KRIMI / Itali: Autori i vrasjes kërkoi të përballej pasi e la e dashura për emigrantin
Serbët, thikë në zemër shqiptarit
I dashuri i vajzës me të cilën u fejua ekzekutoi 20-vjeçarin
Jeta e një emigranti shqiptar të ligjshëm në Itali, ka marrë fund gjatë rrugës për në spital. Ai u qëllua tri herë me thikë nga një grup personash sllavë në një zonë të Parmës në Itali.
Pothuajse të gjitha mediat italiane kanë publikuar dje lajmin për vrasjen e shqiptarit. Një krim i cili sipas deklarimeve të para të policisë ka pasur motive sentimentale. Pasi është qëlluar dy herë në krah dhe një herë në zemër, emigranti shqiptar, i ligjshëm në Itali, me iniciale A.O, nuk ka mbërritur i gjallë në spital. Plagët kanë qenë vdekjeprurëse. "Edhe pse nuk kishin kohë që ishin bashkë, e fejuara me origjinë sllave ndikoi në fundit tragjik të shqiptarit 20-vjeçar", shkruanin dje mediat italiane. Sipas tyre, vrasja ndodhi pas një sherri mbrëmjen e së martës, më 15 gusht, mes dy grupeve: sllavë dhe shqiptarë. Shqiptari nuk kishte shumë kohë që ishte fejuar me vajzën me origjinë sllave. Sipas policisë, duket se vajza ishte arsyeja që dy grupet janë përballur në një qoshe të rrugës "Venezia", pranë një parkingu në Parma. Banorë të zonës kanë lajmëruar policinë pasi kanë dëgjuar zhurmën e krijuar në vendngjarje. Lajmërimi ka qenë me vonesë dhe nuk ka krijuar mundësi për shpëtimin e jetës së shqiptarit. Ai, siç deklaroi policia, nuk kishte asnjë precedent penal të mëparshëm.
Përleshja
Sipas policisë italiane, dy grupet rivale do të përballeshin për një "larje hesapesh" dhe arsyeja e vërtetë ishte pikërisht ajo sentimentale. Në grupin sllav bënte pjesë edhe ish i fejuari i vajzës, që kohët e fundit ishte fejuar me emigrantin shqiptar. Vajza dyshohet se ka qenë shkaku i sherrit mes dy grupeve. I dashuri i saj i mëparshëm siç duket nuk e ka kapërcyer lehtë faktin që e fejuara e kishte lënë për t'u lidhur me një shqiptar. Ish i dashuri i vajzës ka zgjedhur rrugën e duelit me shqiptarin. Dy personat, të shoqëruar edhe nga një grup miqsh, janë takuar pranë një parkingu në rrugën "Venezia". Ngjarja ka rrjedhur në disfavor të 20-vjeçarit shqiptar. Në grindje e sipër, djali me origjinë sllave e ka goditur shqiptarin dy herë me thikë në krahun e djathtë dhe më pas i ka dhënë goditjen fatale në zemër. Dëshmitarët thanë se kur ambulanca mbërriti në vendin e ngjarjes, shqiptari ishte i shtrirë përdhe dhe i rrethuar nga një pellg i madh gjaku. Megjithatë ai vazhdonte të jetonte. Vdekja u konfirmua gjatë rrugës për në spitalin "Maggiore". Emigranti shqiptar jetonte prej vitesh në qytetin e Parmës bashkë me familjen e tij. Ai punonte në një fabrikë të qytetit. Policia tha se viktima ka pasur një jetë të qetë dhe pa probleme. Policia deklaroi se po vazhdon hetimet, megjithatë nuk ka asnjë gjurmë të vrasësit. Ai së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të tij janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pa lënë asnjë shenjë.
Gazeta PANORAMA
Krijoni Kontakt