Bill Gates, themeluesi i Microsoftit do të tërhiqet nga aktiviteti


Bill Gates, themeluesi i Microsoftit do të tërhiqet nga aktiviteti i përditshëm i gjigandit të software-it në Korrik të vitit 2008. Njeriu më i pasur i botës do t´i kushtohet në të ardhmen kryesisht punës së tij bamirëse në shoqërinë Bill dhe Melinda Gates, e cila organizon projekte shëndetësore në vendet më të varfëra të botës.

Bashkëthemeluesi Bill Gates planifikon të tërhiqet Brenda dy viteve të ardhshme nga aktiviteti i përditshëm tek Microsofti. Ky ishte mesazhi që korporata Mikrosoft kërkoi të përhapë kur u njoftua lajmi se Gates planifikon të tërhiqet nga detyrimet e tij të përditshme në Korrik të vitit 2008. Ndërkaq ai do të vazhdojë të jetë bashkëdrejtues i kompanisë të cilën ai e ka bashkëthemeluar me Paul Allen në vitin 1975 në Redmont. Ai e drejtoi firmën në majat më të larta në fushën ku ajo operon dhe në vitin 2000 ai ia dorëzoi drejtimin e koncernit mikut të tij Steve Balmer.

Megjithatë Ballmeri pohoi për Associated Press se nuk egziston mundësia për ta zëvendësuar Gates. "Në qoftë se mendojmë se dikush mund të bëhet Bill Gates, unë nuk mendoj se kjo është një tezë realiste" - tha ai. Gates tha se edhe pse ai do të heqë dorë nga angazhimet e përditshme, ai do të vazhdojë luajë një rol tek firma. "Unë nuk po largohem nga Microsofti", tha ai.
Gates gjithashtu tha se nuk do të heqë dorë nga të qenit aksioneri kryesor i firmës. "Unë jam krenar për këtë" tha ai.

Gates 50 vjecar thotë se do të tërhiqet për të patur mundësi t´i kushtohet më shumë shoqërisë bamirëse të tij, që është më e madhja në botë. "Duke filluar nga Korriku i vitit 2008 unë do t´i ndryshoj prioritet e mia personale. Tani unë punoj në kohë të plotë për Microsoftin dhe pjesërisht për shoqërinë. Pas dy vjetësh do të jetë e kundërta: me kohë të plotë për
shoqërinë dhe pjesërisht për Microsoftin si drejtues dhe këshilltar teknik".

Faza e gjatë kalimtare do të garantojë një kalim pa probleme të punëve të përditshme në rangjet e larta derjtuese të firmës, deklaroi Gates. Ozzie do të marrë menjëherë përsipër detyrat e Gates si arkitekt i softwarëve dhe do të fillojë punën me Gates. "Ky ishte një vendim shumë i vështirë për mua. Shpresoj se koncerni do ta kapërcejë këtë fazë pa mbetur prapa", tha Gates. "Rruga që kam nisur më lejon t´i hyj sfidave të reja dhe njëkohësisht të ruaj lidhjet me Microsoftin. E ardhmja e koncernit është po aq e mirë sa edhe ç´ka qenë deri më tani. Shumë fara që ne kemi mbjellë qofshin këto në fushën e lojrave, televizionit, zyrës, ekonomisë, zbavitjes ose telekomunikacionit po japin rezultatet e tyre. Koha e tyre më e suksesshme do të vijë së shpejti. "

Shoqëria Bill dhe Melinda Gates zotëron një kapital prej 29 miliardë dollarësh. Ajo financon kryesisht projekte për të ofruar edukim në rajonet më pak të zhvilluara të botës.