Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Etnomuzikologia amerikane tregon studimin 25-vjeçar për muzikën

    etnomuzikologjia amerikane

    Etnomuzikologia amerikane tregon studimin 25-vjeçar për muzikën



    Jane sugarman: Hip-hopi shqiptar i sajuar. Polifonia e mrekullueshme


    Ka disa kohë që ndodhet në Kosovë, por pikësynimi i saj është studimi i muzikës shqiptare.

    Quhet Jane Sugarman, është etnomuzikologe nga Amerika, e cila është specializuar për muzikën e Evropës Juglindore dhe atë të Lindjes së Mesme. Ajo ka bërë hulumtime në fushën e etnomuzikologjisë në Shqipëri, ish -Jugosllavi, si dhe te imigrantët në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore, kryesisht duke u fokusuar në proceset muzikore të formimit të identitetit. Në Tiranë ka qenë në vitin 1994, ndërsa muzikën shqiptare e ka dëgjuar për herë të parë kur ishte në shkollë të mesme, në një pllakë gramafoni. Më pas është interesuar vazhdimisht për të pasur në repertorin e saj edhe shuma pllaka të tjera me muzikë shqiptare, e cila do ta shtynte më pas Sugarman të studionte e hulumtonte në çdo cep ku flitet e këndohet shqip. Ndërkohë gjatë muajit shtator do të jetë në Shqipëri, në Tiranë, për të mbajtur një kumtesë të gjatë për muzikën qytetare të Ballkanit, nga koha osmane e gjer tani dhe ecurinë e muzikës shqiptare ndër vite.

    Prej disa kohësh ju ndodheni në Kosovë, pse, çfarë jeni duke bërë?

    Ka 8 vjet që punoj në një projekt për muzikën komerciale shqiptare, si dhe atë të Kosovës dhe të Maqedonisë, që ka dalë me privatizimin e mediave, pas vitit ‘90-të.

    Muzika komerciale po kritikohet shumë nga ekspertët e muzikës, sepse aty mungojnë vlerat e mirëfillta të muzikës. Pse u përcaktuat të studioni pikërisht këtë lloj muzike?

    Kritikohet nga ana e shqiptarëve! Nga ana e njerëzve që kanë një pikëpamje për kulturën. Unë nuk jam shqiptare, unë jam shkencëtare. Roli im nuk është të bëj kritikë, por ta analizoj një fenomen që është përhapur shumë nëpër vendet e Evropës Juglindore, në kohën e post-socializmit, të themi. Unë fillova si shkencëtare të punoj me muzikën burimore dhe për shumë vjet kam punuar me familjet nga rrethi i Prespës në Maqedoni. Kjo ishte një punë që unë e desha shumë dhe që nuk ishte fare e lehtë për një njeri nga jashtë të punojë me shqiptarët, ishte pak e kufizuar! Punova me fshatarët, me traditat e lashta, por nuk fola për jetën e re që kishin shqiptarët në ish-Jugosllavi. Kisha dëshirë të bëja një punë që të kombinoja materialet nga çdo shtresë e shoqërisë dhe të flisja më shumë për rininë, çfarë duan ata, çfarë muzike bëjnë, çfarë zhanresh kanë krijuar. Kur flas për muzikën komerciale, unë flas për çdo gjë që del, çdo CD etj. Mund të flas për grupet alternative që ekzistojnë sot, por edhe për muzikën popullore, folklorike, zbavitëse dhe çdo zhanër që del. Unë nuk i kritikoj aq shumë, por mendoj se produksioni këtu është i larmishëm dhe shumë interesant!

    Si e shihni ju këtë zhvillim, ku do të ndodhet muzika shqiptare pas disa vitesh? Kanë filluar aq shumë të bëhen huazime, saqë këngët dhe muzika nuk po i ngjan më asaj që bëhej dikur, ajo po tjetërsohet?

    Gjithmonë ka pasur huazime në muzikë. Për shembull, në kohën e socializmit ka pasur shumë ndikim nga muzika serioze. I kanë harmonizuar këngët burimore, kanë krijuar një orkestër me instrumente që të bëjnë muzikë popullore. Në çdo periudhë ka pasur shumë ndryshime me muzikën folklorike, popullore. Ka pasur mjaft ndikim nga muzika osmane, ndoshta nga barinjtë që kanë ardhur nga Turqia, ndoshta nga dervishët me praktikat që kishin ata. Domethënë në çdo periudhë ka pasur ndikim nga një vend a tjetër. Nuk ka një komb në botë që të jetojë në izolim dhe të mos ketë huazime.

