izraelit dhe ngriti duart e tij në qiell dhe tha: 'O Zot Perëndi... me të vërtetë do të banojë Perëndia bashkë me njerëzit mbi tokë? Nëse qielli dhe qielli i qiellit nuk të mjaftojnë, dhe cila është kjo shtëpi që ndërtova? Dhe do të vëzhgosh mbi lutjen time, o Zot Perëndi... që të jenë sytë e tu të hapur mbi këtë shtëpi ditë e natë... dhe do dëgjosh... popullin tënd Izraelin, ato, le të themi, për të cilat do të luten në këtë vend... dhe do të bëhesh i dhembshur... Edhe në qoftë se do të thyhet populli yt Izraeli para armikut, në qoftë se [domethënë] do të mëkatojnë para teje dhe [në qoftë se] do të kthehen dhe do të rrëfejnë tek emri yt dhe do të luten... në këtë shtëpi, edhe ti do të dëgjosh nga qielli.... Kur do të mbyllet qielli dhe nuk do të bëhet shi, sepse do të mëkatojnë para teje dhe do të luten... dhe do të kthehen nga mëkatet e tyre... do të jesh i dhembshur... dhe do të japësh shi... Në qoftë se do të bëhet uri mbi tokë, epidemi... karkalecë... dhe në çdo rast hidhërimi... në qoftë se njeriu do të njohë [shkakun, mëkatin e tij]... dhe do të ngrejë duart e tij në këtë shtëpi, dhe ti do të dëgjosh... Edhe tani, o Zot, le të jenë pra sytë e tu të hapur dhe veshët e tu dëgjimmprehtë në lutjen e këtij vendi" (II Kron. 6.12-40).
    Modelin e tempullit të parë, të Tendës së Dëshmisë, ia tregoi i Shumëfuqishmi Moisiut në malin Sina (Eks. 25.40). Tempullin e fundit e pa ungjillor Joani në Apokalipsin e tij (Apok. 11.1). Megjithatë, pas fitores përfundimtare të Fjalës së Perëndisë më tempull nuk ekzistonte, nuk do ekzistojë, ose më mirë, do ekzistojë tempulli i pakonceptueshëm nga mendja dhe fantazia e njeriut. Theologu duke e përshkruar me ngjyrat më poetike dhe me ditirambe "qytetin e shenjtë, Jerusalemin, duke zbritur nga qielli", përfundon: "Dhe tempull nuk pashë tek ai; sepse Zoti, Perëndia i tërëfuqishëm, është tempulli i tij edhe qengj" (Apok. 21.10-23).
    Kisha është shtëpia e Perëndisë, shtëpia e të gjithë neve dhe jo vetëm e klerikëve. Nuk shkojmë për hir të priftit ose vetëm dhe vetëm për të dëgjuar estetikisht psaltin melodioz. Është vend çlodhjeje dhe ngrohtësie atërore, vend takimi me Krijuesin. Le ta shfrytëzojmë. Na këshillon Shkalla të mos imitojmë atë murgun e paprokopi, që kur bie trumpeta (kambana) për shërbesat, zë e rënkon duke vajtuar "mjerë, mjerë", por murgjit trima që thërrasin "të lumtë, të lumtë" (............) - ikona është marrë nga Jovi (39.25): "Kali i luftës, kur e dëgjon trumpetën dhe nuhat luftën, ndizet, fryhet dhe hidhet në betejë.
    Le të kemi sedër, që nga 168 orët e javës t'i ofrojmë të paktën dy orë adhurimit të përbashkët. Nuk i ka nevojë Perëndia, ne i kemi nevojë! Bekohet java, meqenëse e diela është dita e parë e javës.
    U dedikojmë orë të tëra çështjeve dhe punëve të ndryshme - dhe duhet të punojmë dhe të mos dembelosemi. Por le t'i përkushtojmë disa orë kishës. Pjesëmarrja jonë nuk është pa vlerë, tretësore, praktikë periferike, por është baza. Është privilegji ynë. Nëse nuk e ndjejmë kështu, të paktën le ta ndjejmë si detyrë elementare mirënjohjeje, derisa të zbutet shpirti ynë dhe të ëmbëlsohet. Dhe atëherë... Atëherë do gufojë lutja dhe do na shuajë etjen, dhe të na vadisë dhe do na dëfrejë me fryte të paprishshme plot lëng. Kjo është dinamika e saj! Ke vizituar ndonjëherë Syrin e Kaltër në Sarandë? Buron qetësisht në sipërfaqe një burim nëntokësor shumë i madh, brenda një mjedisi të gjelbër parajse, dhe bëhet lumë i tërë gurgullues, i kristaltë dhe vadit e deh natyrën.
    Le të na bëjë të denjë përdëllimi hyjnor për të tashmen tokësore të vrapojmë në mbledhjen e kishës "ashtu siç drenusha dëshiron fort për burimet e ujërave" (Psalm. 41.1), ndërsa në përjetësinë të jemi përgjithmonë në frekuencat e valëve engjëllore dhe të mos pushojmë "së thëni shenjt, shenjt, shenjt, Zoti Perëndia i tërëfuqishëm, ai që ka qenë dhe është, dhe do të jetë" (Apok. 4.8). Amin!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 29-08-2006 më 00:43

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 1013
    Postimi i Fundit: 30-06-2011, 13:05
  2. 6 mars 2006, fillojnë 40 ditët e Kreshmës së Madhe
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 15:56
  3. Fan S. Noli si burre fetar
    Nga Sokrat K. Dhima në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 10-10-2003, 17:28
  4. E Verteta Mbi Fatmir (foti) Cici
    Nga vllaznim në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 52
    Postimi i Fundit: 09-10-2003, 14:55
  5. Sherbesat Hyjnore, nga Kryepiskop Serafim Sllobodskoj
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 02-12-2002, 14:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •