Ministri i Arsimit, Pollo, ka udhëzuar drejtorët e DAR-ve të pajisin nxënësit me libra brenda 5 shtatorit
Tekstet shkollore, për herë të parë, me pullë sigurie
Udhëzimi i MASH-it thotë që arsimit 9-vjeçar do t’u rimbursohen librat 70%, kurse të varfërve 90 %
Eglantina Bardhi
Tekstet shkollore, për herë të parë, do të pajisen me pullë sigurie. Kjo do të thotë se do të shmanget shitja e tyre në tregun e zi me çmime stratosferë. Pikërisht për këtë, ministri i Arsimit ka mbledhur dje në një takim të gjithë drejtorët e drejtorive arsimore rajonale dhe i ka udhëzuar që i gjithë sistemi parauniversitar të pajiset me libra brenda datës 5 shtator. Një udhëzim i tillë, për herë të parë, synon që nxënësit të pajisen në masën 100 për qind me tekste shkollore. Ndërkohë, kreu i arsimit, Pollo, ka bërë me dije drejtorët e DAR-ve se një pjesë e mirë e librave do të rimbursohen nga shteti. Rimbursim në masë do t’u bëhet sidomos fëmijëve të varfër pasi shteti do t’u rimbursojë atyre librat në masën 90 për qind. Sipas drejtorit të Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Tiranës, Tahsim Mema, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit është një hap shumë pozitiv në lidhje me pajisjen e nxënësve me libra shkollorë. Gjithashtu, fillimi i ri i vitit shkollor sipas udhëzimit të MASH-it, ka parashikuar, për herë të parë, edhe përdorimin e teksteve alternative në arsimin parauniversitar.
Rimbursimi
Do të ketë shumë kategori nxënësish që librat shkollorë do t’ua rimbursojë shteti. Megjithatë, përfitim shumë të madh do të kenë sidomos fëmijët e varfër. Kështu, ministri Pollo, në takimin e zhvilluar me drejtorët e drejtorive arsimore rajonale, pohoi se çmimet e teksteve arsimore për arsimin 9-vjeçar të rimbursohen nga shteti në masën 70 për qind. “Përjashtim do të bëjnë nxënësit që përfitojnë ndihmë ekonomike, të cilët do të paguajnë vetëm 10 për qind të teksteve”, - thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, bëhet e ditur se përfitues do të jenë edhe nxënësit e shkollave të mesme në fshatra, pasi rimbursimi i teksteve të tyre nga shteti do të bëhet në masën 35 për qind. Ndërsa sa i përket pjesë tjetër të nxënësve, bëhet e ditur se do t’i paguajnë me lekët e tyre. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, çdo nxënës do të paguajë tekstet ditën e parë të shollës, ditë kjo kur teksteve do t’u vihet edhe pulla e sigurisë. Ndërsa sa i takon parave të mbledhura nga tekstet që do të paguajnë nxënësit, mësohet se do të shkojnë në llogarit bankare të hapura pranë çdo shkolle.
Komisionet
Pajisja me libra e sistemit parauniversitar do të jetë një proces i kontrolluar dhe i organizuar në mënyrë korrekte dhe kjo do të bëhet brenda një afati të caktuar. ”Të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme duhet të pajisen me tekstet shkollore brenda datës 5 shtator”, - është theksuar në udhëzimin e kreut të Arsimit, Genc Pollo. Për të arritur pajisjen e librave, në mënyrë sa më korrekte udhëzimi ka parashikuar ngritjen e komisioneve. Këto komisione drejtuesit e drejtorive arsimore do të ngrenë në të gjitha shkollat ku do të realizohet edhe shitja e librave. Ndërkohë, bëhet e ditur se komisionet do të kenë në krye drejtorët e shkollave, një anëtar bordi dhe një udhëzues.
70 për qind do të rimbursohen tekstet shkollore të arsimit 9-vjeçar
90 për qind do të rimbursohen tekstet shkollore të fëmijëve të varfër
35 për qind do të rimburohen tekstet shkollore të nxënësve të shkollave të mesme në fshat
100 për qind do të pajisen me tekste shkollore nxënësit e arsimit parauniversitar më 2006-2007
Udhëzimi
Këtë vit, tekste alternative për arsimin bazë dhe të mesëm. Fund tenderëve të përfolur mes MASH-it dhe shtypshkronjave
Pollo: Mësuesit zgjedhin vetë tekstet që duan
Në fillim të vitit të ri shkollor, nxënësit e sistemit parauniversitar dhe disa vite të arsimit të mesëm do të punojnë me tekste alternative. Tekste që nuk do t’i përcaktojë Ministria e Arsimit, por vetë mësuesit që do të japin mësim. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, pak muaj më parë theksoi se Bordi i Miratimit të Teksteve, i mbështetur dhe në punën e komisionit të përzgjedhjes, ka miratuar rreth 200 tekste shkollore, ndër 260 tekste të shqyrtuara. Për këtë vit shkollor, 11 nga lëndët e shkollës 9-vjeçare dhe disa tekste të shkollës së mesme do të kenë të paktën nga dy variante tekstesh. “Mori fund epoka e tenderëve e përfolur midis MASH-it dhe shtypshkronjave. Kësaj radhe janë botuesit, autorët dhe shtypshkronjat ata që do t’iu ofrojnë tregut mësimor tekstet më të mira. Natyrisht, edhe pasi kanë kaluar në filtrin e MASH-it, e cila kontrollon përputhshmërinë e tyre me kurrikulën dhe programin mësimor”, - tha ai, duke shtuar se në fronin vendimmarrës nuk janë disa zyrtarë të ministrisë, por janë rreth 35 000 mësues në të gjithë vendin, të cilët do kenë te drejtën, por edhe përgjegjësinë për të përzgjedhur tekstin. Sipas Pollos, këtë vit do të punojnë me tekste alternative klasa e 3-të dhe e 7-të e shkollës bazë, nxënësit e klasës së parë me ‘Abetaren, si dhe disa klasa të shkollës së mesme. “Që nga marsi deri tani, rreth 22 shtëpi botuese kanë marrë pjesë me tekstet e tyre për miratim. Për klasat e mësipërme janë zgjedhur 2-3 tekste alternative, duke përfshirë këtu edhe librin e parë të nxënësit, ‘Abetaren’, e cila ka tri tekste alternative”, - tha ai.
Shekulli
Krijoni Kontakt