Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 9
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Ministria e brendshme përgatit reformën në policinë shqiptare

    Ministria e Brendshme përgatit projektin për këtë reformë

    Ja cilat janë arsyet e shkurtimit të policëve

    Janë disa arsye që "detyrojnë" ministrin e Brendshëm, Sokol Olldashi, të marrë një reformë të tillë dhe të largojë nga detyra 1500 policë. Një nga arsyet është numri i madh i punonjësve të policisë së vendit në krahasim me popullsinë, por ende nuk janë përcaktuar kriteret e tjera për këto largime nga puna. "Ka dalë urdhri i Ministrit, i cili ka përcaktuar grupin e punës dhe në bazën e grupit të punës përcaktohen kriteret mbi të cilat do të vihen shkurtimet", është shprehur dje, në një intervistë zv.ministri i Brendshëm, Gjergj Lezhja. Ndër të tjera, ky i fundit ka pohuar se janë disa sektorë që merren më këtë punë: Është Sektori i Burimeve Njerëzore kryesisht, të cilët do të drejtohen nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Doçi. Ndërkohë që kriteri bazë edhe i pandryshueshëm është ai i punës. Vlerësimi mbi bazën e punës do të vijë në disa drejtime për largimin apo jo nga puna të policëve.

    Arsyet

    Duket se kjo fjalë e urtë "më mirë pak e saktë, se sa shumë e për lumë" gjen shumë mirë zbatim në reformën e policisë, e cila do të behët pas disa javësh. Sipas Ministrisë së Brendshme, mësohet se një arsye e shkurtimit të punonjësve të policë është se ata që do të qëndrojnë do të kenë një përgatitje profesioniste. Madje, jo vetëm kaq, sipas burimeve, pakësimi i numrit do të jetë edhe një rritje e nivelit të punës së policisë dhe një përgatitje më e mirë. Por një nga arsyet kryesore mbetet pakësimi i popullsisë dhe rritja e numrit të policëve për banorë.

    Reforma

    Reforma "Olldashi" do të shkarkojë nga detyra 1500 punonjës policie. Këto largime nga puna vijnë pas "premtimit" të ministrit të Brendshëm në analizën e Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, ai tha se në uniformat blu do të ketë largime nga puna. Por, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, ende nuk janë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një punonjës policie për të lënë vendin e punës. Të njëjtat burime pohojnë se, projektuesit e kësaj reforme kanë menduar edhe pasojat e këtyre shkarkimeve duke bërë që policëve të pushuar nga puna t'u paguhen për tre vjet me një rrogë kalimtare sa gjysma e asaj që ata janë paguar kur kanë qenë në marrëdhënie pune.

    3 vjet pas shkarkimit policet do marrin rroge

    Për tre vjet rresht, 1500 policët që do të largohen nga puna, do të paguhen me gjysmën e rrogës që marrin aktualisht. Të paktën kështu kanë bërë të ditur burime nga Ministria e Brendshme. Ky vendim vjen menjëherë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi, i cili në analizën 6-mujore të Policisë së Shtetit paralajmëroi shkurtime në radhët e policisë. Shkurtimet në polici ende nuk janë të përcaktuara qartë në kritere të caktuara. Madje burime pranë Policisë së Shtetit pohojnë se gradat që mbajnë aktualisht policët nuk janë parashikuar si kriter për shkurtimet. Që nga grada më e ulët, deri te ajo më e larta, do të ketë shkurtime.

    Olldashi ne analizen 6-mujore te policise

    Ministria e Brendshme parashikon shkurtime në radhët e policisë. Sipas kreut të këtij institucioni, Sokol Olldashi, janë parashikuar shkurtime të numrit të punonjësve në radhët e uniformave blu. Ministri e ka justifikuar deklaratën për faktin se në policinë shqiptare parashikohet një strukturë e re, e cila pritet të shkurtojnë numrin e punonjësve që janë aktualisht në Policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm ishte i pranishëm në analizën 6-mujore të Policisë së Shtetit, ku vlerësoi punën e bërë nga ky institucion në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Ndërkohë, Olldashi deklaroi se numri i vrasjeve është ulur me 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa për sa i përket kapjes së personave të shpallur në kërkim, Ministri u shpreh se tashmë ka ndryshuar balanca në favor të kapjes së personave, krahasuar me numrin e të shpallurve në kërkim. Gjithashtu, Olldashi theksoi se nga treguesit e rëndësishëm të 6-mujorit është përfundimi më 30 qershor i draftit për përmirësimin e ligjit për Policinë e Shtetit.

    Te dhena

    Numri i madh i punonjësve të policisë së vendit në krahasim me popullsinë, është një arsye për shkurtimin e uniformave blu.

    Puna e mirë e një punonjësi policie do të jetë arma e fortë e një polici për moslargimin nga puna.

    Nga 12 mijë policë që janë aktualisht, shkojnë në 10 mijë e 500 policë.

    3 vjet me radhë do të paguhen të gjitha uniformat blu pas pushimit nga puna.

    50 për qind të rrogës do të marrin uniformat blu pas shkarkimit.


    Aulona KADILLARI
    Gazeta Tirana Observer

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Flet zëvendësministri i Brendshëm, Gjergj Lezhja

    "Përse do të largohen nga detyra 1500 uniforma blu"

    Kemi më shumë policë në raport me shtetet e tjera dhe kjo është një nga arsyet pse Ministria e Brendshme do të shkurtojë 1500 punonjës policie. Këtë fakt e konfirmoi në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", zëvendësministri i Brendshëm, Gjergj Lezhja. Ndër të tjera, ai tregon për operacionet që janë zhvilluar në Lazarat për asgjësimin e kanabisit si dhe për personat që priten të arrestohen. Por nuk mund të harrojë pa thënë edhe rihapjen e dosjeve të vjetra dhe zbulimin e tyre, duke pohuar se pa zbardhjen e tyre policia nuk mund të ecë përpara.

    Pse u vendos të shkurtohen 1500 punonjës policie, cilat janë arsyet dhe kriteret që një polic duhet të largohet nga radhët e policisë?

