Edith Durham gjithmonë kishte insistuar që kufijtë e rinj të hartoheshin në atë mënyrë që sa më pak njerëz që është e mundur, të gjendeshin nën sundimin e huaj, në të kundërtën mundësia për përhapjen e dhunës në këto vende është shumë e madhe.

Shkruan: Albina Drançolli

Çështja shqiptare në fillim të shek. XX, tërhoqi vëmendjen e shumë studiuesve evropianë. Nga vargu i madh i tyre shquhen edhe historianët anglezë, pikëpamjet e tyre jo vetëm për çështjen shqiptare por edhe për çështje ballkanike ndonjëherë ishin aq diverse, sa që shpesh shpien në polemika, që botoheshin në shtypin ditor, revista shkencore dhe botime të veçanta. Nga kjo gjini e preferuar historiografike në Evropë, me këtë shkrim do të përpiqem të pasqyrojmë vetëm disa pikëpamje të skajshme që shkaktuan polemikë ndërmjet Edith Durham dhe Robert William Seton-Watson, dy studiues, njohës të shkëlqyeshëm të historisë së Shqipërisë dhe Ballkanit.

Është e njohur se, Edith Durham (1863-1944), studioj Ballkanin në dy dekadat e para të shek XX. Ajo e bëri këtë pas udhëtimit të saj të parë në Ballkan më 1900. Këtu i mësoi gjuhët dhe kulturat, duke jetuar në kushte primitive e kërcënuar në çdo kohë nga rreziku i sëmundjeve, dhunës dhe për shkak të shpërthimit të Luftës I Botërore, kur u shkatërrua përfundimisht Perandoria Osmane. Gjatë udhëtimeve ajo u mor me studime historike, antropologjike, etnografike, të folklorit dhe zakoneve ballkanike dhe shkroi 7 libra: Disa origjina, ligje dhe zakone të fiseve të Ballkanit (1928), Brenga e ballkanasve (1905), Nëpër tokat e serbëve (1904), Shqipëria e Epërme (1909), Lufta për Shkodrën (1914), Njëzet vjet ngatërresa ballkanike (1920), Krimi i Sarajevës (1925). Librat që ajo i shkroi janë kombinim i antropologjisë, udhëpërshkrimeve dhe arsyes politike duke thirrur kështu për vetëvendosje të disa popujve ballkanik, tolerancë në mes tyre dhe ndërhyrje të fuqive të mëdha në këto rajone. Shumë të dhëna në shkrimet e saj, sidomos për ato ngjarje në të cilat ishte pjesëmarrëse, konsiderohen si burime të dorës së parë. Burim tjetër me vlera të mëdha historike paraqet edhe ditari i saj, që ruhet në Institutin Mbretërore Antropologjik të Britanisë së Madhe në Londër (Royal Anthropological Institute of Great Britain), ditar ky i përbërë nga 15 fletore ku ajo përshkruan të gjitha çka kishte parë dhe përjetuar në Ballkan e gjetiu gjatë viteve 1900-1936." Shumë ngjarje nga ky ditar i gjejmë të botuara në librat e saj ose nëpër artikuj në gazeta të ndryshme të kohës por ka edhe shumë gjëra, të cilat ende nuk kanë parë dritën dhe janë tejët të rëndësishme për ndriçimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me historinë e popujve të Ballkanit. Përveç se kishte shkruar aq bukur dhe me përpikshmëri për të gjitha ato që i kishte parë gjatë viteve që kishte qëndruar në Ballkan, në opusin e saj ajo shkroi mjaft edhe për aspekte të ndryshme të së kaluarës së Ballkanit. Në këtë aspekt, M. Edith Durham ishte përkrahëse e tezës mbi prejardhjen e shqiptarëve nga ilirët duke u mbështetur në shkrimet e historianëve më të njohur të kohës si K. Jireçek, M. Shufflay dhe L. Talloçi. Ajo po ashtu shkruante për shtrirjen territoriale të ilirëve, periudhën e sundimit romak, arbrit në mesjetën e hershme, ardhjen e sllavëve të jugut në Ballkan dhe vendosjen e tyre në vendet ku jetojnë edhe sot, Perandorinë e Car Dushanit, Ballkanin nën Perandorinë Osmane, procesin e islamizimit etj.

Më 28 qershor 1915, në Britani të Madhe, proklamohet Dita e Kosovës

Edith Durham shumë shpesh polemizonte me autorë e politikanë të ndryshëm për çështje shqiptare. Polemikat më të mëdha ia kishte drejtuar pikëpamjeve të R. W Seton-Watson (1879-1951), një profesor, historian dhe ekspert për studime te Evropës Qendrore dhe Lindore, publicist, këshilltar qeverie, zëdhënës për minoritete te Evropës Qendrore. Ai ishte shkolluar në Oxford, Berlin, Paris dhe Vjenë. Ishte editues dhe redaktor i revistës "Slavonic Review". Në London University ("King's College") ligjëronte edhe për çështje të rëndësishme nga historia e Ballkanit, si, Austro-Hungaria dhe ardhmëria; Sllavët e Lindjes; Ballkani, Italia dhe Adriatiku; Gjermanët sllavët dhe hungarezët; Ngritja e nacionalizmit në Ballkan; Serbia, dje, sot dhe nesër; Shpirti serb; Sarajeva, etj. Polemikat dhe korrespondencat ndërmjet Edith Durham- R. W Seton-Watson jane shumë të rëndësishme jo vetëm pse pasqyronin pikëpamjet e dy nga studiuesve më të rëndësishëm të çështjeve ballkanike, por edhe për faktin se këto polemika dhe korrespondenca zbulonin diçka më shumë për natyrën e intelektualëve. Gjatë Luftës Parë Botërore, Seton-Watson kishte nisur publikimin e gazetës The New Europe, gazetë e cila thërriste për "la victoire integrale" fitore e cila do të sigurojë të drejta kombëtare dhe paqe në Evropë. Për bashkëpunëtorë të kësaj gazete ai kishte zgjedhur historianë dhe studiues të njohur të çështjeve ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe Durhamin. Qysh në mars të vitit 1920 ajo i ishte ankuar Setoh-Watson-it për qëndrimin proserb në gazetën The New Europe, duke i akuzuar kështu redaktorët, të cilët po i injoronin fare shqiptarët e Malit të Zi dhe Kosovës. Në këtë aspekt, këshilli editorial i kësaj gazete, për pikëpamjet Edith Durhamit kushtuar sufizmit Bektashian Shqiptar, pas publikimit të artikullit në fjalë, me një shënim reagonte se nuk pajtohej me qëndrimet e autores, sidomos me kundërshtimet e saja për inkuadrimin e Kosovës brenda Mbretërisë së Sllavëve të Jugut. Në këtë kontekst, pikëpam-jet filo-serbe të studiuesit Seton-Watson dhe të ndonje studiuesi nga Shkolla Antropolgjike Serbe kishin sensibiluar dukshëm opinionin anglez gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Sa per ilustrim në këtë rast po e përmendim shënimin e ngjarjes së Betejës së Kosovës, ku më 28 qershor 1915, në Britani të Madhe, proklamohet Dita e Kosovës. Ishte ky një rast për manifestime në favor të serbëve, të organizuar nga shteti. Në vigjilje të ditës së Shën Vitos (28 qershor) më 1915 u hap në Victoria and Albert Museum në Londër një ekspozite e Ivan Meshtroviq-it, që kishte një efekt të jashtëzakonshëm propagandues. Në vitin pasues pjesa më e madhe e Britanisë mori pjesë në manifestimin e Ditës së Kosovës. Ndërkaq, tekst nga autori, R.W Seton-Watson, Serbia, Yesterday Today and Tomorrpw u lexua në 12.000 shkolla dhe në 23.000 kisha. Po në atë ditë, Komiteti i Kosovës, i kryesuar nga Elsie Inglis, organizoi një meshë në Katedralën e Shën Palit në Londër ku argjipeshkëvi i Canterbury-t dhe Nikolaj Velimiroviç mbajtën fjalim ndërkaq një korr nga 300 djelmosha serbë kënduan. Më pastaj u shpërndanë më se 200.000 pamflete dhe u shfaqen filma serbe në më se 1.000 kinema të Britanisë së Madhe.

Mbretëria Serbo-kroato-sllovene ishte një maskë e Serbisë së Madhe

Me kalimin e kohës polemika e tyre mori përmasa të tjera, duke kaluar kështu nga çështjet politike deri në ato personale në lidhje me atë se cili nga ata ishin më të kualifikuar që të komentonin për çështje ballka-nike. Ajo thoshte se, Seton-Watson kishte shkuar vetëm në veri të Ballkanit dhe kishte takuar sllavë, të cilët duke qenë nën perandorinë Austro-Hungareze kishin marrë kulturën e tyre, mirëpo ai kurrë nuk kishte shkelur në Ballkanin Jugor dhe nuk kishte hasur në egërsitë e sllavëve në këtë pjesë. Ajo po ashtu e akuzonte Seton-Watson-in se, ai po merrte mito nga Mbretëria e Jugosllavisë dhe kjo ishte arsyeja pse ai ishte aq proserb. Durham gjithnjë e më tepër i urrente serbët. Ajo ishte e bindur se Mbretëria Serbo-kroato-sllovene ishte asgjë tjetër përveç një maskë e Serbise së Madhe. Kjo mbretëri e re ishte e udhëhequr nga politikanë serbë të paraluftës si. Nikolla Pashiq, i cili sipas saj "[...] nuk kishte krijuar një Jugosllavi por kishte arritur qëllimin e formimit të Serbisë së Madhe [...] duke mos qenë fare të lirë një pjesë e njerëzve jetojnë në një sundim shumë më të egër se përpara [...]".150

Në fillim të vitit 1929, Arnold Toynbee, drejtor i Chatham House (një ndër historianët më të shquar anglez i shek. XX), i sugjeroi Seton-Watson-it, që ai dhe Durham të bashkëpunojnë për një koleksion në lidhje me vrasjen e Franc Ferdinandit, koleksion ky që do të botohet nga instituti Royal Institute of International Affairs. Që të dy kishin shkruar libra mbi vrasjen, por pikëpamjet e tyre ishin krejtësishtë të kundërta. Përderisa Seton-Watson përkrahte qeverinë serbe dhe shkruante se ajo nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen në Sarajevë, Durham në anë tjetër ia hidhte fajin tërësisht Beogradit. Me të dëgjuar se Seton-Watson e kishte refuzuar këtë ftesë të Toynbee-t, duke e nënçmuar rëndë autoritetit e Durhamit ajo, në shkurt 1929 ia drejtoi atij një letër ku shkruante se, ajo kishte filluar të punonte për sllavët e jugut shumë kohë para tij, dhe madje i kishte arsyetuar aspiratat e tyre territoriale derisa kishte parë mungesën e civilizimit të tyre dhe kishte kuptuar se, ata nuk ishin fare të denjë të sundonin popujt e tjerë ballkanikë. Në këtë aspekt, ajo thoshte"[...] Jugosllavia e re ishte ndërtuar nga krimet dhe gënjeshtrat [...]. Historia e serbëve ishte një seri e gjatë vras-jesh dhe ata janë dëshmuar se nuk janë në gjendje që të formojnë ndonjë qeveri sta-bile[...]". Duke qenë kundërshtare e brengave "strategjike" në vendosjen e fatit të kombeve të vogla të Evropës në po të njëjtën letër ajo shkruante"[...]. Ti duket se i konsideron këta njerëz si gur shahu që mund t'i lëvizësh në tablo sipas rrethanave politike. Për mua ata janë njerëz të vuajtur me të cilët unë kam qenë nën zjarr [...] me të cilët kam qëndruar e uritur dhe gjysmë e ngrirë. Unë e kam obligim që t'i tregojë mjetet me të cilat ata janë aneksuar dhe të thërras për konsideratë për çështjen e tyre [...]".

Durham për hartimin e kufijve të rinj

Polemikat ndërmjet Durham-it dhe Seton-Watson-it ishin ndezur aq shumë sa që përmes të një korrespondence, Seton-VVatson kishte kërkuar falje. Mirëpo, E. Durham shumë shpejt ia kishte kthyer përgjigjën duke i thënë se ai shënim tregonte injorancën e politikës perëndimore karshi Ballkanit. Ajo gjithashtu shtonte se, duke i copëzuar trojet shqiptare ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Fuqitë evropiane po krijonin kushte për krijimin e një "Armenie të dytë". Shqiptarët pa artileri dhe aeroplanë do të jenë në mëshirë të ushtrisë serbe ndërsa fajin për këtë do ta bart Konferenca e Paqes. Tragjedia më e madhe, sipas saj ishte se, këta politikanë nuk kishin fare dijeni për frymën e përditshmërisë në Ballkan. Edhe pasi që janë nënshkruar traktatet e paqes, zyrtarët do ti konsiderojnë shqiptarët si armiqtë më të mëdhenj të shtetit."[...] Këta njerëz që asnjëherë nuk kanë jetuar në malet e Ballkanit morën vendime për të drejtat religjioze dhe minoritare, të cilat nuk do të mund të funksionojnë kurrë [...] Edhe nëse një pjesë e inteligjencës në këto vende mund të kenë qëllime të mira ata nuk do të mund f i kontrollojnë zyrtarët më të vegjël dhe xhandarmërinë [...]". Durham gjithmonë kishte insistuar që kufijtë e rinj të hartoheshin në atë mënyrë që sa më pak njerëz që është e mundur, të gjendeshin nën sundimin e huaj, në të kundërtën mundësia për përhapjen e dhunës në këto vende është shumë e madhe.

Copyright © ”Zëri i Ditës”"