Në shtëpinë e Çajupit s’ka mbetur asgjë

Nga Ismail Xhaferri


Tani s’ka mbetur thuajse asgjë. Vetëm historitë që tregojnë fshatarët e Sheperit. Në këtë fshat të krahinës së largët të Zagories në Gjirokastër, gjendet shtëpia ku ka lindur e ka kaluar një pjese të jetës poeti dhe patrioti i madh, Andon Zako Çajupi. Për vite me radhë para dhe pas viteve 90-të, shtëpia e poetit përveç simbolikës si banesë e një njeriu të madh, ka shërbyer edhe si shkollë 8-vjeçare për nxënësit e fshatit. Natyrisht shndërrimi i shtëpisë në shkollë plotësonte edhe një dëshirë të zjarrtë të poetit që fëmijët të bëheshin të ditur dhe të shkolluar. Aq më tepër kur ky shkollim niste në banesën ku ai kishte lindur. Ndërsa shtëpia e lindjes në pjesën më të madhe të saj ka funksionuar si shkollë një ndër dhomat e saj u bë muze për jetën dhe veprën e Çajupit. Për dekada me radhë në këtë banesë nxënësit shfletonin librat e diturisë dhe njiheshin qysh në fëmijëri me një nder korifenjtë e Rilindjes kombëtare. Në dhomën muze brenda banesës ku kishte lindur poeti lirik dhe epik, njeriu që mbi gjithçka deshi mëmëdheun, ndodheshin edhe mjaft materiale arkivore të rëndësishme për veprimtarinë e tij.

Në këtë dhomë muze kishte fotografi të tij, të familjes, të fshatit të hershëm, kishte letërkëmbime plot mall të tij me njerëzit e vendlindjes me rilindasit, kishte stenda ku ishin afishuar kujtime, mbresa e vlerësime të bashkëkohësve, por edhe të atyre të mëvonshëm. Në stenda nuk mungonin edhe dorëshkrime origjinale të veprës së tij. Por tashmë nga autori i “Baba Tomorit”, “14 vjeç dhëndër” e shumë te tjera, nuk ka mbetur asgjë. Nëpër vite këto materiale të rëndësishme filluan të prisheshin e të humbnin duke krijuar një boshllëk të madh për veprimtarinë e tij. Dhomës–muze i ka mbetur vetëm emri dhe materialet e shumta njohëse përfunduan si një grumbull pa vlerë në adresa ende të paditura. Tashmë ndonjë stendë në korridorin e shtëpisë-shkollë, është shume pak krahasuar me veprën e tij të madhe. Ndërsa dikur në këtë shtëpi organizoheshin vizita, biseda, diskutime e sesione shkencore, sot veç banorëve të pakët që kanë mbetur, askush nuk e di se në atë fshat të largët ka lindur një ndër poetët më në zë të Rilindjes.

Edhe pllaka e mermertë me mbishkrimin “Këtu ka lindur Andon Zako Çajupi”, e vendosur në murin e derës kryesore, ka vite që është zhdukur. E vetmja gjë e shkruar është ajo që identifikon shkollën 8-vjeçare të fshatit. Emri dhe shtëpia e lindjes së poetit janë lënë në harresë të plotë. Anastasi Dushi, kryetarja e komunës së Zagories thotë se është obligim i madh rikrijimi i dhomës-muze të Çajupit. Madje ajo ka kërkuar që jo një dhomë po e gjithë banesa të bëhet shtëpi muze dhe të funksionojë si e tillë. Dushi ka këmbëngulur dhe ka kërkuar nga Drejtoria e Monumenteve një rivlerësim dhe investim për shtëpinë e Çajupit, por askush nuk i është përgjigjur.