Profeti i Shenjtë Ilia është një nga profetët më të mëdhenj dhe i pari që iu dedikua virgjërisë në Dhiatën e Vjetër. Ai ka lindur në Tishba të Gileadit në një fis Levit 900 vjet para Mishërimit të Fjalës së Perëndisë.
Shën Epifani i Qipros na rrëfen këtë histori në lidhje me lindjen e Profetit Ilia: "Kur lindi Ilia, babai i tij Sobaku pa në një vegim engjëjt e Perëndisë që iu mblodhën përreth foshnjës së porsalindur. E mbështollën me zjarr dhe e ushqenin me flakë." Emri Ilia (fuqia e Perëndisë) që iu vu foshnjës do të përshkruante gjithë jetën e tij. Që në rini ia dedikoi veten Perëndisë duke jetuar në vende të pabanuara nga njerëz dhe duke kaluar gjithë jetën me një agjerim strikt, të shoqëruar edhe me meditim e lutje. Kur u thirr nga Perëndia për shërbimin profetik, i cili e futi në konflikt me mbretin Ahab të Izraelitëve, profeti u bë një mbrojtës i flaktë i fesë dhe devotshmërisë së vërtetë.
Gjatë kësaj kohe kombi i Izraelitëve ishte larguar nga besimi i Etërve të tyre, e braktisën Zotin e Vetëm të tyre dhe adhuronin idhujt paganë, adhurimi i të cilëve u fut për herë të parë nga mbreti i pabesë Jereboam. Jezibeli, gruaja e mbretit Ahab, ishte e përkushtuar ndaj adhurimit të idhujve. Ajo e bindi të shoqin që të ndërtojë një tempull pagan në nder të zotit pagan Baal, dhe kjo bëri që shumë Izraelitë të hiqnin dorë nga adhurimi i Perëndisë së Vërtetë. Duke parë shkatërrimin e popullit të tij, Profeti Ilia filloi të denoncojë mbretin Ahab për pabesi dhe i bëri thirrje që të pendohet dhe të kthehet tek Zoti i Izraelit. Mbreti nuk ia vuri veshin thirrjeve të tij. Profeti Ilia atëherë i tha se si ndëshkim nuk do të binte as shi dhe as vesë mbi tokë dhe thatësira do të merrte fund vetëm falë lutjes së vetë profetit. Me te vërtetë, fjala e Ilias ishte si flakë (Kish. 48:1) Qiejt u mbyllën për tre vjet e gjysëm dhe gjithë vendin e pushtoi thatësira dhe uria.
Gjatë kësaj kohe të vështirë, Perëndia e dërgoi profetin në një shpellë matanë Jordanit. Atje ai u ushqye ne mënyrë të mrekullueshme nga korbat. Kur përroi Horath u tha, Perëndia e dërgoi Profetin Ilia në Sarefta tek një e ve e varfër, që ishte nga rradhët e popullit të Sidonianëve, e cila vuante së bashku me fëmijët e saj për bukën e gojës dhe priste vdekjen nga uria. Me kërkesë të Profetit, ajo i përgatiti një bukë me grushtin e fundit të miellit dhe pikën e fundit të vajit që i kish mbetur. Falë lutjeve të Profetit Ilia, mielli dhe vaji nuk mbaruan kurrë gjatë gjithë kohës së urisë së madhe. Me anë të fuqisë së lutjes Profeti bëri edhe një mrekulli tjetër: ia ngjalli nga varri djalin e vdekur të vejushës.
Në fund të tre vjetëve të thatësirës, Perëndia i Plotmëshirshëm e dërgoi profetin që të dilte para mbretit Ahab, dhe premtoi se do të sillte shi mbi tokë. Profeti Ilia i tha mbretit që të urdhëronte të gjithë popullin e Izraelit së bashku me priftërinjtë e Baal që të mblidheshin në Malin Karmel. Kur kombi u mblodh, Profeti Ilia propozoi që dy altare sakrificash të ndërtoheshin: një për priftërinjtë e Baal, dhe një tjetër për Profetin Ilia që i shërbent Zotit të Vërtetë.
