Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Tri dimensionet e Ilo Mitkë Qafëzezit

    Tri dimensionet e Ilo Mitkë Qafëzezit

    JONELA SPAHO

    24 Korrik

    Vështrim mbi krijimtarinë letrare artistike

    Nëse i referohemi krijimtarisë letrare të tij, padyshim që së pari do të ndalemi te komediografi dhe më pas te folkloristi dhe së fundi te shkrimtari për fëmijë.

    Në kompleksitetin e personalitetit historik dhe kulturor të Ilo Mitkë Qafëzezit, nuk mund të anashkalohet një aspekt i rëndësishëm siç është krijimtaria letrare artistike dhe pasuria gjuhësore, që servir vepra e tij. Parë dhe studiuar në këtë aspekt, krijimi artistik i tij rrok tri dimensione, atë të komediografit, të folkloristit dhe të shkrimtarit për fëmijë.

    Nisur nga konteksti kohor i tanishëm, kjo krijimtari nuk ofron sasi dhe ka pika të diskutueshme, por nisur nga klima kulturore dhe letrare e kohës kur u shkruan dhe u botuan, ato sjellin një ndihmesë jo pak të konsiderueshme.

    Nëse i referohemi krijimtarisë letrare të tij, padyshim që së pari do të ndalemi te komediografi,e më pas te folkloristi dhe te shkrimtari për fëmijë.

    Komediografi i ’36-ës

    E cilësojmë së pari si komediograf duke iu referuar veprës më të rëndësishme letrare, jo vetëm për materialin që sjell, por dhe për lëvrimin e një prej gjinive aq të rralla, por shumë të mirëpritura dhe të dëshiruara nga publiku i kohës dhe skenat e teatrove amatore. “Dhaskal Gjoka”, apo “Shkolla korçare e qëmoçme”,e botuar në Korçë në vitin 1936, me një kushtim tepër prekës në ballin e saj, “I kushtohet hijes së adhuruar të mësonjësit t’em të ndjermë, që më frymëzoi shumë dashuri për shqipe dhe për Shqipëri”.

    Kjo komedi në kontekstin kohor dhe letrar i përket gjysmës së dytë të shekullit të XX-të dhe fazës së dytë të zhvillimit të komedisë tek ne. Komedia, si një lloj relativisht i vështirë i gjinisë dramatike, në letërsinë tonë të traditës ka njohur një zhvillim të vonë dhe të pakët në sasi.

    Por është i vërtetë fakti, që krahas ndonjë komedie zbavitëse siç ishin ato të Aleko Vançit apo Dhori Kotit, pati dhe komedi që prekën probleme të rëndësishme.

    Komedia “Dhaskal Gjoka” është pikërisht një komedi e tillë, e cila përveç elementëve ekspresivë të humorit dhe të së qeshurës, është dhe një komedi me karakter pedagogjiko-didaktik, që shtron një problem të rëndësishëm siç është ai i përdorimit të metodave të vjetra pedagogjike, në shkollën fillore. Përveç kësaj kjo komedi, përmes humorit, që varion nga një ironi e hollë në satirë dhe sarkazmë, duke arritur dhe në grotesk, trajton dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e mësimit të gjuhës shqipe, përveç asaj greke, me afirmimin e idealeve atdhetare e deri në problemet që kanë të bëjnë më çështjet e etikës dhe moralit.

    Gama informative e komedisë, në këtë aspekt meriton vëmendje. Autori e pohon këtë në parathënien e veprës.

    ”Mundem të them se këto pjesëza sjellin ca më tepër dobi se librat edhe sesa koferencat. Pjesa teatrore dramatike, veçanërisht komedia është shëmë e këndëshme, shëmë instruktive, si për ata me gramë si për ata që nuk kanë dituri”.

    Ky pohim dëshmon qëllimin e një vepre të shkruar për të gjithë dhe të receptueshme gjerësisht.

    Për të realizuar një komedi të tillë, autori është përpjekur të fokusohet te karakteri komik, i cili është ndërtuar përmes kondraditave dhe situatave komike, gjatë të cilave veprimet dhe arsyetimet e Dhaskalit spikasin thelbin grotesk të tij.

    Dukuritë komike lindin prej shkaqeve të ndryshme.Disa dukuri të vjetëruara që përpiqen të paraqiten si bashkëkohore janë shpesh shkak primar i komikes.Por komikja lind dhe kur përfaqësues të shtresave të caktuara shoqërore mendojnë se luajnë një rol të rëndësishëm shoqëror ndërkohë që roli i tyre është regresiv dhe qesharak. Këta individë që ndjekin automatikisht fatin e tyre, pa menduar për lidhjet me të tjerët janë shpesh burimi i komizmit.I tillë është dhe Dhaskal Gjoka, i cili mendon se e drejta e tij për të dhënë mësim është e pazëvendësueshme dhe roli i tij është i pamohueshëm, ndërkohë që misioni i tij në fakt, ka marrë fund dhe metodave të tij iu ka kaluar koha. I ndërtuar përmes kësaj kontradikte, midis metodave të tij të vjetëruara pedagogjike dhe fanatizmit me të cilin i mbron. Ky karakter është i realizuar plotësisht brenda kuadrit komik, nëpërmjet kombinimit të së qeshurës, por dhe keqardhjes për fatin e Dhaskal Gjokës.

    Dhaskal Gjoka është tipi i mësuesit pedant e të dhunshëm, i cili në mënyrë strikte aplikon metoda të vjetëruara e kthehet në një bunker përballë sugjerimeve për të ndryshuar. Ai vetëdemaskohet duke gjeneruar komizëm, nëpërmjet të menduarit dhe të vepruarit në situata të veçanta, siç janë ato të etiketimit vulgar të nxënësve për fjalët e shqiptuara gabim, ndëshkimet viktoriane të fëmijëve, mënyrat sesi kërkon të përfitojë materialisht prej prindërve që dergojnë fëmijët në shkollë, mënyrës qesharake se si reagon ndaj thashethemeve që qarkullojnë rreth tij etj.

    Karakterin komik autori e realizon gjithashtu nëpërmjet alogjizmit. Gjatë gjithë zhvillimit të komedisë vërehet aktivizimi i alogjizmit, si një mjet i fuqishëm stilistik për të thelluar kontradiktën komike, duke zbuluar nëpërmjet tij shterpësinë mendore të personazhit, çka vë në lëvizje mekanizmin komik të situatave. Alogjizmi me të cilin ai mbështët teorinë e tij të vlerave e kthen atë në një karikaturë groteske e të zvetënuar, që nuk merr fare parasysh dëshirat dhe shpalosjen e lirë të lirisë së fëmijës, çka Rusoi e kishte propoganduar me forcë një shekull më parë. Kulmin alogjizmi i tij e arrin kur kërkon të disiplinojë në mënyrë strike dhe nevojat fiziologjike të fëmijëve.

    Në këtë mënyrë, realizimi i unitetit mes karakterit dhe veprimit na çon natyrshëm drej thelbit të tij. Nisur nga sa theksuam subjekti i komedisë nuk karakterizohet nga një veprim i gjatë dhe ndeshje personazhesh, por për ta bërë veprën interesante autori rrit komizmin gradualisht, komizëm i cili arrin kulmin në fund të komedisë kur interesat e Dhaskalit vihen në diskutim. Autori di ta verë situatën në funksion të realizimit të karakterit komik, në mënyrë të natyrshme dhe spontane, sepse kjo është dhe natyra e komedisë, e cila ndryshe nga tragjedia s’ka nevojë ta ruajë veten me anë të ndonjë logjike të pashmangshme, apo me anë të rregullave akademike.

    Për sa i përket mënyrës së ndërtimit, ashtu si dhe komeditë e tjera të periudhes dhe tek kjo vepër vërehet ndikimi i komedisë klasiciste, me respektimin e njësisë së kohës, vendit dhe veprimit, trajtimit të problemeve etike, madje ndikimi vërehet dhe në mënyrën e ndërtimit të ndonjë personazhi. Të bën përshtypje, veçanërish, përshkrimi i saktë i veshjes dhe ambientit, çka thekson dëshirën dhe qëllimin e autorit për receptimin e saj nëpërmjet skenës.

    Pa lënë menjanë këtë kontribut të autorit në fushën e komedisë dhe duke iu referuar përsëri sferës së satirës dhe humorit, nuk mund të mos vlerësojmë dhe përmbledhjen me tregime në vargje “Rresku arbëror”, i cili u shkrua me alfabetin e Stambollit dhe u botua për herë të parë në Selanik në vitin 1910 dhe më pas u botua përsëri në Korçë në vitin 1924. Gaetano Pettrota thekson se kjo figuron si e vetmja vepër anektodash satirike shqip në historinë e letërsisë sonë.

    Folklorist që 15 vjeç

    Në historinë e folkloristikës shqiptare shpesh është përmendur puna kolosale e Mitkos, Jubanit, Dines etj. Në mbledhjen e folklorit, por tepër rallë është përmendur emri i Ilo Mitkë Qafëzezit, i cili jo vetëm mblodhi dhe grumbulloi, por dhe përshtati në vargje rreth 73 anekdota satirike, të mbledhura nga goja e “Llauzit shqiptar”. E veçanta e kësaj përmbledhjeje qëndron në faktin se Ilo Mitkë Qafëzezi ishte vetëm 15 vjeç kur i mblodhi dhe i përpunoi dhe 19 vjeç kur i botoi. Janë rreth 73 anekdota satirike në vargje të metrave e gjatësive të ndryshme, gjithëmonë të rimuara sipas skemës AA BB ose ABAB, ndërsa vargjet variojnë që nga 8-rrokëshi i poezisë popullore e deri te 16-rrokëshi.

    Anekdotat shquhen për larmi tematike dhe siç i klasifikon vetë autori, në një shkrim polemizues në “Gazetën e Korçës,” gjysma e tyre merren me veset dhe gabimet e njerëzve të pasur, në hirearkinë e të cilëve përfshihen mbretër, vezirë, pashallarë, gjykatës, priftërinj dhe hoxhallarë, madje dhe ndonjë figurë historike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa pjesa tjetër e tyre i përkasin Hoxhë Nastradinit “të madhit ironist filozof”. Por në këtë përmbledhje, përveç materialit të mbledhur në popull e të mësuara prej babait të tij zdrukthëtar, një pjesë e anekdotave janë krijime origjinale të autorit, madje dhe kur e braktisi këtë lloj krijimtarie ai vazhdonte të kishte rreth 100 copëza të tilla ende të papërpunuara.

    Autori pretendon në autenticitetin e këtyre anekdotave duke theksuar se ato janë pasuri popullore dhe vetëm përpunimi artistik është meritë e tij. Ato janë bërthama anekdotash që bëjnë pjesë në folklorin e pashtershëm shqiptar, ”Janë thërrime anekdotash llauzishte të treguara në Toskëri”.

    Vlera e tyre spikat dhe qëllimin e autorit, i cili nga njëra anë, përmes satirës dhe humorit, rrëket të përqeshë dhe thumbojë veset, dobësitë dhe anët negative të jetës njerëzore, me një vello të imët filozofie tipike popullore, në mënyrë që njerëzit nëpërmjet tyre të shohin më qartë vetveten duke qeshur dhe zbavitur, dhe nga ana tjetër “ato të ndihmojnë të ndreqësh ndonjë kusur që ndoshta do të bëhet huq, që të mos katandisesh të qeshin të tjerët me ty si me ata të shakasë”.

    Përmes tyre shpaloset një galeri e tërë tipash qesharakë të cilët bien pre e padijes ose e lakmisë dhe egoizmit të tyre. Ndër më të bukurat, ku morali gjen vend për tu ndërthurrur natyrshëm me filozofinë janë, ”Ali pashë Tepalena dhe prifti i Hormovës”, ”Prifti dhe kusarët”, “Jam turk për zotnë Krisht”, “Mjekra e kadiut”, “Prej asaj bote”, “Vleftë e rrobes së rë”, ”Nastradini në gosti”, “I verbëri”etj.

    Në përgjithësi, autori nuk e bën moralin qëllim në vetvete por përmes rrëfimit të ngjarjes i jep mundësi lexuesit të nxjerrë përfundimin. Duke qenë anektoda të mbledhura në popull, autori zbulon në to thesare mençurie e filozofie të “shqipes së varfër malsor dhe fusharak, i cili me gjithë mbijetesën e gjatë të paditurisë si njeri i ngurtë dhe i shtypur ndë zgjedhen turke e nën influencë polesh e kulturash të huaja, ka mundur të na e ruajë të pacënuar këngën popullore, përrallën dhe shakanë. Në mes të frazave të shakave të vatrës kemi për të zbuluar me qindra e mijëra fjalë shqipe të paregjistruara në ndonjë fjalor shqip nga ato që kemi gjedi më sot. Anektodat përbëjnë një pjesë të krijimtarisë gojore poullore dhe të kulturës sonë të cilat nuk duhen nënvlerësuar”.

    Parë në këto aspekte, Ilo Mitkë Qafëzezi është ndër të parët folkloristë që janë marrë me mbledhjen dhe përpunimin e anekdotave satirike. Megjithëse në ndonjë shkrim në shtypin e kohës kur jetoi autori, janë shprehur mendime nënvlerësuese për këto pjesë. Përsëri ato kanë vlerë dhe rëndësi, së pari si fond i trashëgimisë kulturore dhe së dyti për mesazhet universale që ato mbartin, pavarësisht formës së thjeshtë e pa pretendime të dukshme letrare që ka arritur t’u japë autori.

    Shkrimtari për fëmijë

    Së fundi dhe shkurtazi nuk mund të mos përmendim edhe krijimtarinë e tij në fushën e letërsisë për fëmijë, gjë e cila merr rëndësi duke e pozicionuar në kontekstin kohor të viteve 30’ kur kjo letërsi kishte nevojë që të krijohej si degë më vete e letërsisë në përgjithësi.

    Shkrimet e tij për fëmijë ai i botoi kryesisht te revista “Vatra e Rinisë” e Vangjel Xhaçkës dhe te “Gazeta e Korçës”, në një hark kohor që përfshin vitet 1933-1936, vite në të cilat ai kishte arritur pjekurinë letrare, siç ka ndodhur shpesh me të gjithë autorët që kanë shkruar për fëmijë, pasi kanë arritur kulmin letrar sepse kjo lloj letërsie paraqet vështirësi relative që lidhen me të kuptuarit e botës dhe psikologjisë feminore.

    Ndër këto shkrime përmendim dy lloj zhanrash të lëvruara prej tij. Tregimet, ”Dhori nazetari”, “Eshtë kafshë shtëpiake”, “Ortaku i panginjur”, etj dhe zhanrrin e përrallës, ”Tre kurrisdalë të këqinj”, ”Pse s’ka Baliku shtëpi”, ”I shkreti lepur”, “Çafkëlorja dhe shtërgu”, etj.

    Për sa i përket përrallave, ato paraqesin interes nëpërmjet elementëve që mbartin duke marrë shpesh dhe trajtën e gojëdhënave siç ndodh te “Çafkëlorja dhe shtërgu “, ku nëpërmjet një gjuhe të këndshme dhe humorit, ai iu tregon femijëve se pse çafkëlorja ka mbetur “pa qafëzë”.

    Ilo Mitkë Qafëzezi është cilësuar si një ndër shkrimtarët që bën pjesë në letërsinë moderne shqiptare për fëmijë të viteve ‘30, së bashku me M. S. Gurrën, V. Xhaçkën, Migjenin, T. Gjylin dhe Q. Guranjakun, madje është cilësuar së bashku me tre të fundit si një ndër shkrimtarët që njihte mirë botën e brendshme dhe dëshirat e fëmijëve. Këto lloj krijimtarie, padyshim i ka favorizuar dhe profesioni i tij si mësues. Për këtë arsye ai përdor me kaq mjeshtër një armë të tillë kaq të suksesshme në letërsinë për fëmijë dhe siç e theksuam e aktivizon në gjithë veprën e tij.

    Ilo Mitkë Qafëzezi është një autor që priret nga humori dhe sarira dhe duket se ka ditur ta shfrytëzojë atë me mjeshtëri. Për më tepër iu mbetet detyrë studiuesve dhe historianëve të letërsisë të ndërmarin studime më të thelluara lidhur me krijimtarine letrare të Ilo Mitkë Qafëzezit, duke i dhënë vendin që i takon në kulturën dhe letërsinë shqiptare.

    Metropol.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    kill your idol Maska e Pedro
    Anëtarësuar
    15-01-2003
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    410
    Te them te drejten, une shkrimin nuk e lexova, por vetem u ndala tek titulli "bombastik" i tri dimensioneve dhe po mendoja, nese ka ndonje njeri tjeter, qe te kete vetem dy dimensione ose biles edhe kater dhe me shume dimensione.

    Sado u mundova, prape te gjithe njerezit me tri dimensione me dukeshin.

    Prandaj edhe nuk e lexova shkrimin, sepse mendova, qe kjo gazetarucja kerkon te me tregoje gjera, te cilat nuk ka nevoje te mi tregoje njeri.
    Lista nr5

    6 kanatjere
    6 mbathje
    6 shami

    prej kohesh ka vene studjuesit ne mendime,per arsye te mungeses totale te corapeve

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •