Drejtori i EKB, Qirjako, deklaron se në 6 vjet Rama nuk ka miratuar asnjë shesh ndërtimi për të pastrehët e Tiranës
Rama mban peng ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët
Strategjia e qeverisë shqiptare, për zbutjen e një prej problemeve më të mprehta sociale, siç është strehimi tashmë, po gjen zgjidhje me ritme të shpejta. Nga zbatimi i këtij prioriteti kryesor të qeverisë shqiptare, deri tani është mundësuar strehimi i banorëve në 255 apartamente të përfunduara në disa në qytete të vendit. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, theksohet fakti se, cilësia e këtyre apartamenteve të ngritura, është shumë herë më e mirë, në krahasim me apartamentet e ngritura në periudhën e qeverisë socialiste. "Prej gati një viti të qeverisjes demokratike, janë ngritur 255 pallate, kryesisht këto në disa nga qytetet kryesore të vendit si; Durrës ku në këtë qytet kanë përfunduar së ndërtuara 24 apartamente, Elbasan kanë përfunduar 39 apartamente. Më pas, në qytetet e tjera si; Shkodër kanë përfunduar 84 apartamente, Vlorë 24 apartamente, Korçë 40 apartamente, dhe Gjirokastër 20 apartamente", u shpreh Qirjako. Sipas Qirjakos, është kompetencë e pushtetit vendor përcaktimi i personave që do të strehohen në këto apartamente dhe kjo sipas listave të përcaktuara nga bashkitë. Përfundimi i ngritjes së këtyre apartamenteve, menjëherë është pasuar me plotësimin e proçedurave për ndërtimin e apartamenteve të reja. Ndërkaq, Enti Kombëtar i Banesave një vëmendje të veçantë i ka kushtuar dhe cilësisë së këtyre apartamenteve të ngritura. Sipas drejtorit të saj, cilësia e tyre është shumë herë më e mirë se e atyre apartamenteve të ngritura në të kaluarën, duke iu përshtatur cilësisë bashkëkohore të apartamenteve.
Menjëherë pas përfundimit të këtyre apartamenteve ne kemi filluar nga puna për plotësimin e dokumentacionit për 250 apartamente të tjera, ku aktualisht po proçedohet. Gjithashtu, fakti më i rëndësishëm në zbatimin e një prej prioriteteve kryesore të qeverisë, është cilësia e lartë e punimeve që është zbatuar në ngritjen e këtyre apartamenteve. Pra, këto 255 apartamente të ngritura rezultojnë me një cilësi të lartë dhe sipas parametrave bashkëkohorë. Ndërkaq në krahasim me pallatet që janë ngritur në të kaluarën, pallatet e sotme janë 8 katëshe dhe jo më si dikur 5 katëshe", nënvizoi Qirjako.
Në listën e Entit Kombëtar të Banesave, ku janë të pasqyruara shifrat e apartamenteve të ngritura në disa nga qytetet kryesore të vendit, rezulton se deri tani në kryeqytet nuk është ndërtuar asnjë apartament. Kjo situatë, nuk rezulton si pasojë e mospërfshirjes së EKB, në listat e qyteteve ku do të ngrihen apartamentet, por si pasojë e kontributit të Ramës, në fshirjen e kryeqytetit nga këto lista. Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, deklaron se kryetari i Bashkisë së Tiranës, është frenuesi kryesor i implementimit të kësaj politike sociale në Tiranë. Sipas Qirjakos, merita e vetme që ka kryebashkiaku në zbutjen e strehimit, është mashtrimi dhe bunkerizimi i kryeqytetit. "Nga shpërndarja e numrit të apartamenteve të ndërtuara deri tani në shumë qytete të vendit, rezulton se në kryeqytet nuk është ndërtuar asnjë. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e politikës frenuese që po ndjek kryetari i Bashkisë, Rama, i cili nuk miraton sheshet e ndërtimit për ngritjen e apartamenteve", u shpreh Qirjako.
Ndërkaq sipas kreut të Entit të Banesave, kjo situatë vazhdon të jetë e njëjtë sikurse ka qenë dhe në të kaluarën, ku Rama nuk ka miratuar deri tani asnjë shesh ndërtimi për të pastrehët. "Nga ana janë dërguar kërkesa, çdo muaj Bashkisë së Tiranës për miratimin e shesheve të ndërtimit, por kryetari i Bashkisë nuk ka denjuar të kthejë përgjigje. Ndërkohë, që po t'i referohemi legjislacionit, çdo bashki është e detyruar që të verë në dispozicion të Entit Kombëtar, troje të lira. Bashkia e Tiranës, vazhdon të këmbëngulë në moszbatimin e saj, ashtu siç ka vepruar për këto 6 vjet rresht, nga ku rezulton se nuk është miratuar asnjë shesh ndërtimi", përfundoi Qirjako. Drejtori i EKB, ndër të tjera shtoi se, "Kontributi që po jep kryetari i Bashkisë, Rama për kryeqytetin është bunkerizimi i tij, gjë kjo e cila nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të banorëve të kryeqytetit", përfundoi Qirjako.
ISSH publikon rezultatet pozitive të politikave të qeverisë për rritjen e pensioneve për vitin 2006
Që nga korriku, 518 mijë pensionistë përfituan 5 - 20 përind më shumë
Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi, dje, gjatë një konference për shtyp ka paraqitur në mënyrë të detajuar strategjinë e zbatimit të politikave të rritjes së pensioneve, që janë zbatuar gjatë vitit 2006, nga qeveria shqiptare. Sipas Koldashit, zbatimi i këtyre politikave nga ISSH, kanë sjellë rritje të pensionit për 517.073 pensionistë në shkallë vendi. Ndërkaq Koldashi, ka theksuar faktin se ISSH tashmë ka filluar rillogaritjen e pensioneve të lidhura gjatë periudhës të vitit 1994 deri në vitin 2005, me qëllim eleminimin e disporcioneve të krijuara. Ndër të tjera, sipas kreut të ISSH, qeveria ka parashikuar një kompesim në vlerën e 5 mijë lekë në muaj për çdo pensionist me qëllim rritjen e të ardhurave mujore të kësaj kategorie, ku të gjitha këto dhe masa të tjera që do të zbatohen të sjellin rritje të të ardhurave minimale si për pensionistët e fshatit ashtu dhe të qytetit. Më konkretisht, Koldashi në shpjegimin e këtyre politikave të zbatuara është shprehur se, "fillimisht, duke filluar që nga data 1 korrik 2006 pensionet e qytetit janë rritur 5% dhe pensionet e fshatit 20%, kjo masë është marrë sipas VKM nr.399, të datës 21.06.2006 "Për rritjen e Pensioneve". Për pasojë në shkallë vendi, kanë përfituar rritje pensioni 517.073 pensionistë. Nga këta 360.096 përfitues janë pensionistë qyteti dhe 156.977 janë pensionistë fshati. Përfitimi mesatar nga zbatimi i vendimit të mësipërm për pensionistët e qytetit ka qenë 424 lekë dhe për pensionet e fshatit, 583 lekë", tha Koldashi.
70 mijë pensionistë, përfitojnë nga rillogaritja e pensionit
Një tjetër element që po zbatohet nga ISSH në kuadër të politikave të rritjes së pensioneve, e cila i shtrin efektet duke filluar që nga 1 dhjetori është dhe zhdukja e disporpocionit të pensioneve, ku nga kjo do të përfitojnë 70 mijë pensionistë. "Së dyti, për të gjitha pensionet e qytetit të lidhura në periudhën 1.04.1994 deri 14.06.2005 ka nisuar rillogaritja e tyre me qëllim eleminimin e disporpocioneve të krijuara në kohë nga zhvillimet ekonomike. Kjo rillogaritje po kryhet sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr.9588 të datës 25.07.2006, "Për rillogaritjen e pensioneve" dhe VKM nr.590 të datës 31.08.2006 dhe i shtrin efektet ekonomike që prej 1 korrikut 2006. Ky proçes është në vazhdim, ndërkohë në shkallë vendi do të kontrollohen 140 mijë dosje pensionistësh, nga e cila parashikohen të përfitojnë 70 mijë pensionistë. Efektet e rillogaritjes do të jenë në datën 1 dhjetor 2006 në qendrat paguese të pensioneve. ISSH në nivel qendror e lokal është e angazhuar që ky proçes të përfundojë më shpejt se afatet e parashikuara në dispozitat ligjore", theksoi Koldashi.
Për 116.300 pensionistë të qytetit 5.8% më shumë përfitimi mujor
ISSH, parashikon kompesim deri në 500 lekë në muaj për rritjen e të ardhurave mujore të pensionistëve, ku sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Koldashi, do të merren këto masa. "Gjithashtu me qëllim rritjen e të ardhurave mujore të pensionistëve të qytetit, është parashikuar një kompesim deri në 500 lekë në muaj për çdo pensionist sipas përcaktimeve të bëra në VKM 401 të datës 21.06.2006 "Për kompesimin e të ardhurave mujore të pensionistëve". Efektet e këtij vendimi shtrihen nga data 1 nëntor 2006. Aplikimi i këtij VKM është kondicionuar nga proçesi i rillogaritjes, pasi vetë proçesi i rillogaritjes në mjaft raste do të nxjerrë pensionistët nga niveli minimal i të ardhurave mujore, dhe për pasojë nuk mund të marrin këtë kompesim", theksoi Koldashi. Më pas ajo shtoi se, "Parashikohet që nga kjo politikë të përfitojnë deri në 500 lekë në muaj 116.300 pensionistë të qytetit, kështu përfitimi mujor për çdo pensionist që i përket këtij grupi do të jetë 473 lekë në muaj ose 5.8% më shumë, ku kjo rritje nuk përfshin rritjen prej 5% të realizuar në muajin korrik të vitit 2006", tha Koldashi.
Kompensimi i energjisë elektrike për 83 mijë pensionistë
Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të shoqërohet nga qeveria me kompesimin e 300 mijë personave në nevojë. Ndërkaq ISSH sapo ka nxjerrë formularin e të dhënave që duhet të plotësojnë këta persona, ku dje, gjatë konferencës për shtyp kreu i ISSH, theksoi se nga zbatimi i VKM së qeverisë do të përfitojnë 83 mijë pensionistë. "Së katërti, me qëllim rikuperimin e efekteve ekonomike për pensionistët, që rrjedhin nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, është parashikuar dhënia e një kompesimi në masën 500 lekë në muaj për të gjithë ato familje pensionistësh të evidentuar si familje në nevojë, kjo sipas përcaktimeve të bëra nga VKM nr.565 të datës 9.08.2006, që i shtrin efektet ekonomike që nga data 1 korrik 2006. Nga ky vendim parashikohet të përfitojnë 83 mijë pensionistë me gjendje kryefamiljare të vetëm, ose me persona në ngarkim pa të ardhura dhe invalidë. Ky kompesim do të jepet më datën 1 dhjetor 2006, pasi jemi në proçesin e identifikimit të familjeve në nevojë", u shpreh Koldashi. Në fund të konferencës për shtyp, Koldashi u shpreh se, si pasojë e politikave që do të aplikohen deri në datën 1 dhjetor 2006 rezulton se, "të ardhurat minimale nga pensioni në qytet para datës 1.07.2006 kanë qenë 8350 lekë në muaj, ku të ardhurat minimale nga pensioni në qytet pas datës 1dhjetor 2006 do të jenë 9240 lekë në muaj. Të ardhurat minimale nga pensioni në fshat para datës 1.07.2006 kanë qenë 3630 lekë në muaj. Ndërkohë të ardhurat minimale nga pensioni në fshat pas datës 1 dhjetor 2006 do të jenë 4310 lekë në muaj", përfundoi Koldashi.
rd
Krijoni Kontakt