Zëvendësministri Bojaxhi: Ja detajet e projekteve të gazit për Shqipërinë

“Promoteus, projekti më i mundshëm për gazin”

Projekti i kompanisë Promoteus, që parashikon sjelljen e gazit në Shqipëri nëpërmjet Greqisë, duket se është projekti më i realizueshëm.

Promoteus është krijuar nga Gazprom dhe kompania greke Kopeluzos dhe parashikon importin e gazit nga Greqia drejt Shqipërisë me një tubacion të veçantë. Por, pas nuk mbetet edhe projekti i kompanisë EGL, e cila ndryshe nga grekët, parashikon ndërtimin e një gazsjellësi, i cili do të kalojë nëpërmjet Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën, zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Gjergj Bojaxhi, ka zbardhur detaje në lidhje me projektet e gazit për Shqipërinë.

Cilat janë projektet e gazit për Shqipërinë të paraqitura nga kompanitë e huaja?

Projektet e gazit në Shqipëri janë të shumta, por duhet të theksoj se çdo gjë është në fazën e një projekt-ideje. Ne i ndajmë në dy grupime, projekte gazi që vijnë nga tika dhe mund të jenë linja transiti që kalojnë në Shqipëri dhe vendi ynë të përfitojë nga këto linja. Kryesisht më të mundshmet duken ato që kalojnë nga Greqia, por nuk mund të përjashtohet edhe një version nga Maqedonia, si dhe impiantet e gazit të lëngëzuar, i cili mund të ndërtohet në bregdet dhe mund të përdoret si për nevojat e tregut shqiptar, ashtu edhe për të çuar një pjesë të gazit me tubacion në Itali. Nga projektet tokësore një version, i cili është një tubacion tepër i madh që vjen nga Turqia në Greqi dhe shkon në Itali, ne po bëjmë përpjekje me kompani private për ta kaluar këtë tubacion në Shqipëri. Versionit për të kaluar në Shqipëri emri i është vënë “Trans Adriatic Piperline” (TAP), e cila deri tani është promovuar nga kompania EGL. Sigurisht ne e përkrahim mundësinë e kalimit të këtij tubacioni në territorin shqiptar. Mendojmë që është me interes dhe me leverdi për kompanitë që ky tubacion të kalojë nëpërmjet Shqipërisë, sepse linja më e shkurtër nga Selaniku në Itali kalon nëpërmjet Shqipërisë. Pra, ky tubacion në rast se do të kalojë në Shqipëri do të ketë kosto më të ulët dhe sigurisht ne përfitojmë një sasi të caktuar gazi. Një version tjetër është me një kompani private greke, Promoteus, e cila është një bashkim ndërmjet Gazprom dhe Kopeluzos, për të sjellë një tubacion gazi në Shqipëri dhe për të ndërtuar termocentrale, në një të ardhme të mëvonshme. Këto të dyja janë projektet më konkrete, nga e cila po bëhet përpjekja.

Cili nga projektet ka mbështetjen e qeverisë shqiptare për realizimin e tij?

Në rastin e parë përpjekja po bëhet nga kompani private, të cilat mendojnë se tubacionet duhet të kalojnë nga Shqipëria. Sigurisht që shteti shqiptar është i interesuar që në Shqipëri të kalojë një tubacion të tillë dhe ne do të përkrahim ato kompani që kanë në plan që ky tubacion të kalojë në Shqipëri. Pra, ne nuk përkrahim kompanitë, por përkrahim projektin që sjell në Shqipëri gaz dhe kompanitë që përkrahin këtë projekt. Përkrahja jonë është për projektin dhe jo për kompanitë. Ne jemi të hapur për çfarëdo lloj projekti që do të realizohet, pasi askush nuk ka marrë ekskluzivitetin për gazin.

Çfarë parashikon projekti i kompanisë Promoteus?

Me kompaninë e dytë nuk është konkurrencë mes projekteve. Eshtë një projekt që është i mundshëm. Kjo kompani ka që në vitin 1994 që është interesuar për Shqipërinë. Përpjekjet kanë vazhduar edhe në vitin 2000, duke i ofruar shtetit shqiptar një investim të tillë. Ne mendojmë që ka ardhur koha që një projekt i tillë të realizohet. Ky është një projekt shumë i mundshëm për t’u bërë, pasi kompania i ka kontratat e gazit dhe tashmë po kërkojnë vende për ta shitur gazin. Pra, ky projekt është më i avancuar se projekti i EGL-së. Promoteus do të vijë nga Greqia në Shqipëri dhe është i destinuar për vendin tonë. Nga tubacioni kryesor që do të jetë në Selanik, do të bëhet një degëzim për furnizimin e Shqipërisë me gaz.

A është bërë ndonjë vlerësim paraprak i këtyre projekteve?

Këto vlerësime ende nuk janë bërë, pasi projektet janë në fazat fillestare. Por, mund të them se nuk ka rëndësi sesa lekë marrim ne nga tubacionet e gazit. Ajo që ne përfitojmë është një burim gazi natyror në sasi të mëdha, në mënyrë që ne të fusim përdorimin e gazit në TEC-e, të ndërtojmë TEC-e të reja, fabrikat e mëdha mund të përdorin gazi natyror, ngrohja e banesave mund të bëhet më gaz. Ky është përfitimi i mirëfilltë që do të kemi.


Deklarata

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në takimin e zhvilluar disa ditë më parë me ministrin grek të Zhvillimit, Dimitrios Sioufas, deklaroi se Shqipëria i ndjek me mjaft interes projektet e gazit në rajon. “Muajin e fundit kemi pasur bisedime me kompani greke që menaxhojnë furnizimin dhe shpërndarjen e gazit natyror, për të parë mundësinë e konkretizimit të projekteve që do të mundësojnë furnizimin me gaz të Shqipërisë”, theksoi ministri Ruli.

Panorama