    Shkurtimi i 1500 policëve do të bëhet për shkak të asaj që neve themi se kemi më shumë policë, që do të thotë se në raport me shtetet e tjera evropiane jemi një vend me më shumë policë seç duhet. Zakonisht është një koeficient, i cili e kontrollon këtë situatë dhe në përgjithësi, vendet evropiane e kanë koeficientin 3.5 policë në 1 mijë banorë. Ky koeficient ka ekzistuar dhe në Shqipëri, por gjithmonë i llogaritur jo mirë, jo saktë. I llogaritur gabim për shkak se regjistrimi i popullsisë është marrë sipas gjendjes civile, sipas regjistrimit teorik 4.5 milionë banorë, ndërkohë dihet që Shqipëria, sipas të dhënave të INSTAT-it, është 3.5 milionë banorë dhe kjo llogaritje është konsideruar si llogaritje reale. Në këtë kontekst, neve detyrohemi të shkurtojmë rreth 1500 policë. Pra, nga 12 mijë policë që kemi, shkojmë në nivelin e 10 mijë e 500 policëve. Ka dalë urdhri i Ministrit, i cili ka përcaktuar grupin e punës dhe në bazën e grupit të punës përcaktohen kriteret të cilat do të vihen shkurtimet. Janë disa sektorë që merren më këtë punë: Është Sektori i Burimeve Njerëzore kryesisht, të cilët do të drejtohen nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm që e mbulon edhe këtë sektor, zoti Doçi. Ndërkohë do të kontrollohen nga zoti Ibraj për përcaktimin e kritereve, pasi ende nuk janë vendosur në tavolinë, por padyshim një nga kriteret kryesore do të jetë ai i punës, i vlerësimit mbi bazën e punës, i cili do të vijë në disa drejtime të ndryshme, në mënyrë që ne të jemi sa më pak subjektiv në këtë pikë.

    Aksioni në Lazarat, ku u asgjësua një numër i madh rrënjësh kanabis sativa, pse nuk pati arrestime të personave të kërkuar?

    Një prioritet i rëndësishëm i qeverisë është edhe goditja e krimit të organizuar, pjesë e krimit të organizuar është edhe mbjellja e bimës kanabis sativa, për të cilin ka dalë edhe një ligj i cili përforcon masat e shtetit në lidhje me mbjelljen e kësaj bime. Aksione janë bërë shumë, ka pasur të dhëna në një fshat, i cili quhet Lazarat dhe policia e ka të vështirë të hyjë sepse është fshat malor, natyrë rebele, gjithsesi është konsideruar si fshat i vështirë, ku ka pasur të dhëna për mbjellje të bimëve narkotike. Është bërë dy ditë më parë ndërhyrja e dytë, edhe mund të them që në përgjithësi ka shkuar mirë. Radhën e parë janë prerë rreth 2700 bimë narkotike, ndërsa dy ditë më parë, janë prerë rreth 700 bimë. Operacionet do të vazhdojnë, janë identifikuar parcela të tjera, të cilat mund të jenë diku nga qendra e fshatit. Këto aksione do të organizohen nga policia lokale me ndihmën edhe të forcave të RENEA-s dhe FNSH-s. Fshati është konsideruar si fshat i Partisë Demokratike, por fakti që ne kemi bërë kontrolle dhe kemi bërë shkatërrim të bimës narkotike, tregon që toleranca ndaj krimit është zero. Për sa i përket krimit, krimi nuk ka ngjyrë. Për sa i përket arrestimeve, policia ndalon, nuk arreston. Kështu, policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës kanë proceduar me të gjitha mënyrat dhe format, dhe do të ketë arrestime të padiskutueshme të të gjithë personave përgjegjës. Gjithçka është filmuar. Dy ditë më parë, gjatë korrjeve ka pasur edhe incidente më armë, ku personat përgjegjës do shkojnë përpara drejtësisë. Janë identifikuar të gjithë, madje ka edhe emra. Në ditën e parë të operacionit janë kontrolluar 40 banesa, nga këto në 20 banesa janë gjetur bimë, ndërsa të gjithë personat përgjegjës kanë shkuar në prokurori me emra. Kurse operacionin e dytë, personi i cili ka goditur policinë me armë është Agron Tota, i cili do të akuzohet edhe për mbjellje të bimës kanabis sativa, por edhe për goditje me armë të forcave të policisë.

    Duke u bazuar në ligjin për bashkëpunim midis kryekomunarëve dhe policisë, a mund të themi që kryekomunari i Lazaratit ka bashkëpunuar?

    Ne kemi qenë vazhdimisht të lidhur me kryetarin e komunës së Lazaratit, madje edhe vet Ministri është lidhur disa herë dhe ai vazhdimisht ka qenë prezent për çka ndodh në Lazarat, dhe për të gjithë hartën e bimës së lëndës kanabis. Familjet të cilat kanë mbjellë bimën, janë përgjithësisht me precedent penal.

    A ka kryekomunarë të tjerë që nuk kanë bashkëpunuar për asgjësimin e bimës kanabis, sa është numri i tyre dhe a pritet ndonjë arrestim?

    Unë nuk kam evidenca, por ka pasur edhe kryepleq që janë ndaluar. Kam përshtypje në Tropojë edhe në vende të tjera, por ne përpiqemi të zbatojmë ligjin. Kemi një problem të madh, atë të mbjelljes së kanabisit, pasi trafikimi i heroinës është tjetër problem, por mbjellja ne na vë në një përgjegjësi të madhe. Në një të ardhme do ta heqim përfundimisht Shqipërinë nga harta e mbjelljes së kanabisit. Mendoj që edhe tranzitimi i drogave të forta ka një ndryshim cilësor, kuptohet që për mirë. Linja e cila përshkonte detin është larguar, kryesisht është linja e tokës që përfshin Shqipërinë, por edhe nuk e përfshin, pasi kalon tangjent nga Shqipëria, përgjithësisht i shmanget, por gjithsesi situata ka përmirësim të dukshëm.

    Është fakt që policia ka kapur shumë persona të shpallur në kërkim, por ndërkohë janë mbi një mijë të tjerë që vazhdojnë të jenë në kërkim. Këta persona përveçse janë në kërkim, janë edhe potencial krimi. A ka policia ndonjë platformë për arrestimin e tyre?