    Ndryshimet janë shumë të mëdha, ta zëmë që nga koha kur ju keni filluar ta studioni muzikën shqipe, para 25 vjetësh. A nuk është ndryshim shumë i madh?

    Sigurisht, ka ndryshime! Edhe jeta ka ndryshuar! Unë mendoj se kur jeta ndryshon aq shumë, këngët nuk mund të rrinë në të njëjtin stil. Më parë gratë kanë kënduar kur kanë punuar tokën, por tani punojnë me traktor dhe nuk do t’i këndojnë më ato këngë që kanë kënduar përpara. Dikur dasmat i bënin në shtëpi dhe aty këndoheshin shumë këngë dasme, të cilat unë vërtet i dua shumë. Mirëpo tani dasmat i bëjnë në hotele, në salla dhe marrin një orkestër… Pra, jeta ka ndryshuar dhe muzika po ashtu. Kështu ndodh në çdo vend të botës. Edhe në Amerikë ne kemi pasur përpara shumë tradita interesante, që i kemi lënë tashmë.

    Profesoreshë, globalizimi po shihet si diçka që duhet marrë patjetër. Po ne a kemi çfarë t’i ofrojmë botës, ndërsa kam përshtypjen se më shumë po huazojmë nga të tjerët se sa të tjerët nga ne?

    Ashtu ka qenë për një kohë të gjatë. Për shembull në vitet ‘80-të në Shqipëri ka pasur shumë rok muzikë. Dhe ka pasur shumë rok në tërë ish-Jugosllavinë. Ky ishte një huazim. Në njërën anë kishte muzikë popullore, në anën tjetër kishte rok muzikë. Rinia ka pasur interes të lidhet me njerëz të tjerë të botës. Kanë pasur shumë interes për muzikën e Anglisë, të Amerikës, por edhe kishin dëshirë të tregoheshin si gjeneratë e re me një muzikë të re. Edhe tani është kështu. Mendoj se hip-hopi në këtë kohë është shumë i zhvilluar këtu. Kjo është muzika e një gjenerate të re që nuk e kanë pasur më parë. Dikur kanë bërë rok muzikë, por kishin dëshirë të tregoheshin me një zhanër tjetër. Mund të jetë keq, por… kur e dëgjoj p.sh. hip-hopin këtu nuk është si në Amerikë.
    Tani marrin “sempëll” nga muzika e vendit: marrin një fyell ose një lahutë, e futin në hip-hop dhe e bëjnë si muzikë vendi, edhe pse është e lidhur me muzikën amerikane. Por edhe tekstet janë shumë të veçanta këtu. Ato flasin për jetën që bën rinia, aktualitetin, janë shumë bashkëkohore. Kur i bëjnë spotet, videot, gjithmonë tregojnë si është jeta në Tiranë, Prishtinë, Shkup, pra e lokalizojnë këngën. Kur mendoj për globalizmin si një ideologji ekonomike, unë mendoj se ka shumë problem, kjo, si ideologji. Ajo është në fakt një ideologji ekonomike e politike. Mirëpo, unë bëj një dallim në mes të globalizmit si ideologji dhe globalizmit si një proces. Si shkencëtare, unë më shumë bëj analizë për këtë proces.

    Mos doni të thoni se nuk mund t’i ikim këtij globalizimi?!

    Unë nuk mund ta gjykoj, unë nuk jam shqiptare! Shqiptarët duhet të bëjnë një kritikë nga çdo anë, se si e shikojnë situatën.

    Të kthehemi te fillimet tuaja. Si u njohët me muzikën shqipe, çfarë ju shtyu që ta studioni atë?

    Po ka disa momente! Momenti i parë, sigurisht, ishte kur unë isha në shkollën e mesme, kur për herë të parë dëgjova muzikën shqipe në një pllakë me këngë nga Shqipëria, që shitej në atë kohë në Amerikë. Kisha shumë interes për muzikën popullore të botës, kështu që më interesonte edhe stili që dëgjova në këtë pllakë. Pastaj gjeta edhe pllaka të tjera. Ka qenë një nga Kosova, që quhej “Vaj moj lule”, kishte këngë të Qamilit të vogël, këngë gajdexhiu. Më interesonin shumë këngët nga kjo pllakë.

    Pavarësisht se nuk e kuptonit gjuhën, impresionet ishin të mëdha nga kjo muzikë....

    Po, po, ashtu! Unë nuk dija asokohe shqip.

    Çfarë ju tërhoqi konkretisht te muzika shqiptare. Unë them se është shumë e pasur, e shumëllojshme, e mrekullueshme, ka elemente të veçantë etj, etj, por këto i them unë si shqiptare, po për juve cila është e veçanta?

    Isha studente e muzikës në fakultet dhe gjithmonë e kam pasur merak muzikën. Tingujt e instrumenteve më kanë pëlqyer. P.sh., kur e kam dëgjuar polifoninë toske më kanë interesuar si shkojnë së bashku, si i kombinojnë zërat. Edhe zërat më kanë pëlqyer. Ose kur kam dëgjuar burrat nga Gjakova duke kënduar këngët qytetare, si kanë kënduar së bashku në një mënyrë shumë të gjallë, me shumë energji, pastaj çfarë ishte orkestra. Më ka pëlqyer vetëm si tingull në atë kohë! Po pas kësaj, isha studente për dy vjet e gjysmë në Shkup dhe dëgjova shumë muzikë në Radio-Prishtina, por dhe radio stacionet e Maqedonisë dhe atë të Tiranës. Shkoja pastaj çdo vit nëpër festivalet që kishin për muzikën burimore, se në atë kohë bënin festivale të tilla në disa vende të Maqedonisë dhe vendosej për këngët që do të shkonin në festivalet më të mëdha në Jugosllavi. P.sh., çdo vit shkoja në një festival në Dibër dhe i dëgjoja grupet nga Tetova, Struga, Kërçova, Dibra, Gostivari... dhe ishte shumë interesante si këndonin vajzat dhe burrat, si i binin kavallit pastaj zurlat… çdo gjë më interesonte. U njoha më pas me disa familje nga Shkupi, të cilat vazhdimisht shkoja t’i vizitoja. Ishin disa ditë feste në Maqedoni kur dilnin zurlagjitë e bënin muzikë dhe burrat shqiptarë mblidheshin dhe vallëzonin ato vallet e rënda, por të mrekullueshme të rrethit të Shkupit. E unë i kisha shumë merak këto festa. Më ftuan në rrethin e Prespës në një dasmë dhe sapo e dëgjova muzikën e sazeve me gërnetë, me kaba, ato këngë të mrekullueshme, nga ai moment vendosa menjëherë të bëj një studim për këtë muzikë.

    Ju thatë se polifonia ju ka impresionuar. A mund të veçonit ndonjë mënyrë të luajtjes së instrumenteve shqiptare?

    Më pëlqen kavalli, se si i bien barinjtë këtu, se ka një iso. Zakonisht i binin dy burra, njëri me iso, një melodi. Kjo më pëlqen shumë, se është mallëngjyese; është jashtëzakonisht bukur. Pastaj më pëlqen vishnica, e cila është si gajdja, që e kam shumë për zemër. Por më tërheq shumë edhe çiftelia, se është edhe instrument kombëtar i Kosovës.

    Diku në vitin 1994 keni qenë në Shqipëri. Në cilat vende keni hulumtuar më shumë?

    Në rrethin e Korçës. Në atë kohë sapo kisha përfunduar librin për këngët e Prespës. Gjatë udhëtimit tim isha nën shoqërinë e një specialisti të Institutit të Tiranës, një njeri që ka punuar shumë me grupet që shkonin në Festivalin e Gjirokastrës, nga rrethi i Korçës. Shkonim nëpër dasma dhe bënim intervista për adetet e dasmave, incizonim këngë..., se më interesonin atë kohë këngët e burrave të Prespës. Këngë që flisnin për historinë e vendit. Bëra një hulumtim për këto këngë, se e dija që janë të bazuara në poemat e Naim Frashërit, të Sali Butkës dhe të disa të tjerëve, kështu që kisha shumë dëshirë të bëja një hulumtim se si janë të lidhura me poezinë e Rilindjes, të themi.

    A keni bashkëpunim me etnomuzikologët shqiptarë? Sa ndihmë keni marrë nga ta?

    Sa herë kam ardhur këtu, pasi kjo është hera e tretë që vij në Kosovë pas luftës, shkoj gjithnjë në Institutin Albanologjik e takoj Rexhep Munishin, i cili më ka ndihmuar shumë. Kur kam pyetje për muzikën burimore, si është e lidhur me muzikën që del sot në kaseta e CD, shkoj te Munishi. Ai përpiqet gjithnjë t’u japë përgjigje pyetjeve të mia. Përsa i përket Shqipërisë kam pasur takime me njerëzit e kulturës popullore, por për një kohë atje nuk kishte asnjë etnomuzikolog. Në vitin 1980, kur isha në fillimin e studimeve për Prespën, isha në Prishtinë dhe u takova me Benjamin Krutën. Atë kohë ai punonte në Tiranë, vetëm me muzikën polifonike të jugut. Ishte një njeri shumë i mirë, i cili më inkurajonte vazhdimisht në punën time. Kur planifikova të shkoj atje, ai vdiq një muaj para se të veja unë dhe kjo më preku shumë. Tash ka një gjeneratë të re që nuk e njoh, por këto ditë do të jem edhe në Tiranë, diku nga fillimi i shtatorit, në një konferencë. Kam komunikuar shumë me disa njerëz atje në institut. Flas këtu për Agron Gjagolin, ai është folklorist dhe punon shumë me këngët e veriut, por kam komunikuar edhe me disa njerëz të tjerë.

    Cila do të jetë kumtesa juaj në këtë konferencë?

    Konferenca është për muzikën qytetare të Ballkanit, nga koha osmane e gjer tani. Kam bërë pak hulumtim për muzikën në kohën osmane, por di mjaft për muzikën turke, muzikën arabe. Unë do të bëj një krahasim me situatën e shekullit XIX, kur ka pasur shumë interes, nëpër qytetet e Ballkanit, për muzikën qytetare turke, bullgare, nga shqiptare, d.m.th., i kanë përdorur meloditë nga çdo vend dhe unë do të bëj një krahasim me kohën sot, kur dëgjojnë muzikë nga tërë Ballkani. Në këtë periudhë ka pasur shumë ndryshime, politike dhe shoqërore dhe njerëzit kishin dëshirë të krijojnë një muzikë në një stil të ri, që të tregojnë çfarë njerëz janë, çfarë identiteti kanë dhe të bëj një krahasim të këtillë për këto dy periudha.

    Kur jeni në Amerikë dhe në vende të tjera, cilin zhanër të muzikës shqiptare u propozoni për ta dëgjuar bashkatdhetarëve tuaj, muzikën komerciale, atë burimore, atë zbavitëse, hip-hop-in…? Pra, cila është ajo muzikë që ua propozoni dhe u thoni “ja, kjo është shumë e mirë”?

    Eshtë shumë e vështirë t’ju them! Punën që kam bërë para shumë vitesh në Prespë e kanë lexuar shumë tash në Amerikë, nëpër universitete për etnomuzikologji ose në ndonjë program. Studentët lexojnë shpesh artikujt për këngët e Prespës. Libri im ka dalë me një CD brenda, d.m.th. mund të dëgjohen edhe shembujt muzikorë. Pastaj varet nga konteksti. Kur shkoj nëpër konferenca, unë ndoshta flas për muzikën komerciale, ndoshta për muzikën popullore, për atë argëtuese ose të lehtë dhe jap disa shembuj. Shoh që gjithmonë janë të interesuar. Eshtë interesant fakti, që në fakultetin tim, studentët dëshirojnë të dinë çfarë muzike dëgjojnë të rinjtë në atë vend që studiojnë. Ata kanë dëgjuar shumë për Kosovën, mirëpo e njohin atë vetëm si një vend ku është zhvilluar një luftë. Kanë dëshirë të dinë se çfarë bëjnë të rinjtë atje, si jetojnë, çfarë muzike dëgjojnë. Ta zëmë unë iu vë një këngë dance, të cilën e kam dëgjuar këtu nëpër klube.

    I pëlqejnë?
    Po, se produksioni shqiptar është në një nivel shumë të mirë. Ishin të interesuar shumë për hip-hop-in, ngaqë ai është shumë i popullarizuar në Amerikë dhe u çuditën si munden njerëzit edhe në një vend tjetër të botës të bëjnë hip-hop të këtillë! Pra për këtë janë shumë të interesuar. Kolegët e mi po kaq janë të interesuar për muzikën burimore, muzikën që vjen nga fshatrat ose muzikën qytetare. Në Amerikë unë banoj afër Nju Jorkut dhe kam shoqe të ngushtë, që prej dhjetë vjetësh, Merita Halilin. Kam qenë me të kur ka bërë muzikë për amerikanët dhe gjithmonë kanë treguar interesim për këngët që këndonte ajo. Pastaj këngët qytetare të Shqipërisë dhe të Kosovës amerikanët i pëlqejnë shumë.


    Botimet për muzikën shqip
    Eshtë autore e disa librave. Libri i saj i botuar më 1997, “Engendering Song: Singing and Subjectivity at Prespa Albanian Weddings” (Zanafilla e këngës: këndimi dhe subjektiviteti në dasmat shqiptare në Prespë), analizon marrëdhënien mes këndimit dhe relacionit gjinor në komunitetin shqiptar në diasporë. Ajo është duke bërë hulumtime në muzikën popullore shqiptare në nivel mbarëkombëtar të krijimit të saj. Ndërsa në Stony Brook, prof. Sugerman ka doktoruar në programet e “Studimeve femërore dhe studimeve kulturore”, si dhe jep mësim në seminare për teorinë etnomuzikore; studime kulturore, muzikë, gjini dhe globalizim. Ka botuar libra dhe artikuj në këtë fushë.

    Studimi mbi muzikën e lehtë
    Këto kohë sapo ka realizuar disa intervista për muzikën e lehtë shqiptare, se si ka qenë ajo përpara shumë viteve. “Tani jam duke përgatitur një libër për muzikën komerciale shqiptare dhe kam dëshirë të bëj një krahasim me kohën e Radio-Televizionit të Prishtinës dhe atë të Tiranës. Kam bërë intervistë me Liliana Çavollin, e cila e ka kënduar këngën e lehtë shumë përpara, pastaj kam intervistuar Reshat Randobravën, i cili ka kompozuar shumë këngë, një intervistë me Sabri Fejzullahun, për karrierën e tij dhe kjo ka qenë shumë interesante. Unë mendoj që joshqiptarët kur mendojnë për muzikën shqiptare mendojnë për muzikën popullore dhe nuk dinë që ka pasur edhe muzikë të lehtë. Kjo është
    çudi, vërtetë! Kam shumë dëshirë të flas për fillimet e kësaj muzike”, tregon ajo.

    Çiftelia, e huazuar nga Shqipëria
    Etnomuzikologia amerikane veçon se instrumenti i çiftelisë është më shumë i frekuentuar në Shqipëri, se sa në vendet e tjera. “Çiftelia përdoret në vendet e tjera, por ndoshta është marrë nga këtu. Kosova është qendra e çiftelisë. Më pëlqejnë gjithashtu shumë edhe këngët e rapsodëve, këngët epike, historike, që flasin për historinë, pastaj edhe këngët e dashurisë... janë shumë të bukura! Më pëlqejnë shumë edhe këngët me def, që i këndojnë vajzat në një mënyrë mjaft të veçantë. Përpara në Opojë vajzat kanë kënduar në një stil mjaft tërheqës. Edhe ato kanë pasur një polifoni shumë të rrallë, por nuk e di a e mbajnë atë traditë tani”, tregon ajo.

    Flora Durmishi
    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 07-08-2006 më 11:26

Tema të Ngjashme

  1. Polifonia Popullore
    Nga Eni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 23-05-2023, 16:43
  2. Zhani Ciko tregon intimitetet e jetës dhe pasionet
    Nga drini_në_TR në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 21
    Postimi i Fundit: 28-09-2013, 13:47
  3. Mbi politikën e jashtme të SH.B.A.-së
    Nga Eni në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 175
    Postimi i Fundit: 13-02-2004, 11:06
  4. Vendet arabe dhe perendimi
    Nga Eni në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 67
    Postimi i Fundit: 10-09-2003, 08:47
  5. Politika e SHBA-se karshi Shqiperise
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 26-10-2002, 22:14

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •