Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Katër misteret që shoqëruan Koçi Xoxen

    Sekretet e njerezve te vdekur

    Cilat janë të fshehtat e ish-ministrit të Brendshëm që u dënua si bashkëpunëtor i jugosllavëve






    Katër misteret që shoqëruan Koçi Xoxen

    Erion HABILAJ

    Sot, në rubrikën "Sekretet e njerëzve të vdekur" do të jetë ish-ministri i Punëve të Brendshme, i cili u dënua nga Enver Hoxha duke u akuzuar si bashkëpunëtor i jugosllavëve. Katër vjet pas çlirimit të vendit, Koçi Xoxe që deri në atë kohë ndodhej në majën e pushtetit u shpall tradhtar i vendit. Pikërisht më 28 nëntor të vitit 1948 ai arrestohet dhe disa muaj më pas në maj të vitit 1949, ai pushkatohet nga regjimi asaj kohe. Eshtrat e njeriut që ishte numri dy në hierarkinë e pushtetit pas Enver Hoxhës ende nuk janë gjetur edhe sot. Të shumta janë dyshimet pse u mor një vendim kaq i rëndë nga ana e diktatorit Hoxha për njeriun e tij më të besueshëm, që përveçse kishin qenë të afërt gjatë Luftës, ata i sollën marrëdhëniet drejt një konsolidimi sidomos me vendosjen e Pushtetit Popullor deri në vitin 1948, ku Koçi arrestohet.

    Pse Enver Hoxha e dërgoi Koçi Xoxen në Greqi, cili ishte gjenerali që ai takoi dhe për çfarë diskutuan?
    Ka qenë nëntori i vitit 1943, kur Enver Hoxha thërret Koçi Xoxen dhe e ngarkon me detyrë që të shkonte në Greqi për të takuar gjeneralin grek Sarafis, që ishte komandant i forcave të armatosura të EAM-it. Koçi mori me vete dhe Nesti Kerenxhin dhe shkuan e takuan gjeneralin grek që ishte i vendosur me trupat e tij në zonën e Kozhanit. Me nisjen e tij nga Shqipëria askush nuk mori vesh se cili ishte qëllimi i kësaj vizite. Në atë kohë u aludua për një ardhje të gjeneralit grek në forcat shqiptare, duke luftuar së bashku me partizanët shqiptarë. Por ky variant u hodh poshtë duke parë reputacionin dhe famën e gjeneralit grek Sarafis, i cili nuk mund të dezertonte nga forcat e vendit të tij. Nga dokumentet arkivore por dhe nga dëshmitarë të asaj periudhe është hedhur dritë mbi këtë takim, sikur gjatë takimit Koçi Xoxe i ka kërkuar gatishmërinë dhe miratimin e Enver Hoxhës për krijimin e Shtabit të Përbashkët Ballkanik, gjë të cilën Enver Hoxhës ia kishte kërkuar Tito me anë të të dërguarve të tij në Shqipëri. Gjenerali grek Sarafis, në mënyrë kategorike nuk e pranoi një propozim të tillë, duke i thënë Koçi Xoxes që është krejt i pavend krijimi i një shtabi të tillë. Kështu, Koçi Xoxe kthehet tek Enveri me mos miratimin nga ana e grekut të këtij projekt-plani i aleancës Tiranë-Beograd. Pas këtij dështimi, Enver Hoxha e hedh poshtë që të ketë bërë një propozim të tillë duke thënë që Koçi Xoxen e kishte dërguar në Greqi për një mision tjetër që nuk kishte të bënte me takimin me gjeneralin grek Sarafis. Më pas me urdhër të Shtabit Përgjithshëm, Koçi u caktua të shkonte në qarkun e Korçës në zonën e Gorë-Oparit. Ai punoi në atë zonë deri në mbarimin e Luftës, ku dha një kontribut të madh në organizimin e Lëvizjes Antifashiste me brigadat partizane. Koçi gjithashtu mori pjesë në Kongresin e Përmetit, ku ju dha grada gjeneral-leitenant, që ishte e dyta pas Enver Hoxhës që u gradua gjeneral-kolonel dhe gjithashtu u emërua në funksionin e zëvendëskryeministrit të qeverisë së përkohshme që doli nga ai Kongres, duke qenë direkt zëvendësi i parë i Enverit në të gjitha funksionet e tij.
    A qëndrojnë akuzat e rënda që u thurën kundër Koçi Xoxes për afro 40 vjet nga propaganda e pushtetit komunist dhe personalisht të Enver Hoxhës, i cili e akuzonte ndihmësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të tij si njeriun më të errët në historinë e Shqipërisë dhe agjent të jugosllavëve që kishte mbështetjen e Titos? Pse u pendua Bedri Spahiu, prokurori i Gjyqit Special të bërë ndaj Koçi Xoxes?
    Një mister të tillë më mirë se prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Bedri Spahiu, nuk mund ta zbardhë askush tjetër. Dënimi për Koçi Xoxen ishte kapital dhe tepër i rëndë. Me daljen nga burgu pas viteve '90, Bedriu u shpreh se ishte penduar që kishte dënuar një figurë siç ishte Koçi Xoxe. Spahiu ishte prokuror i tij dhe kërkoi dënimin e rëndë. Ndërsa më vonë, ish-prokurori i Përgjithshëm, Spahiu, u vu vetë në bankën e të akuzuarve. Ashtu sikurse e deklaron vetë, ai u detyrua që të deklaronte se Koçi Xoxe ishte fajtor. Duhet thënë që pendimi i Bedri Spahiut bëhet më i besueshëm kur kujton që këta të dy kishin marrëdhënie jo fort të ngrohta. Me vdekjen e tij, Koçi xoxe mori dhe shumë mistere. Ishte apo jo agjent i jugosllaveve? Kishte plane për rrëzimin e Enver Hoxhës, donte apo një rilidhje me shtetin fqinj, këto e të tjera mistere mbulohen me trupin tij. Gjatë gjithë periudhës që Enver Hoxha ishte gjallë, deri në vitin 1985 propagandoi me të madhe që Koçi Xoxe e kishte tradhtuar atë vetë por edhe atdheun, duke punuar për armiqtë më të mëdhenj siç i cilësonte Enver Hoxha, jugosllavët. A ishte Koçi Xoxe agjent i jugosllaveve, pse e dënoi Enveri me një motivacion të tillë absurd po t'u referohesh rrethanave të kohës? Në kohën e Luftës, Shqipëria kishte marrëdhënie shumë të mira me shtetin jugosllav. Kjo erdhi për një sërë arsyesh, por sidomos për faktin që kishin një qëllim të përbashkët atë të luftimit të armikut nazi-fashit, i cili kishte marrë me dhunë territorin e dy vendeve, por edhe bashkimi drejt një ideali siç ishte komunizmi. Me mbarimin e Luftës edhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve filluan të ftoheshin. Kështu, në vitin 1948 vjen dhe divorci i një marrëdhënieje disavjeçare. Por këtë zhvillim do të vinin dhe viktimat e para pas saj. Kështu Koçi Xoxe, i cili kishte qenë në marrëdhënie mjaft të mira me jugosllavët, u etiketua nga Enver Hoxha dhe klika e tij drejtuese si një agjent me rrezikshmëri të lartë dhe një devijant i asaj që quhej "vija e Partisë". Goditjen më të madhe ndaj ushtarakëve të lartë, Enver Hoxha e filloi në prag të Kongresit të Parë të PKSH-së. Asokohe dhe më pas gjatë vitit 1949, Enver Hoxha goditi bashkëpunëtorin e tij më të afërt gjeneral-leitenant, Koçi Xoxen.
    A është përgjegjës Koçi Xoxe për terrorin e egër komunist që ndodhi gjatë viteve 1945-1948, kur ai ishte në postin e ministrit të Brendshëm, ku u eliminuan apo u zhdukën fizikisht një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Hoxhës, pa përmendur këtu kundërshtarët e krahut tjetër politik, apo Xoxe ka qenë thjesht një zbatues i bindur i shefit të tij në të gjithë ato krime?
    Pasi Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore, e cila zgjati disa vjet kundër pushtuesve nazi-fashistë u radhit në vendet fituese të kësaj lufte që i kushtoi shtrenjtë si në aspektin e forcave njerëzore ashtu dhe në ato materiale. Në fillim të vitit 1945, me vendosjen e Pushtetit Popullor në postet kyçe të drejtimit të vendit u vendosën pikërisht ata që kishin luftuar gjatë Luftës. Njëri prej tyre ishte dhe Koçi Xoxe, i cili u vendos në krye të grupit të Gjyqit Special që do të gjykonin të gjithë ata që ishin kundërshtarë të pushtetit, por do të gjykonte dhe njerëz brenda vetit. Të gjithë ata që u cilësuan kriminelë të Luftës në vitet 1945-1948 u gjykuan nga Koçi Xoxe. Si kryetar i këtij grupi Special, Xoxe ishte mbikëqyrës e gjithë seancave gjyqësore ku bashkë me prokurorin e Përgjithshëm, Bedri Spahiu, dhanë dënime me të vërtet të rënda për shumë persona. Nga shumë dëshmitarë të asaj kohe dënimet që jepeshin nga ky grup ishin të gjitha të paramenduara. Kështu edhe pse marrja e vendimit ishte nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, përsëri ishin porositë e Enver Hoxhës ato që i vinin vulën përfundimisht. Pra, Koçi Xoxe apo dhe Bedri Spahiu ishin si të thuash vegla të një regjimi të egër që po instalohej në Shqipëri me në krye Enver Hoxhën. Pas përfundimit të këtyre gjyqeve tepër delikate për personat që dënoheshin, Koçi Xoxe u konsolidua si njeriu më i besuar i Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij me një pushtet politik absolut. Kështu ai përveç postit të zëvendëskryeministrit u emërua dhe ministër i Brendshëm, dhe gjithashtu ishte dhe në funksionin e Sekretarit Organizativ të PKSH-së, duke qenë numri dy pas Enver Hoxhës që ishte Sekretar i Përgjithshëm. Në mënyrë definitive mund të thuash se duke parë raportet midis Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës nuk mund të aludosh për veprime të Koçit pa miratimin e Enverit. Këto ngelen në kuadrin e misterit, pse prishja e marrëdhënieve me jugosllavët pati këtë efekt edhe te marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Koçi Xoxen.
    A kishte ndonjë plan për eliminim e klerikëve nga ana e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës? Çfarë tha Koçi në praninë edhe të Bedri Spahiut në shtëpinë e Enver Hoxhës, ku thureshin plane dhe intriga për kundërshtarët?
    Në sistemin një partiak shumë vendime merreshin edhe nga biseda direkte midis udhëheqësve. Menjëherë pas Luftës, dy nga njerëzit më të rëndësishëm ishin Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe. Një rast të tillë e ka sjellë Bedri Spahiu në kujtimet e tij. Ai thotë se Enveri dhe Koçi hartuan një plan për të zhdukur klerikët që ndodheshin në Shqipëri me metoda të fshehta duke krijuar skenarë që të sillnin enigmatizimin e zhdukjes së tyre. Në një bisedë të bërë midis Koçi Xoxes dhe Enver Hoxës pa praninë e të tretëve, në vitin 1946 aludohet nga Bedri Spahiu se ata të dy po krijonin skemën e zhdukjes së njerëzve të fesë. Bedri Spahiu në kujtime e tij thotë se "Një ditë shkova te shtëpia e Enver Hoxhës, aty ishte dhe Koçi Xoxe. Ata po bisedonin kur u ula. Koçi tha si vazhdim i bisedës së lënë përgjysmë, a, më saktë, si ndërrim teme: "Të poshtër e të rrezikshëm janë këta priftërinjtë që shkojnë e të vënë armë në altarin e kishës…". Enveri i përgjigjet: "Ata bëjnë punën e tyre, derisa ne na mungon vigjilenca dhe i mbyllim sytë para tyre". Jo, jo ia ktheu Koçi, nuk u ka munguar vigjilenca e organeve të Sigurimit, përkundrazi kanë qenë ata që e kanë zbuluar këtë krim të shëmtuar". Nga ky bisedim i Koçit me Enverin del qartë sipas Bedri Spahiut, se "ata donin të më mbushnin mendjen jo për ekzistencën e një fakti, por për të më bindur në vërtetësinë e një trillimi".

    Misteret

    1. Pse Enver Hoxha e dërgoi Koçi Xoxen në Greqi, cili ishte gjenerali që ai takoi dhe për çfarë diskutuan, a ka pasur ndonjë plan për një federatë ballkanike të organizuar nga Enver Hoxha dhe Tito? Pse Koçi Xoxe ishte njeriu më i besuar i Enverit duke i dhënë postin e zëvendësit të tij?

    2. A qëndrojnë akuzat e rënda që u thurën kundër Koçi Xoxes për afro 40 vjet nga propaganda e pushtetit komunist dhe personalisht të Enver Hoxhës, i cili e akuzonte ndihmësin dhe bashkëpunëtorin më të ngushtë të tij si njeriun më të errët në historinë e Shqipërisë dhe agjent të jugosllavëve që kishte mbështetjen e Titos?

    3. A është përgjegjës Koçi Xoxe për terrorin e egër komunist që ndodhi gjatë viteve 1945-1948, kur ai ishte në postin e ministrit të Brendshëm, ku u eliminuan apo u zhdukën fizikisht një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Hoxhës, pa përmendur këtu kundërshtarët e krahut tjetër politik, apo Xoxe ka qenë thjesht një zbatues i bindur i shefit të tij në të gjithë ato krime?

    4. A kishte ndonjë plan për eliminim e klerikëve nga ana e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës? Çfarë tha Koçi në praninë edhe të Bedri Spahiut në shtëpinë e Enver Hoxhës?

    Fakte mbi gjyqin

    1948, në Plenumin e KQ-së të PPSH-së hidhen akuzat e para ndaj Koçi Xoxes, ku shpallet armik i popullit nga Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike të asaj kohe.

    11 qershor të vitit 1948 bëhet gjyqi për Koçi Xoxen, ku ai shpallet fajtor. Gjyqin e drejtonte Bedri Spahiu, i cili kishte qenë së bashku Koçin në grupin e Gjyqit Special ku kishin dënuar shumë figura të asaj kohe. Gjyqi u bë pa praninë e Koçit dhe pas këtij gjyqi ai arrestohet.

    28 nëntor 1948 arrestohet Koçi Xoxe si armik i popullit dhe agjent i huaj, dhe burgoset në burgun e ri të Tiranës, ku mbahej nën masa të rrepta sigurie.

    Fillim maji i 1949-s, shpallet fajtor për të gjitha akuzat dhe nga gjykata i jepet dënimi kapital, ai me vdekje. Deri më sot akuzat më të rënda janë ato të bashkëpunimit me jugosllavët si shkelja e parimeve të Partisë duke u bërë pjesë e agjenturave të huaja.

    Maj 1949, në moshën 38-vjeçare pushkatohet sipas vendimit të marrë më parë nga Gjykata e Lartë edhe sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e Koçi Xoxes.

    Jetëshkrimi

    Emri: Koçi
    Mbiemri: Xoxe
    Vitlindja: 1911
    Vendlindja: Follorinë Greqi
    Shkollimi: Në vitin 1929 ka mbaruar dhe është diplomuar shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut
    Aktiviteti
    Themelues dhe kryetar i parë i Grupit Komunist të Korçës.
    Pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Anëtar i Byrosë Politike dhe KQ të saj që nga krijimi.
    Në vitin 1941 dhe 1942 burgoset si antifashist nga italianët.
    Nga 10 korriku i vitit 1942, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
    Në 24 maj 1944 gradohet gjeneral-leitnant në Kongresin e Përmetit.
    Në shkurtin e vitit 1945 emërohet kryetar i Gjykatës së Lartë.
    Në vitin 1945, nënkryeministër dhe ministër i Brendshëm.
    Në vitin 1945 merr pjesë në legjislaturën e parë si deputet i Kuvendit Popullor.
    Në vitin 1945 bëhet Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të PKSH-së.
    Në vitin 1948, ministër i Industrisë dhe Minierave.
    Dekorata
    I dekoruar "Hero i Popullit" dhe me medaljet më të larta në Shqipëri.
    I dekoruar dhe me shumë medalje të larta nga Bullgaria, Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik etj.
    Në 28 nëntor 1948, arrestohet.
    Në maj të vitit 1949 dënohet me vdekje dhe pushkatohet.
    Gjuhët e huaja që njihte: latinisht, greqisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, serbokroatisht dhe frëngjisht
    38 vjeç ishte kur u pushkatua. Ai ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmijë.
    Akoma dhe sot nuk i dihet ku ndodhet varri i tij.


    tirana observer

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Sekretet e njerezve te vdekur

    Cilat janë të fshehtat e ish-ministrit të Shëndetësisë në periudhën e komunizmit






    Tre misteret e Llambi Ziçishtit

    Erion HABILAJ

    Rubrika "Sekretet e njerëzve të vdekur" vjen sot me misteret që shoqëruan ish-ministrin e Shëndetësisë gjatë periudhës së komunizmit. Llambi Ziçishti, një nga figurat që ishte i përkëdhelur nga Enver Hoxha, ka pasur shumë enigma të cilat u mbuluan së bashku me trupin e tij dhe mund të zbardhen shumë kohë më pas ose ndoshta nuk të dalin kurrë në dritë. Që nga asistimi i tij në klinikën franceze, ku po operohej Hysni Kapo dhe roli i tij në ecurinë e shëndetit të ish-sekretarit të Parë të Partisë, deklarata e për vdekjen e Mehmet Shehut dhe deri në dënimin që u bë duke u akuzuar si pjesëmarrës në organizatën kundërrevolucionare nën drejtimin e Mehmet Shehut.

    Mister mbetet vizita në Paris kur atje ndodhej i shtruar Hysni Kapo. Pse ish-ministri i Shëndetësisë, Ziçishti, nuk u interesua kurrë për shëndetin e krahut të djathtë të Enver Hoxhës gjatë gjithë kohës që qëndroi atje?
    Në vitin 1979, kur Hysni Kapo ndodhej i shtruar në një klinikë të Parisit nga një sëmundje e rëndë, për ta shoqëruar atë përveç familjarëve që ishin medoemos prezent, kishin shkuar edhe anëtarë të Byrosë dhe qeverisë së asaj kohe. Kështu, në fillim ishte Kadri Hazbiu dhe me ikjen e këtij të fundit, atje shkon Ramiz Alia dhe ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, Llambi Ziçishti. Duke qenë se gjendja e Hysniut ishte e rëndë, ky mobilizim i udhëheqjes së asaj kohe ishte fare normal. Mirëpo, duke qenë se vdekja e krahut të djathtë të Enver hoxhës ngeli një mister nëse ishte një vdekje nga sëmundja apo erdhi e imponuar duke e futur në kurth, roli i ministrit të Shëndetësisë është për t'u marrë në konsideratë me praninë e tij në kryeqytetin francez. Hysni Kapo në momentin që iku në drejtim të Francës ishte në një gjendje jo shumë kritike duke parë se ai iku me këmbët e veta. Atij pranë i qëndroi bashkëshortja e tij, Vito, e cila ka treguar të gjitha detajet e momenteve të fundit të Hysniut. Ajo është shprehur se për çudi të të gjithëve, kur Hysniu ishte në çastin e fundit, ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, jo vetëm që nuk mori pjesë në ekzaminimet që iu bënë Hysni Kapos, por as që u interesua fare tek mjekët francezë. Ky është një moment shumë i mistershëm në jetën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ziçishti, nëse ai kishte shkuar atje për të përfunduar porosinë që Hysni Kapo duhet ta përfundonte jetën pikërisht në klinikën e Parisit. Ky fakt i bëri përshtypje edhe Ramiz Alisë, duke i thënë se duhet të ishte patjetër i pranishëm në operacion, pasi ky ishte qëllimi i tij që kishte shkuar aty. Llambi as këtë herë nuk u bë i gjallë të ishte prezent në sallën e operacionit, duke bërë që dhe Hysni Kapo të shprehej "Po ky derëziu ministër, pse nuk po duket fare?! Përse ka ardhur në Paris?!". Vito Kapo kur ka treguar detajet lidhur me praninë e ministrit të Shëndetësisë në Paris, për takimet ka deklaruar se ai ishte tepër i tronditur dhe seç kishte një si lloj frike që i konstatohej më mirë kur i kërkohej për të takuar Hysniun. Gjendjen e vazhdueshme të Hysniut për të raportuar në Tiranë e merrte nga Petrit Gaçe, doktori personal i Hysniut, apo dikush tjetër, dhe nuk interesohej vetë të ishte pranë. A ka rol ai në vdekjen e Hysni Kapos, apo jo, është më tepër se enigmatike, pasi kjo u zhduk bashkë me jetën e tij kur e pushkatua në vitin 1983. Po t'ju referohemi dëshmitarëve të kohës, na rezulton se çdokush ka të drejtë të dyshojë tek qëndrimi i Llambi Ziçishtit kundrejt Hysni Kapos. Pa dashur të bëhen aluzione, mund të themi që ish-ministri i Shëndetësisë së periudhës së komunizmit, ka një lloj misteri ndoshta të pazbardhshëm ndonjëherë lidhur me jetën e ish-komisarit politik të Brigadës V Sulmuese, Hysni Kapo.
    Deklaratat e tij në gjyq, që Mehmet Shehun e kishin vrarë dhe më pas tërheqja e kësaj deklarate, është një nga pjesët e misterit të Llambi Ziçishtit?
    Pas momentit të dyshimtë që kishte të bënte me vdekjen e Sekretarit të Partisë, Hysni Kapo dhe roli që kishte ministri i Shëndetësisë së asaj kohe në këtë vdekje, vjen një moment tjetër i dyshimtë që ka të bëjë me Llambi Ziçishtin. Më 18 dhjetor të vitit 1981, në ambientet e shtëpisë së tij gjendet i vdekur kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, në rrethana të pashpjeguara plotësisht edhe sot. Kur pranë trupit të tij shkojnë për t'i bërë ekspertizën, ndër specialistët e pranishëm ishte detyrimisht dhe ministri i Shëndetësisë. Pasi pa trupin e Mehmet Shehut, Llambi deklaroi në mënyrë të menjëhershme dhe të prerë, "kjo është një vrasje dhe për mua nuk ka asnjë dyshim". Kjo bëri që të hidheshin shumë diskutime lidhur me këtë pohim të tij. Pas një presioni apo dhe të mekanizmave që përdoreshin në atë kohë, kur erdhi momenti i firmosjes së procesverbalit, Llambi Ziçishti deklaroi se kjo ishte një vetëvrasje. Është padyshim mister dhe mënyra se si deklaroi ai në fillim dhe ndryshimi i mendimit nga ana e tij kur erdhi çasti i firmosej. Cilat ishin mundësitë nëse ai do të mbante atë pohim? A do të kishte një hetim të mëtejshëm të vdekjes së njeriut më të rëndësishëm në atë kohë, siç ishte një nga kryeministrat më jetëgjatë në historinë moderne të botës? Kush ishte ai që e bindi Ziçishtin të ndryshonte pikëpamjen dhe të firmoste pa u bindur një procesverbal farsë, të cilin bashkë me vdekjen e Mehmetit u mbyllën dhe procedurat e hetimit. Kupola drejtuese e asaj kohe vendosi që vdekjen e kryeministrit ta quante një vetëvrasje në kushtet e një depresioni të thellë. Me hapjen e dokumenteve arkivore të periudhës së komunizmit, ndoshta do të gjendet ndonjë e dhënë për sa i përket këtij deponimi paraprak që ka bërë Llambi Ziçishti për vdekjen e Mehmet Shehut. Kur bëri këtë deklaratë, ish-ministri i Shëndetësisë me siguri nuk ishte menduar gjatë, pasi nëse do të kishte qenë në kombinacionet e kupolës drejtuese, atëherë menjëherë do të thoshte që është një vetëvrasje dhe nuk ka dyshim. Një nga misteret më të mëdha që ka marrë me vete Llambi Ziçishti është padyshim ky pohim, që nëse do të ishte marrë seriozisht, do të kishim një pistë tjetër hetimi për vdekjen e ish-kryeministrit. Llambi Ziçishti, në një moment më të vonshëm e kundërshtoi me forcë se kishte bërë një deklaratë sikur Mehmet Shehun e kishin vrarë. Kjo tërheqje me dëshirë apo me presion rri i mbuluar së bashku me trupin e tij.
    Ende nuk dihet nëse Llambi Ziçishti u dënua se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut apo për shkak të deklaratës se kryeministri kishte vrarë veten?
    Pas një serie të gjatë dënimesh që kishte marrë Enver Hoxha, duke filluar që nga periudha e Luftës e më pas me radhë pas Çlirimit që u dënuan Koçi Xoxe e të tjerë, vjen fillimi i viteve '70, ku kemi një seri dënimesh me vdekje, por dhe me burgim të gjatë. Në fillim të viteve '80, kur shëndeti i Enver Hoxhës kishte marrë të tatëpjetën, pas vdekjes së Mehmet Shehut erdhën dhe dënimet e fundit, ku i dënuari kryesor ishte Kadri Hazbiu që mbante postin e ministrit të Brendshëm dhe ishte numri dy pas Enver Hoxhës. Bashkë me Kadri Hazbiun u dënuan dhe Llambi Ziçishti që ishte ministër i Shëndetësisë në atë kohë. Pas një procesi hetimor që zgjati nga nëntori i vitit 1981 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje, duke u pushkatuar (më 17 shtator 1983) së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin. Sipas deponimeve të ish-ministrit Ziçishti, të shkruara dhe firmosura prej tij në dokumentin në fjalë, ai pranon të ketë bashkëpunuar me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, i cili që në vitin 1973 ka dashur që ta helmonte Enver Hoxhën, me anë të mjekëve kinezë që ai kishte thërritur apostafat nga Kina. Këta u akuzuan kinse sikur bënte pjesë në "organizatën kundërrevolucionare" të drejtuar nga Mehmet Shehu. Këto akuza ishin më tepër qesharake se me baza të vërteta edhe duke u nisur nga konteksti i sotëm, por edhe po t'i referohesh kohës së atëhershme. Dënimi që iu bë Llambi Ziçishtit nuk u mor vesh me saktësi asnjëherë. Shpesh është aluduar se deklarata që ai kishte bërë pas vdekjes së Mehmet Shehut, se ishte një ekzekutim, mund të ketë qenë një arsye për ta eliminuar ish-ministrin e Shëndetësisë. Pasi mbaroi gjyqi i këtyre personaliteteve të sistemit të kaluar, u dhanë dhe vendimet që ishin tepër të rënda. Kështu u dënua me pushkatim Llambi Ziçishti, ndërsa Fiqret Shehun dhe Nesti Nasen me nga 25 vjet burg. Bie në sy dënimi me vdekje i Llambi Ziçishtit, për faktin se po të balancoheshin akuzat e tij me ato që kishte bërë vëllai i tij, Mihallaqi, kishin ndryshim të madh, për arsye se Mihallaqi kishte akuzë të tillë që mund të dënohej dy herë me vdekje. Por Enver Hoxha e dinte se Llambi kishte shprehur dyshime për vrasjen e Mehmet Shehut, që pasi kishte parë kufomën kishte thënë me shkrim, se kjo nuk ishte vetëvrasje për të, pasi nga plagët dhe gjaku që shihte, nuk bindej. Por më vonë, nga frika e mohoi këtë thënie. E. Hoxha për të eliminuar çdo dyshim dhe që të mos qarkullonin më vonë fjalë, dha urdhrin që Llambi të pushkatohej, kurse Mihallaqin e kurseu duke nxjerrë arsyen se gjoja të mos pushkatoheshin dy vëllezër.

    Misteret

    1. Mister mbetet vizita në Paris kur atje ndodhej i shtruar Hysni Kapo. Pse ish-ministri i Shëndetësisë, Ziçishti, nuk u interesua kurrë për shëndetin e krahut të djathtë të Enver Hoxhës gjatë gjithë kohës që qëndroi atje?

    2. Deklaratat e tij në gjyq, që Mehmet Shehun e kishin vrarë dhe më pas tërheqja e kësaj deklarate, është një nga pjesët e misterit të Llambi Ziçishtit?

    3. Ende nuk dihet nëse Llambi Ziçishti u dënua se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut apo për shkak të deklaratës se kryeministri kishte vrarë veten?

    Fakte mbi jeten

    19 shtator 1979, Llambi Zishti shkon në Paris për të asistuar në operacionin që do të bënte ish-sekretari i Partisë, Hysni Kapo

    21 qershor, ndërkohë kur po operohej Hysni Kapo, ministri i Shëndetësisë nuk ndodhet prezent gjatë operacionit, duke u aluduar se ka pasur një plan për vdekjen e numrit Dy të partisë.

    18 dhjetor 1981, kur gjendet i vdekur Mehmet Shehu në shtëpinë e tij, Llambi Ziçishti deklaroi se kishim të bënim me një vrasje dhe jo me vetëvrasje, siç u fol në atë kohë.

    20 dhjetor 1981, Llambi Ziçishti e tërheq mendimin se ishte një vrasje për kryeministrin dhe firmos procesverbalin ku thuhej se Mehmet Shehu ishte vetëvrarë.

    Nga viti 1981 e deri në shtatorin e vitit 1983, Llambi Ziçishti u nxor në gjyq dhe u dënua me vdekje me akuzën si pjesëmarrës në organizatën kundërrevolucionare të drejtuar nga Mehmet Shehu.

    Më 17 shtator 1983, Llambi Ziçishti së bashku me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin u pushkatua, duke qenë nga të fundit në radhë në listën e të dënuarve të Enver Hoxhës.

    Jeteshkrimi

    Emri: Llambi
    Mbiemri: Ziçishti
    Vendlindja: Korçë
    Aktiviteti
    Pasi mbaron fakultetin për Mjekësi, Llambi Ziçishti bëhet një nga figurat drejtuese të sistemit komunist në Shqipëri.
    1975 deri më 1982 mban postin e ministrit të Shëndetësisë, duke qenë kështu ministri që ka pasur përgjegjësinë e shëndetit të personaliteteve më të rëndësishëm si Hysni Kapo Enver Hoxha Mehmet Shehu dhe të tjerë.
    Në vitin 1981, pas vdekjes së Mehmet Shehut, Llambi Ziçishti akuzohet si bashkëpunëtor i ish-kryeministrit dhe shkon përpara gjyqit.
    1981-1983 zgjat procesi gjyqësor i ish-ministrit të Shëndetësisë.
    17 shtator 1983, pas vendimit që kishte marrë gjykata, Llambi Ziçishti pushkatohet në një vend enigmë.

    ................................................

    tirana observer...................................

  3. #3
    Dash...me kembore Maska e Toro
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    CALIFORNIA
    Postime
    1,404
    Koci Xoxe shkoi ne Greqi jo vetem sic thote gazeta, por si shoqerues i Vukmanovic Tempos per tu lidhur me shtabin e partizaneve greke....Roli i tij ka qene me teper si perkthyes i Tempos dhe jo rol diskutanti e propozuesi....Te pakten ne nje reviste te historise ushtarake greke ky ishte opinioni i shkruesit te artikullit.....Tempoja ishte i derguar nga Titoja ( dhe Dimitrovi) qe te bisedonte me greket dhe ti afronte per te krijuar nje shtab te perbashket jugosllavo-greko-bullgaro-shqiptar , si dhe mundesin e krijimit te nje Federate Ballkanike mbas lufte....Greket refuzuan sepse faktikisht Bullgaria gjate LIIB kishte te pushtuar pjese te territorit grek dhe Tempoja insistonte qe pas krijimit te Federatet Ballkanike ky territor ti ngelej Bullgarise...Mosmarreveshje pati dhe per ceshtjen e Maqedonise ( krahines greke me emrin Maqedonia) ku kishte nje shumice sllavesh.....Se cfare iu premtua grekeve si shkembim revista nuk e qartesonte ( ose nuk donte ta qartesonte)....Por nje gje u be e qarte se greket refuzuan propozimet e Tito-Dimitrovit.

    P.S.
    Dhe vendlindja e Koci Xoxes nuk eshte Follorina, por fshati arvanitas Negovan ( sot quhet Flamburo) 25 km ne lindje te Follorines.

  4. #4
    i vetlarguar Maska e Arcimedes
    Anëtarësuar
    26-12-2005
    Vendndodhja
    Holland
    Postime
    591
    Citim Postuar më parë nga Brari
    Emri: Koçi
    Mbiemri: Xoxe
    Vitlindja: 1911
    Vendlindja: Follorinë Greqi
    Shkollimi: Në vitin 1929 ka mbaruar dhe është diplomuar shkëlqyeshëm në gjimnazin klasik të Selanikut
    tirana observer

    Po pse o??? Grek paska qene Koci Xoxe????

    E po, ndoshta ka pasur te drejte Enveri, ku i dihet???? Tani edhe pushkatim nuk eshte mire, por nje gje ka ketu me kete Grekun mendoj une. Edhe aq i pafajshem nuk me duket mua ky Koci Xoxe nga Greqia. Grek mo hesapi; pse i zihet bese Grekut??? E zbulova une edhe kete misteri te fshehte.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Arcimedes : 29-07-2006 më 22:24
    I vetlarguar per arsyje fshirje shkrimesh nga moderatore arrogante si puna e Dariusit me shoke....

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    mos hyre atje ku ske haber o arkim greku.. .. shko bënj shu.. diku.. tjater..

    --



    Sekretet e njerezve te vdekur

    Cilat janë të fshehtat e ish-drejtorit Politik të Ushtrisë në vitet 1961-1974






    Katër misteret që shoqëruan Hito Çakon

    Erion HABILAJ

    Edhe pse kanë kaluar gati 32 vjet, ende ka mbetur mister nëse krerët e ushtrisë shqiptare në atë kohë kishin ndonjë plan për rrëzimin e Enver Hoxhës. "Plani" u mori jetën tre prej ushtarakëve më të lartë shqiptarë, në mes tyre edhe Hito Çakos. Misteret e gjeneralit të shquar, do jenë sot pjesë e rubrikës "Sekretet e njerëzve të vdekur". Në këtë pjesë do të flitet për misterin e planit për rrëzimin e diktatorit Hoxha, për akuzat e ngritura nga vetë udhëheqësi komunist për tentativën e zhdukjes së tij nga nipi i gjeneralit Hito Çako, si dhe për ngjarjen e bujshme të vitit 1944, ku Hito Çako u akuzua direkt për vrasjen e Ramize Gjebresë.

    A kishte në plan Hito Çako bashkë me kuadrot e tjerë të ushtrisë të rrëzonte nga pushteti Enver Hoxhën, dhe si u zbulua ky plan nga diktatori në vitin 1974?
    Të veproje kundër Enver Hoxhës, ishte komplet e pamundur, pasi vigjilenca që tregohej në atë kohë ishte shumë e madhe. Duke filluar që nga koha e Luftës e në vazhdim ka pasur një numër të madh dënimesh, të cilat, për të treguar se sa i rreptë ishte pushteti, shkonte dhe me dënime kapitale. Një rast të tillë e përfaqëson një nga kuadrot më të lartë të ushtrisë shqiptare pikërisht Hito Çako. Ai u arrestua në 25 nëntor të vitit 1974, në kohën kur ishte drejtor Politik i Ushtrisë. Së bashku me të u arrestuan dhe ministri i Mbrojtjes të asaj kohe, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Rahman Parllaku. Të katër ishin kuadro të lartë dhe me përgatitje shembullore. Për këtë u bëhet një gjyq, i cili zgjati rreth 11 muaj, ku ata e kaluan në birucë në kushte më tepër se të vështira. Sipas burimeve të asaj kohe, ai ishte një gjyq i kurdisur dhe eliminimi i tyre ishte si rezultat i frikës për ndonjë grusht shteti. Kjo pasi udhëheqësi komunist nuk e shihte me sy të mirë miqësinë e ngushtë që kishin krerët e Ministrisë së Mbrojtjes me njëri-tjetrin. Në asnjë rast nuk mund të thuhet se Hito Çako me të tjerë kishte një plan të tillë për të hequr nga drejtimi i partisë dhe praktikisht nga drejtimi i vendit Enver Hoxhën. Përkushtimi që kishte treguar deri në atë kohë, duke filluar me aktivitetin në Luftë, por edhe më pas, tregon që asnjëherë nuk mund të aludohej për devijim nga vija e këtij kuadri të lartë. Por, megjithatë, asgjë nuk është vërtetuar plotësisht nëse ekzistonte vërtet një plan për rrëzimin e Enver Hoxhës nga pushteti apo jo.
    Pse u cilësua tradhtar i popullit Hito Çako, pse nuk pranoi asnjë nga akuzat që u bënë në drejtim të tij dhe çfarë tha para gjyqit?
    Hito Çako, edhe pse u dënua me vdekje, asnjëherë nuk tregohej i frikësuar nga ky vendim. Ashtu si dhe shokët e tij, të cilët ishin kuadro të lartë të ushtrisë nuk pranuan me asnjë kusht se kishin punuar me qëllime të këqija kundrejt Partisë dhe veçanërisht Enver Hoxhës. Në gjyq atyre iu komunikua vendimi se ishte tradhtar i popullit dhe i idealeve të partisë. Mirëpo Hito Çako nuk e pranoi kurrsesi një akuzë të tillë. "Ne mund të kemi bërë gabime, por ato asnjëherë nuk kanë qenë të qëllimshme", deklaroi Hitoja përpara Komitetit Qendror. "Nëse unë bashkë me shokët do të kishim një plan të rrëzimit të pushtetit popullor, atë do ta kishim realizuar se nuk është dhe aq e vështirë, por duke qenë besnikë të idealeve komuniste dhe të partisë ne jemi këtu për të dhënë edhe jetën për popullin, atdheun dhe partinë" ishte fjala gjatë gjyqit e Hito Çakos. Duke qenë se atyre iu stisën disa akuza krejt të pabaza, që niseshin nga fjalimet e Enver Hoxhës, katër ushtarakët e lartë ishin të bindur se ishin të pafajshëm, duke qenë se në ndërgjegjen e tyre nuk ekzistonte asnjë plan komplotist që aludohej nga diktatori dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror të PPSH-së. Kur u mor vendimi që do të pushkatohej, Hito Çako së bashku me Petrit Dumen deklaruan në një zë se "historia do të tregojë që jemi të pafajshëm", duke bërë që të iknin nga kjo botë me akuzën e rëndë të tradhtarit të popullit, të damkosur nga Enver Hoxha. Në vitin 1994 kur u bë apeli i këtij qjyqi, vendimi ishte se ky kishte qenë një gjyq i pabazuar në fakte dhe se dënimet ishin jo të drejta.
    Enver Hoxha në gjyqin e ushtarakëve të lartë deklaroi se nipi i Hito Çakos ishte munduar t'i bënte atentat, sa e vërtetë ishte kjo dhe a ishte i porositur nga drejtori Politik i Ushtrisë?
    Të gjithë njerëzit që e kanë përjetuar atë kohë, kur Enver Hoxha goditi gjeneralët kryesorë të ushtrisë, e kanë parasysh situatën e krijuar, ku së bashku me entuziazmin për "fitoren" e paçmuar që kishte arritur populli dhe partia, kur nga të gjithë njerëzit flitej e riflitej duke aluduar dhe duke improvizuar skena deri në legjenda fantastike se me organizimin e atentatit që kishte bërë Hito Çako, i cili qenkësh një "puçist" i rrezikshëm në krye të ushtrisë, Enver Hoxhës i ishte "siguruar" vdekja. Vetëm fati ishte ai që kishte shpëtuar jetën e udhëheqësit. Pas gjithë atij lajmi të bujshëm, çudia dhe ankthi bashkëjetonin me njëri-tjetrën, por sigurisht gëzimi që buronte prej faktit që Enver Hoxha paskësh mundur të shpëtojë nga katastrofa e sigurt, nuk mund të kapërcehej pa emocione dhe pa urime për organet më të larta të shtetit, të cilat kishin mundur të zbulonin ata "armiq të rrezikshëm". Ashtu siç e nisi, me akuza që shkonin më tepër drejt legjendës, dëgjohet nga goja e Enver hoxhës se puçistët kishin marrë masa për ta eliminuar. Ndërsa salla kishte ngrirë nga ajo çfarë po shprehte komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëgjonin se si ishte bërë e mundur që të shpëtohej jeta e tij. Pas kësaj Enveri tregoi se ai, si komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, kishte shpëtuar vetëm prej fatit që nuk hipi në avionin e tij, ku gjenerali Hito Çako kishte përcaktuar si pilot pikërisht nipin e tij, Çobo Skënderin, i cili paskësh shkuar me qëllim për të realizuar atentatin ajror. Konkretisht për këtë fakt ai citoi: Është për t'u veçuar fakti që Hito Çakoja për një nipin e tij aviator, jo të zotin dhe me plot vese të këqija si veten e tij, ndërsa komandanti i aviacionit, tri herë me radhë e propozoi për ta transferuar, tri herë ai si drejtor Politik e refuzoi propozimin dhe më në fund e caktoi pilot të parë të avionit qeveritar, avion që është rezervuar gjoja për mua e në të cilin për fat të mirë nuk kam hipur asnjëherë. Komanda e aviacionit e refuzoi këtë propozim, por kjo çështje duhet thelluar, sepse me siguri pas këtyre veprimeve fshihen gjëra të tjera… Këto nuk bëheshin pa qëllime". Ky është një nga ata mistere në jetën e Hitos, nëse ka pasur një plan për të zhdukur në një aksident ajror Enver Hoxhën? Fakti që Enver Hoxha kishte shpëtuar vetëm në sajë të fatit u kthye në një entuziazëm të pa treguar për njerëzit e thjeshtë dhe një fakt më shumë për të urryer të cilësuarit "puçistë". Megjithatë, pavarësisht se legjendat thureshin e sajoheshin deri në banalizim, fakt ishte se askush nuk e dinte se kush e zbuloi këtë veprim. Askush nuk e dinte si ishte organizuar vrasja e Enver Hoxhës dhe kur u zbulua ai incident.
    Në vitin 1944 kur po zhvillohej gjyqi ndaj një prej partizaneve më të dalluara të Luftës, Ramize Gjebresë, Hito Çako ishte i dërguar i Komitetit Qendror në atë gjyq. A e mori vendimin për pushkatimin e kësaj partizaneje Hito Çako?
    Më datën 5 mars të vitit 1944, në një nga fshatrat e Vlorës zhvillohet "gjyqi partizan" ndaj një prej partizaneve më të dalluara të Luftës, Ramize Gjebresë. Kjo partizane u dënua, pasi sipas drejtuesve të asaj kohe të luftës, kjo kishte shkelur moralin partizan duke dashuruar një nga partizanët e asaj kohe, Zaho Kokën. Kur u zhvillua gjyqi i saj, si i dërguar nga korpusi qendror ishte Hito Çako. Mister ka ngelur nëse ishe ky drejtues lufte që dha urdhër për pushkatimin e Ramizesë apo jo? Gjithsesi fakt ishte që Ramize Gjebrea u pushkatua dhe pse "krimi" i saj nuk mund të cilësohet si krim. "Me këtë pushkatim", tha Hito në gjyq, ne japim një shembull të mirë për këdo që shkel normat e të qenit partizan. Duke qenë se në atë kohë ishin përfolur shumë raportet midis partizanëve dhe partizaneve në luftë, ky ishte si të thuash një përgjigje kundrejt zërave abuzues ndaj figurës së partizanëve. Edhe pse vendimin e pushkatimit nuk mund ta jepte vetëm Hito Çako, pasi ai u mor nga lartë dhe, madje, drejtpërdrejt nga Enver Hoxha, gjithsesi ngelet i dyshimtë pozicioni i Hitos, pasi sipas dëshmitarëve të ngjarjes, ai është treguar shumë i rreptë me Ramizenë. Aludimi lidhur me këtë qëndrim të Hitos është hedhur edhe për sa i përket karrierës personale të dy personazheve. Me pushkatimin e Ramizesë, që ishte një kuadro e lartë në radhët e partizanëve, bëri që Hito Çako ta kishte rrugën më të lirë drejt ngjitjes së pushtetit pa konkurrencë të fort. Sipas burimeve, ekziston edhe një variant tjetër për vrasjen e Ramizesë, në të cilin thuhet se vetë Hito Çako ka qëlluar në kokë me pistoletë partizanen. Kjo u bë pasi toga që u caktua për të pushkatuar Ramizenë ishte e përbërë vetëm nga femra dhe ato nuk pranuan ta qëllojnë shoqen e tyre, por qëlluan në ajër. Pas kësaj, Hito Çako nxori pistoletën dhe e ekzekutoi vetë Ramize Gjebrenë.

    Misteret

    1. A kishte në plan Hito Çako bashkë me kuadrot e tjerë të ushtrisë të rrëzonte nga pushteti Enver Hoxhën, dhe si u zbulua ky plan nga diktatori në vitin 1974?

    2. Çfarë tha para gjyqit Hito Çako, pse u cilësua tradhtar i popullit dhe pse nuk pranoi asnjë nga akuzat që u bënë në drejtim të tij?

    3. Enver Hoxha në gjyqin e ushtarakëve të lartë
    deklaroi se nipi i Hito Çakos ishte munduar t'i bënte
    atentat, sa e vërtetë ishte kjo dhe a ishte i porositur ai nga drejtori Politik i Ushtrisë?

    4. Në vitin 1944, kur po zhvillohej gjyqi ndaj një prej partizaneve më të dalluara të Luftës, Ramize Gjebresë, Hito Çako ishte i dërguar i Komitetit Qendror në atë gjyq. A e mori ai vendimin për pushkatimin e kësaj partizaneje?

    Fakte mbi gjyqin

    4 korrik 1974, zhvillohet mbledhje urgjente e drejtorëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe komandantëve të korpuseve në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës.

    4 korrik 1974, vendoset në qendër të akuzave Hito Çako, Petrit Dume, Beqir Balluku, si përgjegjësit kryesorë për materialin studimor që këta ia kishin ngarkuar për ta shkruar, Rahman Parllaku, Spiro Shalësi, Ernest Jakova dhe kuadro të tjerë të ministrisë, materiale që u cilësuan si "Tezat e zeza".

    25-26 korrik 1974, zhvillon punimet Kongresi i 6-të i KQ të PPSH-së që e dënon Hito Çakon dhe e përjashton nga Komiteti Qendror dhe Partia, gjithashtu e shkarkojnë nga funksionet shtetërore që ai mbante.

    10 tetor 1974, zhvillohet mbledhja e Byrosë Politike, që quan bashkëpunëtorë të Beqir Ballukut, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, të cilët me kërkesë të Byrosë Politike arrestohen.

    Dhjetor 1974, në bazë të informacioneve të ardhura nga Komiteti Qendror i PPSH-së dhe nga Ministria e Brendshme, Prokuroria dhe Gjykata e Lartë formulojnë akuzat ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, të cilët shpallen fajtorë dhe marrin nga Gjykata e Lartë dënimin kapital, atë me vdekje.

    1975, viti kur ekzekutohen me urdhër dhe vendim të Gjykatës së Lartë, ish-ministri Mbrojtjes, Beqir Balluku, ish-shefi Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume dhe ish-drejtori Politik i Ushtrisë, Hito çako.

    Jeteshkrimi

    Emri: Hito
    Mbiemri: Çako
    Vendlindja: Progonat, Kurvelesh
    Datelindja: 3 mars 1923
    Aktiviteti:
    7 prill 1939, punon si telegrafist në postën e Vlorës
    1941-1942, hyn në Partinë Komuniste të Shqipërisë. Më pas me krijimin e njësiteve guerile bëhet pjesëtar i tyre dhe më pas komandant. Pasi krijohen njësitet partizane emërohet zëvendës komisar i batalionit Vlorë-Gjirokastër.
    28 maj 1944, emërohet komisar i Brigadës së V-të Sulmuese
    Shtator 1944, emërohet komandant i shtabit të dy brigadave të saj të III-të dhe të V-të.
    11 mars 1944, merr detyrën e zëvendëskomandantit të Korparmatës së II-të Sulmuese, dhe në të gjitha këto detyra shquhet për trimëri dhe inteligjencë të spikatur.
    9 mars 1944, merr gradën nënkolonel
    15 gusht 1945, caktohet Komandant i Divizionit të Parë
    1946 deri 1950, komandant i Këmbësorisë në Tiranë
    1950-1954, mbaron studimet në Akademinë Ushtarake në Moskë. Me kthimin në Shqipëri, bëhet komandant i Korpusit të VII-të.
    1955, gradohet gjeneral-major dhe merr detyrën e shefit të Kundërajrorëve me shtrirje në të gjithë Shqipërinë.
    1958, shkon në Moskë dhe mbaron akademinë e lartë për oficer shtabi. Më vonë në Akademinë Detare në Leningrad.
    1961, në klimën e rëndë sovjeto-shqiptare emërohet komandant i flotës detare. Më vonë me botimin e letrës së hapur të Komitetit Qendror për reforma në ushtri e kudo, emërohet drejtor i Drejtorisë Politike.
    Deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit në zonën e Vlorës si dhe anëtar i Komitetit Qendror në disa kongrese të partisë.
    20 korrik 1974, emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes
    25 nëntor 1974, arrestohet, dhe një vit më vonë pushkatohet.

    .......................

    nga tirana observer..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 02-08-2006 më 07:27

  6. #6
    Dash...me kembore Maska e Toro
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Vendndodhja
    CALIFORNIA
    Postime
    1,404
    Urdhrin per vrasjen e Ramize Gjebreas nuk e ka dhene as Enveri "ine" , as Hito Cakoja. Urdhrin e kane dhene shoku "Husni" Kapo dhe Shefqet Peci....Sic duket shoku "Husni" zbatonte urdherat e "Aliut" ( Miladin Popovicit) i cili e kishte shume inat Nako Spiron( ashtu si dhe Nakoja nuk e honepste dot serbin, per punen e Kosoves kuptohet) ....Ramize Gjebrea ishte gruaja legjitime e Nako Spiros....Nakoja ka qare me te madhe kur e ka marre vesh......
    Keshtu e kishin qe atehere komunistet....I kishin goditjet me objektiv te larget....I binin "pragut" qe te degjonte "dera"!

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Toro..

    ne lidhje me ramizene .. te gjithe ata qe kan qene aty rrotull athere mundohen ta largojne fajin nga vetja sot..
    kuptonet se me lehte e kan tja vene fajin atyre te vdekurve .. ose me mire atyre te vdekurve qe i denoi partia.. e me kte rast edhe partine e lirojne nga fajet dhe vehten..

    mirpo e verteta eshte gjithmon e fshehur..
    un i postoj keto Dosieret kur kam mundesi qe te jene ketu si dokument po i marr me rezerve cdo gje qe thone keta gazetaret e sotem te cilet u a mbajne anen klaneve te caktuara.. dhe ja rrasin atyre qe i genocidoi enveri..pra qe sot skan klane ..e kuptohet skan as goje..

    tjater.. nako me ramizene kan qene te dashur..ose si te fejuar..por jo burre e grua zyrtare si thua ti..
    megjithate je shume i sakte ne ato cka shkruan ne pergjithsi....

    ---







    Sekretet e njerezve te vdekur

    Cilat janë të fshehtat e ish zëvendëskryeministrit shqiptar në vitet 1965-1975






    Tre misteret e Koço Theodhosit

    Erion HABILAJ

    Një nga figurat më interesante të sistemit një partiak në Shqipëri ka qenë padyshim Koço Theodhosi. Ish- zëvendëskryeministri shqiptar në vitet 1965-1975 pati të njëjtin fat edhe si shumë figura të tjera të asaj periudhe. Jeta dhe misteret Koço Theodhosit janë sot në fokusin e rubrikës "Sekretet e njerëzve të vdekur". Një nga pikat misterioze të tij, është akuza nëse kishte një plan për të rrëzuar Enver Hoxhën apo jo, si dhe pse ky i fundit pas ekzekutimit të ish-kryeministrit Theodhosi vendosi që eshtrat e tij të zhdukeshin dhe vendndodhja e tyre mos të gjendej kurrë.

    Çfarë ishte "komploti në ekonomi", kur filluan krisjet e para midis Enver Hoxhës dhe Koço Theodhosi a kishte ndonjë plan për të shkatërruar ekonominë shqiptare ky i fundit?
    Ashtu si shumë figura të sistemit të kaluar që kishin një fund tragjik edhe Koço Theodhosi nuk i shpëtoi dot këtij fati. Praktika e ndjekur nga Enver Hoxha ishte e tillë që, pavarësisht arritjeve që mund të kishe në fushën ku ishe i përfshirë, me një të rënë të lapsit diktatori komunist të hiqte vizën. Gjatë gjithë historisë prej 45 vjetësh, që Enver Hoxha ishte në krye të vendit, nuk e pati të vështirë të eliminonte edhe ata që kishin një kontribut të vyer në ngjitjen në pushtet të sekretarit të Parë të Partisë. Enver Hoxha, pasi kishte goditur disa të ashtuquajtur grupe armiqësorë dhe eliminuar Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon, apo dhe burgosur shumë e shumë të tjerë, vendosi të ideonte edhe eliminimin e të ashtuquajturit "grupi armiqësor i ekonomisë". Në krye të këtij grupi vendosi me ndërgjegje të plotë dy nga figurat më të shquara të ekonomisë së asaj kohe: Koço Theodhosin dhe Abdyl Këllezin, me karrierë të pasur profesionale dhe shtetërore. Krisja e parë mes Hoxhës dhe dy prej specialistëve të ekonomisë kishte filluar që në vitin 1973, kur ish-sekretari i Parë i KQ të PPSH, pasi ishte konsultuar me specialistë të besuar vendosi që të ndëshkonte Theodhosin dhe bashkëpunëtorët e tij. Në vitin 1973, një informacion nga kanale të besueshme e vë në dijeni Enverin për tatëpjetën që kishte marrë ekonomia. Raporti ishte përpiluar nga një grup ekspertësh të ekonomisë në KQ të PPSH-së dhe tregonte realisht gjendjen e krijuar pas inflacionit dhe mungesës së mallrave të konsumit të gjerë. Që nga paraqitja e këtij raporti, Enveri nisi të kishte rezerva për Koço Theodhosin, që më pas e pushkatoi. Dënimi i këtyre të pandehurve u bë mbi bazën e konkluzioneve të nxjerra nga materialet e plenumeve të KQ të PPSH-së dhe fjalimeve të Enver Hoxhës. Edhe pse akuzat po të shikohen sot, duken qesharake, përsëri ato u morën për bazë mjafton që këto akuza t'i ngrinte Enver Hoxha. Plenumi i 7-të i KQ të PPSH-së që u mbajt më 26-29 maj 1975, i cili mbahet si një nga plenumet më ogurzi në historinë e komunizmit shqiptar, përjashtoi nga partia dhe i shkarkoi nga funksionet shtetërore Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin. Në tetor të po këtij viti, plenumi i 8-të bëri të njëjtën gjë edhe me Kiço Ngjelën e Vasil Katin. Të parët u pushkatuan, ndërsa dy të tjerët vuajtën gjatë në burgjet e diktaturës.
    Pse Enver Hoxha e la pa varr Koço Theodhosin, çfarë kishte bërë zëvendëskryeministri për t'u shpallur armiku i popullit?
    Nëse futeshe nën akuzat Enver Hoxhës dhe të klikës drejtuese të asaj kohe, do të duhet të ishe me fat nëse pas vdekjes do të gjendej varri. Praktika e pushkatimeve të shumë figurave ka treguar se jo vetëm që merrnin dënimin kapital, por edhe eshtrat nuk diheshin se ku u shkonin. Këtë fat të keq e pati dhe Koço Theodhosi. Edhe sot, kur kanë kaluar thuajse afro 30 vjet, familja Theodhosi nuk di se ku të çojë një tufë lule për familjarin e tyre, që në mënyrë krejt të padrejtë e pushkatoi regjimi të cilit ai kishte shërbyer aq shumë. Kush ishte veprimtaria e një intelektuali që ndoshta ishte inxhinieri dhe ekonomisti më i mirë i asaj kohe. Në vitin 1977, kur pas zbulimit të grupeve "puçiste" në fushat e kulturës dhe të ushtrisë, duhej zbuluar një grup i tillë edhe në ekonomi, për ta bërë sa më të plotë kuadrin e "veprimtarisë së bashkërenduar të armikut të jashtëm e të brendshëm kundër të vetmit vend socialist në botë". Arsyet përse u zgjodhën pikërisht emrat e Koço Theodhosit e të Abdyl Këllezit për t'i vendosur në krye të "komplotit" në ekonomi, janë po aq të qarta sa edhe arsyet përse u zgjodhën emrat e Paçramit dhe Lubonjës në kulturë, apo të Ballukut e Dumes në ushtri. Rëndësi kishte që edhe këtë herë partia dhe Enver Hoxha t'i kujtonte opinionit të brendshëm se zbulimi i grupeve të njëpasnjëshëm të armiqve, që kishte nisur menjëherë pas lufte, do të vazhdonte me të njëjtin ritëm edhe në dekadat e fundit të shekullit XX. Drejtësia "popullore" nuk vonoi edhe këtë herë të jepte dënimet "e merituara", si gjithnjë, duke u bazuar në "fakte të pakundërshtueshme" dhe duke shtuar kështu edhe dy emra të tjerë në listën e gjatë të viktimave të pafajshme të diktaturës. Gjatë seancës së Kuvendit Popullor, ku u "mor në shqyrtim" edhe kërkesa e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit për falje të jetës, pasi të gjithë anëtarët e Presidiumit e kishin refuzuar këtë kërkesë, e mori fjalën edhe Enver Hoxha, i cili tha: "Shoku kryetar, unë kisha diçka për të folur për këtë çështje, megjithëse të gjithë janë dakord për këtë dënim. Tradhtarët e Partisë e të popullit, Abdyl Këllezi me Koço Theodhosin na kanë paraqitur kërkesë për falje; unë, si edhe ju, jam i mendimit t'ua refuzojmë dhe të pranojmë vendimin e drejtë dhe të merituar që u dha gjykata popullore këtyre armiqve të vjetër e të betuar të Partisë e të popullit tonë. Për njerëz të tillë, komplotistë, sabotatorë, intrigantë e puçistë nuk duhet të ketë asnjë fije mëshire. Mbarë populli ynë, tërë partia, gjithë këta tradhtarë, si grupin e Beqir Ballukut, të Abdyl Këllezit e të Fadil Paçramit me shokët e tyre, i dënuan me urrejtje dhe ky ishte një dënim plotësisht i merituar. Këta elementë të degjeneruar, siç e vërtetuan katërcipërisht hetuesia dhe gjyqi, ishin që të gjithë të organizuar me një platformë dhe kishin një qëllim të përbashkët, të merrnin fuqinë në dorë me puç e "me masakra", siç e tha me gojën e tij tradhtari Abdyl Këllezi, ashtu siç e tha më parë edhe Beqir Balluku…". Ky ishte mllefi i fundit i Enver Hoxhës ndaj Koço Thedhosit, pasi ky i fundit pushkatohet në një vend që vetëm ata që e ekzekutuan e dinë se ku ndodhet.
    Eliminimi i Theodhosit dhe figurave të tjera në fushën e ekonomisë ishte sepse këta të fundit po punonin në kundërshtim me vijën e partisë, apo Enver Hoxha me udhëheqësit e tjerë po realizonin planin e ekzekutimeve të figurave në të gjitha fushat e jetës së asaj kohe?
    Askush nuk mund të thotë që Enver Hoxha ishte një ekspert edhe në fushën e ekonomisë. Por pa frikë mund të thuash që ai dhe kur nuk dinte shumë në një fushë, përsëri merrte si të mirëqena vetëm mendimet e tij dhe të askujt tjetër. Kjo gjë ndodhi dhe me figura si Koço Theodhosi dhe Abdyl Këllezi, edhe pse ishin të specializuar në fushën e ekonomisë, përsëri ish-udhëheqësi i partisë iu referua vetëm intuitës së tij, që në ato kohë po shkonte drejt degradimit. Që të thuash se ekzistonte një plan kundër Enver Hoxhës nga drejtuesit e ekonomisë së asaj kohe, kjo është një gjë absurde. Ndaj dhe misteri ngelet mister që u zhduk bashkë me Koço Theodhosin dhe të tjerët. Asnjëherë nuk mund të thuhet që ishte një plan anti Enver Hoxha, pasi që të gjithë kuadrot e fushave të ndryshëm e kishin ndihmuar diktatorin jo vetëm të ngjitej në pushtet, por edhe ta konsolidonte atë, duke bërë kështu vendosjen e një diktature të egër në Shqipëri, ndoshta nga më të egrat që ka njohur historia e Evropës moderne. Eliminimi personaliteteve të fushës së ekonomisë erdhi fill pas atyre të ushtrisë dhe kulturës. A mund të quhet eliminimi si rrjedhojë e një komploti, që këta po bënin, apo ishte një eliminim i programuar? Duke parë dhe rrethanat në të cilat ndodhën këto eliminime, pa frikë mund të thuhet se këto eliminime erdhën si rrjedhojë e frikës që ekzistonte tek Enver Hoxha për mos humbjen e pushtetit. Pas këtyre eliminimeve vjen dhe vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe pushkatimi i Kadri Hazbiut, që na japin të drejtë të themi se këta ishin më të rrezikshmit për karrigen që Enver Hoxha pas sëmundjes së zemrës që ndodhi në vitin 1973 dukej se po e mbante jashtë mundësive të tij. Për të zbuluar misteret e Koço Theodhosit është shumë e vështirë, pasi mundësia që të ngeleshin prova apo dhe materiale personale kur dënoheshin, ishte thuajse zero. Koço Theodhosi së bashku me Adbyl Këllezin, por dhe Vasil Katin dhe Kiç Ngjelën, edhe pse u dënuan, kurrë nuk u mor vesh me të vërtetë nëse kishin në plan rrëzimin e Enver Hoxhës dhe të pushtetit popullor. Misteret e Koço Theodhosit dhe të grupit, të cilin ai përfaqësonte, ndoshta do të dalin në dritë në kohë të mëvonshme, por ndoshta dhe nuk do të dalin kurrë. Sistemi njëpartiak që udhëhiqej nga Enver Hoxha dhe klika e tij kurrë nuk është munduar të tregoj me të vërtet nëse kemi me të vërtet armiq të popullit apo këta janë thjesht kundërshtarë të pushtetit dhe të interesave të ngushta të individëve të caktuar. Misteret e një personaliteti të shquar në politikën shqiptare si Koço Theodhosi ngelen detyrë e historianëve të tanishëm, por dhe atyre që do të vijnë më pas.

    Misteret

    1. Çfarë ishte "komploti në ekonomi", kur filluan krisjet e para midis Enver Hoxhës dhe Koço Theodhosit. A kishte ndonjë plan për të shkatërruar ekonominë shqiptare ky i fundit?

    2. Pse Enver Hoxha e la pa varr Koço Theodhosin, çfarë kishte bërë zëvendëskryeministri për t'u shpallur armiku i popullit?

    3. Eliminimi i Theodhosit dhe figurave të tjera në fushën e ekonomisë ishte sepse këta të fundit po punonin në kundërshtim me vijën e partisë, apo Enver Hoxha me udhëheqësit e tjerë po realizonin planin e ekzekutimeve të atyre personave që i shikonin si persona që më vonë mund t'u zinin postin

    Fakte mbi gjyqin

    Në vitin 1973 Enver Hoxha pasi bënë një konsultë me ekspertë i rezulton se ekonomia shqiptare ishte drejt një degradimi të plotë dhe për këtë do të duhet të ishin përgjegjës njerëzit, të cilët ishin ngarkuar të merreshin me punët e ekonomisë shqiptare.

    Në vitin 1974 gjenden në ushtri dhe në kulturë grupe armiqësore, të cilët dënohen nga Enver Hoxha. Pas tyre vjen radha e kuadrove të ekonomisë, ku spikasin Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Vasil Kati dhe Kiço Ngjela.

    Në vitin 1975, sipas Enver Hoxhës, Koço Theodhosi ishte përgjegjësi kryesor i kësaj katastrofe ekonomike që po ndodhte në vend dhe do të duhej të shkarkohej nga detyra që ai mbante deri në atë kohë.

    Shtator 1975, Koço Theodhosi shkarkohet nga të gjitha detyrat dhe u internua familjarisht në Kurbnesh të Mirditës. Së bashku me të shkarkohet dhe Abdyl Këllezi, i cili ishte gjithashtu një tjetër kuadro i lartë për sa i përket drejtimit të ekonomisë shqiptare.

    17 maj 1977, Koço Theodhosi dënohet me vdekje nga gjykata popullore. Ai pushkatohet po atë ditë dhe eshtrat e tij ende dhe sot nuk dihet se ku ndodhen.

    Jeteshkrimi

    Emri: Koço
    Mbiemri: Theodhosi
    Vitlindja: 1913
    Vendlindja: Korçë
    Shkollimi:
    Studimet e mesme i kreu në Liceun Francez të Korçës, ku ra nën ndikimin e ideve të Grupit Komunist të këtij qyteti. Kreu studimet e larta universitare në Lion të Francës, në degën e Kimisë dhe i vazhdoi në Liezh të Belgjikës për një specializim të dytë. Gjatë qëndrimit në Francë, mori pjesë në grupin e studentëve dhe punëtorëve antifashistë që aderonin në radhët e PK franceze.
    Aktiviteti:
    Më 1936, ndihmoi antifashistët shqiptarë që shkuan vullnetarë në Luftën e Spanjës me strehim, ushqim dhe për kalimin e kufirit franko-spanjoll.
    Në prill të vitit 1939, bashkë me shumë studentë shqiptarë, të mbledhur në Grenoblë për të protestuar kundër agresionit fashist ndaj Shqipërisë, nënshkroi, bashkë me të tjerë, telegramet e drejtuara kryeministrit francez, Daladier dhe kryeministrit britanik, Chamberlain, ku kërkohej ndihma e tyre për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë.
    Më 8 nëntor të vitit 1941, me themelimin e PKSH, është një nga 200 anëtarët e parë të kësaj partie.
    Më 1942, zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të qytetit të Korçës.
    Në maj 1944 merr pjesë në punimet e Kongresit të Përmetit si delegat i Korçës. Gjatë Luftës u ngarkua nga Qarkori i Partisë së Korçës për të ndihmuar luftën në fushën ekonomike, me grumbullimin e ndihmave dhe furnizimin e formacioneve partizane, të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Shtabit të Korçës me ushqime, veshmbathje, armatime etj.
    Në 1945 emërohet nga Enver Hoxha me detyrën e Komisarit të Jashtëzakonshëm të Naftës në Kuçovë, dhe një pozitë kaq e rëndësishme tregon se autoritetet e kohës kishin besim të madh tek aftësitë profesionale dhe përkushtimi i tij. Që prej atij emërimi, karriera e tij profesionale dhe politike vjen gjithnjë në rritje, duke kulmuar me postin e zëvendëskryeministrit. Karriera e Theodhosit është shumë e pasur në detyra shtetërore e partiake.
    Më 9 nëntor 1944, emërohet me vendim Nr.1 të Qeverisë shqiptare të nënshkruar nga Kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, me detyrën e Komisarit të Jashtëzakonshëm të Naftës në Kuçovë (1944-1947).
    Më 1947 emërohet zëvendësministër i Punëve Botore.
    Më 1949, zëvendëskryetar i Komisionit të Planit të Shtetit me kryetar Nako Spirun. Po këtë vit merr pjesë në delegacionin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Enver Hoxha në Moskë, ku pas largimit të delegacionit qëndroi atje me detyrën e përfaqësuesit të qeverisë shqiptare në Këshillin e Ndihmës Ekonomike Reciproke (1949-1950).
    Anëtar i kabinetit qeveritar dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Kandidat dhe më vonë anëtar i Byrosë Politike të KQ të PPSH. Zëvendëskryeministër, ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave, deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat.


    Tirana observer

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Sekretet e njerezve te vdekur

    Cilat janë të fshehtat e njërit prej drejtuesve të njësitit gueril të Tiranës






    Katër misteret që shoqëruan Myslym Ketën

    Erion HABILAJ

    Rubrika “Sekretet e njerëzve të vdekur” fokuson sot jetën e një prej figurave të larta për sa i përket Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Myslym Keta, i cili ka bërë një seri atentatesh ndaj armiqve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, vjen sot dhe me anët e tij të errëta. Momenti i vdekjes ka lënë hije dyshimi për këtë figurë. Pasi bëri një aksident me makinë, asnjëherë nuk u përjashtua mundësia se mund t’i kenë bërë një atentat. Përveç vdekjes të mistershme, për Lym Ketën pa dyshim që hije dyshimi ka lënë dhe mënjanimi nga funksionet e larta drejtuese të Partisë dhe të pushtetit, duke i dhënë vetëm funksione të cilat edhe pse ishin prestigjioze nuk krahasoheshin me ato detyra që iu caktuan shokëve e tij të Luftës.


    Misteri më i madh që lidhet me Myslym Ketën është padyshim momenti i vdekjes së tij. Ishte një aksident apo një atentat? Si u deklarua vdekja në atë kohë, pse mendohet se ka bërë një vdekje të imponuar, cili ishte amaneti i Lymit? Pse u arrestua shoferi që drejtonte makinën, kush ishte roli i Beqir Ballukut në këtë masë të shoferit?
    Myslym keta ishte një nga kuadrot më të lartë të ushtrisë shqiptare. Ai pasi u kthye nga studimet që kreu në Moskë, emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë. Ai gjithashtu është edhe një nga kuadrot e parë të ushtrisë shqiptare që kontribuan në themelimin e Brigadës së Tankeve. Në këtë sektor ai mbante titullin e lartë të “Mjeshtrit të klasit të parë”, në përdorimin e tankeve. Por jeta e tij në mënyrë krejt tragjike do të kishte një fund në momentin më të artë të karrierës së tij ushtarake. Myslym Keta niset për në Fushë-Arrës për arsye pune së bashku me shoferin e tij, ushtarin Petrit Topi. Në momentin e kthimit për në Tiranë, makina e cila drejtohej nga Petrit Topi, përplaset me një shkëmb gjatë rrugës. Gjatë përplasjes së fortë të makinës, një nga hekurat e shkëputur prej aksidentit ngulet në kokën e ushtarakut të lartë, Lym Keta. Shoferi gjatë këtij aksidenti pëson disa tronditje të forta, por pa rrezik për jetën e tij. Lymi nga ajo përplasje ngeli i plagosur rëndë dhe në këtë gjendje ai urdhëron shoferin të qëllojë në ajër për lajmërimin e aksidentit, por më kot, pasi shoferi ishte i traumatizuar. Myslym Keta duke parë gjendjen e rëndë të shoferit, por dhe agoninë e vet, del nga makina dhe qëllon vet me armë duke dhënë alarmin. Pas afro 20 minutash, një makinë e rastit i jep ndihmën e parë. Kështu niset për në spitalin në Fushë-Arrëz. Edhe pse i plagosur rëndë, ai u mbajt pa e humbur kujtesën deri sa mbërriti në spital. Sipas dëshmisë së shoferit që e transportoi, ai mblodhi forcat dhe u ngjit vetë në makinë edhe pse një pjesë të kokës e kishte të dëmtuar rëndë. Sapo mbërrin në urgjencë të vetmet fjalë të fundit që nxjerr nga goja në formë amaneti ishin “mos dënoni ushtarin tim, pasi nuk ka faj për aksidentin”. Lajmi i rëndë mbërriti shpejt në Tiranë. Kështu lajmërohet ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Beqir Balluku, për aksidentin. Ky i fundit urdhëroi të dërgohet një helikopter me disa mjekë për t`i transportuar të plagosurit në Tiranë. Por Keta dha shpirt para duarve të mjekëve të spitalit të Fushë-Arrëzit. Duke marrë vesh si kishte ndodhur situata, Beqir Balluku dha urdhër të dënohet ushtari si përgjegjës i aksidentit. Dhe në fakt kështu ndodhi. Kjo humbje e Myslym Ketës është fshehur me mister të madh. Është aluduar nëse ishte një kurth apo një aksident i zakonshëm që nuk mund të evitohej. Për këtë u bë dhe ekspertiza, dhe u deshën disa ditë që të bëheshin të gjitha veprimet për të nxjerrë shkaqet e vërteta të aksidentit. Dhe rezultatet dolën ashtu sikurse priteshin, kolonel Myslym Keta ishte përplasur me shkëmbin, pasi automjeti kishte pasur probleme. Mirëpo deri në përfundim të hetimeve, ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, qëndroi gjithmonë në ndjekje të të gjitha veprimeve. Vetëm atëherë kur u siguruan se problemet ishin mekanike dhe se në timonin e makinës në momentin e përplasjes ndodhej Myslym Keta, vendosën ta lironin nga burgu edhe ushtarin Petrit Topi.

    Si arriti Lym Keta të ishte një nga atentatorët më të spikatur të Luftës? Pse mori pseudonimin “Drapri”, kush ishin “shënjestra” e tij dhe si i ndërmerrte aksionet?
    Në Luftën e Dytë Botërore, përveç aksioneve që bëheshin nga formacionet e organizuara partizane kishte dhe aksione të cilat merreshin nga individë të veçantë, të cilët ishin të inkuadruar në njësitet guerile që operonin nëpër qytete. Njëri prej guerilasve ka qenë dhe Myslym Keta, i cili u tregua mjaft guximtar në ndërmarrjen e shumë aksioneve të rrezikshme. Në veprimtarinë e tij shënohen një numër i madh atentatesh ndaj forcave nazifashiste dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ai ishte fare i vogël kur u ngarkua me këtë sipërmarrje të vështirë, thuajse nuk i kishte bërë ende 14 vjeç. Por mosha e re atë nuk e pengoi aspak për t’u treguar një njeri i zoti në të gjithë aksionet që iu caktuan. Po t’ju referohesh dokumenteve të kohës, padyshim që Lymi del të jetë një nga ata që ka bërë më tepër atentate në kurriz të armikut. Duke qenë i tillë, ai nuk mund të rrinte pa pasur dhe pseudonime si rezultat i ndjekjes së vazhdueshme që i bënte armiku. Në fillim atë e njihnin me emrin “Tata” dhe ky nuk ishte epitet që e mori në Luftë, por buronte, si të thuash, nga vetë karakteri i tij. Ishte në një moshë fare të re, por i riu nga Tirana shquhej për qetësi, thjeshtësi absolute dhe një karakter të fortë. Pikërisht për këto cilësi, ai filloi të thirrej nga pjesa më e madhe e personave “Tata”. Drejtuesit e njësitit gueril në Tiranë i dhanë epitetin e Luftës “Drapri”. Dhe këtë emër të dytë nuk ia vendosën pa qëllim. Myslym Keta kishte shumë aftësi në përdorimin e të gjithë llojeve të armëve të lehta dhe mbi të gjitha kishte një shënjestër të mirë. Por arma të cilën e përdori më shumë në Luftë ishte pikërisht mitralozi “beta”, që ua kishte marrë ushtarëve italianë. Sa herë që kryheshin aksione, ai qëllonte aq shumë dhe me preçizion saqë dukej sikur korrte. Këtej e kishte “burimin” dhe epiteti që i vunë “Drapri”. Por ai kurrë nuk mburrej edhe pse mund të konsiderohet si një nga atentatorët më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore. Shokët e tij tregojnë që Keta mbante gjithmonë me vete tri armë: një mitraloz të rëndë, një automatik dhe një pistoletë. Ishte i bindur se në çdo sulm që do të ndërmerrte do t`i nevojiteshin të gjitha armët.
    Përveç armiqve të cilët do të ishin padyshim nën shënjestrën e Lymit, atij nuk i mungojnë rastet kur “kishte hequr qafe” dhe bashkëpunëtorët e pushtuesve të cilët vinin nga radhët e palës shqiptare. Shumë nga shokët e tij tregojnë raste kur Lymi pa iu trembur syri eliminonte ata që kishin bashkëpunuar me armiqtë.

    Myslym Keta edhe pse ishte në një moshë fare të re, ndërmerrte aksione shumë të rrezikshme. Si arrinte ai të dukej në sytë e italianëve një “çunak” duke bërë që të kishte dhe rezultate më të larta në njësitin gueril të Tiranës? Si liroi 26 komunistë nga burgu?
    Duke qenë në një moshë të re, Myslym Keta herë pas here nuk shikohej me seriozitetin e duhur nga ana e pushtuesve. Kjo situatë nuk zgjati shumë, pasi po shikohej që efektiviteti i Myslymit nuk ishte ai një çunaku, por tepër i lartë. Për këtë dhe nuk çdo deklaratë të kuesturës italiane jepej tanimë si një element i një rrezikshmërie tepër të lartë. Në çdo aksion të “Tatës” kishte një manovër tepër inteligjente. Mosha e njomë kishte ndikim vetëm në perceptimin e armiqve, duke bërë që edhe kur e arrestonin atë ta lironin përsëri, duke qenë të bindur që nuk mund t’u vinte e keqja nga një fëmijë. Gjithsesi mund të thuhet që në aktivitetin e tij në njësitin gueril të Tiranës janë jo pak atentate në qendër të Tiranës. Një nga aksionet që bëri bujën më të madhe në atë kohë ka qenë një arratisje e organizuar nga Lym Keta dhe shoku i tij Adnan Qatipi, në burgun e Tiranës, nga ku ikën 26 komunistë që ishin arrestuar në Tiranë. Italianët mundën të arrestonin jo pak, por 26 komunistë, ndër më aktivët në kryeqytet. E ndërsa prisnin të dilnin para gjyqit, ndoshta edhe para skuadrës së pushkatimit, u organizua edhe arratisja e tyre. Ka qenë pikërisht data 29 prill e vitit 1943. Burgu 302 ruhej me shumë gardianë, të armatosur mirë. Sulmi i drejtpërdrejtë ishte i kotë dhe mund të kishte mjaft pasoja. Disa të burgosur hapën në fshehtësi një tunel të nëndheshëm brenda qelive të burgut për të siguruar arratisjen. Informatat ishin të sakta. 14 metra tunel i nëndheshëm të çonte jashtë mureve të burgut, por problemi mbetej ende i pazgjidhur. Vendi ishte i ndriçuar dhe në momentin që do të dilnin do të binin në sy të italianëve. Në këtë mënyrë u caktuan Myslym Keta dhe Adnand Qatipi të prisnin telat e dritave në afërsi të centralit, që ndodhej vetëm pak metra larg burgut. Dy djemtë e rinj morën përsipër detyrën e vështirë. Në një aksion të realizuar në mënyrë të përkryer, dritat u ndërprenë pikërisht në momentin që 26 të dënuarit po arratiseshin nëpërmjet tunelit të nëndheshëm. Shkëputja e energjisë solli çoroditje të madhe tek ushtarakët italianë. Pas stabilizimit të gjendjes ishte tepër vonë. Kështu 26 të burgosurit u arratisën. Ky operacion u konsiderua si mjaft i suksesshëm. Një pjesë e mirë e meritës u takonte dy djelmoshave të rinj, të cilët me veprimet që kryen siguruan çelësin e suksesit. Megjithatë nuk ishte e thënë që Keta të mbyllte aktivitetin e tij vetëm me këto veprime. Shumë atentate të ndodhura në kryeqytet mbajtën firmën e tij.

    Pas Çlirimit ai ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të Luftës, duke u nderuar me titullin “Hero i Popullit”. Ai ishte ky titull gjithçka ai meritonte në atë kohë? Pse u shmang nga funksionet më të larta drejtuese, cilat ishin raportet e tij me Enver Hoxhën?
    Ashtu si të gjithë kontribuesit në Luftën e Dytë Botërore, në vitet 1939-1945 edhe Myslym Keta pati një karrierë të sigurt, pasi roli i tij kishte qenë determinant në atë luftë. Kështu pas Çlirimit, Myslym Keta ka pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Kështu, ai fillimisht emërohet komandant i Gardës Kombëtare dhe i Repartit të Parë të Kavalerisë. Më pas, ai dërgohet në Bashkimin Sovjetik, për studime në shkollën e lartë të Këmbësorisë. Ndërsa në vitin 1954 mbaron me rezultate shumë të mira edhe Akademinë më prestigjioze të Bashkimit Sovjetik, atë të Tankeve, në Fakultetin e Inxhinierisë. Pas mbarimit të kësaj akademie, Keta emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë që qëndronte në mbrojtje të kryeqytetit. Për merita të veçanta që gjatë Luftës e më pas, Myslym Keta gradohet kolonel. Gjithsesi mund të thuhet se edhe pse ai pati këto arritje, duhet thënë se vlerat dhe kontributi i tij nuk është u vlerësuan aq sa duhet. Nëse shokët që ndoshta mund të ishin dhe më poshtë se ai morën poste shumë të larta duke u bërë dhe ministra apo kryeministra. Kjo shmangie herë-herë është parë dhe si një kapriço e Enver Hoxhës, duke qenë se karakteri i Lymit nuk përmbante brenda servilizmin që jo shumë prej shokëve të tij e shfaqën kundrejt Sekretarit të Parë të Partisë. Kjo ka qenë dhe një arsye edhe pse raporti i Myslym Ketës mendohet të ketë qenë i një niveli dytësor, kjo gjithmonë për sa i përket raportit real, se sa për sy e faqe ato ishin mjaft të mira, pasi siç dihet Enver Hoxha ishte mjeshtër i konjukturave.

    Misteret

    1. Misteri më i madh që lidhet me Myslym Ketën është padyshim momenti i vdekjes së tij. Ishte një aksident apo një atentat? Si u deklarua vdekja në atë kohë, pse mendohet se ka bërë një vdekje të imponuar, cili ishte amaneti i Lymit? Pse u arrestua shoferi që drejtonte makinën, kush ishte roli i Beqir Ballukut në këtë masë ndaj shoferit?

    2. Si arriti Lym Keta të ishte një nga atentatorët më të spikatur të Luftës? Pse mori pseudonimin “Drapri”, kush ishin “shënjestra” e tij dhe si i ndërmerrte aksionet?

    3. Myslym Keta edhe pse ishte në një moshë fare të re, ndërmerrte aksione shumë të rrezikshme. Si arrinte ai të dukej në sytë e italianëve një “çunak” duke bërë që të kishte dhe rezultate më të larta në njësitin gueril të Tiranës? Si liroi 26 komunistë nga burgu?

    4. Pas Çlirimit ai ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj të Luftës, duke u nderuar me titullin “Hero i Popullit”. Ai ishte ky titull gjithçka ai meritonte në atë kohë? Pse u shmang nga funksionet më të larta drejtuese, cilat ishin raportet e tij me Enver Hoxhën?

    Detaje per jeten

    Në vitin 1939, merr pjesë në protestat antifashiste që u bënë nga shqiptarët kundër italianëve që po pushtonin Shqipërinë.

    Më 1941, është ingranimi total i Myslym Ketës në forcat partizane, duke u bërë kështu një nga drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

    Në vitin 1947, Myslym Keta u nderua me titullin e lartë “Hero i Popullit” për kontributin që kishte dhënë në Luftë.

    24 shkurt 1966, pas një aksidenti në Fushë-Arrëz me makinë, Lymi gjeti vdekjen. Për këtë vdekje jo pak hije dyshimi janë hedhur, nëse ishte nj atentat apo një aksident i zakonshëm.

    Jeteshkrimi

    Emri: Myslym
    Mbiemri: Keta
    Vendlindja: Tiranë
    Datelindja: 11 tetor 1925
    Shkollimi:
    Lymi fillimisht ka ndjekur Shkollën Teknike
    (sot Harri Fultz) dhe më pas Gjimnazin e Tiranës.
    Aktiviteti:
    Myslym Keta e filloi luftën që në moshë të njomë, kur sapo kish mbushur 14 vjeç, atëherë kur mbi Shqipëri erdhi Italia pushtuese.
    Më 7 prill 1939, Lymi merr pjesë në demonstratat masive që u bënë nga pala shqiptare kundër fashistëve italianë.
    Në vitin 1941, nis aktiviteti i tij real si luftëtar i lirisë, ku bëhet pjesë integrale e njësitit gueril të Tiranës. Lymi në këtë kohë njihet me drejtuesit e rezistencës antifashiste të asaj kohe, të cilët e afruan Lymin dhe u angazhuan për edukimin e tij atdhetar, pasi te Lymi ata shihnin një djalosh trim, të guximshëm, besnik, të zgjuar e me ndjenja atdhetare.
    24 shkurt 1966, Myslym Keta pas një aksidenti me makinë gjen vdekjen.

    .................................................. ................................. Krye

Tema të Ngjashme

  1. Kisha është Një
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 29-05-2010, 11:25
  2. Gjuha e Perëndive!
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 87
    Postimi i Fundit: 27-09-2007, 16:08
  3. Radio Maria ne gjuhen shqipe
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 09-08-2006, 03:47
  4. Besimi Orthodhoks
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 41
    Postimi i Fundit: 06-04-2005, 02:00
  5. ADHURIMI - Kapitulli II: Misteret e Shenjta
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 16-03-2005, 04:59

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •