Roli i partive politike në çështjet e sigurisë kombëtare është lëvruar pak ose aspak në rrethet profesionale dhe akademike shqiptare. Në morinë e botimeve politike në Tiranë, por edhe në Prishtinë, nuk ka asnjë botim që merret konkretisht me këtë temë.
Mr. Afrim Krasniqi *
Kushtetuta e Republikës dhe Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK) janë dy dokumentet bazë që përcaktojnë principet, organizimin, vlerat dhe sfidat e të ardhmes për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Në thelbin e tyre ato kanë vetëm një dallim: Kushtetuta është dokument rregullator afatgjatë i shtetit të së drejtës, kurse SSK është platformë me karakter kombëtar, në mbështetje të Kushtetutës dhe në funksion perspektiv. Me një përvojë të shkurtër (Kushtetuta është hartuar më 1998 dhe SSK më 2000 dhe 2004), ato përbëjnë një arritje të rëndësishme për demokracinë shqiptare, por edhe një sfidë të hapur për shtetin dhe shoqërinë. Të mësuar me regjime autoritare që sunduan me dhunë dhe ligje represive, Kushtetuta hap një kapitull të ri historik: ajo hedh themelet e sistemit demokratik dhe është një garanti e madhe për parandalimin e përvojave negative të së kaluarës'9.
Në të njëjtën kohë, SSK vjen në një terren të pashkelur, pas përvojave negative gjysmëshekullore të identifikimit të interesave kombëtare me interesat e diktatorit dhe partisë - shtet. Ajo e zgjeron konceptin e sigurisë, nga modeli komunist i sigurisë ideologjike dhe klasore, në modelin bashkëkohor, ku "siguria" nuk nënkupton vetëm një koncept politik e ushtarak, por që përfshin aspektet e gjithanshme të veprimtarisë së qytetarëve, shtetit demokratik dhe shoqërisë. SSK, ashtu si Strategjia Evropiane e Sigurisë dhe Strategjia e Sigurisë e SHBA, parashohin rreziqe dhe kërcënime të reja për sigurinë, të ndryshme nga koha e Luftës së Ftohtë. Konkretisht, prioritare vlerësohen20 rreziqet politike (shtetet e dështuara, krizat, paqëndrueshmëria), rreziqet ekonomike (varfëria, disbalanca sociale, pirateria), rreziqe të mjedisit (katastrofat, mungesa e burimeve jetësore), si dhe rreziqe shoqërore (konfliktet, mbipopullimi, krimi, emigrimi, etj). Analiza e faktorëve të mësipërm është kompleks, shumë i gjerë dhe një debat që tejkalon kufijtë e një studimi të kufizuar.
Duke iu përshtatur objektivit kushtetues dhe atij strategjik për një demokraci të konsoliduar, shtet të së drejtës, zhvillim demokratik dhe integrues, do të ndalem në rolin e partive politike në çështjet e sigurisë kombëtare. Kjo temë, ashtu si mjaft të tjera të kësaj fushe janë lëvruar pak ose aspak në rrethet profesionale dhe akademike shqiptare. Në morinë e botimeve politike në Tiranë, por edhe në Prishtinë, nuk ka asnjë botim që merret konkretisht me këtë temë. Të vetmet trajtesa gjenden kryesisht si pjesë të shkëputura të trajtimit të temave të tjera që lidhen me kushtetutshmërinë dhe sigurinë kombëtare.
Në fakt, Kushtetuta e Shqipërisë i njeh një rol të rëndësishëm dhe thelbësor partive politike. Ajo i kushton partive një nen më vete (neni 9), pika e parë e të cilit përcakton se "partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike"21. Pika e dytë e këtij neni vendos kufizimet parimore të ekzistencës dhe aktivitetit të partive politike dhe konkretisht "partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit". Në një nen tjetër (neni 131, pika "d"), Kushtetuta i njeh të drejtën Gjykatës Kushtetuese të vendosë mbi "kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 9 të kësaj Kushtetute". Krahas kësaj kërkese, Kushtetuta u jep edhe një të drejtë të rëndësishme partive politike, të drejtën për të vënë në lëvizje, me kërkesë, Gjykatën Kushtetuese22. Në plotësim të Kushtetutës, ligji "Për partitë politike" hartuar më 1991 dhe rishikuar në vitin 2000 bën përcaktimin ligjor të partive politike. Sipas nenit 1 të këtij ligji "partitë politike janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve politike të përbashkëta, që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit"23. Neni pasardhës vlerëson se "partitë politike marrin pjesë në formimin e vullnetit politik të popullit në të gjitha fushat e jetës publike dhe kryesisht nëpërmjet: ndikimit në krijimin e opinionit publik dhe të edukatës politike; nxitjes së pjesëmarrjes aktive të shtetasve në jetën politike dhe evidencimin e aftësimit të shtetasve për të marrë përsipër përgjegjësi publike; pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore". Partitë gjithashtu janë të detyruara " të përdorin vetëm mjete dhe metoda demokratike për arritjen e qëllimeve të tyre"24.
Pikërisht për shkak të rolit dhe funksionit kushtetues dhe ligjor të partive politike në formimin e vullnetit të popullit, ushtrimin e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, ndikimit mbi qytetarët dhe shoqërinë, si dhe zhvillimit në tërësi të sistemit demokratik, qëllimet dhe përgjegjësitë e partive politike zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm edhe në dokumentin "Strategjia e Sigurisë Kombëtare në Republikën e Shqipërisë". SSK e miratuar së fundi më 25 nëntor 2004 përmes një konsensusi të plotë të gjitha forcave politike parlamentare, në pikën 28.2 kërkon një rol aktiv të partive politike në sigurimin e stabilitetit politik në vend. Duke e përkufizuar stabilitetin politik, si një "çështje jetike për shoqërinë shqiptare", SSK paralajmëron rreziqet për destabilitet dhe thekson se nga "përvoja e deritanishme e demokracisë në Shqipëri provon se destabiliteti politik ka qenë i pranishëm në mjedisin e brendshëm. Ky fenomen rrezikon mosfunksionimin e mirë të institucioneve, mungesën e paqes sociale e të qetësisë publike, mosarritjen e konsensusit politik për çështje shumë të rëndësishme të vendit dhe cenon prestigjin e Shqipërisë në kuadrin ndërkombëtar"25. Në listën e rreziqeve të tjera të brendshme, të lidhura edhe me aktivitetin dhe përgjegjësitë e partive politike, SSK përcakton edhe përmasat shqetësuese të korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e pamjaftueshëm ekonomik, emigracionin dhe rrjedhjen e trurit, problemet demografike, pamjaftueshmërinë e burimeve njerëzore të specializuara, si dhe dezinformimin e opinionit publik.
Krahas tyre, tema të tjera thelbësore në sistemin e sigurisë në raport me partitë politike janë roli i parlamentit, forcimi i shtetit ligjor, respekti përtë drejtat e njeriut dhe minoritetit, dialogu për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, reforma në Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë, veprimtaria diplomatike, raportet me partnerët ndërkombëtarë, etj. Në përkufizimin e "interesave kombëtare" dhe raportit me pushtetin politik, SSK vlerëson se "pushteti politik e ka për detyrë sublime përcaktimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. Ky angazhim duhet të shoqerohet me kërkimin dhe sigurimin e konsensusit te gjerë nepërmjet debatit publik. Jo çdo interes kombëtar (me përjashtim të interesave të mbijetesës) mund të jetë edhe interes i përbashkët ose në interes të gjithëve. Në këtë kuptim, unanimiteti për përcaktimin dhe realizimin e interesave kombëtare nuk eshtë domosdoshmëri, por pranimi dhe konsensusi është rregull që duhet zbatuar me konsekuencë në një sistem demokratik".
Partitë politike përfaqësojnë programet e tyre përmes përfaqësimit në parlament dhe në qeverisje, rol që krijon një ndërthurje të përgjegjësive kushtetuese dhe në fushen e sigurisë26. Si të tilla, ato jane direkt të perfshira edhe në përcaktimet e "Kapitullit 4" të SSK,sipas të cilit "institucionet kryesore përgjegjëse në lidhje me çështjet e sigurisë janë Kuvendi, Presidenti dhe Këshilli i Ministrave"27. Në përputhje me Kushtetutën, Kuvendi "është organi i vetëm që miraton ligje në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit"28, si dhe kryen funksionin e "kontrollit demokratik parlamentar" mbi institucionet e sigurisë. Presidenti është "funksionari më i lartë përgjegjës për realizimin e misionit, parimeve dhe objektivave të sigurisë së vendit dhe mbrojtjen e zhvillimin e interesave kombëtare"29 dhe në këtë funksion drejton edhe Këshillin e Sigurimit Kombëtar, një organ kushtetues dhe këshillimor i Presidentit. Institucioni i tretë, Këshilli i
Ministrave përfaqëson pushtetin ekzekutiv dhe përgjigjet "për zbatimin e SSK dhe gjendjen e zhvillimet e instrumenteve të sigurisë dhe të burimeve kombëtare"30.
Në thelbin e tyre trajtesa, ndarje dhe përgjegjësi të tilla kushtetuese në rolin e partive politike në fushën e sigurisë kombëtare, gjenden në shumicën e shteteve me sistem politik demokratik të kohsoiiduar, përfshirë edhe në ish vendet komuniste, tashmë pjesë e integruar e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Dallimet midis modelit shqiptar dhe atij rajonal e më gjerë, më shumë se në parimet e shkruara gjenden ne rrafshin e zbatimit konkret të tyre. Secili vend ka veçoritë dhe tiparet e veta në zhvillimet politike, rolin e partive politike, institucioneve që ato krijojnë si dhe në renditjen e rreziqeve dhe kërcënimeve për të ardhmen.
Parë nga ky këndvështrim, në dokumentet e SSK të Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, Serbisë, por edhe të Bullgarisë dhe Rumanisë ka dallime thelbësore, sidomos përsa i përket klasifikimit të rreziqeve të brendshme dhe sfidave të së ardhmes31. Të gjitha shtetet e rajonit ndajnë të njëjtin synim për integrim në NATO dhe BE; për bashkëpunim midis shteteve, treg të lirë, forcim të institucionevc; demokratike, respektim të të drejtave të njeriut, etj, por përvojat e 15 viteve të fundit kanë dëshmuar se jo të gjitha vendet iu janë përmbajtur në theib, në kohë dhe në cilësi këtyre angazhimeve32. Tashmë kur vendin e luftërave etnike në Ballkan e kanë zënë proceset e afirmimit te vlerave demokratike dhe gara për integrim, natyrshëm që në morinë e problemeve në fushën e sigurisë, secili vend ndalet,në ato probleme, të cilat do të përbëjnë kryetemën e sotme dhe të së ardhmes së afërt. Ky zhvillim ndodh edhe në Shqipëri. Duke bërë diferencimin se cilat janë problemet më thelbësore dhe më tipike në Shqipëri në fushën e sigurisë, si dhe cilat janë zhvillimet dhe përgjegjësitë e partive politike në raport me këto probleme, le të ndalemi konkretisht në disa prej tyre.
Shqipëria zyrtarisht nuk ka probleme me integritetin e saj territorial. Kufijtë e saj shtetëror janë të njohur nga shtetet fqinje dhe politika zyrtare shqiptare nuk ushqen asnjë pretendim për rishikimin e tyre33. Në dukje formal, ky qëndrim shpreh një element'me mjaft rëndësi për sistemin e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Kjo, pasi Shqipëria, në këndvështrim etnik, është nga të vetmet shtete në botë që në kufijtë e saj tokësorë kufizohet nga banorë të të njëjtës kombësi. Në qëndrimet ndaj fqinjëve, por edhe në politikën e jashtme dhe në çështjen kombëtare nuk ka asnjë dallim midis partive politike parlamentare. Programi i tyre politik është thuajse identik, qëndrimet e qeverisë gjatë viteve 1992 e në vazhdim kanë qenë të njëjta, në funksion të rolit moderator në rajon. Shqipëria beson në një Kosovë të pavarur, një shtet i dytë demokratik i shqiptarëve në hartën e Evropës së Bashkuar. Shqipëria beson gjithashtu në integritetin e Maqedonisë, njohja e të cilës më 1993 bashkoi të gjithë spektrin politik të Tiranës.
Oëndrime konsensuale të partive politike vërehen edhe në aspektet e tjera të SSK, që kanë të bëjnë me integrimin euroatlantik, bashkëpunimin rajonal, miqësinë me vendet fqinje, respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare si dhe në sfidën e re globale të luftës ndaj terrorizmit. Kjo e fundit merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe kontributin e saj. Imazhi i saj ndërkombëtar si një vend me shumicë të besimit mysliman, mori një zhvillim të ri në kushtet e përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar, shpesh të identifikuar me pa të drejtë si koalicion kundër shteteve të një besimi tjetër fetar nga ai i botës perëndimore. Me një përvojë minimale në operacionet ushtarake në vendet e tjera (Shqipëria kurrë nuk ka sulmuar as pushtuar një shtet tjetër; ajo ka ndihmuar në çlirimin e territoreve të caktuara të Jugosllavisë më 1944; nuk ka pranuar të përfshihet në luftën italo-greke (1940) dhe luftën civile greke (1949); aderoi në Traktatin e Varshavës (1955), nuk mori pjesë në asnjë operacion ushtarak të tij dhe e braktisi atë më 1968, duke qëndruar gjatë gjithë viteve 1968-1991 jashtë pakteve ushtarake të Luftës së Ftohtë), më 1992 qeveria demokratike paraqiti kërkesën zyrtare për anëtarësim në NATO. Duke filluar nga viti 1995 në Bosnje, Shqipëria u përfaqësua për herë të parë në histori me misione paqeruajtëse në kuadër të NATO dhe aleancave perëndimore. Misionit të Bosnjës iu shtua tre vjet më parë edhe dërgimi i trupave paqeruajtëse në Mosul (Irak) dhe më pas edhe në Kabul (Afganistan). Marrja e përgjegjësive të tilla natyrshëm ndikoi edhe në shtimin e mundësive për cenimin e sigurisë. Trupat shqiptare paqeruajtëse nuk kanë patur incidente serioze në misionet e tyre në tre nga vatrat më të nxehta të konflikteve në botë, por pas ngjarjeve tragjike të muajit mars 2006, kur trupat talebane rrëmbyen dhe ekzekutuan katër shtetas të kombësisë shqiptare, në përgjigje të angazhimit shqiptar në koalicionin kundër terrorizmit. Fakti se të katër personat ishin shtetas të një vendi tjetër, por përcaktues në vendimin e krerëve talebanë ishte kombësia e tyre shqiptare, e bën edhe më direkte aktin kriminal ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo ngjarje nuk ndikon në thelbin e angazhimit shqiptar në koalicionin antiterror, por ndërkohë e bën të domosdoshme rritjen e masave të sigurisë për të gjithë shtetasit dhe vetështetin shqiptar.
Tej konsensusit politik për çështjet e integrimit, problemeve kombëtare dhe ato të thelbit të politikës së jashtme, në Shqipërinë politike të 15 viteve të fundit vërehen gjithashtu edhe qëndrime të dyzuara në zbatimin konkret të angazhimeve. Në fillim të viteve '90 partitë e përdorën hapjen drejt procesit të integrimit nga njëra palë si kapital i saj politik dhe nga pala tjetër si humbje e identitetit kombëtar. Në mesin e viteve '90 partitë kryesore politike iu afruan qëndrimeve në politikën e jashtme, por bënë dallime në qëndrimet ndaj zhvillimeve politike në Prishtinë dhe Beograd, duke krijuar përshtypjen se secila palë u përpoq të përfitojë sa më shumë kapital politik prej zhvillimeve të tilla, pa marrë parasysh interesat strategjike të gjithëpranuara të Shqipërisë. Në fundin e viteve '90 fushata shtetërore kundër elementëve radikale islamikë në Shqipëri qëllimisht u përdor si preteks për të dëmtuar imazhin politik të opozitës së djathtë. Zhvillime të tilla u përsëritën edhe pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit 2001. Të njëjtat qëndrime të me dy standarde janë konstatuar edhe në trajtimin e çështjeve të tjera prioritare të sigurisë, siç jane lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, garantimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë, etj. Në mënyrë të gabuar u imponua një praktikë e gabuar sipas të cilës partitë që ndodheshin në opozite janë simbol i krimit e korrupsionit apo që drejtuesit të institucioneve kushtetuese e të drejtësisë duheshin shkarkuar për paaftësi e akuza të tjera sa herë kryhej rotacioni politik.
Këto dhe të tjerë shembuj dëshmojnë se në tërësi forcat politike në qeverisje, në jo pak raste, më shumë e kanë keqoërdorur përkrahjen masive për integrim dhe orientimin gjithëpopullor,sesa e kanë kërkuar, ruajtur dhe zhvilluar atë. Në vende të tjera ish lindore, si Çekia, Polonia, Hungaria, Sllovakia, etj, pozita dhe opozita e kanë përdorur konsensusin kombëtar për integrimin si urë lidhëse midis forcave politike rivale, midis institucioneve dhe midis shtetit e qytetarëve. Reformat dhe vendimet më të rëndësishme siç janë reformat kushtetuese, ato në fushën e privatizimit, reformat në sistemin e drejtësisë, në çështjet e pronës, të integrimit, etj, janë realizuar përmes një platforme të pranuar, votuar dhe mbështetur nga të gjitha forcat kryesore politike. Kjo mënyrë e civilizuar e përballjes së shtetit dhe shoqërisë me sfidat kryesore të vendit, ka rezultuar e suksesshme dhe ka dhënë efektet e veta brenda një kohe relativisht të shkurtër, ndaj si e tillë, përbën një përvojë mjaft pozitive që duhet ndjekur nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor.
Parë në retrospektivë, zhvillimet e 15 vjetëve të fundit dëshmojnë se ndërmarrja e reformave të gjithanshme demokratike, në tërësinë e tyre, sollën rezultate pozitive pozitive për vendin e shoqërinë. Me 1990 Shqipëria ishte një shtet diktatorial. Pas 15 vitesh Shqipëria përfaqëson një demokraci të konsoliduar që pretendon anëtarësimin në NATO brenda dy viteve të ardhshme. Ky ndryshim thelbësor shpreh revolucionin e madh që ka ndodhur gjatë këtyre viteve në sistemin demokratik në vend, përfshirë edhe në raportin e partive politike me institucionet përgjegjëse në fushën e sigurisë. Një vlerësim i tillë pozitiv vlen edhe për parlamentin, i cili ka pësuar ndryshime pozitive në mënyrën e funksionimit të brendshëm të tij, zgjerimin e tematikave të diskutimit, rritjen e transparencës qeveritare ndaj publikut dhe përfaqësimin më të mirë të interesave të qytetarëv^34.
*Autori është këshilltar i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Pikëpamjet e shprehura në këtë studim janë personale dhe nuk shprehin mendimin zyrtar të institucionit ku punon
Krijoni Kontakt