Banorët e Tiranës dhe të qyteteve kryesore ekspozohen në nivele zhurmash 15-20% dB (decibel) më të lartë se banorët e qyteteve të Evropës.

Flet Arti Çiçolli, shef i Seksionit të Fizikës Sanitare, pranë Departamentit të Ekspertizës Sanitare dhe Shëndetit Mjedisor në Institutin e Shëndetit Publik

Zhurmat e trafikut dhe të minibizneseve shtohen, ndërsa mungojnë sanksionet për pronarët. Ende në fuqi një rregullore e vitit 1983; në prag dalja e një ligji për zhurmat


“Shumë zhurmë, shumë zhurmë....kjo është Tirona jonë, Tiron’ e kontradiktës...”, fjalët e kësaj kënge të kënduara nga kryetari i bashkisë së kryeqytetit nuk janë të njohura vetëm për shqiptarët, por edhe për çdo të huaj që ka kaluar pak ditë në Tiranën e viteve të fundit. Zhurma është bërë një tmerr për çdo banor dhe në rastin e fjalëve të këngës ajo nuk ka asnjë kuptim tjetër përveç kuptimit të parë, atë të të shqetësuarit nga boritë e makinave dhe trafiku, nga betonieret, gjeneratorët, pabet, të thërriturat me zë të lartë në mes të lagjes si “ majekrahi” i dikurshëm, hapja e televizorëve dhe magnetofonëve përtej çdo kufiri, ahengjet e kafeve të lagjes....Madje vetë niveli i lartë i zërit në komunikimin e njerëzve është kthyer tashmë në një bezdi.

Kryeqytetasit janë ata që vuajnë më shumë se kushdo nga “invazioni” i zhurmës. Madje gjatë këtyre pesë vjetëve, dy vitet e fundit janë bërë më problematikë edhe për zhurmën gjatë natës. 30% më shumë zhurmë natën. Por mbrojtja ose rreziku nga zhurma ka edhe një lloj gjeografie. Ndryshe është për banorët e periferisë, ndryshe për ata që banojnë në qendër. Nga monitorimet që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik, gjendja rezulton alarmante. Por më e keqja është se nuk ka një zgjidhje për momentin. Pritet dalja e një ligji të ri, që të mund të vihet sadopak rregull në këtë situatë të përhershme zhurme, që ka hisen e vet në stresin e përgjithshëm që emeton çdo ditë metropoli shqiptar. Deri në këtë çast procedohet me një rregullore të vitit 1983, e cila ishte hartuar vetëm për zhurmat industriale, për nivelet e ekspozimit të punëtorëve të industrive. Dhe në fakt monizmi shqiptar kujdesej vetëm për zhurmat industriale.

Ndërsa kapitalizmi i ri është duke lulëzuar, minibizneset janë ata që po përfitojnë nga mungesa e ligjit. Atyre nuk u duhet një leje për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, leje që mbart me vete edhe disa sanksione. Atyre u mjafton një pëlqim mjedisor nga Agjencitë Rajonale të Mjedisit dhe me kaq mbyllet çdo gjë. Mungesa e ligjit është duke rënduar gjendjen e popullatës, që në qytetet kryesore ekspozohet në masën e 65 dB ( decibel), një shifër kjo shqetësuese. Mjekët gjithashtu raportojnë si shkak stresi edhe zhurmën, ndërsa specialistët e fizikës pohojnë se është koha për të ndërhyrë, sidomos me sanksione. Popullata në masë është e rrezikuar nga zhurma e përhershme në nivele të larta, ndërsa një kategori tjetër, ajo e punëtorëve në bizneset e vogla, vazhdon të mbetet në gjendje të pashpresë. “ Kemi shkuar tek “Filanto”, fabrika e këpucëve, për të bërë matjet, por ata nuk reagojnë, janë krejt të pandjeshëm”, thotë Arti Çiçolli, fizikant që prej tetë vjetësh punon në Departamentin e Shëndetit Mjedisor në Institutin e Shëndetit Publik në kryeqytet. Bizneset e të huajve janë edhe më të privilegjuara në vend dhe kurrë as nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe as nga kontrolle të tjera, tek ata nuk evidentohen pasojat e industrive mbi shëndetin e punonjësve shqiptarë. Çiçolli foli këtë javë për ABC dhe tregoi se si funksionon mekanizmi i monitorimit dhe i sanksioneve mbi të gjithë shkaktarët e zhurmave. Ai tregoi edhe ndryshimet mes niveleve shqiptare të zhurmave dhe atyre të popullatës së vendeve të Bashkimit Evropian.

Sa kohë ka që monitorohen zhurmat urbane në vend?

Ka 5 vjet, që nga 2001, që monitorojmë zhurmat urbane. Kjo bëhet me një fond të Ministrisë së Mjedisit, por që s’është as i mjaftueshëm dhe as stabël. Fondi është shkurtuar në mënyrë drastike. Sivjet Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një fond për të blerë aparatura të reja.

Arrini të monitoroni sipas parametrave dhe cilët janë specialistët e ekipit tuaj?

Specialistët këtu janë dy fizikantë dhe një mjeke. Zhurmat urbane monitorohen sipas metodologjisë së BE-së.

Shpesh nga “specialistë” jepen për media rezultate matjesh, që nuk janë në fakt rezultate monitorimesh, por që atyre u pëlqen t’i quajnë kështu, duke shfrytëzuar edhe mungesën e informacionit të gazetarëve. Çfarë është një monitorim korrekt në rastin e zhurmave urbane?

Brenda 1 viti matje një javë non-stop. Ky është monitorimi i zhurmave.

Në sa qytete shtrihet monitorimi dhe në çfarë shkalle realizohet?

Në Tiranë janë 15 pika monitorimi, ku të rëndësishme janë kryqëzimet, Blloku, Zogu i Zi, 21-shi, Selvia, Lapraka...Durrësi ka 6 pika, ndërsa Elbasani, Korça, Vlora, Saranda, Shkodra kanë nga 4 pika monitorimi secila.

Sa është shkalla e ndotjes akustike në mjediset tona urbane, mesatarisht?

Limitet janë 10-15 % dB ( decibel) më të larta se norma e lejuar e OBSH-së. Norma e lejuar në mjediset urbane është 60-65 dB.

Ju keni pesë vjet që monitoroni. Gjatë kësaj kohe çfarë keni venë re në vazhdimësi?

Ka një dukuri që po vihet re, sidomos në Tiranë dhe në Durrës, trafiku natën, po vjen duke u shtuar. Natën në po të njëjtët kryqëzime për të cilët BE raporton 40dB, tek ne arrihet deri në 55dB. Ky është një tregues negativ për nivelin e zhurmave dhe nga an tjetër flet për gjallërimin e shpejtë të jetës së natës në Tiranë.

Në monitorimet tuaja bazoheni kryesisht tek burimet e trafikut. Por çfarë ndodh me burimet e palëvizshme, si në rastin e bizneseve të vogla, zhurmës së magnetofonave dhe të mos harrojmë gjeneratorët. A janë këto pjesë e monitorimit?

Koha e ekspozimit ndaj tyre shpesh nuk është e përfillshme dhe nuk është aq problematike, zakonisht zhurmat jo të përhershme nuk arrijnë të pasqyrohen. Por ne e dimë me përafërsi se ç’vend zënë ato dhe po ashtu efektet mbi popullatë.

Në shumë raste, sidomos në zona ku ndërtohet, ka një sasi të madhe zhurme. Sa shqetësuese është kjo sipas jush?

Në varësi të miniindustrisë në lagje mund të shohim nivele të ndryshme e zhurmash. Për zhurmat urbane, impakti në shëndet varet edhe nga lartësia. Në lartësinë 2-4 metra niveli i zhurmës është gjithmonë më i madh, pastaj me ngritjen e këndit zhurma thuajse përgjysmohet. Por ndryshe ndodh me aktivitet në katet e para të pallateve, sepse ato shkaktojnë vibracion brenda pallatit. Këto lloj zhurmash e kanë njëlloj efektin si në katin e parë si në të fundit.

Vetëm një rasat njihet si “pionieri” i mbrojtjes ndaj ndotjes akustike, ka qenë një jurist që hodhi në gjyq pronarin e një pabi nën pallatin e tij dhe që kërkoi dëmshpërblim për uljen e nivelit të dëgjimit, midis të tjerash. Në fakt, çfarë procedure dhe çfarë sanksionesh ka për shkaktuesit e zhurmave?

Në Tiranë është bërë e rrugës që të kërkohen matje për nivelin e zhurmës në pabe, lokale. Është bashkia që kërkon, ndërsa ne bëjmë matjet. Por për sa iu përket aktiviteteve të tjera, si punimit me duralumin, dru, furrave të bukës...është Agjencia Rajonale e Mjedisit që duhet të procedojë....Me sa di ato nuk kanë leje mjedisore, por kanë pëlqime mjedisore. Janë subjekte të tjera ato që marrin vlerësim për ndikimin në mjedis...Ka raste kur kërkohen matje, sepse ka ankesa. Dhe aty ku kërkohet ARM ua lë për detyrë vetë subjekteve dhe ata i bëjnë këto matje...

Pronarët me sa duket “ i rregullojnë” letrat e “ekspertizës”dhe vazhdojnë të qetë shqetësimin e banorëve. Si mund të procedohet që kjo gjë të zgjidhet, pa u mbyllur brenda rrethit vicioz të gjërave false?

Në Shqipëri jepen përqindje mjedisore formale dhe ARM e ka kthyer në biznes këtë gjë...

Sanksione s’ka. Kanë çertifikuar disa “specialistë”, që më të shumtën nuk janë as në profesionet e tyre, si bie fjala një gjeolog që del garant për matjet e zhurmave. Ndërsa ne, që jemi fizikantë dhe që merremi pikërisht me këtë gjë, s’kemi as statusin e inspektorit.

Nëse do të bënim një krahasim me vende të tjera të kontinentit, ku renditet Shqipëria për nga niveli i zhurmave?

Kemi një vlerë të përafërt. Ne jemi sipër Çekisë. Ka një renditje të tillë: Finlanda, Izraeli, Suedia, Anglia...Popullata e ekspozuar në zhurma të nivelit mbi 65 dB në Shqipëri zë mbi 65% e popullsisë. Është e rriskuar, sepse është e ekspozuar në nivelet me mbi 65 dB.

Cilat janë rreziqet reale për shëndetin e popullatës së ekspozuar në këto nivele zhurmash?

OBSH ka përcaktuar efektet e zhurmave në shëndetin e popullatës dhe ato konsistojnë në intereferencën e transmetimit të fjalëve, në prishjen e gjumit, në efekte psikologjike, në efekte mbi shëndetin mendor dhe performancat, domethënë në realizimin e gjithçkaje që kryen një person nën ekspozimin e zhurmës mbi kufijtë e lejuar. Po gjithashtu ka përcaktuar edhe efektet në sjelljen me fqinjët dhe familjarët. Efektet e zhurmave urbane janë efekte psiko-fiziologjke që ndikojnë në jetën e përditshme.

Po nga monitorimet tuaja çfarë ka rezultuar dhe çfarë rekomandimesh keni dhënë ju për përmirësimin e situatës?

Disa nga konkluzionet që janë arritur konsistojnë në faktorët e zhurmës, si fluksi i madh i automjeteve, lëvizja mjeteve të rënda mbi 10 tonë që rrisin 30% nivelin e zhurmave urbane, lëvizjet parazitare, burimet e mjeteve të rënda, mungesa e parkingjeve, mungesa e rrugëve dytësore e tretësore, gjendja motorike e mjeteve...kufizimi i lëvizjes së mjeteve të rënda dhe zgjidhjet në infrastrukturë do e ulin ndjeshëm nivelin e zhurmave.

Ju jeni një nga specialistët që keni kontribuar në bërjen e projektligjit për zhurmat. Si po shkon puna me bërjen e ligjit?

Ligji, brenda këtij viti duhet të mbarojë. Projektligji, është tani në shqyrtim, ku janë marrë parasysh të gjitha, aspekti teknik, metodologjia, sanksionet...

Efektet mbi shëndetin

Efektet e ndotjes nga zhurma mbi shëndetin e popullatës shkojnë deri në defiçitin në dëgjim. Disa prej tyre, më të dukshme prej çdo banori të qyteteve kryesore shqiptare, janë:

  • Interferencat me transmetimin e fjalës
  • Prishja e gjumit dhe gjendjeve te pushimit
  • Efektet psikofiziologjike
  • Eefektet mbi shëndetin mendor dhe efektet mbi performancat
  • Efektet mbi sjelljen me fqinjët dhe reagime patologjike
  • Interferenca me aktivitetet e tjera.

Zhurmat në BE

Burimet kryesore të zhurmës së mjedisit përfshijnë: trafikun ajror, trafikun rrugor, trafikun hekurudhor, industritë, ndërtimin dhe punët publike si dhe rrethinat. Burimet kryesore të zhurmës së brendshme janë sistemet e ventilimit, aparaturat (makinat e zyrave), aparatet shtëpiake, etj.
Në Bashkimin Europian rreth 40% e popullsisë është e ekspozuar ndaj zhurmave të trafikut rrugor që kapin vlerën e një niveli presioni akustik mbi 55 dB (A) gjatë ditës dhe 20 % janë të ekspozuar në nivelin mbi 65 dB (A). Kur të gjitha zhurmat e transportit mblidhen, vlerësohet që mbi gjysma e popullsisë se qytetarëve të Bashkimit Europian jetojnë në zona ku nuk sigurojnë një minimum të komfortit akustik.Gjatë natës, mbi 30 % janë të ekspozuar në nivele akustike që i kalojnë 55 dB(A), që përfshin gjumin e tyre.

Ndotja zanore është veçanërisht e rëndë në vendet në zhvillim si dhe vendi ynë. Ajo i detyrohet kryesisht trafikut rrugor dhe në zonat me dendësi të madhe të trafikut rrugor, nivelet e presionit akustik gjatë ditës arrijnë 75-80 dB(A).

Ndryshe nga shume probleme të tjera të mjedisit, ndotja nga zhurma vazhdon të evoluojë dhe të krijojë një numër ankesash në rritje të asaj pjese të personave që janë të ekspozuar. Rritja e ndotjes zanore është e pasuportueshme, sepse ajo ka efekte negative mbi shëndetin, në të njëjtën kohë efekte direkte dhe efekte të grumbulluara, të akumuluara. Ajo prek gjithashtu brezat e ardhshëm dhe ka implikime mbi efektet social-kulturore, fizike dhe ekonomike.


ABC nr.50- Olimbi Velaj