Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,426
    Postimet në Bllog
    17

    Diplomohen studentët e Akademisë Teologjike "Ngjallja e Krishtit"

    Diplomimi i vitit të katërt të Akademisë Teologjike

    "Ngjallja e Krishtit"

    Klerikë, prindër, pedagogë, studentë dhe shumë të ftuar përcollën në një ceremoni festive 13 të diplomuarit e rinj të Akademisë Teologjikë në Shën Vlash të Durrësit. Ditën e të kremtes së Shpirtit të Shenjtë më 12 qershor, Kryepiskopi Anastas bashkë me anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Dekani i Akademisë Teologjike Episkop Ilia Ketri dhe Protopresviter Jani Trebicka si dhe klerikë të ardhur nga disa qytete të vendit në prani të shumë besimtarëve morën pjesë në meshën episkopale që u krye në kishën e Manastirit të Shën Vlashit.

    Gjatë predikimit, dhjakon Hektori foli për qëllimin e jetës së krishterë. “Shpirti i Shenjtë nuk pushon kurrë së vepruari në Kishë. Por pjesa më e madhe e të krishterëve nuk e lejojnë të punojë brenda jetës së tyre. Vetë studentët e teologjisë shpesh ndihen inferiorë ndaj studentëve të degëve të tjera dhe kjo frikë vjen kur kemi larg Shpirtin e Shenjtë. Edhe sikur të studiojmë teologji, pa Shpirtin e Shenjtë jemi të dobët. Kreshmimet, lutjet dhe çdo gjë që bën një i krishterë në emrin e Krishtit e bën për të fituar Shpirtin e Shenjtë”- theksoi dhjak Hektori.

    Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas falënderoi dy misionarët amerikanë Panajot dhe Shanon Sakelariu, të cilët pas disa vitesh kontributi në vendin tonë do të largohen në vendlindjen e tyre, duke iu kujtuar që kjo është një “leje e përkohshme” për t’u rikthyer sërish në shërbim të Kishës në Shqipëri.

    Në ceremoninë e ndarjes së diplomave fjalën përshëndetëse e mbajti Dekani i Akademisë Teologjike, Hirësi Ilia, i cili nënvizoi: “Fortlumturia e Tij, i përulur, por me vështrimin drejt Perëndisë ngre në sup kryqin e rëndë të fyerjeve që i bëhen nga elementë të papërgjegjshëm të shoqërisë. Në fillim të shkollës, Kryepiskopi përcolli dy mesazhe. Askush nuk ka ardhur këtu në mënyrë të rastësishme, por Zoti ju ka folur në mënyrë të veçantë. Gjithashtu mos e pranoni Hirin e Zotit në të kotë, por t’i ndiqni mësimet me shumë dashuri dhe zell. Besoj, se ju studentë të vitit të katërt i keni zbatuar këto porosi. Të dashurit e mi, sot ju prezantoj ta pranoni veten tuaj në radhën e punëtorëve të vreshtit të Zotit. Veçanërisht ju përshëndes ju prindër që fëmijët ia keni kushtuar Zotit me dashuri dhe besnikëri”.

    Më tej dy studentët më të mirë të porsa diplomuar Theodhor Peci dhe Elena Krakulli mbajtën fjalimet e rastit. Studentja E. Krakulli lexoi pjesën “Mbi Shpirtin e Shenjtë” të Shën Vasilit të Madh ndërsa studenti tjetër Th. Peci iu tha të pranishmëve se këta studentë dalin me angazhim të plotë në shërbim të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

    Gjatë fjalës përshëndetëse, në ditën e kremtimit të Shpirtit të Shenjtë Kryepiskopi u shpreh se “Kjo është një ditë falënderimi. Shpirti ynë duhet të mbushet me mirënjohje për të gjitha këto gjëra. Falënderoj familjet e studentëve tanë dhe të gjithë studentët për përpjekjet e tyre. Jemi me të vërtetë në ndihmën e Zotit. Në jetën shpirtërore janë tre faza të kthimit te Perëndia: takimi i shpirtit tonë me Zotin, përvoja personale e faljes që ai na dhuron dhe Pendikostia, ardhja e Shpirtit të Shenjtë dhe është kjo ardhje që i jep një frymë të re ekzistencës sonë. Të tria këto faza janë të lidhura me ndryshimin, rikthimin dhe rilindjen në jetën shpirtërore.

    Le të kërkojmë nga vetë Ngushëllimtari që të ecim përpara, sepse Shpirti i Shenjtë është shpirti i së vërtetës, i bashkimit dhe i vëllazërimit. Mbarë orthodhoksët përbëjnë një familje të vetme. Në rrugëtimin tuaj keni për t’u përballur me vështirësi. Dua t’ju uroj që jeta juaj të kalojë në rrezatimin e Shpirtit të Shenjtë dhe përpiquni ta shpërndani tek persona të tjerë”. Programi vijoi me këngë dhe himne të kënduara nga kori i Akademisë dhe me ndarjen e diplomave, të cilat i shpërndau Kryepiskopi, duke iu dhuruar studentëve edhe librin e tij “Globalizmi dhe Orthodhoksia”.

    Gjithashtu, gjatë drekës që u shtrua për nder të pranishmëve folën edhe dy mitropolitët, Hirësi Ignati dhe Hirësi Joani të cilët uruan studentët për të vazhduar me zell dhe përkushtim jetën shpirtërore dhe punën brenda Kishës.

    Mes shumë këngëve dhe atmosferës festive në Akademinë Teologjike, vargjet e himnit të kësaj shkolle shoqëruan të gjithë pjesëmarrësit: “Udhëtimin unë e nisa, udhërrëfyes Krishtin kisha, dhe një jetë të pastër zgjodha veshur me pendimin shkova. Në avushat e misterit, po punoja dhe kërkoja, lutja prekëse më shoqëronte edhe Krishti lavdëronte. Zë nga qielli u dëgjua, cili do të shkojë për mua, zëri im tha pa ngurim, ja ku jam, o Zoti im. Për mision më thirri Zoti, në Shën Vlash në Akademi, të ringjallim orthodhoksinë në të gjithë Shqipërinë”.

    Isidor Koti
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2005
    Postime
    40

    Diplomohen studentët e Akademisë Teologjike për vitin 2009

    Të diplomuarit e rinj të Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në shën Vlash të Durrësit, u përcollën me ceremoninë tradicionale festive të fundvitit shkollor. Më 16 qershor, ata lanë stafetën tek brezat e rinj për të vazhduar misionin e tyre në veprimtaritë e Kishës. Në këtë ceremoni merrte pjesë Kryepiskopi Anastas bashkë me anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit Ignati, Dekani i Akademisë, Episkop Ilia Ketri, Episkop Nikolla, Episkop Andoni, Protopresviter Jani Trebicka si edhe klerikë të ardhur nga disa qytete të vendit, familjarë të të sapodiplomuarve, pedagogët dhe studentë.
    Fjalën përshëndetëse e kreu Dekani i Akademisë Teologjike, Hirësi Ilia, i cili iu bëri thirrje studentëve të bëhen mbajtës të fjalës së Zotit me mësimet që kanë kryer, me zhvillimin e tyre shpirtëror, me veprimtarinë në shërbimet e Kishës, por mbi të gjitha me vendosmërinë që me anën e jetës së devotshme ndaj Krishtit, do kontribuojnë në ndërtimin e Kishës së Tij në Shqipëri, do zbukurojnë shoqërinë e sotme me sjelljen fisnike, do të pastrojnë njollat e mjedisit, do përcjellin shpresën e Zotit në një botë të helmuar nga luftërat, urrejtjet dhe padrejtësitë.
    Më tej, dy studentët më të mirë të diplomuar, Parashqevi Gega dhe Elizabeta Shqau mbajtën fjalimet e rastit. Studentja E. Shqau lexoi pjesën: “A mund të jetë ndonjë lavdërim i denjë për madhështinë e Perëndisë?, nga shën Augustini. Ndërsa studentja më e mirë e këtij brezi të diplomuarish, Parashqevi Gega nënvizoi: “E dimë dhe e kemi përjetuar përgjatë këtyre viteve që thirrja e Tij nuk na premton jetë të rehatshme, pa vështirësi e mundime, përkundrazi, Ai na porositi ta ngremë kryqin tonë e ta ndjekim, duke besuar se Ai do të jetë me ne deri në fund të jetës”.
    Në fund, fjalën përshëndetëse e mbajti Kryepiskopi Anastas, i cili theksoi: “Ne guxojmë që të shpresojmë dhe baza e kësaj shprese nuk është pa optimizëm. Në personin e Zotit Jisu Krisht mbështesim besimin për të ardhmen. Sot ka një re tjetër dëshpërimi që rëndon mbi zemrat e njerëzve, sepse pas gjithë asaj peripecie ne ecëm nën renë e errët dhe ne guxojmë që të shpresojmë. Kjo gjendje mund të ketë ndikuar edhe në Kishën tonë. Ne nuk mbetemi në cektësi kur ngjitemi në mal, por shikojmë majën e malit. Me këtë guxim duhet të ecim përpara, duke dhënë shpresë tek të tjerët. Këtë shpresë duhet ta transmetojmë në të gjitha vendet ku shkojmë. Jo me dëshirat tona, por me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, Zoti do të na ndihmojë që të ecim në veprën tonë aty ku të gjithë jemi thirrur në një shpresë të përbashkët”.
    Programi vijoi me këngë dhe himne të kënduara nga kori i Akademisë dhe me ndarjen e diplomave, të cilat i shpërndau Kryepiskopi.
    Gjithashtu, gjatë drekës që u shtrua për nder të pranishmëve foli edhe Mitropoliti i Beratit, Hirësi Ignati, i cili tha se: “Kjo është një ditë e shënuar që të korrim kallirin me kokrra të kësaj pune të shkëlqyer në këtë shkollë. Falënderojmë Zotin për këtë begati që na ka dhuruar. Ftohemi t’i praktikojmë të gjitha ato që kemi mësuar. Të gjithë jemi të zgjedhur nga Zoti. Ai na dërgon si apostujt e Tij dhe misionarë të këtij misioni të shkëlqyer”.
    Në fund të kësaj dite, studentët e sapodiplomuar u larguan mes shumë urimeve dhe përgëzimeve të marra nga kolegët e tyre, pedagogët dhe të gjithë të pranishmit.

    Isidori Koti

  3. #3
    Pergezime dhe suksese te metejshme ne misionin e tyre te dipllomuarve te Akademise se Shen Vlashit.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,426
    Postimet në Bllog
    17
    Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit” me 12 studentë të rinj

    Edhe këtë vit, Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, hapi dyert e saj për të mirëpritur studentët e ardhur nga enori të ndryshme të Kishës sonë. Ata do të studiojnë mësimet formuese, shpirtërore dhe edukative si dhe do të marrin pjesë aktive në ngjarjet e shumta kishtare dhe kulturore që organizohen në vazhdim.
    Fillimi i vitit akademik 2010 - 2011 u bekua si përherë me shërbesën e Ajazmës së Vogël, e cila u krye në kishën e Akademisë. Në të morën pjesë gjithë studentët dhe stafi pedagogjik i shkollës. Pas shërbesës, pedagogët uruan mirëseardhjen, një vit të mbarë dhe shumë përparim të gjithë studentëve, në veçanti 12 studentëve të rinj, që me bekimin e Mitropolitëve të dioqezave të tyre, vijnë për të kryer studimet theologjike 4-vjeçare në këtë Akademi.
    Fjalën përshëndetëse e mbajti pedagogu Dhimitër Qosja, duke iu drejtuar studentëve dhe sidomos të porsaardhurve për mbarësi dhe suksese, veçanërisht për një mbarëvajtje sa më të mirë të punës së tyre shpirtërore dhe akademike në këtë institucion të lartë dhe të rëndësishëm të Kishës.
    Studentët e rinj u shprehën se ndiheshin të gëzuar e të bekuar që iu dha mundësia të studionin në një shkollë të tillë, ku gjenden të gjitha kushtet e përshtatshme për të qëndruar, për të studiuar e sidomos për t’i bërë të aftë që t’i shërbejnë Kishës së Krishtit.
    Studimet në këtë Akademi zhvillohen me kohë të plotë të një cikli mësimdhënieje prej 4 vjetësh, duke u dhënë mundësi studentëve të saj të marrin një formim sa më të plotë teologjik, në përmbushje të kërkesave të Kishës për kuadro drejtues në të gjitha departamentet e saj.

    Gabriela Dalipi

Tema të Ngjashme

  1. Greva e urise - 1991 - Shembja e komunizmit
    Nga BlueBaron në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 11-02-2012, 21:10
  2. Shinasi Rama: Ju rrëfej kujtimet e mia mbi lëvizjen e dhjetorit '90
    Nga Xhuxh Xhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 13-12-2009, 22:54
  3. Akademia e Shkencave dhe heshtja ndaj sfidave te kohes
    Nga &Mitrovicalia& në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 96
    Postimi i Fundit: 18-06-2009, 19:10
  4. Ramiz Alia: Rrëfej gabimet e komunizmit
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 16-12-2006, 19:33
  5. Kur studentët detyrohen të blejnë libra nga profesorët e tyre
    Nga StormAngel në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 05-10-2004, 09:31

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •