Një 33-vjeçar supersticioz, resident në Itali, ka izoluar për 2 vjet e gjysmë djalin e tij. Arrestohet nga policia
ITALI- Është dy vjeç e gjysmë, por nuk flet e as nuk ecën. Nuk është një fëmijë i sëmurë, por një viktimë e pafajshme e një supersticioni kriminal. Babai i tij, një shqiptar 33-vjeçar me inicialet M.B, rezident në një lokalitet të Valnerinës në Itali e ka mbajtur që prej lindjes të mbyllur në shtëpi, në errësirë, pa e lejuar të dalë prej dere nga frika e “syrit të keq”. Tani ai ndodhet në burgun e Ternit. Një muaj më parë, vogëlushi me peshë të barabartë sa një fëmijë 7-muajsh, është shtruar në spitalin e Ternit. Mjekët e spitalit kanë diagnostikuar në trupin e tij një formë të rëndë të rakitizmit dhe zhvillim të vonshëm. Deri në atë moment, nuk ishte vizituar kurrë më parë tek një mjek dhe askush nuk kishte kërkuar për të një pediatre.
Denoncimi
Gjendja e tij e rënduar shëndetësore, mes të cilave edhe një numër frakturash në kocka ka ngritur dyshime tek mjekët, të cilët kanë sinjalizuar për situatën autoritetet e hetimit. Verifikimet e kryera nën koordinimin e zv.prokurores së Republikës, Elisabeta Massini, kanë sjellë arrestimin e babait shqiptar të vogëlushit, i cili akuzohet për keqtrajtim në familje dhe sekuestrim personi. Viktimë e të shoqit ishte gjithashtu edhe nëna e fëmijës, një vajzë 22-vjeçare, edhe ajo shqiptare me leje qëndrimi në Itali. Burri tejet xheloz e detyronte edhe të shoqen të qëndronte në shtëpi. Ajo mund të dilte jashtë, vetëm nën shoqërinë e bashkëshortit. Sipas të dhënave rezulton se gruaja kishte tentuar shumë herë të reagonte ndaj sjelljes së të shoqit, por ishte detyruar me forcë prej tij.
Arrestimi
Shqiptari 33-vjeçar me incialet M.B është arrestuar nga agjentët e skuadrës së gatshme të policisë në Terni. Ndaj tij, organet hetimore italiane kanë ngritur akuzat e keqtrajtimeve në familje dhe sekuestrimit të fëmijës 2 vjeç e gjysmë dhe të gruas së tij. Mësohet se kjo ngjarje e pazakontë për qytetarët italianë mund të mos merrej asnjëherë vesh, nëse vogëlushi i çiftit shqiptar nuk do të shfaqte shenja sëmundjesh të shumta. Organet hetimore janë lajmëruiar nga mjekët që vizituan fëmijën e dyshuan për kushtet në të cilat ai ishte rritur. Tashmë, autoritetet policore në Terni po vazhdojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e ngjarjes së ndodhur në familjen shqiptare, që jetonte prej kohësh në Itali.
Krijoni Kontakt