Strasburgu: T’u kthehen shtëpitë ish-pronarëve

BRAHIM SHIMA

11 Korrik Tartari: Rasti i Polonisë të shërbejë për deputetët shqiptarë

Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut i ka dalë në mbrojtje pronarëve të banesave, të cilat janë dhënë në përdorim nga shteti. Një muaj më parë, në një vendim të formës së prerë, Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar Polonisë që t’u kthejë të drejtën pronarëve të ndërtesave, duke liberalizuar qiratë.

Ndërkohë, duke hequr një paralele me rastet në Shqipëri, avokati i subjekteve të shpronësuara gjatë regjimit komunist, Agim Tartari, u kërkon deputetëve që të mos bëjnë të njëjtin gabim me Poloninë, por t’u japin të drejtat pronarëve të ndërtesave, duke mos rënduar as buxhetin e shtetit dhe duke mos rrënuar ndërtesat, që prej shumë kohësh nuk kanë as përkujdesjen e pronarëve dhe as të qiramarrësve. Kjo, pasi asnjë nga palët nuk ka garancinë se kur do të shijojë banesën.

Vendimi

Ka qenë Hutten Czapska, e cila ka kërkuar nga shteti polak kthimin e shtëpisë së trashëguar. Por ashtu si dhe për 100 mijë shtetas të tjerë, Polonia vendosi të drejtën e qirasë së limituar, duke u mohuar pronarëve të drejtat. Por, avokat Tartari shprehet se, më 19 qershor 2006, "Strasburgu" vendosi se lidhur me kërkuesen Hutten-Czapska, e cila është një nga rreth 100.000 pronarët e tjerë në Poloni, të prekur nga sistemi shtrëngues i kontrollit të qirave, në këtë rast kemi një dhunim të nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. "Me 16 vota pro, 1 kundër, vendosi se dhunimi i sipërm ka pasë sjellë një problem sistematik, që ka lidhje me keqfunksionimin e legjislacionit polak, sepse ka imponuar dhe vazhdon të imponojë kufizime të të drejtave të pronësisë të pronarëve dhe nuk kishte parashikuar e as parashikon ndonjë procedurë apo mekanizëm që t’u japë mundësi pronarëve që të rifitojnë humbjet që kanë pësuar lidhur me mirëmbajtjen e pronës", tha avokati. Ai sqaroi gjithashtu se me 15 vota pro, 2 kundër, gjykata vendosi që t’i jepet fund dhunimit sistematik të konstatuar. "Në këtë çështje, Polonia duhet që nëpërmjet masave ligjore apo të tjera, të sigurojë në rendin juridik të brendshëm një mekanizëm, që të ruajë një drejtpeshim të drejtë midis interesave të pronarëve dhe interesave të përgjithshme të bashkësisë, në pajtim me standardet e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë sipas Konventës", thuhet në vendim.

Qiraja

Duke arsyetuar vendimin e sipërm, Dhoma e Lartë e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, shprehet se dhunimi i të drejtës së pronësisë nuk lidhet ekskluzivisht me nivelin e qirave, por konsiston më tepër në efektin e kombinuar të dispozitave të mangëta për përcaktimin e qirave dhe kufizimet e ndryshme të të drejtave të pronarëve lidhur me zgjidhjen e kontratave të qirasë, për përcaktimin e barrës financiare të ngarkuar pronarëve dhe mungesën e ndonjë rruge ligjore, që të bëjë të mundur kompensimin apo zbutjen e humbjeve për mirëmbajtjen e pronës. Më poshtë, Dhoma e Lartë shprehet se, “duhet të sigurohet mbrojtja e të drejtave të pronarëve dhe respektimi i të drejtave sociale të qiramarrësve...”, por “barra nuk duhet, si në rastin e kërkueses, t’i ngarkohet një grupi të posaçëm shoqëror, sado të rëndësishme të jenë interesat e grupit tjetër apo të bashkësisë në tërësi”.


Metropoli