    Një nga punët e mëdha që kemi bërë gjatë këtyre 10 muajve, përveç goditjeve të grupeve kriminale, është edhe kapja e personave në kërkim. Shifra që është me diferencë nga viti 2005, është mbi 200 persona në kërkim, sidomos autorë vrasjesh janë kapur nga një punë intensive e policisë, nga një kërkesë llogarie e madhe e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe nga një vullnet politik për të luftuar krimin nga ministria. Personat në kërkim nuk janë kapur vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Kjo ka bërë që të rritet besimi në strukturat e policisë dhe si rezultat, qytetarët kanë ardhur dhe kanë dhënë adresa të sakta të personave në kërkim, të personave që i kanë dëmtuar që ndodhen jashtë shtetit. Nëpërmjet strukturave të tjera siç janë Interpoli apo struktura të tjera, ne kemi bërë të mundur që këta persona të arrestohen. Vetëm para një jave, ne kemi pasur 7 ekstradime nga Italia, janë persona që janë dënuar mbi 15 vjet burg deri në burgim të përjetshëm. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të punojmë intensivisht, sepse gjithkush duhet të kuptojë se në qoftë se ka probleme me drejtësinë do të dalë para saj kudo që ai ndodhet, qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë. Për të intensifikuar këtë punë, ne nuk kemi vepruar vetëm me Interpolin, i cili është mekanizëm shumë i rëndësishëm, por ne kemi vepruar edhe me segmente të tjera. Kemi sensibilizuar nëpërmjet drejtorive të përgjithshme të policive të vendeve të tjera qoftë të rajonit, qoftë edhe më gjerë. Kemi sensibilizuar nëpërmjet oficerëve të kontaktit, që ndodhen në çdo ambasadë në Shqipëri. Këta oficerë bëjnë lidhjen me policinë e vendeve të tyre, sigurisht mbajnë lidhje edhe me Ministrinë e Brendshme për problemet e krimit të organizuar dhe probleme të terrorizmit ndërkombëtar.

    A ka arritur SHKB-ja atë që ka thënë Ministri, për pastrimin e policëve të inkriminuar në radhët e punonjësve të policisë?

    Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është tashmë një shërbim i nivelit të kënaqshëm për sa i përket punës që ka bërë. Ne mendojmë që pastrimi në radhët e policisë nuk është një proces që ka fund. Padyshim që policia do të ketë 10 mijë e 500 vetë, ka pasur 12 mijë, ku brenda radhëve të policisë ka edhe njerëz të korruptuar, ka njerëz të inkriminuar, njerëz të cilët abuzojnë në këtë kontekst, pra SHKB-ja ka një punë intensive të vazhdueshme. Ajo që është e rëndësishme, është rritja e cilësisë së punës së SHKB-së. Kjo do të thotë, që çdo polic apo oficer polic, që abuzon apo që është i inkriminuar, që ka probleme me drejtësinë do të marrë atë që meriton. Mund të themi që në dhjetë muaj çdo proces që ka hapur SHKB-ja gjithmonë në bashkëpunim me prokurorinë, kanë marrë vendime gjykate me arrestim. Kjo do të thotë, që ato janë bërë në mënyrë shumë korrekte në raport me ligjin. Në këtë kontekst mund të them që ky është një proces në vazhdimësi. Ne kemi dhënë prova që kemi goditur edhe komisarë për shkak të abuzimeve. Përveç kësaj, SHKB-ja ka bërë goditje edhe të grupeve të krimit të organizuar, ku kanë qenë oficerë policie të implikuar.

    Cilat janë faktet që është luftuar krimi i organizuar?

    Që është luftuar krimi i organizuar, tashmë janë evidente. Unë mund të them që në ministri në momentin që kemi ardhur ne ka pasur dy drejtori, Drejtoria e Krimit të Organizuar dhe ajo e Krimeve të Hapura. Drejtoria e Krimit të Organizuar ka qenë eficiente, por me një punë konstante, kurse e Krimeve të Hapura ka qenë inekzistente. Tani punojnë të dyja me "motorë" të ndezur. Padyshim, goditjet kryesoret të Krimit të Organizuar janë dhënë në trafikun e drogës, qenieve njerëzore dhe në grupet e falsifikatorëve, ku janë sekuestruar laboratorë të falsifikimit të vizave, pasaportash, sasia e heroinës është 3-fish e kapur për periudhën që flasim në krahasim me të një viti më parë. Ne, përgjithësisht jemi të kënaqur, por kjo punë është në vazhdim e sipër. Shikohet një ndrydhje e grupeve kriminale, por kjo nuk do të thotë që kanë mbyllur veprimtarinë e tyre. Janë goditur një sërë grupesh kriminale siç është Banda e Lushnjës, Banda e Durrësit, Banda e Tiranës, e cila ka në përbërje të saj edhe Emiliano Shullazin dhe është një grup kriminal shumë i sofistikuar, cili akoma nuk është përfunduar. Madje, për këtë person Prokuroria e Krimeve të Rënda ka në dispozicion materiale pa fund. Ai tashmë ndodhet në burg dhe është dënuar për një sërë akuzash, por Shullazit do t'i shtohen edhe akuza të tjera.

    Ministri Olldashi ka urdhëruar që të rihapen dosjet e vjetra, të cilat kanë krime të pazbardhura, sa prej tyre kanë marrë një zgjidhje?

    Kjo ministri dhe kjo polici nuk mund të eci përpara pa zbardhur krimet e vjetra, që do të thotë se janë dosje të mbyllura, dosje pa autor, janë dosje të pazbardhura edhe për shkaqe të ndryshme. Në këtë kontekst, ne po përpiqemi maksimalisht të rihapim këto dosje, të afrojmë dëshmitarë të rinj, të afrojmë deklarime të reja për ngjarjet dhe vrasjet e t'i fillojmë këto procese. Faktet janë të shumta. Mund të them që të gjitha arrestimet që janë bërë mbi bazën e rihapjeve të dosjeve të vjetra, "Banda e Lushnjës", "Banda e Durrësit". Gjithashtu është një fakt i tillë, "Djemtë e Rrugës së Kavajës", arrestimi i Aleksandër Kuqos në Berat e arrestimi i Nard Muratit në Durrës e arrestime të tjera. Të gjitha këto janë rihapje e dosjeve të vjetra. Ku në këto ka deklarime të reja, me dëshmitarë të rinj me një proces të ri të rishikimit të këtyre ngjarjeve.

    Ka akuza që në polici po emërohen persona me background të dyshimtë, si është e vërteta?

    Në polici nuk emërohen persona me background të dyshimtë, mund të ketë elementë që ne i kemi emëruar, ka pas raste që ne jemi vetëkorrigjuar, gjithsesi ne jemi të prirur që të pranojmë me fakte, sigurisht që njerëzit të denoncojnë për njerëzit që ne emërojmë. Drejtorët që ne kemi emëruar janë ish-ushtarakë që kanë punuar edhe gjatë kohës më parë, një pjesë e tyre janë larguar për arsye politike para 7-8 vjetëve, midis tyre kemi zgjedhur më të mirët. Shefat e komisariateve në përgjithësi janë shefa që kanë punuar në strukturat e ministrisë. Nuk mendoj që kjo është shqetësuese, megjithatë jemi të hapur, pasi mendoj se jo gjithçka është perfekte, ka edhe lapsus, edhe gabime, ne jemi gati t'i korrigjojmë në bazë të denoncimeve.

