Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Seria Shpirtërore II: Vajtimi për Atdheun e humbur

    Botohet tne miratimin dhe bekimin e Fortlumturisë së Tij
    +Anastasit,
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë



    SERIA SHPIRTËRORE

    II






    Vajtimi për Atdheun e humbur
    në të Dielat e të lidhurit




    Përgatiti për botim: At Justini



    Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
    Tiranë, 2004
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Pikënisje e temës sonë do bëhet Psalmi 136, që psalim të Dielën e të lidhurit të mishit dhe të Dielën e të lidhurit të djathit, i cili nuk lexohet ose psalet në ndonjë të diel tjetër të vitit.
    Pse është caktuar të lexohet vetëm të Dielën që lidhet mishi dhe të Dielën që lidhet djathi? Eshtë e dukshme: Kjo i referohet shpërnguljes me dhunë të izraelitëve, largimit dhe privimit të të mirave. - Kështu edhe njeriu u dëbua nga Parajsa për shkak të mëkatit. Nga kopshti i papërsëritshëm (pra nga Parajsa) u shpërngul në tokën e gjembave, derisa u vendosën në hyrjen e tij keruvimet me shumë sy si roje me shpata të flakta (Gjen. 3.18-24). Shkelja e vullnetit hyjnor solli dëbimin nga jeta e parë, prandaj nevojitet pendim dhe mundim shpirtëror për t'u ringritur atje. Këtë qëllim ka Sarakostia e Madhe (Kreshma e Madhe).
    Psaltiri hyjnor që në vitet e para të Kishës, ishte libri më i preferuar i Dhiatës së Vjetër dhe libri më i përdorur i Biblës.
    Edhe Zoti Jisu Krisht duhet të psalte Psalme, dhe është shumë e mundshme të ketë psalur edhe gjatë Darkës Mistike (Mat. 26.30; Mark. 14.26) meqë "tipikoja" hebraike e Pashkës detyronte të lexoheshin disa Psalme të caktuara - pavarësisht se Darka Mistike nuk ishte pikërisht Pashka e judenjve, por Pashka e re e krishterë.
    Psalmet në të gjithë botën e krishterë janë shumë të preferuara. Ndoshta nuk ekziston asnjë shërbesë që të mos përmbajë një Psalm të plotë, ose vargje nga Psalmet. Kjo ndodh, sepse secili nga Psalmet përbën një lutje që synon drejt-përdrejt tek Qielli. Tek Psalmet njeriu është përballë Perëndisë. Eshtë shumë karakteristike se, pothuajse në të gjitha Psalmet emri i të Shumëlartit përmendet që në fjalët e para të Psalmeve: "Përdëllemë, o Perëndi sipas përdëllimit tënd të madh ..." ( Psalmi 50), "O Zot thirra tek ty, dëgjomë...." (Psalmi 140). Psalmi i trishtuar 136 është një përjashtim i rrallë. Arsyeja e dytë është, se këto nuk janë lutje të ftohta ose vetëm me mendje, por zbulojnë një shpirt të zjarrtë, që i thërret Perëndisë "nga thellësitë" ose shpreh me një lirizëm të madh ndjenjat e tij. Kështu, kemi Psalme të gëzuara, të trishtuara, vajtuese, pendimi, lavdërimi dhe falënderimi për Perëndinë, Psalme kërkesash e të tjera.
    Kemi të bëjmë me kryevepra, edhe pse përkthimi në gjuhën e lashtë helene, që njihet si "Përkthimi i të Shtatëdhjetëve" dhe që përdor Kisha që në fillimet e saj, ndesh në disa pika të paqarta, por rëndësi ka që zemra i kupton mirë!
    Disa Psalme quhen Polielei dhe jo vetëm lexohen por edhe psalen. Këto janë Psalmet: 134 (Himnoni emrin e Zotit, himnojeni Zotin, o shërbëtorë), 135 (Lavdëroni Zotin, se është i mirë....), 136, domethënë Psalmi, për të cilin flasim (Atje pranë lumenjve të Babilonës qëndruam dhe qamë) dhe Psalmi 44 (Nga zemra ime buroi fjalë e mirë).
    U quajtën "Polielei" d.m.th shumëpërdëllyese, kryesisht nga Psalmi 135. Fjala eleos, (eleimosini) nga rrjedh fjala lëmoshë, përkthehet përdëllim. Pra, çdo varg i Psalmit 135 mbaron me shprehjen "se përdëllimi i tij është në jetë të jetëve". Ekziston dëshmi se këtë Psalm e psalnin të krishterët që në shekujt e parë: Shën Athanasi i Madh "mbasi u ul në fronin [episkopal] i tha dhjakut të lexonte Psalmin, ndërsa turmat psalnin mbaresat 'se përdëllimi i tij është në jetë të jetëve". Siç shohim, Psalmi thekson mëshirën e Perëndisë, lëmoshën me çdo mënyrë dhe jo vetëm me ndihmë ekonomike.
    Ndërsa Psalmet e tjera Polielei e kanë vendin në festat Dhespotike (të Zotit Krisht), Hyjlindësore dhe të Shenjtorëve të mëdhenj, Psalmi 136 vendoset vetëm në këto dy të diela, siç thamë më përpara, dhe na vjen keq, sepse është kaq mallëngjyes dhe i përkryer, i kompozuar nga ana muzikore në një mënyrë të mrekullueshme. Pra:
    "Atje pranë lumenjve të Babilonës qëndruam dhe qamë duke kujtuar Sionin. Në shelgjet në mes tyre varëm veglat tona [muzikore]. Se atje, ata që na skllavëruan na kërkuan këngë, dhe ata që na rrëmbyen, himne: 'Na këndoni nga këngët e Sionit'. Si mund të këndojmë këngën e Zotit në dhë të huaj? Në të harrofsha, o Jerusalem, u harroftë e djathta ime. Pas qiellzës u ngjittë gjuha ime, në mos të kujtofsha ty, dhe në mos vënça Jerusalemin përmbi çdo gëzim timin. Kujtohu, o Zot, për bijtë e Edomit, ditën e Jerusalemit. Për ata që thoshin: 'Rrafshojeni, rrafshojeni atë deri në themele'. O bijë e Babilonës së mjerë, lum kush do të ta japë shpagimin për ato që na ke bërë. Lum kush do të kapë foshnjat e tua, dhe do t'i përplasë përmbi gur".
    Perëndia dhe atdheu u madhëruan dhe u lavdëruan deri në qiej!
    Vargjet e Psalmit formojnë një nga elegjitë më të mira në rang botëror, qajnë për atdheun e humbur. Çdo të thotë kjo? Cilat ishin kushtet dhe rrethanat kur u kënduan këto vargje?
    Le të lejojmë vetë vargjet të na marrin nga dora e fantazisë dhe të na çojnë larg, 26 shekuj mbrapa, të na çojnë larg, qindra kilometra që këtej, në Palestinë dhe akoma më larg, në Babiloni. Psalmi na paraqet një skenë historike reale të tmerrshme dhe tronditëse dhe jo fantastike, televizive apo teatrale.
    Le të kujtojmë historinë e shenjtë të Dhiatës së Vjetër, që i përket robërimit babilonas. Le ta lëmë mendjen të rikujtojë ngjarjet, të cilat në mënyrë konçize përshkruhen kryesisht në Librin IV (ose sipas një numërimi tjetër II) Mbretërve (24.18- 25.30), II Kronikave (36.11-20) dhe Jeremia(52. 1-27).
    Ia vlen të theksojmë këtu se Psalmi 136, për të cilin flasim dhe në përgjithësi pushtimi i hebrenjve nga Nabukodonosori mahniti dhe frymëzoi artistë të shquar si piktorë, shkrimtarë dhe muzikantë.
    Pra, ndodhemi në vitin 588 p.K. Mbretërit judenj së bashku me popullin shkelin vazhdimisht dhe pa turp ligjin e Perëndisë, madje adhurojnë dhe idhujt.
    Sabaothi dërgon profetët e Tij që t'i sjellin në rrugën e drejtë, por pa rezultat. Populli i zgjedhur i përbuz, i keqtrajton dhe këmbëngul në pabesi. Atëherë ata parathonë të këqijat që do shpërthejnë.
    Me të vërtetë, Perëndia ndërhyn dhe i ndëshkon që të vijnë në vete dhe të ngrihen nga kjo gjendje. Përdor si vegël Nabukodonosorin, perandorin më të famshëm të Babilonisë, falë talentit të tij strategjik ushtarak dhe aftësisë së tij administrative.
    A mund të bëhen vegël e Perëndisë idhujtarët?! Shenjtorët po, por mëkatarët dhe sidomos idhujtarët? Po! Edhe të tillë njerëz bëhen vegla të Perëndisë, por kjo nuk do të thotë se i drejtëson, por ata rëndohen akoma më shumë, nuk shpëtojnë nga Ferri. Sipas shprehjes së Jeremias "Ishte gotë e artë Babilonia [e shumënjohura] në duart e Zotit, dhe dehte gjithë botën. Nga vera e saj pinë kombet, prandaj dhe u çoroditën, iu morën mendtë dhe humbën veten e tyre. Dhe papritur Babilonia ra dhe u shkatërrua; vajtojeni" (28.7-8).
    Por le të kthehemi prapë në rrjedhën e ngjarjeve. Mbreti i hebrenjve, Sedekia, pavarësisht se ishte betuar tek Nabukodonosori si besnik dhe i bindur ndaj tij, bën aleancë me egjiptianët, shkel marrëveshjen dhe iu kundërvihet babilonasve. Më kot profeti Jeremia këshillon të kundërtën, fjala e tij nuk dëgjohet.
    Nabukodonosori bie porsi rrufe mbi Palestinën. Ushtria e tij përbëhet nga mijëra e mijëra burra. Siç duket janë ushtarë nga popuj të ndryshëm, të nënshtruar nga sunduesi i fortë i botës, Babilonia. Gjuhë të ndryshme, uniforma të shumëllojshme, duket si një det me valë kur ushtria ngjitet e zbret nëpër male dhe fusha. Lloj-lloj shpatash, mure të bronxta mburojash, shigjeta, hobe, drunj dhe helmeta, flamuj dhe pas tyre mjetet transportuese me furnizime.
    Më në fund mbërrijnë në Jerusalem. Vendi mbytet me ushtarë. Banorët frikësohen tepër, mbyllen brenda dhe rrethimi fillon. Qyteti është i fortifikuar mirë, por armiku është tmerrësisht i fuqishëm. Mbreti Sedekia u pendua, dhe ndoshta kujtoi edhe një shprehje që përputhej plotësisht me rastin e tij: "Te kush, duke patur besira, shkele [marrëveshjen dhe dole] kundër meje? Ja, tani ke besim për veten tënde në këtë shkopin e kallamit të thyer, Egjiptin? Burrë që do të mbështetet mbi të dhe do hyjë në dorën e tij, dhe do ta shpojë" IV (ose sipas numërimit tjetër II) Mbretërve (18.20-21).
    Pushtuesit ngrejnë fortifikime dhe ushtrojnë presion mbi qytetin. Ndërkohë ndërtojnë murin e tyre, që të luftojnë nga e njëjta lartësi, duke hedhur shigjeta, predha, gurë të mëdhenj të rrumbullakët etj.
    Nga ana tokësore përdorin të gjitha llojet e makinave ushtarake të asaj kohe, si p.sh. trungje pemësh shumë të mëdhenj, të cilët pjesën përpara e kanë më të madhe, zakonisht në formën e kokës së dashit. Këta trarë të mëdhenj luhaten me anë të një mekanizmi para-mbrapa dhe me vrull përplasen tek muri shumë herë në të njëjtin vend duke e tronditur dhe kështu, ngadalë-ngadalë muri çahet. Veprime të tilla ishin një taktikë e teknikës dhe shkencës së vjetër luftarake.
    Mbas një viti (586) uria e atyre që ishin brenda kishte arritur kulmin. Banorët e Jerusalemit, por edhe të fshatrave përreth që u futën brenda në qytet për t'u mbrojtur, nuk kishin çfarë të hanin. Dhe më e keqja nga të gjitha këto "qyteti u shemb", muret u çanë.
    Sedekia bashkë me luftëtarët e tij të pashpresë bënë një plan dhe një natë hapën një portë të vogël, nëpërmjet së cilës u arratisën fshehurazi.
    Por pushtuesit i kuptuan. I ndoqën nga mbrapa dhe kapën mbretin matanë qytetit të Jerikos, ndërsa ushtria e tij u shpartallua. Sedekian e çuan përpara Nabukodonosorit, i cili ishte shumë i zemëruar nga rezistenca e zgjatur e tij. Përpara syve të tij i therr djemtë, kurse vetë mbretin e verbon dhe e dërgon në Babiloni, të punojë atje përjetësisht si skllav në një mulli.
    Më pas merr përsipër aktivitetin shkatërrues një gjeneral i quajtur "Nabuzardan kryekuzhinieri". Titulli i tij tregon ofiq ushtarak dhe jo profesion. Ky pra, hyn në Jerusalem dhe djeg tempullin e famshëm të Solomonit, që ka qenë krenaria e izraelitëve - deri më sot 10 Gushti, dita e djegies, është ditë kreshme për hebrenjtë. Etërit e Shenjtë gjejnë rastin të bëjnë një alegori, siç na thotë për shembull oshënar Pimeni: "Ki kujdes nga Nabuzardani i grykësisë, sepse vepron në emër të Nabukodonosorit, të djallit dhe djeg tempullin e Zotit". Kjo e fundit mendojmë se ka të bëjë me thënien e Apostull Pavlit "Ju jeni tempull i Zotit të gjallë" (II Kor. 6.16).