Profeti Ilia u tha atyre që ti thërrisnin zotërit e tyre që të konsumonin me flakë kafshët e ofruara si sakrificë në altar, dhe nga ana tjetër, ai do të thërriste Zotin e tij. Cilido qe do të dërgonte flakën i pari nga qielli mbi sakrificat do të njihej si Zot i vërtetë. Profetët e Baal i thirrën idhujve të tyre nga mëngjesi e deri në darkë, por qiejt heshtën. Nga darka, Profeti i shenjtë ngriti altarin e sakrificës së tij me 12 gurrë, numri i fiseve te Izraelit. E vendosi sakfricën mbi drutë, dha urdhër që te hapnin një kanal rreth e rrotull altarit dhe i urdhëroi që drutë dhe kafsha sakrificë të lageshin me ujë. Kur kanali u mbush me ujë, profeti u kthye nga Perëndia me lutje. Gjatë lutjes së Profetit zjarri erdhi nga qielli dhe konsumoi sakrificën, drutë e vetë ujin. Njerëzit u shtrinë përtokë duke bërtitur me të madhe: "Me të vërtetë Perëndia është Zot!" Pastaj Profeti Ilia urdhëroi që të gjithë priftërinjtë paganë të Baal të vriteshin, dhe filloi të lutej për shi. Me anë të lutjes së tij qiejt u hapën dhe shi i bollshëm ra, duke njomur tokën e copëtuar nga thatësira.
Mbreti Ahab e pranoi gabimin e tij dhe u pendua për mëkatet e veta, por gruaja e tij Jezibela e kërcënoi profetin me vdekje. Profeti Ilia iku në mbretërinë e Judeas dhe i brengosur se dështoi që ta shkulte me rrënjë adhurimet e idhujve i kërkoi Perëndisë që ta linte që të vdiste. Një engjëll i Perëndisë i doli përpara, e fuqizoi me ushqim dhe e urdhëroi që të merrte një udhëtim të gjate. Profeti Ilia udhëtoi për 40 ditë dhe 40 netë dhe kur arriti në Malin Horeb, u ndal në një shpellë.
Perëndia i tha se të nesërmen Ilia do të qëndronte në praninë e Tij. Zuri një erë e madhe që copëtoi shkëmbinjtë e malit, pastaj ra një tërmet, pastaj një zjarr, por Perëndia nuk ishte në to. Perëndia ishte në një "fllad të butë ere" (2 Mbretërit 19:12). Ai i shfaqi profetit se Ai do të ruante 7000 shërbëtorë besnikë që nuk e kishin adhuruar Baal.
Pastaj, Perëndia e urdhëroi Ilian që të krizmonte(vajoste) Ilishan në shëbimin profetik. Falë zellit të tij të zjarrtë për Lavdinë e Perëndisë Profeti Ilia u ngjit lart në Qiell për së gjalli ne një karrocë të zjarrtë me kuaj. Profeti Ilisha mori mantelin e Ilias dhe një porcion të dyfishtë të shpirtit të tij profetik.
Sipas Traditës së Kishës së Shenjte, Profeti Ilia do të jetë Pararendësi i Ardhjes së Dytë të Krishtit. Ai do të shpalli të vërtetën e Krishtit, do t'i thërrasë të gjithe në pendim, dhe do të vritet nga Antikrishti. Kjo do të jetë një shenjë e fundit të botës.
Jeta e Profetit të shenjtë Ilia është regjistruar në librat e Dhiatës së Vjetër (3 Mbretërit; 4 Mbretërit; Kishëtari 48:1-15; 1 Makabi 2:58). Gjatë kohës së Shpërfytyrimit të Krishtit, Profeti Ilia bisedonte me Shpëtimtarin në majë te Malit Tabor (Mt. 17:3; Mark 9:4; Llukai 9:30)
Të krishterët orthodhoksë të të gjitha kohërave, dhe në të gjitha vendet e botës, e nderojnë Profetin Ilia prej shekujsh. Në ikonografi Profeti Ilia përshkruhet duke u ngjitur në qiell në nje karrocë të zjarrtë me kuaj i rrethuar nga flakët dhe i tërhequr nga kuajt me katër krahë. I lutemi Profetit për shpëtimin nga thatësira dhe për një mot të mirë sipas stinës.
Krijoni Kontakt