Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Betimi i Hipokratit
    Anëtarësuar
    05-06-2004
    Postime
    1,081

    Si të parandalosh dhimbjen e kokës në verë

    intervista/ Neurologu Islamaj: Ja shkaktarët e shfaqjes së cefalesë


    Si të parandalosh dhimbjen e kokës në verë



    AIDA MALAJ
    Gjatë stinës së nxehtë është “gati normale” të kesh dhimbje koke.

    Për mjekët “faji” duhet kërkuar te temperaturat e larta, që ndikojnë në mosfurnizimin në sasinë e duhur të trurit me gjak dhe oksigjen. Megjithatë mjekët tërheqin vëmendjen që të tregohet kujdes, sepse dhimbja e kokës mund të jetë sinjal alarmi për patologji të tjera, serioze për shëndetin e njeriut. Në një intervistë për gazetën “Panorama” mjeku neurolog, Agron Islamaj, shpjegon se cilët janë kontingjenti më i predispozuar të shfaqin probleme, çfarë mund të bëjmë për t’i parandaluar dhe trajtuar këto raste:

    Doktor, gjatë stinës së verës, gati të gjithë ankohemi për dhimbje koke? Përse ndodh ky fenomen?
    Eshtë e vërtetë që gjatë ditëve të nxehta shtohen problemet me dhimbjen e kokës. Shpesh ajo është bashkëshoqëruese e shqetësimeve të përgjithshme që i atribuohen vapës. Shkak bëhen temperaturat e larta, të cilat ndikojnë në zgjerimin e enëve të gjakut dhe për pasojë në uljen e tensionit të gjakut dhe mosfurnizimin në sasinë e duhur të trurit me gjak. Por jo vetëm kaq. Shpesh në origjinë të dhimbjes së kokës janë disa faktorë të tjerë, që gjatë kësaj stine mund të theksohen, ose të acarohen. Të tilla janë stresi psikik, por jo vetëm ai. Pasi gjatë kësaj stine organizmi i njeriut vihet nën një stres fizik të vazhdueshëm, për të ruajtur në ekuilibër termorregullatorin e brendshëm të organizmit, i cili vihet “në provë të vështirë” nga temperaturat e larta të mjedisit të jashtëm. Po ashtu origjina e dhimbjes së kokës mund të bëhet migrena, sinozitet, infeksionet e dhëmbëve, apo të veshit, apo dhe prania e spondiatrozave, hipertensionit, sëmundjeve të brendshme, etj., të cilat mund të acarohen gjatë stinës së verës dhe të shfaqin dhimbjen e kokës si simptomë shoqëruese.

    Kush janë më të predispozuar të shfaqi dhimbje koke nga vapa?
    Gati të gjithë, por më të predispozuar janë personat mbi 40 vjeç dhe ata që vuajnë nga patologji, që kanë si simptomë shoqëruese dhe dhimbjen e kokës. Natyrisht nuk përjashtohen dhe ata të rinj që kryejnë aktivitet fizik të sforcuar gjatë orëve të pikut dhe që janë nën stres të vazhdueshëm.

    Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?
    Te mjeku duhet të shkohet për çdo dhimbje koke që zgjat në kohë, (për disa orë) dhe që s’njihet një shkaktar shpërthyes, si.psh qëndrimi për një kohë të gjatë në diell, etj. Por dhe kur shoqërohet me simptoma të tjera si p.sh të përziera, të vjella, probleme me shikimin etj. Në çdo rast duhet të përcaktohet shkaktari në mënyrë që të bëhet mjekimi dhe trajtimi i duhur i këtij problemi.

    Çfarë rekomandimesh mund të jepen për parandalimin e këtyre problemeve?
    Këshilla e parë që mund të jepet është shmangia e faktorit shpërthyes të dhimbjes së kokës, që është temperatura e lartë. Për këtë duhet të shmanget në maksimum ekspozimi në diell, sidomos në ato orë kur intensiteti i rrezeve të diellit është në pikun e tyre. Nëse nuk mund të shmanget, atëherë siguroheni të mbani kapele me ngjyrë të çelur ose çadër. Në listën e rekomandimeve është shmangia e pijeve të ftohta, pasi ndikojnë në formimin e spazmave, të cilat pengojnë furnizimin me gjak të trurit, me pasojë acarimin e dhimbjes së kokës. Po ashtu nuk rekomandohet konsumimi i çajit, kafesë, sepse mund të ndikojnë në acarimin e dhimbjes, pasi shtojnë ndjenjën e ankthit, stresit psikik. Pijet alkoolike dhe duhani duhen eliminuar plotësisht, sepse pengojnë qarkullimin normal të gjakut dhe ndikojnë në intensitetin e dhimbjes. Një këshillë tjetër që japim është të mos abuzohet me gjumin, sepse prishja e regjimit ndikon në shfaqjen dhe shtimin e cefalesë.



    REKOMANDIME

    • shmangni ekspozimin në orët e pikut (11 deri në 16). Qëndroni në shtëpi ose në zona me hije dhe të freskëta e nëse është e mundur në ambiente me ajër të kondicionuar. I nxehti ndikon në shfaqjen e dhimbjes së kokës.
    • shmangni kryerjen e aktiviteteve fizike në ambientet e jashtme ose në vende jo të freskëta dhe shmangni ekspozimin direkt në diell.
    • nëse nuk mund të shmangni daljen në orët e nxehta, përdorni kapele me ngjyrë të çelur ose çadër.
    • ulni konsumin e kafesë, çajit dhe pijeve që përmbajnë kafeinë
    • eliminoni pijet alkoolike dhe duhanin
    • kujdes me korrentet e ajrit dhe kondicionerin, sepse mund të ndikojnë në shfaqjen e cefalesë
    • mos abuzoni me gjumin, përpiquni të ruani regjimin edhe nëse shkoni me pushime



    STUDIMI
    Duhani pasiv shton deri në 30% rrezikun për zemrën dhe tumoret

    Sipas të dhënave të publikuara nga “Surgeon General Office” në SHBA, probabiliteti për të shfaqur sëmundje kardiovaskulare dhe kancer të mushkërive shton deri në 25-30 për qind rrezikun te personat që i nënshtrohen pirjes pasive të duhanit në shtëpi ose në ambientin e punës. Në raport nënvizohet se edhe një ekspozim i shkurtër ndaj duhanit përfaqëson një rrezik të ndjeshëm. Mënyra e vetme për të mbrojtur shëndetin e joduhanpirësve është të eliminohet plotësisht duhani në lokale dhe ambiente të mbyllura. Rezultatet e këtij studimi janë një sinjal alarmi i rëndësishëm si për duhanpirësit, ashtu dhe për ata që nuk konsumojnë duhan. Mesa duket pirja pasive e duhanit nuk shkakton vetëm patologji kardiake dhe tumore në mushkëri: pirja pasive e duhanit mund të shkaktojë në përgjithësi probleme me frymëmarrjen, sindromën e vdekjes në djep, infeksione të veshit dhe kriza astme te fëmijët e vegjël. “Efektet e pirjes pasive të duhanit janë më të rënda nga ç’mendohej. Provat shkencore janë të padiskutueshme: duhani pasiv nuk përfaqëson vetëm një bezdi, por një problem të rëndë për shëndetin që mund të çojë deri në shfaqjen e sëmundjeve dhe vdekjes së papritur te fëmijët dhe të rriturit joduhanpirës”, nënvizon Surgeon General Carmona. Në fakt, tymi i duhanit përmban më tepër se 50 substanca kancerogjene, që thithen nga organizmi i personave që nuk pinë duhan, gati në të njëjtën sasi si ata që janë konsumatorë të rregullt të duhanit. E meqë organizmi i fëmijëve dhe adoleshentëve është ende në zhvillim, kjo bën që të jenë më të ndjeshëm ndaj pirjes pasive të duhanit.



    PYETJE-PERGJIGJE
    Tensioni i lartë, ç’duhet të hajë në verë?

    Jam një grua 30 vjeç dhe doja të pyesja rreth një shqetësimi që kam me nënën time. Ajo është 56 vjeç dhe prej disa vitesh vuan nga hipertensioni. Kam dëgjuar se në verë duhet të tregohet kujdes me ushqimin që përdoret, prandaj doja të dija se çfarë duhet të shtoj, apo të pakësoj?
    ELA

    Për shqetësimin tuaj kemi pyetur mjekun kardiolog, Valer Manushi:
    “Eshtë shumë e vërtetë që regjimi ushqimor në verë luan një rol të rëndësishëm te personat që vuajnë nga hipertensioni arterial. Kështu në stinën e nxehtë këtyre personave u rekomandohet të shtohet konsumi i fruta-perimeve të freskëta, sepse përmbajnë shumë lëngje. Këto këshillohet të konsumohen të gjalla, ose gjysmë të gatuara. Po ashtu duhet të shtohen ushqimet me kripë, në mënyrë që të ruhet ekuilibri elektrolitik, që mund të dëmtohet nga humbja e kripërave nëpërmjet djersës. Po ashtu duhet të pihet shumë ujë ( rreth 2 litra në ditë) dhe njëkohësisht duhen eliminuar pijet alkoolike dhe të reduktohet konsumimi i kafesë, pijeve që përmbajnë sheqer dhe atyre të gazuara”.


    Si ta kuptoj që jam anemik?

    Jam një djalë 23 vjeç dhe prej disa kohësh kam këputje dhe dobësi të përgjithshme. Jam i zbehtë në fytyrë dhe më kanë thënë se mund të jem anemik. Doja të dija çfarë shenjash shfaq anemia?
    ELTIONI

    Për shqetësimin tuaj kemi pyetur mjekun hematolog, Vlash Gjeçi:
    “Disa nga shenjat klinike më të hershme dhe më të shpeshta me të cilat prezantohet anemia janë: dhimbje koke, këputje trupore, vështirësi në gëlltitje të ushqimeve të thata, djegie gjuhe, tharje dhe thyerje thonjsh. Por mund të ndodhë që anemikët të shfaqin disa dukuri të tilla si: p.sh çarje e këndeve të buzëve, sheshim i pipillave të gjuhës, për të cilat shpesh i sëmuri me anemi trajtohet për myk të gojës. Po ashtu duhet të vlerësohet dhe humbja e shkëlqimit dhe deformimi i sheshimit të thonjve. Jo rrallë ajo shfaqet me shenja të përgjithshme si: lodhje e përgjithshme dhe shpesh e tejskajshme, rrahje zemre, marrje fryme kur ngjisin shkallët, dhimbje koke e herëpashershme”.



    Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose
    postës elektronike në adresat e mëposhtme:
    Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës
    “Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
    Tel.00355 4 273207|08|09
    E-mail:panorama_shendet@yahoo.com
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 01-08-2006 më 11:08
    The good you do today;people will often forget tomorrow;do good anyway

Tema të Ngjashme

  1. Si ta lehtesojme dhimbjen shpirterore ?
    Nga Foleja_ në forumin Grupmoshat e komunitetit
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 29-10-2015, 19:13
  2. Dhimbje të kujtesës
    Nga hajla në forumin Ditari i meditimeve
    Përgjigje: 221
    Postimi i Fundit: 23-10-2011, 21:53
  3. Valbona Bozgo - Hamëndje
    Nga Fiori në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 20-10-2006, 15:41
  4. Zgjedja e vdekjes per te shmangur dhimbjen ..
    Nga AuGuSt_ në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-09-2004, 00:38
  5. vetem shkruaj dhe nxire jashte tere dhimbjen qe mban
    Nga tironce85al në forumin Ditari i meditimeve
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 23-11-2002, 23:36

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •