Intervistë me studiuesin e Pllajës së Kolonjës, Prof. As. Dr. Skënder Aliun

Aliu: “Femra prehistorike, një zbulim i rallë”

“Pllaja e Kolonjës së bashku me pellgun e Korçës në Shqipërinë Juglindore përfaqësojnë një nga rajonet më të pasura e më në zë të qytetërimit prehistorik, brenda vendit tonë e më gjerë në rrafshin ballkanik…” Është shprehur kështu Prof.As. Dr. Skënder Aliu, duke shtuar se një vëmendje të veçantë zënë zbukurimet dhe stolitë e femrës së Pllajës së Kolonjës, të cilat duket qartë se kanë qenë preferenca e tyre. Më tej, ai iu përgjigj kështu pyetjeve të gazetës “TemA”:

-Cilat janë gjetjet më të rëndësishme në pllajën e Kolonjës?

-Në Pllajën e Kolonjës janë gërmuar 5 tuma: tuma e Prodanit, varreza mesjetare e tumës së Rehovës, varreza e Borovës, tuma e Psarit dhe tuma e Shtikës, por, vend të rëndësishëm këtu zë tuma e Rehovës që ruan tërë madhështinë e dikurshme si një “kodër lapidar”, e mbetur pothuajse e paprekur. Ajo është ngritur mbi një varr qendror, me muranë të rrethuar nga një unazë shiritore, e cila kishte për inventar një enë të importuar mikene të HVIIB. 1450-1400 para Krishtit. Përmbante 283 varre dhe 650 objekte. Mbështetur te materialet e gjetura, vlerësojmë se tumat kanë nisur të ndërtohen në shek XIV-XIII para Krishtit .

-Cili ishte konstruksioni i varreve në atë periudhë?

-Mënyra e ndërtimit të varreve ka qenë e ndryshme, por janë përcaktuar qartë dy tipe varresh: me gropë të kufizuar me gurë, dhe me gropë të thjeshtë. Varret kanë patur trajtë katërkëndshe, jo shumë të rregullt ose elipsoidale. Varret me gropë të thjeshtë janë konstatuar thuajse në të gjitha tumat e zbuluara në vendin tonë, por edhe në rrafshin ballkanik

-Cilat ishin ritet e varrimit?

-Nga gërmimet e kryera në pllajën e Kolonjës rezulton se trupi i njeriut pa jetë ka qenë i vendosur në disa pozicione. I vdekuri vendosej në pozicion fjetjeje, mbështetur në krah të majtë ose të djathtë, me duart pranë fytyrës ose poshtë kokës. Kjo lloj vendosjeje ka vazhduar të përdoret edhe gjatë epokës së Bronzit e të Hekurit. Po kështu, është praktikuar dhe vendosja në shpinë, ndërsa duart të palosura në gjoks ose pranë supeve. Ky është një lloj pozicioni që është ndeshur rrallë. Të tillë varre janë gjetur në tumën e Pazhokut në Gramsh dhe në varrin qendror të tumës së Piskovës në Përmet. Varret qendrore të këtyre tumave janë datuar në fillimet e Bronzit të hershëm, por ky rit ka vijuar edhe në periudhën e Bronzit të vonë dhe fillimet e epokës së Hekurit. I përket një riti të ardhur që nga fillimet e epokës së Bronzit. Ndërsa në dy ritet e para, i vdekuri vendosej në varr me këmbë të mbledhura, janë gjetur dhe vendosje me gjymtyrë të shtrira. Të vdekurit vendoseshin në varre bashkë me veshjen e tyre të përditshme.

-A ekzistonte riti i djegies së kufomës?

-Është përdorur shumë rrallë. Në tumën e Luarasit, e cila i përket pllajës së Kolonjës, janë konstatuar vetëm dy varre me djegie. Është arritur në përfundimin se djegia e të vdekurve kryhej diku jashtë tumës, në një vend me karakter ritual, pranë vendbanimit ose tumës. Pas përfundimit të ceremonisë mortore, mbeturinat e eshtrave së bashku me hirin dhe thëngjijtë silleshin dhe varroseshin në tumë. Ky lloj rriti njihet që nga periudha e Bronzit të mesëm, brenda vendit tonë. Është përdorur rrallë edhe në periudhën e Bronzit të vonë dhe në epokën e Hekurit.

-Çfarë sendesh vendoseshin në varrin e të vdekurit?

-Në shumicën dërrmuesë të rasteve janë gjetur enë qeramike. Këto lloj enësh janë gjetur si në varret e burrave ashtu dhe në ato të grave. Enët u vendoseshin te këmbët ose tek koka. Janë gjetur enë të tilla si: kantarë, kana, kupa, filxhanë, enë dyshe, ose treshe. Bie në sy fakti se grave u vendoseshin enë dyshe. Në dheun e varreve janë gjetur pjesë suvaje prej balte të pjekur të banesave, pjesë dyshemeje, shosha të furrave të pjekjes së qeramikës, thëngjij etj, çka na bën të mendojmë se një pjesë të dheut e sillnin nga vendbanimi i tyre. Të afërmit shkonin në varreza, në shenjë nderimi, në të tretat, të shtatat, të nëntat e vdekjes së tyre dhe në vazhdimësi

-Cilat ishin sendet e zbukurimit?

-Objektet e zbukurimit përfaqësojnë grupin më të madh dhe më të larmishëm të gjetjeve në pllajën e Kolonjës, shpesh me vlera të rëndësishme kronologjike dhe kulturore. Shumica e këtyre gjetjeve janë prodhime bronzi e më rrallë prej argjendi, hekuri, qelibari, kocke, guri, briri, etj. Janë gjetur byzylykë, të punuar me petë bronzi, me prerje trekëndshe, ose të punuar me shufër bronzi me prerje rombike, byzylykë spiralikë, në formën e shkronjës “D”, por edhe byzylykë me prerje rrethore. Diademat (ballore) që shërbenin për zbukurimin e kokës, kanë qenë të punuara prej shiriti të hollë bronzi, rreth 5 cm i gjerë, i zbukuruar me motive, bërë me teknikën e goditjes. Diademat mbeten një nga stolitë më të parapëlqyra të femrës prehistorike të pllajës së Kolonjës. Në këto stoli shprehen më së miri edhe tipare krahinore. Po kështu, janë gjetur varse, unaza, kopsa, vathë. Tëmthoret janë ndeshur rrallë, megjithatë, ato kanë qenë prej teli bronzi e me rrathë prej floriri. Të shumta kanë qenë gjetjet e telit spiralik, të cilat përdoreshin për të shtrënguar fundin e gërshetave, të flokëve të vajzave dhe grave. Mjaft të preferuara për gratë kanë qënë rruazat, të cilat ishin prej bronzi, guri të kuq apo të bardhë, qelibar, qelqi e brumë qelqi të bardhë ose blu, por edhe të zinj e më rrallë prej balte, me forma dykonike, me kthesa të mprehta këndore ose të rrumbullakta. Funksion të dyfishtë e mjaft të përdorshëm kanë patur gjilpërat, të cilat shërbenin për rregullimin e flokëve ose për të mbërthyer ndonjë shami koke apo shalli që hidhej mbi kokë nga gratë. Gjilpërat janë përdorur edhe për mbërthimin e veshjeve trupore, të cilat duhet të kenë qenë të thurura prej leshi. Po kështu, janë gjetur fibula prej bronzi dhe argjendi, të cilat shërbenin për mbërthimin e veshjeve të trasha prej leshi, të gjetura këto në nivelin e supeve ose mbi gjoks ashtu siç janë gjetur pafta, pinceta, etj.

-Ç’lloj armësh janë gjetur në pllajën e Kolonjës?

-Gjetjet e armëve përfshijnë thika bronzi dhe hekuri si dhe heshta hekuri. Thikat riprodhojnë forma me tipare të qarta egjeane, me prejardhje nga Helladiku i Mesëm i Seaklos, me dorezë të shkurtër të harkuar dhe me dy ose tre perçina, të cilat datojnë në shek XVI-XIV para Kr. Është gjetur dhe një tip tjetër thike që daton rreth shek XIII-XII para Kr. Heshtat janë me përmas 15-45 cm, tip “flakëzë”, të konsideruara të ardhura nga Evropa Qendrore, të cilat i përkasin epokës së Bronzit të vonë, rreth shek XIII-XII para Kr.

-Cila është kultura e asaj periudhe?

-Gjetjet arkeologjike në Pllajën e Kolonjës flasin për ritin dhe ceremonitë e ndryshme të varrimit, konstruksionet e varreve dhe të tumave dhe njëkohësisht për gjendjen shoqërore dhe ekonomike të njeriut në atë periudhë. Prania në mjaft raste, nëpër varre, e enëve, armëve dhe e stolive të importuara nga bota mikene ose nga Evropa Qendrore, është si rezultat i diferencimit dhe i lindjes së aristokracisë fisnore që në fillimet e Bronzit të vonë. Përfaqësuesit e kësaj aristokracie në pllajën e Kolonjës vërehen tek enët e importuara mikene, e gjetur njëra prej tyre në varrin qendror të tumës së Rehovës, apo te çiftet e paftave prej floriri të importuara nga punishte dytësore mikeniane të Thesalisë, të cilat janë gjetur në tri varret e tumës së Rehovës dhe në një nga varret e tumës së Shtikës. Në këto tuma janë zbuluar edhe shumë objekte të tjera prej argjendi, qelibari, guri të çmuar, etj, të cilat kanë ardhur nëpërmjet kontakteve tregtare me këto rajone. Këto diferencime bëhen më evidente në krahinën e Kolonjës, sidomos në periudhën protourbane, në fund të shek VII e gjatë shek VI-V para Kr. Kjo dukuri shoqërohet në këtë periudhë me shtimin e ndjeshëm të qeramikës së importuar, me fillimin e qeramikës me çark. Në mbështetje të këtij mendimi vijnë edhe tri copë “skeptra” hekuri, simbole të aristokracisë ushtarake që së bashku me një përkrenare arkaike e tipit “korintik” dhe disa shpata (mahera) hekuri janë zbuluar në varrezën e sheshtë të Borovës. Me këtë rast, duhet të theksojmë se nga studimet e kryera nuk rezultoi ndonjë e dhënë arkeologjike që të mbështeste mendimin e ardhjes në pllajën e Kolonjës të një grupi etnik përmes dyndjeve të valëzuara egjeane.

INTERVISTOI: SELDI HASANASI
Tema