Ministria e Brendshme përgatit projektin për këtë reformë
Ja cilat janë arsyet e shkurtimit të policëve
Janë disa arsye që "detyrojnë" ministrin e Brendshëm, Sokol Olldashi, të marrë një reformë të tillë dhe të largojë nga detyra 1500 policë. Një nga arsyet është numri i madh i punonjësve të policisë së vendit në krahasim me popullsinë, por ende nuk janë përcaktuar kriteret e tjera për këto largime nga puna. "Ka dalë urdhri i Ministrit, i cili ka përcaktuar grupin e punës dhe në bazën e grupit të punës përcaktohen kriteret mbi të cilat do të vihen shkurtimet", është shprehur dje, në një intervistë zv.ministri i Brendshëm, Gjergj Lezhja. Ndër të tjera, ky i fundit ka pohuar se janë disa sektorë që merren më këtë punë: Është Sektori i Burimeve Njerëzore kryesisht, të cilët do të drejtohen nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Doçi. Ndërkohë që kriteri bazë edhe i pandryshueshëm është ai i punës. Vlerësimi mbi bazën e punës do të vijë në disa drejtime për largimin apo jo nga puna të policëve.
Arsyet
Duket se kjo fjalë e urtë "më mirë pak e saktë, se sa shumë e për lumë" gjen shumë mirë zbatim në reformën e policisë, e cila do të behët pas disa javësh. Sipas Ministrisë së Brendshme, mësohet se një arsye e shkurtimit të punonjësve të policë është se ata që do të qëndrojnë do të kenë një përgatitje profesioniste. Madje, jo vetëm kaq, sipas burimeve, pakësimi i numrit do të jetë edhe një rritje e nivelit të punës së policisë dhe një përgatitje më e mirë. Por një nga arsyet kryesore mbetet pakësimi i popullsisë dhe rritja e numrit të policëve për banorë.
Reforma
Reforma "Olldashi" do të shkarkojë nga detyra 1500 punonjës policie. Këto largime nga puna vijnë pas "premtimit" të ministrit të Brendshëm në analizën e Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, ai tha se në uniformat blu do të ketë largime nga puna. Por, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, ende nuk janë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një punonjës policie për të lënë vendin e punës. Të njëjtat burime pohojnë se, projektuesit e kësaj reforme kanë menduar edhe pasojat e këtyre shkarkimeve duke bërë që policëve të pushuar nga puna t'u paguhen për tre vjet me një rrogë kalimtare sa gjysma e asaj që ata janë paguar kur kanë qenë në marrëdhënie pune.
3 vjet pas shkarkimit policet do marrin rroge
Për tre vjet rresht, 1500 policët që do të largohen nga puna, do të paguhen me gjysmën e rrogës që marrin aktualisht. Të paktën kështu kanë bërë të ditur burime nga Ministria e Brendshme. Ky vendim vjen menjëherë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi, i cili në analizën 6-mujore të Policisë së Shtetit paralajmëroi shkurtime në radhët e policisë. Shkurtimet në polici ende nuk janë të përcaktuara qartë në kritere të caktuara. Madje burime pranë Policisë së Shtetit pohojnë se gradat që mbajnë aktualisht policët nuk janë parashikuar si kriter për shkurtimet. Që nga grada më e ulët, deri te ajo më e larta, do të ketë shkurtime.
Olldashi ne analizen 6-mujore te policise
Ministria e Brendshme parashikon shkurtime në radhët e policisë. Sipas kreut të këtij institucioni, Sokol Olldashi, janë parashikuar shkurtime të numrit të punonjësve në radhët e uniformave blu. Ministri e ka justifikuar deklaratën për faktin se në policinë shqiptare parashikohet një strukturë e re, e cila pritet të shkurtojnë numrin e punonjësve që janë aktualisht në Policinë e Shtetit. Ministri i Brendshëm ishte i pranishëm në analizën 6-mujore të Policisë së Shtetit, ku vlerësoi punën e bërë nga ky institucion në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Ndërkohë, Olldashi deklaroi se numri i vrasjeve është ulur me 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa për sa i përket kapjes së personave të shpallur në kërkim, Ministri u shpreh se tashmë ka ndryshuar balanca në favor të kapjes së personave, krahasuar me numrin e të shpallurve në kërkim. Gjithashtu, Olldashi theksoi se nga treguesit e rëndësishëm të 6-mujorit është përfundimi më 30 qershor i draftit për përmirësimin e ligjit për Policinë e Shtetit.
Te dhena
Numri i madh i punonjësve të policisë së vendit në krahasim me popullsinë, është një arsye për shkurtimin e uniformave blu.
Puna e mirë e një punonjësi policie do të jetë arma e fortë e një polici për moslargimin nga puna.
Nga 12 mijë policë që janë aktualisht, shkojnë në 10 mijë e 500 policë.
3 vjet me radhë do të paguhen të gjitha uniformat blu pas pushimit nga puna.
50 për qind të rrogës do të marrin uniformat blu pas shkarkimit.
Aulona KADILLARI
Gazeta Tirana Observer
Krijoni Kontakt