Flet përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, Fra Vinçenzo Foca


Shqiptarët që thirrën përpara pushkatimit “Rroftë Krishti Mbret”!




Manjola Bregasi
“Kurrë mos e harroni atë që ka ndodhur këtu!” u shpreh Papa Gjon Pali II gjatë vizitës që bëri në Shqipëri në fillimet e viteve ‘90.

Ishte hera e parë që përfaqësuesi i lartë i Selisë së Shenjtë shkelte në këtë vend komunist, që në vitin 1967 ishte deklaruar si i pari shtet ateist në botë. Por që Shqipëria fetare të kthehej në një vend ateist duheshin zhdukur të gjitha fijet që e mbanin të lidhur me fenë, gjithë ikonat e besimeve fetare dhe sidomos ata që shiheshin si figura përfaqësuese të besimit në Zot. Dhe kështu me prishjen e kishave e të xhamive do të dënoheshin e persekutoheshin edhe njerëzit që qëndronin në to. Tashmë, gjithçka që lidhej me besimin fetar cilësohej blasfemi e dënueshme nga forca e diktaturës. Pre e dorës së egër në ato vite do të bëhej edhe kisha katolike. Me akuza të rreme, që i bënin kundërshtarë të vijës komuniste, shumë prej priftërinjve u burgosën dhe u pushkatuan. Ndoshta pikërisht fatit dhe rrugës së tyre i referohej Papa Gjon Pali II, kur fliste për të shkuarën që nuk duhej harruar. Dhe për më tepër, kur vetë u interesua për çështjen e martirëve shqiptarë. Vetëm dy vjet më parë, me miratimin e Selisë së Shenjtë, në Shqipëri kanë nisur procedurat për martirizimin e 40 përfaqësuesve katolikë, që kanë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri, duke sakrifikuar edhe jetën. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin veriut të vendit. Mes të tjerëve, një polak, një gjerman dhe një italian. Në Arkipeshkvinë e Shkodrës, në kishën e këtij qyteti, është krijuar një stendë e veçantë me emrat dhe fotot e këtyre shërbëtorëve të Zotit, që pritet të shpallen martirë të Krishtit në Shqipëri.
I dërguar nga Vatikani, Fra Vinçenzo Foca, për hulumtimin e çështjes së martirëve të Shqipërisë, tregon për ecurinë e këtij procesi dhe mënyrën se si do të vijojë më pas. Për të historia e martirizimit të klerikëve të dënuar nga diktatura komuniste, është një rast gati pa precedent në historinë e kishës. Po cila është historia e 40 klerikëve, që priten të pagëzohen nga selia e shenjtë me emërtimin “Martir”? Nëpërmjet dokumenteve dhe dëshmive të bashkëvuajtësve, gazeta “Panorama” do të zbardhë një pjesë të skëterrës që përjetoi komuniteti i klerikëve në periudhën e diktaturës. Cilët ishin katolikët që refuzuan komunizmin dhe mbrojtën Krishtin, torturat që vuajtën në burgjet e diktaturës dhe varret e fshehta të shumë prej tyre. 40 emra të lidhur nga i njëjti fat dhe të bashkuar për të mos mohuar krishtërimin. Historia tragjike e dënimit të katolikëve nis me meshtarin e parë të pushkatuar në Shqipëri, Dom Lazër Shantoja, në vitin 1945. Aq shumë ishte torturuar trupi i tij, saqë e ëma, kur e pa në atë gjendje i kërkoi shtetit: “E paguej unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askuj në atë gjendje”! Por siç do të shkruante më vonë Faik Konica, ajo që do të gjente plumbin për priftin katolik ishte një femër ushtare, e cila e qëlloi në qafë duke i sjellë vdekjen. Dom Lazër Shantoja ishte i pari, sepse pas tij do të vinin të tjerë. At Bernardin Palaj, i akuzuar për propagandë kundër regjimit komunist, që vdiq nga tetanozi i shkaktuar prej telit që i mbante duart të lidhura; Dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar në vitin 1971 nën akuzën se kishte bërë sabotim të rëndë ndaj kooperativës, se ishte agjent i të huajve, se kishte helmatisur puset. E vërteta ishte vetëm një: kishte pagëzuar një fëmijë. Mes martirëve edhe një grua. Motër Maria Tuci, një femër që iu përkushtua Zotit, e cila pasi u arrestua provoi në trupin e saj tortura nga më çnjerëzoret. Menjëherë pasi u lirua nga hetuesia, vdiq në spitalin e Shkodrës. Me akuza thuajse të njëjta, për veprimtari antikomuniste dhe spiunë të Vatikanit, një pjesë e priftërinjve do të merrnin dënimin kapital, ndërkohë që shumë prej tyre vdiqën nëpër burgje të torturuar dhe sakatosur.
Fra Vinçenzo Foca, juve jeni njeriu që merreni drejtpërdrejt me çështjen e martirëve të kishës katolike në Shqipëri, ç’mund të na thoni në lidhje me këtë proces dhe ecurinë e tij? Sa i rëndësishëm mund të konsiderohet ai për shqiptarët?
Eshtë një proces, që ka nisur më 10 nëntor të vitit 2002. Kërkesës që iu dorëzua Selisë së Shenjtë në lidhje me çështjen e vëllezërve katolikë që meritojnë titullin “martirë” pas Konferencës Arkipeshknore të Shqipërisë, Vatikani iu përgjigj pozitivisht. Menjëherë pas miratimit nga Vatikani nisi puna për plotësimin e dokumentacionit përkatës dhe kryerjen e të gjitha procedurave të nevojshme për këtë rast. Unë jam dërguar nga Selia e Shenjtë të merrem drejtpërdrejt me çështjen, mbledhjen e dëshmive dhe gjithë të dhënave për të plotësuar gjithë dokumentacionin, që do të dërgohet më pas në Itali. Sigurisht është një proces i rëndësishëm, që vlerëson veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në Shqipërinë komuniste.
Shohim se janë 40 persona, priftërinj dhe përfaqësues të kishës katolike ata që pritet të martirizohen. Përse janë përzgjedhur pikërisht këta emra, cili është aktiviteti që kanë kryer dhe mbi ç’bazë është bërë përzgjedhja e tyre?
Përzgjedhja e tyre është bërë në fakt sipas një ideje të hedhur nga kishat lokale, nga katolikë që duan të ecin në gjurmët e këtyre priftërinjve të devotshëm dhe duan t’i shohin këta persona si martirë. Nga ana tjetër është vetë veprimtaria dhe qëndrimi i këtyre priftërinjve në vitet e komunizmit, puna dhe vepra e tyre që vlerësohen sot për t’u dhënë titullin martirë. Bëhet fjalë për persona, përfaqësues të kishës, të cilët e kanë ushtruar aktivitetin gjatë viteve të regjimit komunist dhe që janë dënuar, burgosur e madje edhe janë pushkatuar pikërisht për shkak të bindjeve të tyre fetare, sidomos gjatë periudhës 1945-1950. Janë njerëz që kanë jetuar dhe kanë vdekur për kishën. Pjesa më e madhe e tyre, në momentin e pushkatimit kanë thirrur “Rroftë Krishti Mbret”. Megjithatë dua të shtoj këtu edhe pikëpamjet e tyre atdhetare. Të gjithë kanë qenë intelektualë dhe patriotë shqiptarë, por që u akuzuan si antishqiptarë, spiunë të Vatikanit dhe antikomunistë. Por faktet tregojnë të kundërtën. “Për fe e për atdhe” kanë qenë thirrjet dhe bindjet e tyre edhe përpara pushkatimit.
Cilat janë procedurat që ndiqen në këtë rast dhe deri ku kanë arritur konkretisht ato?
Për të ndjekur këtë proces është ngritur një gjykatë kishtare (e cila nuk ka lidhje me gjykatën legale), e përbërë nga gjykatësi, promotori i drejtësisë, 2 noterët dhe hetuesi, (që jam unë). Aktualisht, jemi ende nuk mbledhur materiale dhe dëshmi për 40 personat e propozuar për t’u shpallur martirë. Ky proces është ende në vazhdim dhe do të vijojë deri në mbledhjen e gjithë materialit të nevojshëm.
Ku bazohen këto dëshmi dhe sa është numri i tyre?
Dëshmitë janë të bazuara në persona konkretë, të cilat kanë jetuar në atë kohë, ose kanë dëgjuar për veprimtarinë e priftërinjve. Duke pasur parasysh faktin që pjesa më e madhe e krimeve janë të viteve 1945-1950, janë të paktë dëshmitarët okularë të atyre ngjarjeve, megjithatë janë mbledhur edhe dëshmitë e pasardhësve të tyre, që mund të kenë dëgjuar për veprimtarinë e këtyre katolikëve në atë periudhë. Deri tani kemi mbledhur 300-400 dëshmi, të cilat do të bashkohen me pjesën tjetër të dokumentacionit dhe të dhënat jetësore të këtyre personave. Natyrisht edhe dokumentet arkivore janë një pjesë e rëndësishme e materialit të mbledhur.
Sa të besueshëm janë dëshmitarët?
Çdo dëshmitar përpara se të japë dëshminë e tij, bën betimin mbi librin e shenjtë, Biblën.
Pasi të plotësohet gjithë dokumentacioni dhe dosja e secilit prej të propozuarve, si do të vijojë procesi?
Të gjitha dosjet, pasi janë plotësuar me të dhënat dhe janë ekzaminuar dëshmitë do të kalojnë te gjykata, e cila nën betim, bën një shqyrtim të tyre dhe më pas merret firma e dëshmitarëve. Me përfundimin e këtij procesi gjyqësor, materialet do të dërgohen të gjitha në Itali. Pikërisht këtu misioni ynë merr fund dhe nuk kemi asnjë të drejtë të ndërhyjmë më tej. Gjithçka do të shqyrtohet atje.
Cilët janë anëtarët e gjykatës kishtare, që do të ndjekin procesin?
Gjykata është e përbërë nga: Dom Giovani Qemal Kokona, (gjykatës), Dom Domian Kurti (Promotor i drejtësisë) dhe 2 noterët, motër Consiglia dhe motër Lula.
A mund të ndodhë që ndonjë prej emrave të miratuar të mos pranohet nga Vatikani?
Nuk e di, nëse mund të ndodhë diçka e tillë.
Kur mendohet të përfundojë ky proces?
Vetëm Zoti e di...



Ngritja dhe rënia e letërsisë katolike

Studiuesi i shquar Robert Elsie, ndërsa flet për kulturën dhe letërsinë shqiptare, citon në mënyrë të veçantë rolin e luajtur nga klerikët katolikë në Shkodër, të cilët me mbështetjen e katolikëve të Austrisë dhe Italisë ndikuan në përhapjen e ideve perëndimore. Dhe mes të tjerëve, ai përmend emrat e tre klerikëve që sot qëndrojnë mes 40 emrave për të marrë titullin “martir”. “Letërsia shqiptare vazhdon të përfitojë nga vëmendja që asaj i kanë kushtuar etërit Françeskanë dhe Jezuitë në shekullin XIX, kur nacionalistët, anëtarë të klerit katolik, si Pjetër Zarishi (1806-1866), Leonardo de Martino (1830-1923), Ndue Bytyçi (1847-1917) dhe Preng Doçi (1846-1917), ishin ndër të parët që shkruan dhe botuan poezi, jo vetëm me tema fetare”. Megjithatë, dr. Elsie do t’i quajë poetë të epokës së artë, tre nga emrat që qëndrojnë në listën e aprovuar nga Selia e Shenjtë për të marrë titullin “Shenjtorë”. “Ata që kanë ndikuar në zgjimin e kulturës së pavarur shqiptare në veri kanë qenë veçanërisht tre poetë të shquar katolikë: Vinçenc Prenushi (1885-1949), Lazër Shantoja (1892-1945) dhe Bernardin Palaj (1894-1947). Këta tre emra personifikojnë zenitin dhe njëkohësisht rënien e letërsisë katolike shkodrane”.



Martirët shqiptarë që u pagëzuan nga Papa Gjon Pali II

Ka qenë një nismë e kreut të Selisë së Shenjtë, menjëherë pas vizitës së tij në Shqipëri për të zbardhur të plotë historinë e martirizimit të klerikëve shqiptarë në kohën e diktaturës komuniste. Papa Gjon Pali i Dytë ka ideuar në vazhdim një procedurë speciale për të pagëzuar me titullin “Martir” 40 nga klerikët, që u dënuan dhe pushkatuan nga regjimi diktatorial në Shqipëri vetëm për shërbimin e tyre në emër të Zotit dhe kishës. Eshtë kjo një nga nismat e fundit që ndërmori përpara se të ndërronte jetë kreu i Selisë së Shenjtë. Pikërisht për këtë, në krye të një grupi hulumtuesish është deleguar nga Vatikani një grup misionarësh që operon në Shqipëri. Tashmë proceduarat për pagëzimin e martirëve shqiptarë nga Selia e Shenjtë janë në epilogun e tyre. Ky ritual nderi do të jetë ndërkaq edhe një mirënjohje tjetër shpirtërore e shqiptarëve për njeriun e Madh, Papa Gjon Pali i Dytë që bëri aq shumë për njerëzimin dhe veçanërisht për popujt e Evropës Lindore gjatë tjetërsimit të sistemit të tyre komunist.



“Armët në kishë” dhe dënimi i Mati Prenushit

Dënim me vdekje. Eshtë ky vendimi që u mor në një proces gjyqësor “farsë” në vitin 1948 ndaj at Mati Prendushit. Pas përfundimit të studimeve për Teologji në Graz të Austrisë, Mati Prendushi u kthye në Shqipëri dhe ushtroi aktivitetin e tij fetar në zona të ndryshme të vendit, si Kastrat, Iballë, Gomsiqe dhe Tiranë. Nga 17 qershori i vitit 1946 e deri më 5 dhjetor po të këtij viti, ditë në të cilën u arrestua mbajti pozicionin e ministrit provincial. Pasi u fshehën disa armë në kishën San Françesko-Gjuhadol, u akuzua se kishte marrë pjesë në një tentativë për revoltë kundër regjimit komunist. U pushkatua së bashku me at Çiprian Nika më 11 mars të vitit 1948, në afërsi të varrezave të Rrëmajt. U varros në një vend të panjohur në rrjedhën e lumit Kir.




40 Martirët e Krishtit


1. Imzot VINÇENC PRENNUSHI, i lindur më 4 shtator 1885 në Shkodër. Vdiq më 20 mars 1949 në Durrës.
2. At LUIGJ PALIQ, i lindur më 20 shkurt 1877 në Kosovë. Vdiq më 7 mars 1913 në Zallkuqani, Shkodër.
3. Dom GJON GAZULLI, prift i dioqezës së Shkodrës, lindi më 20 mars 1893 në Dajç të Lezhës dhe vdiq më 02 janar 1927 në Shkodër
4. Dom NDRE ZADEJA, prift i dioqezës së Shkodrës, lindi më 3 nëntor 1891 në Shkodër. Vdiq më 25 mars 1945 në Shkodër.
5. Dom MARK GJANI [XHANI], prift i dioqezës së Shkodrës, lindi më 1909 në Mirditë dhe vdiq më 1945 në Shën Pal, Mirditë.
6. At GIOVANI (GJON) FAUSTI, lindi më 19 tetor 1899 në Brozzo, Brescia (Itali).
7. At GJON SHLLAKU , lindi më 27 korrik 1907 në Shkodër.
8. At DANIEL DAJANI, lindi më 1916 në Blinisht, Zadrima e Lezhës.
9. Zotëri QERIM SADIKU, përfaqësues ligjor i dioqezës së Shkodrës, vdiq më 12 shkurt 1919 në Vuthaj, Shkodër.
10. Zotëri MARK ÇUNI, seminarist i Dioqezës së Shkodrës, i lindur më 1920 në Ranza Bushat, Shkodër.
11. Zotëri GJELOSH LULASHI, përfaqësues ligjor i dioqezës së Shkodrës. I lindur më 2 shtator 1925 në Shosh, Shkodër. Vdiq më 4 mars 1946 në Shkodër.
12. Zotëri FRAN MIRAKAJ, përfaqësues ligjor i Dioqezës së Shkodrës, i lindur më 1917 në Pukë. Vdiq më 1946 në Shkodër.
13. Dom ALFONS TRACKI, i lindur më 1892 në Wroc³aw (a.k.a. Breslau), Dolnoœl¹skie (në atë kohë në Gjermani, sot në Poloni), vdiq më 18 korrik 1946.
14. Dom ANTON ZOGAJ, i lindur më 1902 në Mirditë, vdiq më 31 dhjetor 1946 në Durrës.
15. Dom LAZER SHANTOJA, u lind më 2 shtator 1892 në Shkodër. Vdiq më 1946 në Tiranë.
16. Dom LUIGJ PRENDUSHi. I lindur më 8 janar 1896 në Shkodër, vdiq më 24 janar 1947.
17. Dom DEDE MAÇAJ. I lindur më 21 tetor 1920 në Mali Jushit, Shkodër. Vdiq më 15 mars 1947 në Përmet.
18. At SERAFIN KODA, i lindur më 25 prill 1893 në Janjevo, Kosovë. Vdiq në Lezhë në vitin 1947.
19. At GASPER SUMA. I lindur më 23 mars 1897 në Shkodër. Vdiq më 1947 në Shkodër.
20. Vëlla GJON PANTALIA, i lindur më 8 qershor 1887 në Prizren. Vdiq në Shkodër më 31 tetor 1947.
21. At BERNARDIN PALAJ, i lindur më 2 tetor 1894 në Shllak, Shkodër. Vdiq më 8 dhjetor 1947 në Shkodër.
22. Imzot FRANO GJINI, i lindur më 1886 në Shkodër. Vdiq më 11 mars 1948 në Shkodër.
23. At MATI PRENNUSHI, i lindur më 2 tetor 1881 në Shkodër. Vdiq më 11 mars 1948.
24. At CIPRIAN NIKAJ, i lindur më 19 korrik 1900 në Shkodër. Vdiq më 11 mars 1948 në Shkodër.
25. Dom DEDE PLANI, i lindur më 1889 në Shkodër. Vdiq më 30 prill 1948 në Shkodër.
26. Dom EJELL DEDA, i lindur më 23 shkurt 1917 në Shkodër. Vdiq më 12 Maj 1948 në Shkodër.
27. Dom PJETER CUNI, i lindur më 9 gusht 1914 në Shkodër.
28. Dom LEK SIRDANI, i lindur më 1891 në Boga, Shkodër. Vdiq më 1948 në Shkodër.
29. Dom ANTON MUZAJ, i lindur më 1921 në Kosovë. Vdiq në vitin 1948 në Shkodër.
30. Papa JOSIF MIHALI, prift i kishës katolike Shqiptaro-greke. I lindur më 23 shtator në Elbasan. Vdiq më 26 tetor 1948 në Maliq, Korçë.
31. Dom JOZEF MAKSEN, Prift i dioqezës së Mirditës, i lindur më 1904 në Gjermani, vdiq në vitin 1949 në Tiranë.
32. Dom JAK BUSHATI, i lindur më 08 gusht 1890 në Shkodër, vdiq më 1949.
33. Zonjushë MARIJE NIKOLL TUCI, përfaqësuese e re ligjore e arkdioqezës së Shkodrës. E lindur më 12 Mars 1929 në Ndërfushaz, Mirditë. Vdiq më 24 shtator 1950 në Shkodër.
34. Imzot JUL BONATI, i lindur në Itali. Vdiq më 1951.
35. At KARL SERREQI, i lindur më 27 nëntor 1911 në Shkodër. Vdiq më 5 prill 1954 në Burrel.
36. Dom NDOC SUMA, i lindur më 31 korrik 1887 në Nënshat, Lezhë. Vdiq më 22 prill 1958.
37. Dom DEDË MALAJ, i lindur më 16 nëntor 1917 në Vermosh. Vdiq më 12 Maj 1959 në Shkodër.
38. Dom MARIN Shkurti, i lindur më 1933 në Samrish, Shkodër. Vdiq më 1968.
39. Dom SHTJEFEN KURTI, i lindur më 24 Dhjetor 1898 në Ferizaj. Vdiq më 20 tetor 1971 në Gurëz, Laç.
40. Dom MIKEL BELTOJA, i lindur më 17 prill 1935 në Beltoja, Shkodër. Vdiq më 10 shkurt 1974.



neser do te lexoni

Rrëfimi i Padër Zef Pllumit për fatin e 40 martirëve të kishës katolike. Elita e besimit kristian që paralajmëroi që në vitin 1937, atë që do të ndodhte me komunizmin në Shqipëri.
Si u dënuan dhe u pushkatuan klerikët nga regjimi komunist. Akuzat politike përpara gjyqit. Torturat dhe keqtrajtimet që pësuan në burgje bashkëvuajtësit e at Zefit.
Si i futi sigurimi armët nëpër kisha, në mënyrë që të dënonte përfaqësuesit e tyre. Dosjet e gjyqeve që zotëron sot kisha françeskane dhe hezitimi për t’i bërë ato publike.