Fantazisti i Francës, Zinedin Zidan, i cili do ta mbyllë karrierën e tij të lavdishme në finalen e Kupës së Botës ndaj Italisë të dielën, është zgjedhur mes emrave të shumtë për të marë çmimin prestigjioz të FIFA-s "Topi i artë". Fituesi i çmimit, i cili i jepet lojtarit më të mirë të 32 skuadrave të botërorit, do të shpallet të hënën.
Emërimet zotërohen nga futbollistët e Italisë dhe Francës, të ndjekur nga Gjermania me dy lojtarë dhe Portugalia me një. Katër italianë janë emëruar nga grupi tekniko-studiues i FIFA-s: portieri Xhianluixhi Bufon, qendërmbrojtësi Fabio Kanavaro, mesfushori Andrea Pirlo dhe mbrojtësi i krahut, Xhianluka Zambrota. Franca, e cila do të përballet me Italinë në "Olimpiashtadion", ka tre lojtarë të emëruar: Zinedin Zidanin, sulmuesin Tierri Henri dhe mesfushorin Patrik Vieira.
Fantazisti i Gjermanisë, Mikael Balak, dhe sulmuesi Mirosllav Klose janë zgjedhur gjithashtu së bashku me Maniken e Portugalisë, të cilët do të ndeshen të shtunën për vendin e tretë. "Do të jetë e vështirë të shpallim një fitues kësaj here," - deklaroi Franc Bekenbaueri, presidenti i komitetit organizativ të FIFA-s, pas shpalljes së emrave.
"E vetmja gjë që mund të thuhet, është se për herë të parë nuk ka shumë emra të rinj. Unë mendoj se një prej lojtarëve të vjetër do ta fitojë atë. Mua më pëlqejnë Henri, Zidan dhe Figo, edhe pse ky i fundit nuk është në listë." Fituesi do të zgjidhet nga gazetarët e akredituar të FIFA-s dhe do ta shpallin atë një ditë pas finales së botërorit që zgjati një muaj.
Në 2002-shin, "Topin e artë" e fitoi portieri i Gjermanisë, Oliver Kahn, një nderim ky që është celebruar gjashtë herë që prej 1982-shit. Për herë të parë, çmimin e ka fituar Paolo Rosi i Italisë dhe pas tij Diego Maradona i Argjentinës (1986), Salvatore Skilaçi i Italisë (1990) dhe brazilianët Romario (1994) dhe Ronaldo (1998).
Kandidatët për këtë vit janë:
Krijoni Kontakt