Fushata e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni ka shënuar të premten në orët e vona incidentin më të rëndë deri tani.
Persona të paidentifikuar kanë shtënë dhe kanë plagosur rëndë në Tetovë Abdylhalim Kasamin, zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Zoti Kasami është shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Gjatë 10 ditëve të fushatës për parlamentin e ri në Maqedoni, votuesit kanë dëgjuar më shumë akuza dhe kundër akuza për një varg incidentesh, se sa ofertat e partive politike.
Që në fillim të fushatës incidentet përfshinë partitë shqiptare.
Policia njoftoi se të hënën në komunën e Sarajit, që është pjesë përbërësë e qytetit të Shkupit, dy grupe të armatosura kishin shtënë me armë zjarri për disa minuta.
Situata ishte tejet e tensionuar, por nuk u njoftua për të lënduar.
Ajo ngjarje i shtyu ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së të thërrasin në një takim udhëheqësit e partive kryesore shqiptare, Arbër Xhaferin dhe Menduh Thaçin e Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë dhe Ali Ahmetin dhe Teuta Arifi nga BDI-ja në pushtet.
Mediat në Maqedoni njoftuan se gjatë takimit triorësh politikanët shqiptarë kishin marrë një leksion të fuqishëm.
Pas takimit zoti Xhaferi dhe zoti Ahmeti me një fjalor të unifikuar, për dallim nga ai i ditëve më parë, u distancuan nga dhuna dhe u bënë thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve të ruajnë qetësinë.
Partitë politike shqiptare qëndruan të qeta vetëm dy ditë, dhe të enjten akuzuan njëra-tjetrën për incidente të tjera, për sulme ndaj zyrave partiake në zona rurale./bbc
Krijoni Kontakt