Diplomimi i vitit të katërt të Akademisë Teologjike
"Ngjallja e Krishtit"
Klerikë, prindër, pedagogë, studentë dhe shumë të ftuar përcollën në një ceremoni festive 13 të diplomuarit e rinj të Akademisë Teologjikë në Shën Vlash të Durrësit. Ditën e të kremtes së Shpirtit të Shenjtë më 12 qershor, Kryepiskopi Anastas bashkë me anëtarët e tjerë të Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Dekani i Akademisë Teologjike Episkop Ilia Ketri dhe Protopresviter Jani Trebicka si dhe klerikë të ardhur nga disa qytete të vendit në prani të shumë besimtarëve morën pjesë në meshën episkopale që u krye në kishën e Manastirit të Shën Vlashit.
Gjatë predikimit, dhjakon Hektori foli për qëllimin e jetës së krishterë. “Shpirti i Shenjtë nuk pushon kurrë së vepruari në Kishë. Por pjesa më e madhe e të krishterëve nuk e lejojnë të punojë brenda jetës së tyre. Vetë studentët e teologjisë shpesh ndihen inferiorë ndaj studentëve të degëve të tjera dhe kjo frikë vjen kur kemi larg Shpirtin e Shenjtë. Edhe sikur të studiojmë teologji, pa Shpirtin e Shenjtë jemi të dobët. Kreshmimet, lutjet dhe çdo gjë që bën një i krishterë në emrin e Krishtit e bën për të fituar Shpirtin e Shenjtë”- theksoi dhjak Hektori.
Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi Anastas falënderoi dy misionarët amerikanë Panajot dhe Shanon Sakelariu, të cilët pas disa vitesh kontributi në vendin tonë do të largohen në vendlindjen e tyre, duke iu kujtuar që kjo është një “leje e përkohshme” për t’u rikthyer sërish në shërbim të Kishës në Shqipëri.
Në ceremoninë e ndarjes së diplomave fjalën përshëndetëse e mbajti Dekani i Akademisë Teologjike, Hirësi Ilia, i cili nënvizoi: “Fortlumturia e Tij, i përulur, por me vështrimin drejt Perëndisë ngre në sup kryqin e rëndë të fyerjeve që i bëhen nga elementë të papërgjegjshëm të shoqërisë. Në fillim të shkollës, Kryepiskopi përcolli dy mesazhe. Askush nuk ka ardhur këtu në mënyrë të rastësishme, por Zoti ju ka folur në mënyrë të veçantë. Gjithashtu mos e pranoni Hirin e Zotit në të kotë, por t’i ndiqni mësimet me shumë dashuri dhe zell. Besoj, se ju studentë të vitit të katërt i keni zbatuar këto porosi. Të dashurit e mi, sot ju prezantoj ta pranoni veten tuaj në radhën e punëtorëve të vreshtit të Zotit. Veçanërisht ju përshëndes ju prindër që fëmijët ia keni kushtuar Zotit me dashuri dhe besnikëri”.
Më tej dy studentët më të mirë të porsa diplomuar Theodhor Peci dhe Elena Krakulli mbajtën fjalimet e rastit. Studentja E. Krakulli lexoi pjesën “Mbi Shpirtin e Shenjtë” të Shën Vasilit të Madh ndërsa studenti tjetër Th. Peci iu tha të pranishmëve se këta studentë dalin me angazhim të plotë në shërbim të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë fjalës përshëndetëse, në ditën e kremtimit të Shpirtit të Shenjtë Kryepiskopi u shpreh se “Kjo është një ditë falënderimi. Shpirti ynë duhet të mbushet me mirënjohje për të gjitha këto gjëra. Falënderoj familjet e studentëve tanë dhe të gjithë studentët për përpjekjet e tyre. Jemi me të vërtetë në ndihmën e Zotit. Në jetën shpirtërore janë tre faza të kthimit te Perëndia: takimi i shpirtit tonë me Zotin, përvoja personale e faljes që ai na dhuron dhe Pendikostia, ardhja e Shpirtit të Shenjtë dhe është kjo ardhje që i jep një frymë të re ekzistencës sonë. Të tria këto faza janë të lidhura me ndryshimin, rikthimin dhe rilindjen në jetën shpirtërore.
Le të kërkojmë nga vetë Ngushëllimtari që të ecim përpara, sepse Shpirti i Shenjtë është shpirti i së vërtetës, i bashkimit dhe i vëllazërimit. Mbarë orthodhoksët përbëjnë një familje të vetme. Në rrugëtimin tuaj keni për t’u përballur me vështirësi. Dua t’ju uroj që jeta juaj të kalojë në rrezatimin e Shpirtit të Shenjtë dhe përpiquni ta shpërndani tek persona të tjerë”. Programi vijoi me këngë dhe himne të kënduara nga kori i Akademisë dhe me ndarjen e diplomave, të cilat i shpërndau Kryepiskopi, duke iu dhuruar studentëve edhe librin e tij “Globalizmi dhe Orthodhoksia”.
Gjithashtu, gjatë drekës që u shtrua për nder të pranishmëve folën edhe dy mitropolitët, Hirësi Ignati dhe Hirësi Joani të cilët uruan studentët për të vazhduar me zell dhe përkushtim jetën shpirtërore dhe punën brenda Kishës.
Mes shumë këngëve dhe atmosferës festive në Akademinë Teologjike, vargjet e himnit të kësaj shkolle shoqëruan të gjithë pjesëmarrësit: “Udhëtimin unë e nisa, udhërrëfyes Krishtin kisha, dhe një jetë të pastër zgjodha veshur me pendimin shkova. Në avushat e misterit, po punoja dhe kërkoja, lutja prekëse më shoqëronte edhe Krishti lavdëronte. Zë nga qielli u dëgjua, cili do të shkojë për mua, zëri im tha pa ngurim, ja ku jam, o Zoti im. Për mision më thirri Zoti, në Shën Vlash në Akademi, të ringjallim orthodhoksinë në të gjithë Shqipërinë”.
Isidor Koti
Krijoni Kontakt