Shqiptar
(6/16/01 2:16:49 am)
Reply Si u formua "Bashkimi Shqiptar"?
--------------------------------------------------------------------------------
Si e formuam organizatën e fshehtë "Bashkimi Shqiptar"


Dëshmia e Gjovalin Zezaj:" Kur qeveria komuniste përgatitej
të hapte fushatën elektorale të 2 dhjetorit 1945, organizata
jonë e kryesuar nga Mark Çuni nisi shpërndarjen e trakteve
që përpiloheshin nga Gjon Shllaku e Pjetër Gruda"

Traktet përpiloheshin nga seminaristët Mark Çuni, Gjon
Shllaku dhe Pjetër Gruda të cilët kishin një formim të gjerë
dhe përmbajtja e tyre ishte krejtësisht antikomuniste dhe
antisllave ku vihej në dukje tradhëtia e madhe që ju bë
popullit nga ana e Frontit Demokratik që nuk ishte gjë tjetër
veçse një maskë e Qeverisë Komuniste të Enver Hoxhës

Seminaristi Mark Çuni që ishte dhe organizatori ynë, këtë grup e
pagëzoi me emrin Organizata "Bashkimi Shqiptar" e cila do të
përfshinte në rradhët e saja të gjitha rrymat me pikpamje të
ndryshme politike, por gjithmonë me frymë demokratike e
antikomuniste". Gjovalin Zezaj, tashmë në moshën 72 vjeçare,
ndoshta nga të vetmit e mbetur gjallë prej pjestarëve të asaj
organizate antikomuniste që u formua nga të rinjtë shkodranë në
fundin e vitit 1945, rrëfen për herë të parë për "Gazetën" atë
ngjarje të largët prej së cilës vuajti më shumë se dhjetë vjet
burgjeve të regjimit komunist. Po si u krijua organizata
antikomuniste "Bashkimi Shqiptar", kush ishin organizatorët dhe
personat e tjerë që aderuan aty e cili ishte programi i saj? Çfarë
shtrirje dhe aktiviteti kishte ajo, e si u diktua nga organet e
Sigurimit të Shtetit? Cilat ishin pasojat që patën pjestarët e asaj
organizate antikomuniste që u krijua pak ditë para se Partia
Komuniste e Enver Hoxhës të hapte fushatën e zgjedhjeve të 2
dhjetorit 1945 që ishin të parat zgjedhje të pasluftës?

Si u krijua grupi i fshehtë
Si reaksion i terrorit që komunistët ushtruan në Shkodër me
arrestime, burgime, tortura dhe pushkatime me dhe pa gjygj
kryesisht ndaj klerit katolik, aty nga mesi i vitit 1945 u formua
organizata "Bashkimi Shqiptar". Lidhur me këtë Gjovalin Zezaj
kujton:" Nisur nga situata që mbizotëronte asokohe në Shkodër, u
krijua një urrejtje dhe zëmërim i madh kundra qeverisë komuniste
e cila ndër ne të rinjte arriti kulmin. Kështu një grup të rinjsh dhe
studentë të gjimnazit si Zef Mirdita, Luigj Kçira, Ernest Dema dhe
unë, u mblodhëm për të diskutuar rreth asaj situate. Me ne u
bashkuan edhe disa të rinj puntorë të shtypshkronjës si Çesk
Gjeluci, Lazër Kodheli, Tonin Bjanku etj. Ky grup u zgjerua dhe
më tej me disa studentë seminaristë të Seminarit Papnuer si Mark
Çuni, Gjergj Bici, Gjon Shllaku, Preng Lezaj, Ndoc Vata dhe Pjetër
Gjoka. Pas kësaj ne organizuam një mbledhje të fshehtë ku i
dhamë besën njeri tjetrit që do të punonim për idealin e shenjtë të
atdheut dhe të luftonim qeverinë komuniste me mjete paqsore.
Seminaristi Mark Çuni që ishte dhe organizatori ynë, këtë grup e
pagëzoi me emrin "Bashkimi Shqiptar", e cila kishte si qëllim që të
bashkonte rreth sajë të gjitha rrymat me pikpamje të ndryshme
politike që kishin frymë demokratike dhe antikomuniste", kujton
Gjovalin Zezaj krijimin e grupit të fshehtë dhe ish shokët e tij të
gjimnazit që aderuan në atë organizatë klandestine.

Shpërndarja e trakteve
Po si veproi më tej organizata e pagëzuar me emrin "Bashkimi
Shqiptar"? Lidhur me këtë Gjovalini kujton:"Pas mbledhjes së parë,
ne filluam të bënim dhe mbledhje të tjera që kryesisht i zhvillonim
në ambjentet e Seminarit. Ne aty hynim natën dhe vinim një nga
një, në mënyrë që të mos na zbulonin eprorët e Seminarit e duke
pasur kujdes që të mos e kompromentonim atë. Në atë mbledhje
ne diskutonim rreth problemeve që na prekuponin më shumë. Pas
diskutimesh ramë të gjithë dakort se i vetmi mjet që mund të
përdornim ishin traktet, ku nëpërmjet tyre ne mund të përhapnim të
vërtetën që e fshihte qeveria komuniste. Ne studentët e gjimnazit
na u caktua shpërndarja e trakteve dhe për këtë mbledhjet e
celulës sonë i zhvillonim tek shtëpia ime. Mbi tavolinën e dhomës
sime ne kishim vendosur një hartë topografike të qytetit të
Shkodrës dhe bënim planifikimin e njerëzve që do të shpërndanin
traktet në vendet e caktuara. Gjithashtu në mënyrë të preçizuar
saktë ne caktonim dhe orën e fillimit të shpërndarjes së trakteve
dhe orën e mbarimit të tyre. Mbas këtij orari asnjerit nuk i lejohej
që të mbante trakte me vete, që në ndonjë rast kontrolli të mos
zbuloheshim. Traktet përpiloheshin nga seminaristët Mark Çuni,
Gjon Shllaku dhe Pjetër Gruda të cilët ishin më të formuar dhe
kishin një kulturë të gjerë e në to kishte një frymë kombëtare me
pikpamje antikomuniste dhe antisallave, ku vihej në dukje tradhëtia
e madhe që ju bë popullit shqiptar nga ana e Frontit Demokratik, e
cila nuk ishte gjë tjetër veçse një maskë nën të cilën fshihej Partia
Komuniste e Enver Hoxhës e cila po ushtronte një terror të paparë
sidomos në veriun e Shqipërisë", kujton Gjovalini aksionin e
shpërndarjes së trakteve nga organizata e fshehtë.

Zgjerimi i Organizatës
Lidhur me shtrirjen dhe këtij grupimi Gjovalin Zezaj dëshmon:"
Dalngadalë organizata jonë filloi shtrirjen e saj dhe jashtë rrethit të
Shkodrës. Kështu Myfit Bushati një shoku ynë i gjimnazit që u
bashkua me ne, na lidhi me grupin e Rezistencës dhe me
organizatën "Bashkimi Kombëtar" që vepronte në Tiranë në të
cilën bënte pjesë dhe Musine Kokalari. Më pas u lidhëm dhe me
grupin demokristian të Shkodrës ku bënin pjesë Nino Kurti e Pjetër
Berisha dy oficerë me akademi të lartë ushtarake, si dhe Mark
Lulashi, Mark Shllaku, Andrea Petroviç, Luigj Shoshi e Paulin Kel
Pali. Nga ky grup ne mësuam se Padër Gjon Shllaku ju kishte
thënë për bisedën e Ministrit të Arsimit Sejfulla Malëshovës gjatë
vizitës së tij në Kuvendin Françeskan ku i ishte shprehur At Marin
Sirdanit që mund të formohej një parti Demokristjane. Aktiviteti i
organizatës sonë u përhap dhe në krahinat e thella të Veriut në
zonën e Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit prej djalit të
Bajraktarit të Shoshit Gjelosh Lulashit, i cili bashkpunoi dhe me
disa të rinj dukagjinas që në atë kohë ishin marrë ushtarë, si P.
Delia. N. Delia. D. Mëhilli, O. Plaka, P. Kotrri, H. Saliu, M. Çuni
e J. Vasa. Lidhje krijuam dhe me krerët nacionalistë që ishin në
arrati si M. Bajraktarin, P. Bibë Mirakajn, Gj. Lulin, N. Vatën, Ll.
Marashin etj gjë e cila u bë e mundur prej shokëve tanë Qerim
Sadiku e Frano Mirakaj. Ndërsa organizta jonë ishte në kulmin e
aktivitetit të saj, Radio-Shkodra për çdo ditë jepte lajme dhe
komunikatat e Sigurimit për kapjen e ekzekutimet e pjetarëve të
rezistencës antikomuniste të cilët quheshin tradhtarë, reaksionarë
dhe armiq të popullit", kujton Gjovalini shtrirjen e organizatës dhe
lidhjet e saja me krerët e njohur nacionalistë.

Memorandumi për anglo-amerikanët
Mbas zgjedhjeve parlamentare të 2 dhjetorit 1945, terrori komunist
ndaj qytetit të Shkodrë arriti kulmin për shkak se një pjesë e
madhe e popullsisë votoi kundër kandidatëve të Frontit
Demokratik. Lidhur me këtë Gjovalini kujton:" Nga krerët e
Organizatës sonë mu ngarkua si detyrë që me aparatin tim
fotografik të realizoja disa foto me të burgosurit politikë që
merreshin dhe silleshin nga gjyqi. Duke përfituar se afër Bashkisë
ndodhej shtëpia e dajës sim me dritare me grila, përfitova dhe
fiksova Ndue Palin të lidhur dorë për dorë me Caf Metën. Po
kështu fiksova patriotin shkodran Ymer Lutfija me një grup të
burgosurish, si dhe Injac Tonin e Zef Stakun. Përpunimin e këtyre
fotogravive ma bëri i njohuri Geg Marubi. Në muajin tetor
seminaristët përpiluan një memorandum drejtuar
anglo-amerikanëve, në të cilën përshkruhej me hollësi klima e
terrorit dhe e genocidit komunist që kishte përfshirë vëndin, duke
ju kërkuar atyre ndihmë urgjente. Tekstin e memorandumit na e
përktheu në frengjisht Prof. Gjelosh Luli. Në atë kohë në Shkodër
kishte ardhur një mision amerikan i cili qëndroi disa ditë në Hotel
Park. Asokohe Sigurimi i Shtetit kishte marrë të gjitha masat që
asnjeri të mos komunikonte me këtë mision. Unë gjeta mundësinë
për t` ja dhënë letrën njërit prej antarëve të atij komisioni me anën
e Gac Logorecit që punonte si kasier në Kafen e Madhe. Ajo gjë
u bë në një moment që aty u fikën dritat dhe amerikani e mori
zarfin e futi në xhep e u largua pa na parë njeri", kujton Gjovalini
çastin e dhënies së memorandumit misionit anglo-amerikan.

Si u arrestuam?
Aty nga fundi i nëntorit të vitit 1945, organizata klandestine
antikomuniste ra në gjurmët e Sigurimit të Shtetit dhe pothuajse të
gjithë krerët dhe antarët e saj u arrestuan. Lidhur me këtë
Gjovalini kujton:"Ishte data 27 nëntor 1945. Unë së bashkë me
shokët e mi kishim shpërndarë traktet dhe sipas njoftimeve nuk
kishte pasur probleme. Rreth orës 23.00 të asaj mbrëmje shtëpia
ime u rrethua me police partizanë. Sapo e pikasa këtë gjë, mora
shpejt fotot dhe dokumentat e grupeve antikomuniste të Tiranës e
ja dhashë motrës që t` i fuste menjëherë në stufë. Pasi vëllai hapi
derën policët u futën brenda dhe nisën kontrollin. Në krye të këtij
grupi ishte njeriu i Sigurimit Çesk Sh. I cili u çudit kur më pa mua
ashtu të vogël (isha 17 vjeç), saqë kujtoi se mos ishte ndonjë
keqkuptim. Më shkëputën nga duart e prindërve dhe më dërguan
në ndërtesën e Mbrotjes së Popullit jo shumë larg që andej.
Megjithse ishte mesnatë aty kishte lëvizje të mëdha dhe dëgjoja
rënkime, ofshama dhe ulurima që të këpusnin shpirtin. E kuptova
se kishim rënë në duart e Sigurimit. Zoji Themeli, Kryetari i Degës
më pa me inat dhe më pas kapitenët Fadil Kapisyzi, Nesti Kopali
dhe Zoj Shkurti filluan të më mernin në pyetje lidhur me traktet që
kishim shpërndarë. Ata më provokuan duke më thënë se do të më
dërgonin në shtëpi sepse isha i vogël, vetëm po të tregoja siç kishte
bërë shoku im Zef Mirdita. Unë e kuptova se ai ishte një provokim
dhe nuk pranova. Ditën e dytë mora vesh se ishin arrestuar dhe
Luigj Kçira, Ernest Dema e Çesk Gjeluci. Shefi i degës më pyeste
në se e njihja Mark Çunin dhe unë ju thashë se njohja ime me të
vinte pasi ai kishte qenë nxënës i babait tim në Rranxë-Bushat.
Unë shpresoja që Marku të mos ishte arrestuar, por mjerisht atë e
sollën atu të lidhur me pranga. E kuptova se i gjithë grupi dhe
krerët e organizatës sonë kishin rënë në duart e Sigurimit". Kështu
nëpërmjet policit Çesk Vila mësova për arrestimin e Lulash
Gjeloshit (Bajraktari i Shoshit) Gjelosh Lulit, Qazim Sadikut, Nik
Delisë, Frano Mirajt, Pjetër Delisë, Dedë Mhillit e shumë antarëve
të tjerë të organizatës sonë. Po kështi Sigurimi kishte arrestuar dhe
drejtuesit e seminarit Papnuer Padre Danjel Dajanin, Padre Gjon
Shllakun dhe Padre Xhovani Faustin, meqë shume prej antarëve të
organizatës ishin studentë të atij seminari", kujton Gjovalin Zezaj

Gjyqi: 11 vetë me vdekje
Pas arrestimit të gjithë pjestarëve të organizatës "Bashkimi
Shqiptar" dhe torturave të shumta që ju bënë atyre në hetuesi, filloi
procesi gjyqsor. Lidhur me këtë Gjovalini kujton:" Më 31 janar
1946 herët në mëngjez të gjithë grupin tonë prej 39 vetash, i lidhën
dhe të shoqëruar me partizanë dhe policë të armatosur nga të dy
krahët na nisën në këmbë për në Kinema "Rozafa" ku do të
zhvillohej gjyqi ndaj nesh. Ndonëse populli i Shkodrës këtë gjë e
priti i terrorizuar, gjatë rrugës pati edhe njerëz që na bështynin e na
qëlllonin. Trupi gjykues përbëhej nga kryetari Toger Mustafa Iliazi
dhe antarë kapiten Namik Qemali, aspirant Tonin Miloti dhe
sekretar Shaban Dautaj. Kurse Prokuror i akuzës ishte Kapiten
Aranit Çela. Pas 20 ditë seancash gjyqsore, më 19 shkurt
prokurori ushtarak Aranit Çela dha dënimet. Me pushkatim u
dënuan Padër Xhovani Fausti, Padër Danjel Dajani, Padër Gjon
Shllaku, Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Luli, Gjelosh Lulashi,
Qerim Sadiku, Pjetër Berisha, Ndoc Vata dhe Frano Mirakaj.
Kurse me burg të përjetshëm u dënuan Gj Shllaku (përkthyesi) P.
Lezaj, Z. Mirdita, unë Gjovalin Zezaj, M. Lulashi e M. Shllaku. Me
30 vjet burg u dënuan N. Kurti, A. Petroviç, P. Delia, L. Shoshi,
L. Kçira e P. Pali. Pjestarët e tjerë të organizatës u dënuan nga 20
vjet e poshtë", kujton Gjovalin Zezaj njëri nga të paktët e mbetur
gjallë nga pjestarët e asaj organizate klandestine që u formua në
vitin 1945 në qytetin e Shkodrës, si reaksion i terrorit të egër të
qeverisë komuniste që kryesohej prej Enver Hoxhës.

anton1as
(7/10/01 6:57:38 am)
Reply Re: Si u formua "Bashkimi Shqiptar"?
--------------------------------------------------------------------------------
"Me
30 vjet burg u dënuan N. Kurti, A. Petroviç, P. Delia, L. Shoshi,
L. Kçira e P. Pali. Pjestarët e tjerë të organizatës u dënuan nga 20
vjet e poshtë", kujton Gjovalin Zezaj njëri nga të paktët e mbetur
gjallë nga pjestarët e asaj organizate klandestine që u formua në
vitin 1945 në qytetin e Shkodrës, si reaksion i terrorit të egër të
qeverisë komuniste që kryesohej prej Enver Hoxhës. "


Me Nino Kurtin kam qene mik megjithese ishte ma i madh ne moshe.

Vdiq i hidheruar sepse komunistat e moren prape pushtetin ne 1997.

Shnet Anton!