moda e flokeve - makineria

Ishte një artizan gjerman në vitin 1906, ai që krijoi makinën e modës


100 vite permanent, flokët përmbushin shijet tuaja

Kush dëshiron të duket e bukur duhet të vuajë paksa. Kjo moto e pavdekshme përshkruan ende sot dhimbjet e përjetshme të joshjes femërore. 100 vjet më parë do të lindte revolucioni estetik i kohës moderne. Një revolucion që mban vulën “Made in Germany”. Jemi duke folur për permanentin, artin që i lejon parukierët ta bëjnë të pavdekshme bukurinë femërore, ose të paktën t’i zgjasin jetën. Ka qenë pikërisht viti 1906, kur artizani Karl Nessler, bir i një këpucari nga Todtnau, shpiku teknikën për të zgjatur bukurinë e kokës femërore. “Ndalo, je i bukur”, shkruante Gëte në veprën e tij të njohur “Fausti”, duke i dhënë zë ëndrrës së përjetshme të njerëzimit, bukurisë që duhet të lulëzojë, qoftë kjo edhe në këmbim të një marrëveshjeje me djallin. Dhe ndoshta pikërisht për këtë ëndërr dhe letërsinë e vendit të tij mendoi Herr Nessler, ndërsa studionte teknikën e vështirë të krehjes së flokëve të drejtë, apo kaçurrelë te zonjat me shije. Në Londër, në vitin 1906, Nessler prezantoi për të parën herë shpikjen e tij. “Dauerwelle”, kështu thuhet edhe sot në gjermanisht. Një modifikim flokësh që reziston gjatë. Tuba të përdredhur, përreth të cilëve rrotulloheshin flokët e zonjave të shoqërisë së lartë, duke i lënë më pas për orë të tëra në temperatura të nxehta, në pak centimetra larg lëkurës. Tortura apo çdo gjë tjetër në emër të bukurisë. Një revolucion për estetikën në një epokë që ëndërronte mjete të mrekullueshme dhe progresive: borgjezia e ushqyer nga letërsia franceze zhytej në kënaqësitë e konsumit, ndërkohë që në Evropë tregon Stefan Cvajg as “Bota e djeshme” dhe as proletarët nuk i jepnin rëndësi dekorit. Bëhet fjalë për një epokë në të cilën shëndeti dhe bukuria që nga aspirina te kremi Nivea flisnin gjermanisht. Kështu pra u jepet lamtumira parukeve groteske, sepse flokët origjinale u kthyen në joshës. Permanenti pushtoi botën. Më vonë, pas katastrofës së madhe, Luftës së Parë Botërore u kthye në instrument zbavitës. Amerika e Charleston, Gjermania vitale e Republikës së Vajmarit, Parisi i pak kohëve përpara frontit popullor. Ishin Marlene Dietrich dhe Greta Garbo që lançuan botën e permanentit, të imituara më pas nga miliona femra në të gjithë perëndimin që ndodhej në krizë. Në vitet ’20 Amerika perfeksionoi shpikjen evropiane, duke shpikur teknika për një permanent më të shpejtë. Dauerwelle kishte qenë simbol i femrave gjermane dhe atyre evropiane në përgjithësi gjatë viteve ’30, kohë në të cilën Evropa borgjeze vraponte në mënyrë të pavetëdijshme drejt luftërave nazifashiste. Vetëm me lirinë, ushtarët e Rooseveltit dhe të Trumanit do të sillnin permanentin e ftohtë dhe pa dhimbje. Ishte kjo arma sekrete e divave të reja që nga Sophia Loren te Brigitte Bardot, Marylin, Ingrid Thulin Ingmar Bergman, Cathérine Deneuve, etj. Sot permanenti duket se e ka humbur disi shkëlqimin midis prerjeve ultra të shkurtra, kasketave dhe transplantit të flokëve, si dhe me krehjet ultra të drejta si Naomi Campbell, Kate Moss, apo Elle McPherson. E megjithatë modeli qëndron dhe është krijuar rastësisht një shekull më parë nga djali i ndrojtur i një këpucari gjerman.



Origjina
Në kohërat e Luigjit XIV për permanentin e flokëve përdorej një sistem i aplikuar te paruket. Flokët rrotulloheshin rreth cilindrave të mbajtur në ujë të nxehtë për tre orë.

Procedura
Ondet bëhen direkt në flokë. Fijet e flokëve janë të rrotulluara në bigudina metalike të vendosura në furrë në temperaturën 140-150 gradë celsius.

Nxehtësia
Eshtë një metodë shumë agresive tashmë e kaluar. Zakonisht parukierët aplikonin në flokë një substancë si karbonati i sodiumit me sulfit dhe më pas bigudinat në 180-200 gradë celsius.

Të ftohtit
Teknika në të ftohtë eviton nxehtësinë e jashtëzakonshme duke preferuar temperaturën e ambientit. Flokët përgatiten me solucion dhe më pas rrotullohen në bigudina që fiksohen me anë të një lëngu.

Panorama