Identiteti i Europës - themelet e saja shpirtërore, dje, sot dhe nesër
Joseph Ratzinger – BENEDIKTI XVI
Përmbledhje
Për të treguar identitetin e Evropës, autori në studimin e tij shpalos të kaluarën e saj, themelet shpirtërore mbi të cilën është krijuar kontinenti i sotëm. Historia e Evropës ka filluar në pjesën e Mesdheut të sotëm, për t’u zgjeruar kah perëndimi, në shtetet skandinave dhe në veri-lindje. Identitetin e Evropës, pa dyshim – konstaton artikullshkruesi – e gjejmë në qytetërimin e krishterë, sepse vetë Evropa nuk mund të paramendohet pa traditën e krishterë. Sot Evropa është në një proces të bashkimit të saj, dëshirë e kahershme e shumë evropianëve, porse iu desht një tragjedi shkatërrimtare (Lufta e II Botërore) për të kuptuar se vetëm e bashkuar ajo mund të jetë vend/kontinent i paqes së përhershme. Edhe procesi i Bashkimit të Evropës, në themelet e saja, i ka etërit e vet të krishterë, Adenauer, Schuman, De Gaspari, të cilët e krijuan mundësinë e fillimin e bashkimit të të gjithë popujve të Evropës, nëpërmes principeve të nxjerra nga doktrina sociale e Kishës Katolike; principi i të mirës së përbashkët, solidariteti dhe subsidiariteti. Autori e përmbyll artikullin me konstatimin se sot Evropa ka pak shenja të një qytetërimi të krishterë, përkatësisht është zbehur apo edhe është larguar nga principet e krishtera që ishin baza e krijimit të shpirtit të saj. Evropa nuk do të ketë të ardhme nëse ajo nuk iu kthehet rrënjëve të saja, nëse në legjistraturën e saj e dëbon Zotin dhe krishterimin – shpirtin e saj. Prandaj, bëhet thirrje urgjente që të shpëtohet shpirti i Evropës, sepse e kundërta i kanoset perëndimi i pashmangshëm dhe fundosja në humnerën e një paganizmi të ri.
Ç’është Evropa? Këtë pyetje e kishte bërë disa herë edhe Kardinali Józef Glemp në mesin e një grupi gjuhëtarësh të Sinodit ipeshkvor për Evropën: ku fillon dhe ku mbaron Evropa? Pse, për shembull, Sibiri nuk është pjesë e Evropës, ndonëse edhe atje jetojnë evropianët, të cilët kanë krejtësisht metodë të njëjtë të të gjykuarit dhe të të jetuarit? Ku mbarojnë kufijtë e Evropës në jugun e popujve të Rusisë? Ku kalon kufiri i saj përgjatë Atlantikut? Cilat ujëdhesa janë e cilat nuk janë Evropë dhe pse nuk janë? Në këto takime diskutimesh na bëhet krejtësisht e qartë, se Evropa është koncept gjeografik vetëm në kuptimin anësor; Evropa është kontinent që s’mund të kufizohet saktësisht me koncepte gjeografike. Përkundrazi, Evropa është koncept kulturor dhe historik.
1. Krijimi i Evropës
Krijimi i Evropës shpaloset shumë mirë, nëse kthehemi në burimet e saja. Kur bisedohet për themelet e Evropës, zakonisht Herodoti (rreth 484 – 425 para Krishtit), merret si i pari që e pranoi Evropën si koncept gjeografik, duke i dhënë këtë definicion: „Persianët e konsiderojnë Azinë dhe popujt barbarë që jetojnë atje si popuj të veçantë, derisa Evropën dhe Botën greke e konsiderojnë territor të posaçëm.“1 Këtu nuk jepen kufijtë e Evropës, por është e qartë se vendet që e përbëjnë celulën e Evropës së sotme, shtriheshin krejtësisht jashtë fushëpamjes së historianit antik. Vërtet, me krijimin e shteteve të vogla greke dhe Perandorisë Romake u formua kontinenti, që më vonë u bë themel i Evropës së ardhshme, porse me kufij krejtësisht tjerë: atëherë ishin vendet rreth Mesdheut, që, falë ndërlidhjeve të tyre kulturore, rrugore dhe tregtare, si dhe sistemit të përbashkët politik, bashkë njëra me tjetrën, e krijuan një kontinent të vërtetë. Dhe vetëm depërtimi i islamit në shek. 7 dhe në shek. 8 e ngrehi vijën kufitare në Mesdhe, duke e ndarë, thënë figurativisht, atë që deri atëherë ishte një kontinent me tri kontinente: Azinë, Afrikën dhe Evropën.
Bota antike në Lindje u transformua më ngadalshëm se sa në Perëndim. Perandoria Romake kishte qendrën në Konstantinopol – edhe pse shkonte gjithnjë e më tepër kah fundosja – deri në shek. 15.2 Derisa pjesa jugore e vendeve të Mesdheut, gjatë viteve të 700-ta, krejtësisht humbi atë që konsiderohej qendër kulturore e kontinetit, e në të njëjtën kohë, Evropa shtrihej gjithë e më tepër në perëndim. Limes (kufijtë) që kosideroheshin kontinentalë, shuhen dhe hapen hapësira të reja historike, që tani përfshinin Galinë, Germaninë dhe Britaninë, si vende – qeliza të vërteta të kontinentit, dhe tutje shtrihej në drejtim të Skandinavisë. Gjatë këtij procesi ndryshimesh e tansformimesh të kujfijve, teologjia e historisë garantonte një kontinent ideal me kontinentin e mëparshëm mesdhetar, konstruktimi i të cilit do të vendosej me koncepte të ndryshme gjeografike. Duke nxjerrë asociacione nga libri i Danielit profet e të pajisura me besimin e krishterë, Perandoria Romake e reformuar e mbante veten si mbretëri të fundit dhe të përjetshme në historinë e përgjithshme botërore. Së këndejmi, bashkësia e posakrijuar prej shteteve dhe popujve, quhej Sacrum Imperium Romanum i përhershëm.
Procesi i krijimit të identitetit të ri historik dhe kulturor përfundoi, me plot vetëdije, gjatë kohës së sundimit të Karlit të Madh (rreth 747-814). Emri i lashtë i Evropës këtu do të rishfaqet me kuptim të ri. Ky emër tani nënkuptonte mbretërinë e Karlit të Madh dhe, në bazë të kësaj, bashkësia e re e shteteve, manifestonte kontinuitetin dhe risinë, e, njëkohësisht, paraqitej si forcë e vërtetë e ardhmërisë, sepse shikohej si kontinuitet historik i botës së deriatëhershme, e cila përfundimisht ishte bregëzuar në atë që përgjithmonë do të qëndrojë.3 Kjo vetëkuptimësi që krijohej, shfaqte edhe vetëdijen e kalueshmërisë (kontingjencës), edhe vetëdijen e një misioni të vetëm. Vërtet, koncepti i Evropës shumë shpejt do të shuhej në mbarimin e mbretërisë karolinge, për të mbetur gjallë vetëm në diskutimet e njerzëve të shkolluar; në bisedat e popullit të thjeshtë ajo do të lajmërohej vetëm në fillimin e kohës moderne – gjithsesi e ndërlidhur me kërcënimin Turk, si një formë vetidentifikimi – e që përgjithësisht do të rishfaqej, imponohej në shek. 18. Varësisht nga historiku i konceptit, krijimi i Mbretërisë së Frankëve, si mbretëri e pashuar ndonjëherë, dhe tani Perandoria Romake e reformuar nënkupton hapin vendimtar kah fenomeni që ne sot e mendojmë kur flasim për Evropën.4
Kursesi s’duhet ta harrojmë rrënjën tjetër të Evropës, rrënjën jo perëndimore. Perandoria Romake ka ekzistuar, siç u përmend më lart, në Bizant, përkundër dëbimeve të popujve dhe invazionit të Islamit. Bizanti konsiderohej Romë e vërtetë; Perandoria në Bizant kurrë nuk u zhduk, së këndejmi kishte arsye për ta fituar të drejtën për të marrë pjesë në pjesën perëndimore të Perandorisë. Kjo Perandori Romake Lindore më vonë do të shtrihej edhe në Veri deri në botën sllave. Kështu krijohet një botë më vete, bota greko-romake, që dallohet nga Evropa Perëndimore Latine për nga liturgjia, për nga strukturimi tjetër kishtar, për nga gjuha/alfabeti – shkrimi, si dhe për nga braktisja e gjuhës latine si gjuhë e përbashkët, që atëherë mësohej nga të gjithë.
Patjetër që gjenden edhe elementë të mjaftueshëm të përbashkët nga këto dy botëra që do të mund të përbënin një kontinent të vetëm. Në radhë të parë, trashëgimia e përbashkët biblike dhe Kishës së lashtë, e cila, jashtë këtyre dy botërave, e ka themelin në Palestinë, jashtë Evropës. Pos kësaj, kemi idenë e përbashkët të Perandorisë, të kuptuarit e njëjtë për themelet e Kishës dhe krijimin e përbashkët të koncepteve bazë të drejtësisë dhe të mjeteve/instrumeneve të drejtësisë. Së fundi, do të përmendja edhe Rregulltarinë, e cila ka qëndruar gjatë ndeshtrashave historike si bartëse qenësore jo vetëm e kontinentit kulturor, por mbi të gjitha si bazë e vlerave religjioze dhe morale, bazë për ta orientuar njeriun për të fundmet e tij (kah eskatoni); si forcë parapolitike dhe mbipolitike u shndërrua në bartëse të përhershme e reformave të vazhdueshme.5
Mes këtyre dy Evropave, përkundër traditës së përbashkët kishtare, ende ekziston dallimi i thellë mes tyre, që e ka evidentuar veçanërisht Endre von Ivánka: në Bizant Perandoria dhe Kisha gati se janë të identifikuara njëra me tjetrën; mbreti është udhëheqës edhe i Kishës. Ai e mban vetën për zëvendës të Krishtit, dhe, duke u ndërlidhur me personin Milekesedekun, që ishte mbret dhe prift (Zan 14, 18), prej shek. 6, kishte marrë titullin „mbret dhe prift“.6 Për faktin se, që nga koha e Konstantinit mbreti s’e kishte selinë në Romë, në kryeqytetin e hershëm të Perandorisë, ka mundur të zhvillohet autonomia e ipeshkvit të Romës si pasardhës i Pjetrit dhe si kryebari i Kishës. Që nga koha konstantiniane është mësuar për dualizmin e pushtetit: mbreti dhe papa e kanë pushtetin të ndarë, asnjëri nuk ka pushtet të plotë. Papa Gelasia I (492-496) në letrën e tij drejtuar mbretit Anastasit e ka shfaqur konceptin e Perëndimit, e më qartësisht në traktatin e katërt, ku ai para Tipologjisë së Milkesedekut të Bizantit, thekson se pushteti i vetëm i përket eksluzivisht Krishtit: „Ai (Krishti) për shkak të dobësive (superbia! krenarisë) njerëzore i ka ndarë dy shërbimet që askush të mos krenohet“ (kreu 11). Për gjërat e jetës së pasosur mbretërit e krishterë kanë nevojë për meshtarë (pontifices), e meshtarët në anën tjetër iu nënshtrohen udhëzimeve të mbretit për sa i përket gjërave kohore. Për sa i përket gjërave të kësaj bote, meshtarët duhet t’i respektojnë ligjet e mbretit të zgjedhur sipas vullnetit të Hyjit, i cili megjithatë në çështje të fesë (hyjnore) duhet t’i nënshtrohet meshtarit.7
Me këtë konceptim është bërë ndarja dhe dallimi i dy pushteteve (autoriteteve), që ka rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të Evropës dhe, të themi ashtu, krijohet baza e asaj që konsiderohet veçanësi e Perëndimit. Ndonëse nga te dyja anët kundërshtare të kësaj ndarjeje gjithmonë ka mbetur e gjallë tendenca për pushtim totalitar (pushtet i tërësishëm), tendencë kjo, që dëshira e njërit të imponohet mbi tjetrin, ka krijuar që ky parim i dallimeve dhe ndarjeve të bëhet shkak i vuajtjeve të pafundme. Mënyra për ta jetësuar këtë parim dhe për ta zabtuar në politikë e në religjion, mbetet problemi themeltar për Evropën e tashme dhe të ardhme.
2. Transformimet kah koha moderne
Nëse mbështetemi në atë që u tha deri më tani, për krijimin e Mbretërisë Karoline, në njërën anë, si dhe për vazhdimin e Perandorisë Romake në Bizant dhe për misionet e saja ndër popujt sllavë, në anën tjetër, mund ta konsiderojmë lindje të vërtetë të kontinentit të Evropës. Ky fillim i kohës moderne nënkuptonte për të dy Evropat transformim rrënjësor që do të prekte vetë shpirtin e saj dhe kufijtë gjeografikë. Në vitin 1453 Konstantinopoli ishte pushtuar nga turqit. Këtë ndodhi me pak fjalë e komenton O. Hiltbrunner: „Të fundit... të shkolluarit u dëbuan... në Itali dhe e bartën diturinë e teksteve origjinale greke tek humanistët e renesancës; porse Lindja përmbysej në zhdukje të kulturës.“8 Ky pohim tingëllon paksa i vrazhdtë, sepse edhe osmanlinjët kanë pasur kuturën e vet. Por është e vërtetë se kultura greko – krishtere, kultura evropiane, kultura e Bizantit përjetonte fundin e saj.
Në këtë mënyrë njëri krah i Evropës ishte në rrezik për t’u shuar, por tradita e Bizantit nuk u zhduk. Moska që e konsideronte veten si Roma e tretë, e krijoi patriarkatin e vet në bazë të idesë së dytë të translatio imperii (transferit të perandorisë) dhe paraqitej në arenën botërore si Sacrum Imperium i reformuar – si formë specifike e Evropës, që do të mbetet e lidhur me Perëndimin dhe gjithnjë e drejtuar ka ajo deri në atë masë sa që Pjetri i Madh u mundua ta bëjë vend perëndimor. Kjo zhvendosje e Evropës bizantine në Veri, hapte shtegun që kufijtë e kontinentit të ndesheshin po ashtu edhe me Lindjen. Përcaktimi i kufirit në Ural është krejtësisht i pavullnetshëm. Sidoqoftë, përballë saj në lindje, u krijua një lloj nënstrukture e Evropës, as Asi as Evropë, që, në thelb, i formëson subjekti evropian, pa qenë vetë bartës i karakterit të këtij subjekti, porse është objekt që vetë nuk është bartëse e kësaj historie. Ndoshta me këtë është definuar në përgjithësi esenca e statusit kolonial.
Për sa i përket Evropës bizantine, jo perëndimore, në fillimin e kohës moderne mund të flasim për ngjarje të dyfishtë: në njërën anë kemi rrënimin e Bizantit të vjetër në kontinuitetin historik të saj me Perandorinë Romake; në anën tjetër Evropa me Moskën e fiton qendrën e re dhe i zgjeron kufijtë e saj deri në Veri që përfundimisht të ngrisë në Sibir njëfarëlloj nënstrukture koloniale. Njëkohësisht mund të vërtetojmë edhe në Perëndim një proces të dyfishtë me një histori të jashëzakonshme. Një numër i madh nga radhët e popullit gjerman ndahet nga Roma; shfaqet një formë e re „më e avancuar“ e krishterimit, kështu që tani përmes Perëndimit kalon vija e ndarjes dhe në mënyrë evidente krijon limes (kufij) kulturalë, kufij specifikë mes dy mënyrave të të menduarit dhe të të jetuarit. Pa mëdyshje, edhe përbrenda botës protestante ekzistojnë thyerjet, në rradhë të parë mes luteranëve dhe të krishterëve të reformuar, që iu bashkangjiten metodistët dhe presbyterianët, derisa kisha anglikane mundohet të mbajë një qëndrim të ndërmjetëm mes katolikëve dhe evangjelistëve; kësaj ndarjeje do t’i shtohet edhe dallimi mes krishterimit të formuar si Kisha shtetërore, që bëhet veçori e Evropës, dhe kishave të lira, që folenë e kanë në SHBA, për të cilat do të bëhet fjalë më vonë.
Të përqëndrohemi së pari në një rast tjetër që thelbësisht e karakterizon gjendjen e kohës moderne, të asaj që doherësh ishte Evropa latine: zbulimi i Amerikës. Zgjerimi i Evropës në Veri, duke iu falenderuar zgjerimit të Rusisë kah Azia, përkon me kalimin radikal të Evropës jashtë kufijëve të saj gjeografikë kah bota matanë Oqeanit, e që tani ka emrin Amerikë. Ndarja e Evropës në pjesë latino-katolike dhe gjermano-protestante reflektohet dhe realizohet edhe në atë pjesë të botës që e kishte pushtuar Evropa. Në fillim edhe Amerika është Evropë e zgjëruar, koloni, porse ajo, njëkohësisht, me tronditjet në Evropë, gjatë kohës së Revolucionit Francez, bëhet subjek i pavarur prej shek. 19 e më vonë, edhe pse në thellësi, e formësuar me lindje/pjellë evropiane, ajo përballë Evropës, megjithatë, do bëhet subjekt i pavarur.
Përpjekja jonë që ta shpalosim historikisht thellësinë e identitetit të Evropës, ka rezultuar që atë ta venerojmë përmes dy transformimeve themelore historike: rrënimi i kontinentit të vjetër mesdhetar që e shkaktoi Sacrum Imperium, i shtrirë në veri të Mesdheut, në të cilën që nga koha karolinge Evropa formësohet si botë perëndimore-latine; krahas kësaj, kemi vazhimësinë e Romës së vjetër në Bizant dhe shtrirjen e saj kah bota sllave. Si hapin e dytë kemi vërjetur fundosjen e Bizantit dhe, si pasojë e kësaj, transferimin e Evropës dhe konceptimin e krishterë të mbretërisë në Veri dhe në Jug. Mandej, në brendësinë e Evropës ndarjen në botën gjermano-protestante dhe latno-katolike, si dhe bartjen e kësaj ndareje në Amerikë dhe përfundimisht formomimin e subjektit të pavarur historik përballë Evropës.
Tani duhet të kemi parasysh transformimin e tretë, i cili fundin e vet e ka në Revolucionin Francez. Është e vërtetë se Sacrum Imperium si realitet politik që nga fillimi i Mesjetës së vonë përjetonte shenja të rrënimit dhe ishte gjithë e më i brishtë në shpjegimin valid e të qëndrueshëm të historisë, por vetëm tani e kemi thyerjen formale të këtij rrethi shpirtëror, pa të cilin Evropa nuk do të mund të formësohej. Ky proces është ngjarje me rëndësi të madhe si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ideor. Nga aspekti ideor nënkuptonte braktisjen e idesë së themelimit sakral të historisë dhe të krijimit të shtetit. Historisa nuk paraprihej dhe nuk formësohej më simbas idesë mbi Hyjin; shteti konceptohej krejtësisht simbas koncepteve shekullare, kurse për bazë kishte racionalitetin dhe vullnetin e qytetarëve. Për herë të parë në histori krijohet shteti i pastër shekullar që e braktiste dhe nuk përfillte dorëzaninë dhe normanizimin hyjnor të elementit politik, duke i konsideruar si botëshikime mitologjike, kurse Hyjin e shpallte si çështje private që s’është pjesë e opinionit publik dhe formimit të përgjithshëm të vullnetit. Jeta pubike konsiderohej vetëm si çështje e arsyes që s’mund ta njohë Hyjin qartë. Religjioni dhe feja në Hyjin i përkasin sferës së ndjesisë e jo sferës së arsyes. Hyji dhe vullneti i tij më nuk vlerësoheshin në jetën publike.
Kështu, ka fundi i shek. 18 dhe në fillim të shek. 19 u shfaq një formë e re e ndarjes, peshën e të cilës tani e hetojmë shumë më qartë. Në gjuhën gjermane nuk ka emër, sepse aty më pak ka pasur reflektim. Në gjuhët latine/romane kjo ndarje shquhej si dallim mes të krishterëve dhe laikëve. Kjo thyerje gjatë dy shekujve të fundit ka depërtuar në popujt latinë si plasaritje e thellë, derisa në krishterimin protestant fillimisht ishte më lehtë, që përbrenda të krijohej hapësirë për futjen e ideve liberale dhe iluministe, pa patur nevojë që të shkatërrohet baza e gjërë e koncensusit.
Aspekti realpolitik i rrënimit të idesë së vjetër të mbretërisë përbëhet prej asaj që kombet, përkatësisht shtetet që njiheshin si të tilla, falë krijimit të rajonve të veçanta gjuhësore, përfundimisht shfaqen si bartëse të vërteta të historisë dhe me këtë fitojnë vlerën që më parë nuk e kishin. Ky shpërthim dramatik pluralist i subjektit historik tregohet në faktin se të gjitha kombet e mëdha evropiane e ndjenin vetën si trashëgimtare të dërgimit/misionit universal, që pashmangshmërisht do të kenë rrjedhojë konfliktin reciprok, goditjen vdekjeprurëse, të cilën e përjetuam me dhimbje në shekullin e posakaluar.
Krijoni Kontakt