    Nabuzardani dogji gjithë qytetin, pallatet dhe shtëpitë e të varferve, shembi murin, mori enët e shenjta të tempullit të artë, floririn, argjendin, bronxin dhe i dërgoi në Mesopotami.
    Prijësat ia shpie mbretit, i cili i vret. Popullin e çon skllav në Babiloni. Vetëm disa bujq dhe punëtorë lë në Palestinë. Edhe më parë Jerusalemi ishte pushtuar dhe popullsia e tij u rrëmbye si skllave, por këtë herë ishte më shkatërrimtarja.
    Udhëtimi i tmerrshëm i karvanit gjigant të të mjerëve filloi. Kishin për të bërë kilometra të tëra, të rreckosur, të uritur, të goditur nga moti i keq, nën keqtrajtimin e kaldenjve barbarë, kalonin nëpër vende të panjohura me popuj vëndas të çuditshëm.
    Më në fund mbaroi "Zhvendosja babilonike" dhe mbërrinë në qytetin e madh të lashtësisë.
    "Atje, pranë lumenjve të Babilonës, qëndruam dhe qamë duke kujtuar Sionin. Në shelgje në mes tyre varëm veglat tona [muzikore] ".
    Lumenjtë e Babilonisë, Eufrat dhe Tigri, me degëzimet e tyre të shumta, e bëjnë shumë pjellore Mesopotaminë. Prandaj atje rriten bimët ujore: plepat, shelgjet etj.
    U ulën në tokë, diçka që është tregues zije, dhe varën veglat e tyre muzikore pa i përdorur. Nuk ishte e mundur që të luanin atje midis babilonasve që kishin kureshtje. Këta të fundit u kërkonin të psalnin nën shoqërimin e veglave, kryesisht kitarës dhe harkut, por edhe veglave frymore.
    "Se atje, ata që na skllavëruan na kërkuan këngë, dhe ata që na rrënbyen, himne: 'Na këndoni nga këngët e Sionit".
    Adhurimi i ulët hebraik përdorte shumë vegla muzikore, në kundërshtim me adhurimin orthodhoks që përdor organin më të lashtë, të ndjeshëm, të prekshëm dhe më të përsosur e shpirtëror, d.m.th. laringun e njeriut.
    Disa kërkojnë të instalojmë orkestra, madje dhe xhaz, brenda kishave tona, duke u bazuar në Psalmin 150: "Lavdërojeni atë [Perëndinë] me zë trumbete, lavdërojeni me harpë e me kitarë; lavdërojeni me timpan dhe valle, lavdërojeni me korda e instrumente; lavdërojeni me cimbale tingëlluese, lavdërojeni me cimbale brohoritjeje" (3-5).
    Mirë, po atje flitet edhe për valle. Të hedhim valle brenda në kishë? Për më tepër priftërinjtë e tyre pak a shumë bënin zanatin e kasapit: therrnin, rripnin, i copëtonin kafshët e flijimit. Në qoftë se do të rikthehemi tek adhurimi i izraelitëve, duhet të krijojmë therrtore brenda në kishë me gjak e gjëra të tjera që u përkasin therrtoreve. Eshtë i ndryshëm adhurimi shpirtëror i Dhiatës së Re nga ai foshnjor i Dhiatës së Vjetër.
    Instrumentet pra, i var në shelgjet e Babilonisë pa i përdorur. Babilonia si emër e ka prejardhjen nga kulla e njohur e Babelit, d.m.th. e ngatërrimit. Sepse deri në atë kohë flisnin të gjithë njerëzit të njëjtën gjuhë si bashkëkombas - "një komb dhe e njëjta gjuhë për të gjithë". Por kaq u ngatërruan gjuhët e tyre, saqë nuk ishte i mundur as komunikimi midis muratorëve që ndërtonin murin. U krijua një gjendje kaosi, dhe kështu u anullua plani i tyre fodull (Gjen. 11.1-9).
    U larguan pra izraelitët nga qyteti i Perëndisë dhe erdhën në qytetin e çoroditjes, në qytetin më mëkatar. Babilonia fantastike ka mbetur si simboli i mëkatit më të fuqishëm dhe të shumëllojshëm (Apokalipsi 17.5).
    Banorët e Babilonisë, duke parë pamjen e këtyre turmave të porsaardhura ngacmohen nga kurioziteti dhe u kërkojnë atyre të psalin me zë dhe me organo himnet e famshme të Sionës, që ishte mjaft e njohur. Por të mjerët nuk binden. "Si mund të këndojmë këngën e Zotit në dhe të huaj? " - dhe vazhdojnë sikur ta kishin përpara, i drejtohen Sionës duke i folur me ëmbëlsi: "Në të harrofsha, o Jerusalem u harroftë [dhe u thaftë dora] e djathta ime. Pas qiellzës u ngjttë gjuha ime, në mos të kujtofsha ty dhe në mos vënça Jerusalemin përmbi çdo gëzim timin". Me dorën e djathtë i binin harpës dhe kitarës, kurse me gojën i psalnin Zotit.
    Pjesa tjetër e Psalmit kërkon dënimin më të rëndë të pushtuesve dhe të edomitëve armiqësorë, që u kënaqën nga mundimet e të shtypurve. Kërkon hakmarrje, duke përdorur fjalë dhe shprehje shumë të ashpra, por ama të zakonshme në "praktikën" e atëhershme.
    Le të mos harrojmë, se ata nuk jetonin në periudhën e hirit, d.m.th. të Dhiatës së Re, por në periudhën e Ligjit (të Moisiut), i cili është një ligj thjesht tokësor pra, që impononte "të njëjtin pësim": "atë që bëre, do të pësosh":
    "Kujtohu, o Zot, për bijtë e Edomit, ditën e Jerusalemit. Për ata që thoshin: 'Rrafshojeni, rrafshojeni atë deri në themele'. O bijë e Babilonës së mjerë, lum kush do të ta japë shpagimin për ato që na ke bërë. Lum kush do të kapë foshnjat e tua, dhe do t'i përplasë përmbi gur".
    Sot në rajonin tonë nuk kemi skllevër. Por ekzistojnë refugjatë. Refugjatë gjithashtu do të thotë shpërngulje dhe hidhërime nga atdheu i paharruar. Megjithatë, vuajtjet e tyre nuk krahasohen me shpëmguljet e të mjerëve të vitit 586 p.K. Judenjtë u gjendën midis pushtuesve barbarë. U gjendën në një skllavëri mizore. Këtë vajtim, psalim në të dyja të dielat, pikërisht para se të fillojë Kreshma e Madhe. Internimi, për të cilin bën fjalë kryesisht e Diela e dytë, nuk krahasohet. Eshtë shumë herë më e madhe dhembja e privimit, shumë më e madhe në kohëzgjatje, shumë herë më i madh është numri i të shpërngulurve, shumë më larg nga atdheu. Dominon mizorisht i papërsëritur gjatë udhëtimit shumëmijëvjeçar të gjinisë njerëzore.
    Këtë shpërngulje vajton Kisha në mënyrë tragjike dhe i dedikon himnet e saj të përkryera, lëngatat e zemrës, lumenjtë e lotëve të të gjithë botës.
    "U dëbua Adami nga Parajsa nëpërmjet ngrënies, prandaj duke qëndruar përballë tij qante dhe vajtonte duke thënë me zë të mjerueshëm: 'Obobo! I mjeri unë ç'pësova! Një porosi të Zotit shkela dhe të gjitha të mirat e Tij m'u privuan".
    Pushtimi babilonas përfundoi më 536 p.K. dhe të mbijetuarit u kthyen në atdheun e tyre.
    Më vonë, në vitin 516 p. K. perandori persian Dar Istaspi pushtoi Babiloninë dhe bëri shumë krime, vrasje, shkatërrime duke vërtetuar kështu profecitë.
    Por krejt ndryshe ndodh me dëbimin e paraardhësve dhe të të gjithë njerëzve, madje dhe të babilonasve! Zgjat dhe përsëritet në aspektin personal sa herë që me anë të mëkateve largohemi nga Perëndia dhe i afrohemi errësirës (Mat. 8.12).
    Por, pse etërit e shenjtë caktuan pikërisht, në prag të Kreshmës, të kujtojmë Parajsën e humbur?
    Fakt është se Kreshma e Madhe është një periudhë përpjekjesh. Sigurisht, e githë jeta e besimtarëve në tokë është një përpjekje e vazdueshme, siç konstaton Shën Joan Gojarti. Jeta jonë në tokë është një marshim i dhimbshëm nën kushtet e robërisë së kaldejve-pasioneve. Embëlsohet nga nostalgjia e Parajsës, atje ku ndodhet Zoti ose më saktë, Parajsa ndodhet atje ku ndodhet Zoti. Kujtimi i Edenit të humbur nuk është diçka pa fryt, por nxitje për rifitimin e tij, për të kaluar fatkeqësinë tonë. Rihyrja jonë atje dhurohet në mënyrë objektive nga shpëtimi më Krishtin dhe pronësimi subjektivisht me anë të pendimit dhe luftës për pastrim dhe shërim. Këtu nuk hyjnë situata të kundërta nga pastrimi dhe shenjtërimi. Këto janë "bileta" për në Parajsë dhe "qiraja" e përhershme. Mosbindja jonë na nxori jashtë Parajsës - bindja na risjell.
    Jeta jonë në tokë duhet të jetë si një ndeshje, si një garë atletike, - thekson Shën Joan Gojarti. Duke u thelluar në mendimin e tij do të thoshim se jeta është stërvitje e vazhdueshme, një luftë e vazhdueshme, por ekzistojnë periudha përpjekjesh më të mëdha kur drejtuesi jep sinjalin për fillimin e garës. Drejtuesi është Kisha. Duke filluar nga e hëna pas të Dielës së të lidhurit të mishit, Kisha ndalon të ngrënët e mishit. Përgatit për fillimin e garës së vetëpërmbajtjes.
    Java që pason quhet "Java e bardhë" sepse nuk hahet mish, pra parapërgatitemi gradualisht për kreshmën e rreptë. Eshtë paradhoma e Kreshmës së Madhe. Në kohën që na mbetet le të flasim pak për atë.
    Tek cila garë ftohemi të marrim pjesë? Nuk është një garë e thjeshtë, por është e ndërlikuar. Do të thoshim që është një garë me shumë kategori. Për shembull:
    Kreshma. Nga Edeni u dëbuam sepse hëngrëm frutin e ndaluar. Për rrugën e kundërt kërkohet përballimi i kundërt: kreshmë. Orthodhoksia jonë është Kisha e asketizmit, pothuajsë ashtu siç e donin në fillim Apostujt dhe në vijim Etërit. Ajo nuk është dakord me qëndrimin e besimeve të tjera të krishtera, të cilët përpiqen të neglizhojnë - kur nuk pranojnë hapur rehatin dhe plogështinë. Por pa dhembje nuk fshihet mëkati i kënaqësisë nga shijimi i frutit të ndaluar.
    Fëmijëve të vegjël u pëlqen shumë kolovajza, e cila ka një aks në mes dhe në të dyja anët e saj ulet nga një femijë. Kur njëra anë ndodhet poshtë bashkë me femijën, fëmija tjetër ndodhet lart. Me anën e lëvizjeve koherente fëmijët zbresin dhe ngjiten njëri pas tjetri. S'ekziston njeri që në vitet e fëmijërisë nuk ka luajtur me kolovajzë.
    Pra, ashtu edhe trupi me shpirtin kanë një lidhje të tillë. Sa më shumë lartësojmë shpirtin, aq më shumë përulet trupi; dhe e kundërta, sa më shumë e lartësojmë trupin, aq më shumë përulet shpirti. Njeriu ose komandohet nga fisnikëria e shpirtit ose nga instikti i mishit. Me anë të kreshmës dhe me frenimin e epsheve të trupit çlirohet shpirti.
    Një tjetër përpjekje është lutja; lutja më intensive, që në këtë periudhë e ndihmon dhe kreshma.
    Lutje më intensive në aspektin privat (personal) dhe të përbashkët. Kisha, për të na ndihmuar, ka vendosur më shumë shërbesa, siç është Liturgjia e hershme dhe mallëngjyese e Dhuratave të Parashenjtëruara, Pasdarka e Madhe, Mbrëmësoret Kataniktike të të Dielave, Përshëndetjet e së Tërëshenjtës, Shërbesa e Kanonit të Madh etj. dhe më kulmorja, shërbesat e pakrahasueshme në shekuj, të Javës së Madhe.
    Pjesëmarrja e rregullt dhe aktive në shërbesat e shumta të kësaj periudhe që ka caktuar Kisha, sigurisht që kërkon përpjekje, por edhe përpjekja është e lidhur me frymën asketike orthodhokse. Do ishte shumë e vlefshme sikur të kishim mundësinë t'i ndiqnim të gjitha shërbesat, dhe nënkuptohet edhe Misteret.
    Një tjetër garë: Studimi i Biblës dhe i librave të dobishëm. Sigurisht, ashtu siç bëhet edhe me gara të tjera, për të cilat nuk është e mundur të themi se do t'i përballojmë vetëm në periudhën e kreshmës ashtu bëhet edhe me studimin e Biblës. Vazhdimisht lexojmë, por klima shpirtërore e kësaj kohe është më e përshtatshme dhe na ndihmon për një përpjekje më bujare dhe anasjelltas, ndihmohet nga përpjekja më e ngrohtë e studimit.
    Gjithashtu: Dashuria praktike për njeriun, dashuria e çdo lloji. Për shembull, lëmoshë për të varfrit, ngushëllim për të pikëlluarit, vizita dhe inkurajimi i të burgosurve, dhembshuri dhe ndihmë për të sëmurët, të gjitha pra, që kërkon Zoti në Ungjillin e Gjykimit të fundit (Mat. 25.31-46). Me pak fjalë, virtyti i dashurisë edhe në aspektin e jashtëm.
    Gjithashtu: Lufta në përgjithësi kundër veseve tona. Fatkeqësisht na mërzisin pasi i ndeshim me shumicë. Le të përqendrohet secili në luftën kundër pasionit të tij më të rëndë, dhe të përpiqet ta ketë nënshtruar gjatë kësaj periudhe që të arrijë në ngjalljen shpirtërore. E dobishme do të jetë nëse nuk do të shpërdorojë mundësitë e tij duke luftuar njëkohësisht kundër shumë pasioneve. Lufta kërkon një plan strategjik, një taktikë, që të jetë e sukseshme. Pasionet shkulen një e nga një.
    Natyrisht, gjithmonë, por më tepër tani ka vlerë dërrmimi, thërmimi shpirtëror, pendimi dhe rrëfimi. Këto janë ngjyra dhe aroma e ditëve që pasojnë. Çdo gjë na flet për pendim dhe që tani e tutje duhet të harmonizohemi me vullnetin hyjnor, për riatdhesim.
    Pikërisht, kujtimi i Parajsës që na kanë caktuar Etërit e Shenjtë pak ditë para Kreshmës shndërrohet në pedanë garash. Na thonë në një mënyrë Etërit: "Keni përpjekje dhe mundime, por shihni përfundimin, qëllimin, Parajsën dhe merrni fuqi. Bëjeni Parajsën pikën tuaj të referimit ashtu siç bënin skllevërit judenj pikë referimi Jerusalemin. Mos shikoni vazhdimisht poshtë, mos u lodhni vetëm dhe mos murmurisni për mundimin e përpjekjes. Drejtoni shikimin lart dhe vëreni medaljen që ju pret dhe kuptojeni, se lodhja juaj është shumë e vogël në krahasim me kurorën e fituesit".
    Shën Joan Gojarti, duke bërë paralelizëm, na pyet: "Më thuaj nëse dikush do të të ftonte në mbretërinë tokësore dhe para se të hyje në qytet për të vendosur kurorën, të të rastiste të flije ngucur në një han, ku do të kishte pisllëk dhe tym, zhurma të kalimtarëve dhe trazira kusarësh, ankth dhe mërzitje të madhe, në këtë rast vallë do t'i shmangësh këto bezdi? Nuk do t'i përbuzësh të gjitha sikur të mos ekzistonin fare? Pra, a nuk është çmenduri nëse nga njëra anë kur do të sundosh tokën, të mos dekurajohesh nga asnjë vështirësi që ndesh, sepse brenda teje gjallëron, ndizet shpresa e mbretërimit tënd dhe në të kundërt, kur u drejtohesh qiejve, të biesh dhe të shqetësohesh nga çdo gjë e këtij hani si bodrum? Sepse jeta jonë nuk ndryshon fare nga bodrumi dhe qëndrimi në han".
    Le ta kemi mendjen në mbretërinë e Qiejve dhe dhembjet lehtësohen. Le të mos asimilohemi nga e keqja që na rrethon. Jetojmë në internim, në "Babiloninë" tonë, në konfuzionin e vlerave dhe të institucioneve. Vitet që jetojmë janë vitet e ekzistencës së dyshimeve dhe përmbysjeve, ku djalli bashkë me veglat e tij punon jo vetëm në mënyrë të fshehtë, por edhe hapur.
    Le të mos asimilohemi pra, ashtu siç nuk u asimiluan izraelitët në Mesopotami, por ruajtën fenë e tyre, traditat, kombësinë përgjithmonë deri në kthimin në atdheun e tyre, madje nga këta dolën shënjtorë si Danieli, Tre Djemtë, Ezekieli etj. Të mos i japim shkak, vend dhe kohë gjarprit që të na mashtrojë, ashtu siç ndodhi në fillim me Adamin dhe Evën. Djalli përdor tani frymën e pabesisë, adhurimin e parave, adhurimin e trupit, adhurimin e egoizmit, me një fjalë adhurimin e pasioneve.
    Të mos lidhemi pra me litarët e mëkatit dhe të mbetemi të ngujuar këtu në tokë. Na pret atdheu, Kisha Triumfale, Shën Trinia, engjëjt dhe shenjtorët, njerëzit tanë që u mobilizuan me sukses këtu në tokë për t'u ngjitur në gjendjen qiellore të pararënies. Kështu pra vëllezër, kujtesa për Parajsën merr kuptim, dhe vajtimet për atdheun e humbur bëhen frytdhënëse, fuqi shtytëse, ndihmë e çmuar, meqë "e përpjetë dhe e ngushtë është rruga" që na çon në Parajsë (Mat. 7. 14).
    Lavdi Perëndisë! Dera e Parajsës nuk është më e mbyllur. Druri i Kryqit e asgjësoi mëkatin e frutit, d.m.th. pemën e mosbindjes. "Zgjidhe, o Shpëtimtar, dënimin e drurit [pemës] të mosbindjes, sepse u mbërtheve vullnetarisht në drurin e Kryqit", psal një himn (Vargjesorë të Mbrëmësores të së dielës, tingulli IV).
    Të shtunën, në mbrëmjen e të Dielës së parë të të lidhurit himnuesi në një himn qiellor të posaçëm do ta imagjinojë Adamin të ulur përballë Parajsës duke vajtuar për lakuriqësinë e tij: "Mjerë unë, që iu binda mashtrimit dinak dhe u rrëmbeva e u largova nga lavdia! Mjerë unë që isha lakuriq për hir të pafajësisë ndërsa tani jam i privuar" (Lavdia e thirrtorëve).
    Në një tropar tjetër poeti do ta ketë vendosur të lutet: "O Parajsë e ndershme, o bukuri e pashoqe, shtëpi perëndindërtuar, gëzim dhe dëfrirn që nuk shteron, lavdi e të drejtëve dhe ngazëllim i profetëve dhe shtëpia e shenjtorëve, me tingujt e gjetheve të tua, Krijuesit të të gjithave tani lutiu të më hapë portat, që me anë të shkeljes vetë i mbylla, që të bëhem i denjë për drurin e jetës" (Lavdërim).
    Hidhërimi i internimit personifikon gjethet dhe i bën me veshë, mendje dhe logjikë, dhe feshfëritjet shpirtërore bëhen ndërmjetira që t'u hapet dera e Parajsës.
    Kjo dëshirë e përbotshme u realizua tashmë jo për hir të këtyre ndërmjetuesve pa shpirt, por për hir të të Kryqëzuarit mbi drurin e Kryqit të nderuar dhe të fuqishëm që atëherë e këtej. "Kur u kryqëzove, o Krisht, tirania u zhduk, u shkel fuqia e armikut, sepse as engjëll as njeri, por vetëm ti Zot, na shpëtove. Lavdi më ty" (Shërbesa e Proskomidhisë).
    Porta e Edenit tashmë është e hapur! Druri i Kryqit si levë e shembi, dhe i pari pioneri ynë që u fut brenda ishte kusari i kryqëzuar, mirënjohësi që shembte dyert dhe futej brenda për të vjedhur.
    Le të urrojmë të dashur, që në fund të Kreshmës së Madhe, e cila na drejton në rikthimin në atdhe, të kemi kaluar me të vërtetë të gjithë një pjesë të madhe të rrugës. Na pret lumturia e Jerusalemit të lartë, e Pashkës së përjetshme atje ku tingulli i pastër [dhe i gëzueshëm]" dëgjohet (Lavdërimi i së Martës së Madhe).
    Le të vrapojmë vëllezër, le të vrapojmë - na lutet Shën Joan sinaiti. Le të vrapojnë të hyjmë në pallatin e nusërores (Shih Mat. 25.1-13). Por nëse vonohemi - çfarë fatkeqësie! - të paktën le të arrijmë të banojmë diku atje afër. Në fund të fundit, nëse jemi dembelë dhe të plogësht, të paktën të gjendemi në çdo mënyrë brenda murit të qytetit. Në të kundërt, do të mbetemi jashtë, në shkretëtirën e bishave, d.m.th. të demonëve dhe veseve - larg qoftë! (Shkalla 29.17). Le të vrapojmë vëllezër. Amin!

Tema të Ngjashme

  1. A kanë humbur këto vlera tek shqiptarët?
    Nga ILMGAP në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 00:31
  2. [Sukses] Gjendet pas 38 vitesh në Turqi Arta Tahiri
    Nga korab_2006 në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 28-10-2007, 13:25
  3. Lajmërime për personat e humbur
    Nga Albo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 10-08-2007, 20:45
  4. Është shansi për të fituar e jo për të humbur
    Nga Kosovari_78_Ca në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-10-2005, 14:02
  5. Balli Kombëtar në kërkim të identitetit të humbur
    Nga DARDAN PEJA në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 03-08-2005, 22:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •