Fundviti, një Fjalor Enciklopedik gjithëpërfshirës

Puna e 21 redaksive për të lançuar 2000 zëra të rinj dhe 5000 të përpunuar nga fjalori ekzistues

Leonard Veizi

Ajo që u mendua më shpesh, kishte të bënte me gjithëpërfshirjen në një fjalor të vetëm enciklopedik. Me dhjetëra figura që i kanë dhënë kombit shqiptar as që janë përmendur qoftë dhe tangent në vëllimin prej më shumë se 1200 faqesh të Enciklopedisë Shqiptare 1985. Ndërkohë që gjithashtu mendohej se Fjalori Enciklopedik Shqiptar i mëparshëm, kishte politizim të tejskajshëm. Për të gjitha këto Akademia e Shkencave e pa të arsyeshme ta rikonceptonte edhe një herë Fjalorin Enciklopedik.

Pas 21 vjetësh, Shqipëria do të ketë një Fjalor Enciklopedik krejtësisht të rinovuar. Rreth 90 për qind e zërave të tij do të jenë të rinj, ndërsa do të ketë edhe afro 2000 zëra më shumë se ai i vitit 1985, i cili gjithsej kishte 5000 të tillë. Veçori të tij janë gjithëpërfshirja e trevave shqiptare dhe vendi i madh i lënë për personat.

Zërat

Lënda për të thuajse është e mbledhur 100 për qind dhe, sipas drejtuesit të projektit, Prof. Emil Lafes, kemi të bëjmë me një vepër thuajse të re. 90 për qind e zërave që do të përfshihen në të nuk janë ndeshur në fjalorin e parë. Por thelbi i saj, ajo çka e dallon edhe më shumë nga botimi i parë është përfshirja shumë e madhe e zërave persona.

Shifrat

Nëse flasim në gjuhën e shifrave, nga 1/7 që kanë qenë në fjalorin e 1985, në këtë fjalor i cili përfundon përgatitjen e tij në fund të këtij viti, për të qenë i prekshëm për të gjithë në muajt e parë të viti 2007, zërat persona do të përbëjnë 1/3 e tij. Duke pasur një veçori të tillë, nuk kanë mbetur jashtë figura të njohura të artit e kinematografisë, të cilët ndonëse nuk kanë jetuar në Shqipëri kanë bërë të njohur emrin e saj në botë. Këtu mund të përmendim emra si Bekim Fehmiu apo piktori Ibrahim Kodra, i cili, ndonëse pushoi së marri frymë në Itali, la amanet që trupi i tij të prehej në vendlindje.

Gjithëpërfshirja

Po sipas Lafes: “Tjetër veçori thelbësore e tij është përfshirja shumë e gjerë e zërave nga trevat shqiptare, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, duke mos lënë jashtë edhe diasporën shqiptare”. Ky fjalor, i cili përmban më shumë se 7000 zëra, që do të thotë diçka më shumë se 2000 zëra të rinj, është realizuar i gjithi nën përkujdesjen e Qendrës së Enciklopedisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.

Trevat

I konceptuar si një vepër mbarëkombëtare, ky fjalor nuk është kufizuar vetëm në zërat që kanë të bëjnë me kufijtë e Shqipërisë politike, por është shtrirë në të gjitha trevat shqiptare. Drejtuesi Lafe thekson: “Kjo nuk do të thotë se në fjalorin e viti 1985 nuk ka pasur një përfshirje të këtyre trevave, por ato kanë qenë shumë të kufizuara“. Duket se ky ka qenë një “defekt“, i cili duhej të ndreqej e për këtë, janë marrë masat mirë.

Gjeografia

Nëse merret si shembull, sektori gjeografik është realizuar përfshirja e të gjitha objekteve gjeografike që janë edhe jashtë Shqipërisë shtetërore. Pra të përfaqësohet gjeografia e trojeve shqiptare, jo vetëm ajo fizike, por edhe ajo e qendrave të banuara. E për këtë ka pasur edhe një bashkëpunim me gjeografë prej këtyre trevave. Në të nuk do të ketë vetëm të zezë mbi të bardhë, por edhe foto ilustruese, të cilat janë shumë të rëndësishme për një botim të tillë. “Jemi munduar që të ilustrojmë me foto çdo gjë ka qenë e mundur. Një pjesë janë foto të reja, disa janë trashëguar nga fjalori i vjetër. Ndërsa një ndihmë shumë të madhe na kanë dhënë edhe Institutet e varësisë së Akademisë, të cilat janë jo pak të pasura me foto”, - pohon Lafe.

Fotografia

Një ndihmë e veçantë ka ardhur nga Instituti i Kulturës Popullore, i cili ka një arkivë fotografike shumë të pasur të veshjeve dhe objekteve të ndryshme. Por për t u botuar ky, do një financim shumë të madh, i cili duket se nuk është ndonjë “shqetësim” për Lafen, pasi është optimist, se, nëse të gjitha materialet e tij do t i paraqiten një shtetari, ai do të pranojë të financojë një botim të tillë, i cili është mbarëkombëtar. Ajo çka ka përbërë edhe shqetësimin më të madh të deritanishëm për të ka qenë cilësia e tij dhe mbi këtë ka mëshuar përgjatë gjithë kësaj kohe. Edhe nëse nuk gjenden për një tirazh të kënaqshëm, nuk do të jetë e vështirë që të gjenden para për 3000 kopje të tij. Por Akademia nuk ka fondin e mjaftueshëm për momentin.

21 fusha studimi
Puna voluminoze për enciklopedinë e re


Duket e vështirë për drejtuesin e projektit të realizimit të Fjalorit Enciklopedik, prof.Emil Lafen, të përmendë një numër të punonjësve që kanë punuar për të, qoftë edhe me përafërsi, pasi janë qindra. Por është e sigurt se janë plot 21 redaksi përfaqësuese të 21 fushave, të cilat kanë tërhequr edhe specialistët me të cilët kanë bashkëpunuar, zërat e të cilave janë të përfshirë në fjalor. Mund të përmendim jo vetëm art e kulturë, gjeografi e histori, që janë ndër fushat thelbësore të tij, por edhe shkencat ekzakte, gjeologji-miniera apo edhe energjetikë etj. E nëse fjalori i parë, mjaft voluminoz, ka pasur rreth 1220 faqe, fjalori i ri, i cili pritet së shpejti të jetë në duart e lexuesve, do të jetë edhe më voluminoz për hir të më shumë se 2000 zërave të rinj që janë përfshirë në të. Emra të mëdhenj të shkencës shqiptare kanë punuar për realizimin e fjalorit të parë enciklopedik shqiptar. Puna ka qenë e udhëhequr prej kryetarit të atëhershëm të Akademisë së Shkencave, prof. Aleks Budës, për të vijuar me të tjerë emra të njohur si estetisti Alfred Uçi, histioriani Arben Puto, shkrimtari Dhimitër Shuteriqi, piktori Kujtim Buza, skulptori Odise Paskali, për të vijuar edhe me gjuhëtarin Xhevat Lloshi, pa lënë mënjanë edhe shumë personalitete të tjera, falë të cilëve është bërë i mundur botimi i këtij fjalori aso kohe. Ndërsa sot, projekti që drejtohet nga prof. Emil Lafe, ka disa emra të tjerë, të cilët nuk kanë qenë pjesë e grupit për realizimin e fjalorit të parë. Mund të përmenden emra të tillë si prof.Hysen Kordha, i cili është përgjegjësi i sektorit të historisë dhe shkencave shoqërore për të vijuar me emra të tjerë si Vilma Proko dhe Aziz Gjergji.

Bashkëpunimi me Kosovën

Deri më tani Shqipëria nuk ka një Enciklopedi të sajën, por vetëm një Fjalor të Enciklopedisë të vitit 1985, i cili së fundi do të rinovohet thuajse i tëri. Duket se pavarësisht problemeve të shumta që e rrethojnë prej kohësh Akademinë e Shkencave dhe dilemat për ta kaluar thjesht një akademi honorifike, ajo nuk ka reshtur as së punuari e as së bashkëpunuari. Në sajë të një ndërveprimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duket se më në fund Shqipëria do të ketë një Enciklopedi të sajën. Sipas prof. Emil Lafes: “Kjo do të jetë një Enciklopedi shumë më e gjerë se fjalori me 7000 zëra. Ajo do të ketë së paku dyfishin e saj dhe me një vëllim trajtimi të zërave shumë herë më të zgjeruar se ai që ka një zë në fjalor”.


Gazeta BALLKAN