    Tirana Observer

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Ministri i Brendshëm ka urdhëruar njehsimin e gradave me funksionet që kryejnë punonjësit e policisë

    Olldashi zhgradon komisarët

    Struktura e re e gradave, deri më 16 shtator. Ish-drejtuesit e policisë reagojnë kundër urdhrit

    Dashamir Biçaku

    TIRANE- Gradat e punonjësve të policisë pritet të njësohen shumë shpejt me funksionet që ata kryejnë. Javën e kaluar, ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi ka firmosur një urdhër, nëpërmjet së cilit kërkon që çdo punonjës policie të mbajë atë gradë që “i shkon për shtat” vendit të punës që kryen aktualisht në hierarkinë e policisë. Në kuadrin e ristrukturimit të Policisë së Shtetit, kreu i Ministrisë së Brendshme ka lënë si afat përfundimtar për zgjidhjen e çështjes së gradave deri më 16 shtator. Zyrtarë të ndryshëm të Policinë e Shtetit pohojnë se urdhri është shpërndarë në të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe për t’u zbatuar, ndërkohë që nuk kanë munguar reagimet e para, kryesisht nga ata ish-drejtues të policisë, që së bashku me transferimet në funksione më të ulëta rrezikojnë të humbasin edhe gradën.
    ***
    Në urdhrin e tij, ministri Olldashi u ka lënë detyrë drejtorëve të policisë në qarqe që përgatisin propozimet e tyre, e njëherazi edhe adaptimin me strukturën e re të policisë. Duke iu referuar urdhrit të mësipërm, çdo oficer policie që ka një gradë më të lartë sesa funksioni që kryen aktualisht duhet të pranojë “zhgradimin”. Në të kundërt, oficerët që nuk do të pranojnë të marrin gradën e re, sipas funksionit të cilin ata mbajnë, do t’iu duhet të dalin në lirim. Burimet nga Ministria e Brendshme pohojnë se në urdhëresë janë parashtruar dy zgjedhjet me të cilat do të përballen punonjësit e policisë: ose të pranojnë sistemin e ri të gradave ose të humbin vendin e punës. Nga ana tjetër, ky urdhër pritet të lehtësojë disi organikën e Policisë së Shtetit në kuadër të reformës së paralajmëruar kohë më parë. Për t’iu përshtatur strukturës së re të policisë pritet të dalin në lirim 1850 punonjës policie, një pjesë e të cilëve mendohet se do t’i përkasin atij grupi punonjësish të policisë, që nuk do të pranojnë uljen në gradë.
    ***
    Nuk kanë qenë të paktë, të pakënaqurit nga urdhri i ministrit Olldashi. Burime nga Ministria e Brendshme pohojnë se deri më tash, rreth 40 oficerë të policisë e kanë kundërshtuar njësimin e gradave me funksionet, ndërkohë që “Shekulli” ka kontaktuar me disa prej atyre ish-drejtuesve, që aktualisht kryejnë detyra periferike, kryesisht në veri të vendit. Duke kërkuar ruajtjen e anonimatit, të etiketuarit si “kasta” e vjetër e policisë e kanë cilësuar si të paligjshëm këtë urdhër. “Ndryshe nga sa parashikohet në ligjin për Policinë e Shtetit, ku çdo oficer policie duhet t’i gjendet vendi i punës në bazë të gradës që ai ka, tashmë ulet grada sipas vendit të punës”,-thotë njëri prej tyre, duke rrëfyer më pas vitet e gjata në polici. Sipas ish-drejtuesve, kontributi i dhënë për vite me radhë prej tyre nuk mund të hidhet poshtë me ulje në gradë, apo nxjerrje në lirim, kundrejt një dëmshpërblimi me 50 për qind të pagesës së tyre. Urdhri i ri për gradat pritet të prekë ata oficerë të lartë policie, që aktualisht nuk i gëzojnë më vendet e lakmuara të punës në polici.

    Shekulli

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Reforma, gradat sipas funksionit

    E Diele, 10 Shtator 2006

    Ministri i Brendshem paralajmeron ndryshime rrenjesore ne skemat e gradimit te oficereve te Policise se Shtetit. Pergatitet drafti per ndryshimin e ligjit per gradat

    Sokol Cobo

    Reforma ne Policine e Shtetit do te filloje nga kupola dhe do te perfundoje ne rolin baze. Ministri i Brendshem, Sokol Olldashi, tha dje ne nje konference per shtyp, arsyet e reformes. Sipas tij, punonjesit dhe oficeret e Policise se Shtetit duhet te pranojne graden qe do t’u jepet ne saje te kesaj reforme, ose ne te kundert do te mbajne graden qe kane, duke pranuar te dalin ne reforme trevjecare, cka nenkupton se do te marrin gjysme rroge per tre vjet, e me pas te gjejne vend pune gjetke. Sipas tij, reforma e bazuar ne ligjin per gradat eshte nje proces i domosdoshem per Policine e Shtetit, duke shtuar se duhet qe Policia e Shtetit te kete nje percaktim te sakte per gradat. Ai ka paralajmeruar se eshte pergatitur nje projektligj, i cili do te konsultohet me ekspertet e Ministrise se Drejtesise dhe me pas do te kaloje per miratim ne Kuvend.

    Reforma

    “Nuk mundet te jete nje drejtori policie me 30 komisare dhe me 15 inspektore. Pra, eshte totalisht e papranueshme kjo situate e krijuar ne Policine e Shtetit. E gjithe kjo reforme shkon paralelisht me rregullimin e struktures se Policise se Shtetit”, tha ministri Olldashi. Me tej shtoi se ligji per Policine e Shtetit eshte ne proces dhe shume shpejt do te kaloje per miratim. “Reforma eshte nje proces i domosdoshem. Duhet doemos qe policia te kete sistem gradash te palevizshem”, tha Olldashi. Ai tha se hyrje te pakontrolluara nuk do te kete, dhe brenda policise te hyjne njerez qe kane mbaruar shkollen perkatese te policise. “Cdo rekrut i ri i policise ka shanse te barabarta deri ne postin e Drejtorit te Pergjithshem te Policise”, paralajmeroi Olldashi.

    Nderkaq, ministri i Brendshem tha se kjo eshte nje reforme e pritur, ndersa shtoi se do te kete kosto. “Jemi te vetedijshem per shpenzimet. E rendesishme eshte qe ne fund te bejme bilancin dhe jam i sigurt se do te kete me shume te kenaqur”, tha Olldashi, duke shtuar se ne vitin 2003, ish-ministri i Rendit, Luan Rama, eshte perpjekur qe te realizoje nje reforme per gradat, por nuk ia ka arritur. Duke vazhduar ne fjalen e tij, Olldashi tha se deri ne keto momente, ne disa komisariate ka pasur kryekomisar ne pune si shef roje dhe neninspektor me detyre shef komisariati. “Kjo praktike nuk do te ekzistoje me, pasi cdo punonjes policie do te kete graden sipas vendit te punes. “Jam i vetedijshem se nga kjo reforme do te kete edhe te pakenaqur, por ko gje do te marre fund dhe do te sistemoje kete piramide gradash”, perfundoi Olldashi.

    Projektligji

    Prej kohesh eshte paralajmeruar reforma ne radhet e uniformave blu. Per te bere te mundur realizimin e saj, thuhet zyrtarisht se eshte pergatitur nje projektligj i ri, i cili pritet te kaloje per ekspertize ne Ministrine e Drejtesise e me pas ne Parlament. Kreu i Ministrise se Brendshme, Olldashi, kerkon qe te ndryshoje ligjin e vitit 2000 per gradat ne Policine e Shtetit, pasi ai i mbron te gjithe oficeret per gradat qe kane fituar deri me tani, ne cilindo funksion qe te jete. Per t’u hapur rrugen ndryshimeve, ai ka deklaruar se do te njehsoje graden ne baze te funksionit qe ka aktualisht cdo oficer qe kryen detyrat ne strukturat e Policise se Shtetit.

    Korrieri

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Amerikanet rihapin Akademine e Policise

    E Shtune, 09 Shtator 2006

    Nis per here te pare ne vendin tone, nje shkolle “speciale” per policet e rinj te rolit baze. Punohet me metoda amerikane, ne Akademine qe u rikonstruktua prej tyre pak kohe me pare. Cilat jane avantazhet konkrete

    TIRANE - Ambasadorja e Shteteve te Bashkuara te Amerikes, Marsi Ris, se bashku me Ministrin e Brendshem Sokol Olldashi, peruruan dje fillimin shkollimit per brezin e pare te studenteve ne shkollen Baze te Policise. Kjo shkolle u hap prane Akademise se Policise “Arben Zylyftari”, ristrukturuar rishtazi. Akademia u rihap per pranime te reja pas nje procesi modernizimi te programit mesimor dhe menaxhimit, me mbeshtetjen e ICITAP-it (Programit Nderkombetar te Asistences per Trajnim per Hetimet Penale), PAMECA-s dhe misioneve te tjera nderkombetare. Ne ceremoni ishin dhe drejtori i Akademise se Policise Pirro Laze, drejtues te tjere te larte te Policise se Shtetit, si dhe perfaqesues te misioneve nderkombetare.

    Per ambasadoren Ris, ky brez i pare eshte nje shembull i asaj qe mund te arrihet nepermjet bashkepunimit dhe punes se palodhur. “Eshte nje hap i pare ne perpjekjen ambicioze per ta bere nje force moderne, profesionale dhe efektive Policine e Shtetit Shqiptar”, vuri ne dukje Ris. Ajo pergezoi stafin akademik dhe menaxhues te Akademise, bashke me grupet e punes se Policise se Shtetit “per punen e tyre te lavderueshme ne transformimin e Akademise se Policise “Arben Zylyftari” ne nje institucion modern trajnimi”. Tani shkolla ka nje program mesimor te ri, element trajnimi ne terren, politika rekrutimi dhe sistem te rinovuar ngritjeje ne detyre, si dhe nje divizion trajnimi ne Drejtorine e Personelit. Studenteve te rinj, ambasadorja Ris u kujtoi se ata dhe komunitetet e tyre do te jene perfituesit e drejtperdrejte te ketij trajnimi, ndaj u shpreh: “Ne deshirojme qe ju te jeni krenare per veten tuaj dhe qe shqiptaret te jene krenare per ju”.

    Trajnimi ben te mundur nje pergjigje me te gjere ndaj kerkesave rutine apo emergjente per ndihme, kryerjen e hetimeve penale paraprake dhe zbatimin e ligjit. Hetimi i aksidenteve rrugore dhe perparimi ne krijimin e partneriteteve me baze ne komunitet, shihen si pika te tjera ku perfitohet nga ky shkollim me metodat tipike amerikane qe nisen te zbatohen per here te pare kete vit akademik. Proceset e permiresuara te programit mesimor, sipas ministrit te Brendshem Sokol Olldashi, priten te ndihmojne ne menyre te konsiderueshme pergatitjen e nje force te re policore me efikase, profesionale dhe moderne ne Shqiperi. Ministri i Brendshem vuri ne dukje dhe seleksionimin rigoroz mbi baze te te cilit eshte bere perzgjedhja e studenteve. Mese 1 200 pjesemarres i jane nenshtruar tre konkurseve, per t’u seleksionuar me pas vetem 150 vete, e gjitha kjo permes nje seleksionimi dukshem transparent.

    Korrieri

  6. #6
    ................
    Anëtarësuar
    19-11-2004
    Postime
    1,110

    Reforma, incidente në radhët e policisë

    Në Lezhë rebelohen uniformat blu që do të largohen nga puna


    Reforma, incidente në radhët e policisë



    Aleksandër NDOJA

    Reforma që do të bëhet në Ministrinë e Brendshme shkakton incidentin e parë në radhët e uniformave blu. Dje në qytetin e Lezhës, në gjitha komisariatet policët e piketuar për t'u larguar bëjnë presion, pasi sipas tyre nuk po hiqen nga puna në bazë të kritereve të paracaktuara, por sipas porosive të deputetëve të zonës, Preç Zogaj, Gjovalin Prenga dhe Pal Daçi. Burime pranë Drejtorisë së Policisë të qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se, rreth dy muaj më parë deputeti i zonës së Lezhës, Preç Zogaj, ka kërkuar me forcë largimin nga detyra të një oficeri karriere në sektorin e krimeve. Për këtë është dashur që një prej drejtuesve më të lartë të degës së PD-së së Mirditës, të betohet përpara drejtorit të qarkut Vladimir Kotorri, se familja e oficerit të shënjuar për t'u larguar nga puna, ishte me bindje të djathta dhe se të gjithë kishin votuar për PD-në.

    Incidenti

    Një oficer policie i irrituar ka kërkuar dje shpjegime shefit të personelit të drejtorisë, Pjetër Lazri, se përse ai ishte në listën e oficerëve që do të dalin në lirim. Sipas burimeve nga uniformat blu të qytetit verior, mësohet se oficeri ka tentuar të qëllojë me grusht shefin e personelit. Ndërkohë që për shkak të kësaj grindjeje ka ndërhyrë drejtori i policisë, Kotorri, i cili më pas ka sqaruar gjithçka duke qetësuar gjendjen e krijuar. Madje ndër të tjera drejtori i ka "premtuar" se nuk do të largohet nga puna. Ndërkohë burimet konfirmojnë se shefi i personelit Lazri nuk ka qenë në të njëjtën linjë me drejtorin, duke thënë se oficeri do të lirohej se i përkiste opozitës. Situata ka vijuar të ishte mjaft e tensionuar edhe në orët në vazhdim, prandaj është parë e arsyeshme që të thirren në ndihmë trupa speciale për të qenë të gatshme për ndonjë rebelim të mundshëm të efektivave që pritet të lënë uniformën.

    Shkurtimet

    Miratimi i ligjit të ri të policisë bën që, prej ditës së urdhrit do të vendoset në zbatim të lënë uniformën e policit rreth 60 vetë. Kjo shifër do të plotësojë numrin e policëve që është vendosur nga Ministria e Brendshme, e cila kap shifrën e 1800 punonjësve të policisë.

    Reforma ne polici

    Duket se nuk është mjaftuar vetëm me një reformë në administratën civile Ministria e Brendshme, por kjo reformë do të jetë edhe në radhët e uniformave blu. Kështu reforma e ardhshme do të lërë pa punë 1800 punonjës policie. Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, bëhet e ditur se pushimi nga puna nuk përjashton as punonjës të cilët kanë gradë të lartë. Të njëjtat burime pohojnë se, përveç largimit të policëve të thjeshtë nuk do të mungojnë as largime edhe të drejtuesve të policisë. Madje nuk përjashtohet mundësia as e daljes në pension të parakohshëm të punonjësve që kanë një moshë madhore. Por ende nuk janë përcaktuar të gjitha kriteret që duhen për të larguar nga puna një punonjës nga radhët e policisë.



    Brenda muajit duhet të mbarojë reforma në të gjithë vendin duke përcaktuar ata që do të largohen

    Policia, 10 kategoritë që rrezikojnë

    Laureta RRYÇI

    Shpërndahet lista me shkurtimet në të gjitha drejtoritë dhe komisariatet e vendit. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pohuan dje për "Tirana Observer", se pas miratimit të ligjit të ri dhe strukturës së re, është dhënë urdhri që zvogëlohet numri i punonjësve të policisë. Të njëjtat burime shpjegojnë se, në këtë reformë preken dhjetë kategori. Drejtuesit nëpër qarqe janë njohur me shkresën zyrtare, e cila përcakton numrin e personave që do të shkurtojnë si dhe afatin që duhet respektuar për të realizuar këtë reformë. Ndërkohë mësohet se shkurtimet e para kanë nisur dhe në fund të këtij muaji, në Drejtorinë e Personelit do të dërgohet lista e plotë e efektivave që janë shkurtuar, për t'u hequr përfundimisht nga lista e pagave.

    Reforma

    Efektivat e policisë që deri më dje i druheshin reformës, për pak ditë do ta mësojnë nëse janë pjesë e saj. Tashmë lista me shkurtimet ka mbërritur në drejtoritë dhe komisariatet, dhe drejtuesit do të lajmërojnë çdo punonjës që preket nga shkurtimet. Numri i personave që duhet shkurtuar është përcaktuar nga grupi i punës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas disa studimesh ata përcaktuan kategoritë që duhet të përfshihen në këtë reformë dhe në cilat drejtori apo komisariate duhej të bëheshin më shumë shkurtime.

    Kush rrezikon

    Sipas specialistëve që janë marrë me reformën e policisë, aktualisht nga uniformat blu duhet të largohen dhjetë kategori punonjësish. Sipas këtyre specialistëve, është munduar të përcaktohen personat që largimi i tyre nuk do të sjellë pasoja të rënda në punën e përditshme të policisë. Kategoria e parë që do të preket nga kjo reformë janë specialistët e sektorit të grumbullimit të armëve. Këta punonjës prej vitesh, falë dhe donacioneve të huaja, merreshin me grumbullimin e armëve dhe kujdeseshin për to. Të njëjtin fat do të kenë dhe të gjithë shoferët e drejtuesve. Në përfundim të reformës, si drejtorët e policisë ashtu edhe shefat e komisariateve do ta ngasin vetë makinën. Po me kaq rrezik janë dhe ata specialistë ku kanë një epror i cili nuk është në post të lartë drejtues. Po kështu, të gjithë ata efektiva të rolit bazë që nuk marrin në test më shumë se 80 për qind të pikëve në 36 pyetje që janë gjithsej. Në reformë do të përfshihen edhe ato efektivë policie që nuk kanë të njehsuar gradat me pozicionin që kanë. Drejtoritë apo komisariatet në qytete të vogla që nuk është domosdoshëm një numër i madh punonjësish. Pjesë e këtyre shkurtimeve do të jenë dhe policët që kanë shumë masa disipline, kjo dhe bëhet dhe për rritjen e cilësisë së punës së policisë.

    TIRANA OBSERVER

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Drejtuesit detyrohen të hartojnë një test tjetër


    Testi për policinë, vetëm 40 % policëve u përgjigjën saktë


    Ndoshta as drejtuesit vetë nuk e kanë menduar këtë rezultat teksa kanë dhënë urdhrin që policët për të qëndruar në punë duhet të kalonin më parë një testim. Mirëpo tani që testimi ka mbaruar rezultatet kanë qenë kaq shumë të dobëta sa janë bërë të papranueshme edhe për ta. Kjo në fakt është një lajm i mirë për të gjithë ata efektiva policie që deri më dje ishin në tension nëse kishin rrethuar përgjigjen e duhur apo jo. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur dje për "Tirana Observer", se testimi ka mbaruar në të gjithë vendin dhe vetëm 40 për qind e efektivave të rolit bazë kanë mundur ta kalojnë atë. Mirëpo sipas kësaj shifre, i bie që nga momenti që kanë dalë rezultatet të largoheshin 60 për qind e punonjësve. Rezultati ka vënë në alarm drejtuesit dhe kanë parë si të vetmen zgjidhje përsëritjen e testit. Por, duket se kësaj here pyetjet do të jenë më të thjeshta. Në testin e parë përfshiheshin pyetje që kishin të bënin me të drejtat dhe detyrimet e policit gjatë detyrës së tyre. Si dhe përfshiheshin pyetje që kishin të bënin me stemën apo himnin e policisë.

    Rezultati
    Tashmë testi ka mbaruar në të gjitha qarqet e policisë dhe rezultatet kanë mbërritur në drejtorinë qendrore. Duket se pjesa më e madhe e policisë e kanë të vështirë të përcaktojnë të drejtat dhe detyrat që kanë gjatë një dite pune. Madje nuk i kanë të qarta as marrëdhëniet që duhet të kenë me shefat e tyre dhe kur nuk duhet t'i zbatojnë urdhrat e tyre. Për 60 për qind të policisë duket se funksionon akoma teoria që shefi ka gjithmonë të drejtë.

    Testi
    Drejtuesit më të lartë të policisë vendosën një muaj më parë që të gjithë policët e rolit bazë t'i nënshtrohen një testimi brenda muajit nëntor. Burime nga policia bënë të ditur se, kjo u bë në mbështetje të reformës, e cila parashikon shkurtimin e rreth 1800 uniformave blu. Të gjithë policët që nuk do të arrinin t'iu përgjigjeshin saktë 80 për qind të pyetjeve, rrezikonin vendin e punës. Testi përmbante 36 pyetje, të cilat kishin të bënin kryesisht me aftësitë profesionale të efektivëve të policisë. Gazeta "Tirana Observer" pati mundur të sigurojë testin e plotë me 36 pyetje si dhe të gjitha alternativat e sakta dhe e botoi atë në numrin e saj të datës 23 nëntor.

    Deklarata e zv.ministrit te Brendshem, Gjergj Lezhja, per projektligjin e policise

    Projektligji i policisë, i cili është fryt i një pune njëvjeçare të specialistëve në Ministrinë e Brendshme dhe atyre të PAMECA-s dhe ICITAP-it, pritet vetëm që të merret në shqyrtim nga ligjvënësit. Gjatë një konference për shtyp, zv.ministri i Brendshëm, Gjergj Lezhja, si dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare, kanë konsideruar miratimin e projektligjit si një arritje madhore të Policisë së Shtetit. Projekti bashkon ligjet ekzistuese "Për Policinë e Shtetit", "Për Policinë Kriminale", "Për Policinë Kufitare", "Për Forcat Speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë", "Ligjin për Ruajtjen e Rendit e të Qetësisë", ligjin "Për Gradat në Policinë e Shtetit", si dhe akte të tjera normative në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e policisë. I pyetur nga gazeta "Tirana Observer" se çfarë parashikon projektligji për drejtuesit e policisë, që me vendim gjykate duhet të kthehen në punë, zv.ministri Gjergj Lezhja është shprehur se të gjitha ata policë që kanë fituar gjyqet do të kthehen patjetër në punën e mëparshme.

    Tirana Observer

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Kush preket nga urdhrat më të fundit të Bajram Ibrajt

    Policia, emërimet dhe lëvizjet më të fundit


    Lëvizjet dhe emërimet e reja në Policinë e Shtetit që pritet të kryhen së shpejti, duket se janë një element pozitiv për drejtuesit më të lartë të këtij institucioni. Të paktën në këtë përfundim kanë arritur specialistët, duke qenë se që nga fillimi i vitit e deri tani ka pasur shumë lëvizje dhe riemërime në polici. Burime nga Ministria e Brendshme bënë të ditur për gazetën "Tirana Observer", se të gjitha këto lëvizje kryhen për të shmangur monopolet, mitmarrjen, si dhe për të bërë sa më efektive punën e uniformave blu. Ndërkohë emërime nuk do të kenë vetëm në policinë e kryeqytetit, por në të gjitha qarqet e vendit. Burime pranë këtij dikasteri pohuan se, emërimet në policinë e Tiranës priten që të bëhen ditën e hënë.

    Lëvizjet
    Vetëm pak ditë pas urdhrit për ndryshimin e zonave të 84 inspektorëve të krimeve të kryeqytetit, nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme erdhi edhe një urdhër tjetër. Ky urdhër konstaton në lëvizjen e shefave të komisariateve të Tiranës. Burime pranë këtij dikasteri bënë të ditur se, në gjithë këtë furtunë ndryshimesh do të ketë edhe rokadë postesh në komisariate. Shefi i Komisariatit të Beratit, Nikoll Vatnika, pritet të emërohet në Komisariatin Nr.4, në vend të Ilo Kërçkës. Ky i fundit pritet të emërohet shef në Kombinat. Ndërkohë shefi i Komisariatit Nr.6, Dritan Dorda, pritet të lërë atë post, për t'u emëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, si shef i Antitrafiqeve ose Antikrimit Ekonomiko-Financiar. Ende nuk është përcaktuar se në cilin prej dy seksioneve do të emërohet komisar Dorda. Po kështu, burimet bënë të ditur se pritet edhe largimi i shefit të Komisariatit Nr.2, Ilir Sulaj, i cili sipas burimeve, ende nuk është vendosur se ku do të emërohet. Për të zënë vendin e tij janë menduar dy variante, shefi i Komisariatit të Mallakastrës, Selman Tema dhe ai i Lushnjës, Bujar Hoxha. Të vetmit shefa komisariatesh që kanë qenë më me "fat" këtë radhë, janë ai i Komisariatit Nr.1, Arben Cako, që nuk ka shumë që ka marrë këtë detyrë, si dhe shefi i Komisariatit Nr.3, Gjergji Jorgo, i cili i ka rezistuar të gjitha lëvizjeve që nga fillimi i vitit.

    Ndryshime në policinë e Beratit

    Ndërrohen të gjithë shefat e komisariateve të qarkut të Beratit.
    Burime nga policia bënë të ditur se, dje janë bërë emërimet më të fundit në radhët e uniformave blu. Shefi i Komisariatit të Beratit, Nikoll Vatnika, është larguar nga kjo detyrë dhe pritet të emërohet shefi i Komisariatit Nr.4 në Tiranë. Vendin e tij e ka zënë nënmajor Artan Mehmeti, ish-shefi Komisariatit të Ersekës. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se, kjo lëvizje ka qenë e paralajmëruar nga Ministria e Brendshme. Artan Mehmeti është prezantuar në orën 10:00 të ditës së djeshme përpara efektivit të tij, nga drejtori i policisë së këtij qarku, Benard Çaushi dhe menjëherë ka nisur punën. Lista e atyre që do të largohen tashmë mund të quhet e përfunduar, por largimi nga detyra e oficerëve të policisë bëhet vetëm nga Shtabi i Emërtesave pranë Ministrisë së Brendshme. Pas përfundimit të reformës në Drejtorinë e Policisë së Beratit, për të tre komisariatet, Berat, Kuçovë e Skrapar, do të mbeten në organikë plot 357 oficerë e policë. J.XH

    Shkurtime në policinë e Sarandës dhe Delvinës

    Rreth 18 për qind e efektivave të policisë së Sarandës dhe 30 për qind të asaj të Delvinës janë larguar nga detyra. Tashmë gjithë uniformat blu të Komisariatit të Sarandës dhe të Delvinës janë njoftuar për largimin e tyre nga puna. Sipas shefave të komisariateve, Limos Fallani, në Sarandë dhe Ylli Metko, në Delvinë, reforma ka prekur më shumë sektorin e Qarkullimit Rrugor, patrullat si dhe Policinë e Ruajtjes së Objekteve. Të njëjtat burime pohuan gjithashtu se, në realizimin e kësaj reforme janë marrë parasysh disa kritere kryesore, si aftësia profesionale, mosha, kualifikimi dhe gjithashtu edhe masat disiplinore që janë marrë gjatë kryerjes së shërbimit. Por jo vetëm kaq, shkurtimit nuk i kanë shpëtuar as oficerët e karrierës që kanë shërbyer për një kohë të gjatë në polici. Ndërkohë janë larguar gjithashtu edhe njerëz të inkriminuar, të përcaktuar këta të fundit nga SHKB-ja. Në policinë e Delvinës ka pasur edhe shkurtime organike, si ajo e logjistikës që do të mbulohet në këtë rast nga Komisariati i Sarandës. Reagime nga policë të shkarkuar nga këta dy komisariate vijnë për faktin se a do t'i marrin dot lekët e orëve shtesë, të cilat nuk i kanë marrë ende.

    Tirana Observer

  9. #9
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Shefat e komisariateve qe priten të ndryshohen

    1. Dritan Dorda, shefi i Komisariatit Nr.6, pritet të emërohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, si shef i Antitrafiqeve ose i Antikrimit Ekonomiko-Financiar.

    2. Nikolin Vatnika, shefi i Komisariatit të Beratit, pritet të emërohet shef i Komisariatit Nr.4.

    3. Ilo Kërçka, shefi i Komisariatit Nr.4, pritet të emërohet shef i Komisariatit Nr.6.

    4. Ilir Sulaj, shefi i Komisariatit Nr.2, pritet të largohet nga detyra, në vend të tij mund të vijë Selman Tema ose Bujar Hoxha.

    5. Artan Mehmeti është emëruar shef i Komisariatit të Beratit, në vend të Nikolin Vatnikajt


    Shkurtimet ne polici

    TIRANE

    0 - Drejtoria e Policisë së Tiranës nuk do të ketë shkurtime, por shtesa në strukturat e saj. Nga 348 uniforma që ka kjo drejtori, tani do të bëhen 432, duke shtuar kështu pesë vende të reja.

    DURRES

    64- Në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, 64 policë do të lenë uniformat. Reforma do të përfshijë komisariatin e Durrësit dhe komisariatin e Krujës, të rolit bazë dhe oficerë.

    Elbasan

    174 - Në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, reforma do të përfshijë 174 policë. Komisariati i Librazhdit 30 uniforma, i Gramshit 15, komisariati i Peqinit 15 dhe komisariati i Elbasanit 114.

    FIER

    118 - Në Drejtorinë e Policisë së Fierit do të lenë uniformat 11 policë. Në komisariatin e Lushnjës 22 policë, në atë të Mallakastrës 22 policë, ndërsa në komisariatin e Fierit 74.

    KORÇE

    64 - Në Drejtorinë e Policisë së Korçës do ketë shkurtime për 64 uniforma të rolit bazë dhe oficerë. Reforma do përfshijë komisariatet e Pogradecit, të Devollit dhe të Kolonjës.

    GJIROKASTER

    118 - Në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër do shkurtohen 118 punonjës nga 580 punonjës që ka aktualisht. Komisariati i Gjirokastrës 35 shkurtime, Tepelenës 25 dhe Përmeti 25 shkurtime.

    VLORE

    185 - Drejtoria e Policisë së Vlorës preket më shumë nga reforma. Në këtë drejtori do lënë uniformat 185 policë. Kjo reforma do prekë komisariatin e Vlorës, Sarandës, Ksamilit dhe Delvinës.

    SHKODER

    46 - Në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, do të ketë 46 shkurtime. Reformë do të ketë në komisariatin e Shkodrës, ku do largohen 20 policë dhe të komisariatit të Malësisë së Madhe me 26 shkurtime.

    LEZHE

    113 - Në Drejtorinë e Policisë së Lezhës kanë lënë uniformat 113 punonjës. Në komisariatin e Mirditës 50 policë, në atë të Lezhës 38 policë, ndërsa në komisariatin e Kurbinit 25 policë.

    DIBER

    130 - Në Drejtorinë e Policisë së Dibrës do lenë uniformat 130 policë. Reforma do përfshijë komisariatin e Peshkopisë, atë të Bulqizës si edhe komisariatin e Burrelit.

    KUKES

    136 - Në Drejtorinë e Policisë së Kukësit do lenë uniformat 136 policë të rolit bazë dhe oficerë. Reforma do përfshijë komisariatin e Kukësit, si edhe komisariatin Bajram Currit.

    Berat

    73 - Në Drejtorinë e Policisë së Beratit së shpejti do lenë uniformat 73 punonjës. Reforma do përfshijë komisariatin Beratit, komisariatin e Kuçovës dhe atë të Çorovodës.

Tema të Ngjashme

  1. Sulë Hotla (1875-1947), Një Jetë Për Shqipërinë
    Nga strong_07 në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 29-04-2019, 16:32
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  3. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  4. Kristo Frashëri: Dilema për Himarën
    Nga Qafir Arnaut në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 28-02-2006, 13:56
  5. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •