Kastriot Myftaraj
Në kohën e sundimit të PPSH, e cila qe një parti staliniste, ekstremiste e majtë, si krimi më i rrezikshëm shihej gjithmonë ajo që në fjalorin komunist quhej si oportunizëm, ndryshe sektarizmi i djathtë, domethënë e përmbledhur në një term: zbutja e luftës së klasave.Ata që akuzoheshin si oportunistë dhe sektaristë të djathtë shiheshin si agjentë të imperializmit dhe njerëz që i qenë dorëzuar “reaksionit” dhe sit ë tillë eliminoheshin pa mëshirë. Kjo ka qenë arsyeja që njerëzit e hierarkisë komuniste, por edhe militantët e thjeshtë për të qenë në rregull me “vijën e partisë” merrnin pozicione ultraekstremiste të majta. Ultraekstremistët e majtë janë kritikuar, por gjithherë janë trajtuar me indulgjencë, si zelltarë të tepruar. Todi Lubonja në librin e vet “Nën peshën e dhunës” i përshkruan kështu ekstremistët e majtë në PPSH: “A ishin ortodoksë të vërtetë (fjala ’ortodoks’ këtu është në sensin e atij që pretendon se ndjek parimet e vërteta-K.M.) a rrufjanë të vërtetë që e kishin ngulur mirë në kokë se në Partinë tonë arkitekt i së cilës është Enver Hoxha nuk e kanë pësuar zakonisht sektarët, për këtë nuk di ç’ të them.
Por duket e sigurt se këta nuhatnin dhe e ndjenin se ishte më mirë, që kurdoherë të mbanin nga e majta, se kështu ruanin bythët e tyre“. (Todi Lubonja: “Nën peshën e dhunës“, “Progresi“, Tiranë 1993, f. 143.) Ata që tregoheshin më të zellshëm në këtë linjë qenë njerëzit e Sigurimit të Shtetit, duke filluar nga krerët e tij. Duke pasur frikë se mos një ditë akuzoheshin për zbutje të luftës së klasave, ose “për të qenë brenda” për cdo të papritur të pakëndshem që mund të ndodhte, ata për të qenë të mbrojtur, përgatisnin dhe i propozonin Enver Hoxhës skema të terrorit masiv, përtej limiteve të enverizmit, të cilat Enver Hoxha i refuzonte, por kjo u jepte mundësi këtyre njerëzve që nesër, kur të jepej alarmi se vendin e kishte mbytur liberalizmi dhe qe zbutur lufta e klasave, sic ndodhi në vitin 1973, këta të mbroheshin duke thënë se ata e patën bërë të tyren. Natyrisht Enver Hoxha kur donte t’ i eliminonte, mund ta përdorte këtë zell të tepruar të tyre për t’ i akuzuar si sektaristë të majtë. Një gjë është e sigurt. Ironikisht, në disa raste Enver Hoxhës, diktatorit stalinist ekstremist, kryegjakatarit të regjimit gjakatar, i duhej të merrte pozitën e një lloj moderatori për të frenuar ultraekstremistët, që kërkonin ta çonin regjimin në polpotizëm, duke perpunuar skemat e terrorit masiv.
Ismail Kadare, sajoi një skemë të tillë në versionin e romanit “Dimri i madh” që paraqiti për botim në 1975. Dokumenti nr. 8 për këtë roman në librin e Shaban Sinanit “Një dosje për Kadarenë” dhe dokumenti nr. 17 sipas rradhës së dokumenteve në libër, përmban redaktimet që iu bënë dorëshkrimit të variantit të ripunuar të romanit në zyrat e aparatit të Komitetit Qendror në vitin 1976. Ky dokument në librin e Shaban Sinanit sillet me këtë mbishkrim të këtij të fundit: «Fragment i romanit ‘Dimri i madh’, dorëshkrim i autorit dërguar shtëpisë botuese ‘Naim Frashëri’ dhe përcjellë nga kjo e fundit sektorit të shtypit të Komitetit Qendror të PPSH për mendim. Përfaqëson pjesën e shtuar të romanit, e cila në përfundim, nga autoritetet që e morën në dorë për vlerësim, pjesërisht iu refuzua, sepse ‘nuk kishte karakter përmirësues’.
Kjo pjesë e dorëshkrimit nuk i është kthyer shtëpisë botuese, as autorit, sepse është trajtuar si akt administrative, për shkak të mbishkrimeve dhe anëshkrimeve të shumta të zyrtarëve që e kanë pasur në duar».(Shaban Sinani: «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë 2005, f. 252) Një nga paragrafet e romanit për të cilët Shaban Sinani pretendon se është censuruar nga Komiteti Qendror është ky: «Epidemia frynte si një erë e ngrohtë mbi gjithë hapësirën e kampit të madh socialist. Revolucioni po zinte dhjamë. Mbi trupin dyzetvjeçar të Bashkimit Sovjetik po dilnin thinjat e perandorisë. Era që kishte përshkuar Moskën, Varshavën, Pragën, nuk kishte lënë pa prekur sado rrëshqitazi Tiranën. Ndihej prirja e rretheve liberale dhe burokratike për të krijuar kastë. Prej vitesh kishte qenë ngashnjimi i tyre i përbashkët. Në fillim mospërfillje për klasën punëtore, pas së cilës nuk pritej veçse kasaphana. Nga një pikëpamje kjo ishte vepër e thjeshtë: ata donin t’ i merrnin klasës punëtore atë që ia kishin marrë me shekuj të gjithë sundimtarët: mbivlerën. Pra, e gjithë kjo s’ ishte veçse vazhdim i epopesë së përgjakshme të mbivlerës.
Përpara saj zbeheshin të gjitha sagat dhe iliadat: Mbivleriada! Me sa duket, mbasi të kalonte nëpër qindra barrikada lufte, fati i kishte ruajtur klasës punëtore edhe një luftë të fundit të tmerrshme: luftën me burokracinë e vet. Lufta e klasës punëtore me burokracinë në socializëm ishte tragjike, përderisa në këtë periudhë klasa punëtore kishte mundësi të pësonte disfatë». (Shaban Sinani: «Një dosje për Kadarenë», «OMSCA-1», Tiranë 2005, f. 261-262) Paragrafi i mësipërm është dhënë pothuajse i plotë në versionin e ribotuar të romanit (Ismail Kadare: “Dimri i madh”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1977, f. 428-429) me ndryshimin kryesor që tek fjalia «Ndihej prirja e rretheve liberale dhe burokratike për të krijuar kastë» është hequr fjala «liberale».
Ky nuk është një censurim për të cilin Kadare duhet të krenohet sepse këtu ai i akuzon «liberalët», fjalë që në terminologjinë e regjimit komunist kishte kuptimin «properëndimor» sikur kanë bërë aleancë me burokracinë për të çuar klasën punëtore në kasaphanë (pra për të bërë terror masiv ndaj saj) dhe se sikur duan që të nxjerrin fitime duke e shfrytëzuar me dhunë e me gjak klasën punëtore. Dhe kur Kadare e bën këtë akuzë, ai nuk e shpjegon se si liberalët ngashnjeheshin për aleancë me burokratët, kur liberalët i urrenin burokratët. Shikoni pra sesi shprehet Ismail Kadare. Ai në romanin e vet me vetëdije i pati akuzuar liberalët sikur duan të formojnë kastë në aleancë me burokratët dhe sikur së bashku duan të nënshtrojnë me gjak klasën punëtore që t’ i marrin me dhunë e gjak klasës punëtore mbivlerën! Në fjalorin komunist këto qenë termat që përdoreshin për të akuzuar kapitalistët.
Dhe Kadare e dinte mirë se njerëzit që akuzoheshin se donin të rrëmbenin me dhunë mbivlerën klasës punëtore, duke i derdhur gjakun, regjimi komunist i quante armiq dhe i dënonte me vdekje. Logjika është e thjeshtë: Atij që kërkon të derdhë gjak, i duhet derdhur gjaku. Kjo qe logjika me të cilën justifikohej terrori i kuq i bazuar në luftën e klasave. Shikoni se çfarë cinizmi dhe sadizmi të skajshëm ka pasur në mendimin e këtij njeriu: Liberal=kriminel, gjakësor! Këtu Kadare tregohet antiliberal dhe antiintelektual sa edhe oficeri më i egër i Sigurimit të Shtetit. Koncepti liberal=kriminel është një koncept ultrastalinist, madje me thënë të drejtën është një koncept metastalinist (tejstalinist), pasi tek ky koncept nuk arriti as vetë Stalini dhe as Enver Hoxha.
Këtij koncepti iu afrua vetëm Pol Poti, i cili në vitin 1975 kur Kadare tashmë pati çuar për botim romanin, pati ardhë në pushtet në Kamboxhia, ku brenda katër viteve ushtroi një genocid të paparë, duke zhdukur një të katërtën e popullsisë dhe pjesën më të madhe të inteligjencës. Ismail Kadare pra kishte paraqitur në romanin e vet një koncept polpotist dhe fakti që ky koncept u kritikua dhe u censurua nga regjimi enverist nuk nderon Kadarenë, por paradoksalisht nderon...Enver Hoxhën, pasi kriticizmi i regjimit për këtë koncept të Kadaresë dhe vetë këtë të fundit shpreh diferencën midis polpotizmit (në anën e të cilit në këtë rast është Kadare) dhe enverizmit. Dhe dallimi mes polpotizmit dhe enverizmit është ai midis më të keqes dhe më pak të keqes. Dhe pasi i ka shpallur liberalët dhe burokratët si kriminelë gjakësorë Kadare, logjikisht, në paragrafin e mësipërm bën thirrje që klasa punëtore të ngrihet në luftë të armatosur dhe t’ i asgjesojë liberalët të cilët i ka shpallur si aleatë të burokratëve: «Me sa duket, mbasi të kalonte nëpër qindra barrikada lufte, fati i kishte ruajtur klasës punëtore edhe një luftë të fundit të tmerrshme: luftën me burokracinë e vet.
Lufta e klasës punëtore me burokracinë në socializëm ishte tragjike, përderisa në këtë periudhë klasa punëtore kishte mundësi të pësonte disfatë». Sipas tablosë makabre që krijon Kadare, burokratët dhe aleatët e tyre liberalët duhen asgjesuar fizikisht, pasi ata patën kërkuar të derdhin gjakun e punëtorëve. Dhe ky qe një dëm që kërkonte shpagim gjaku. Derisa regjimi enverist e luftonte liberalizmin me burgosje, internime, dërgim në prodhim të intelektualëve, prerje të flokëve dhe çjerrje të pantallonave e fundeve të të rinjve e të rejave, ndërsa burokratizmin e luftonte me anë të së ashtuquajturit “qarkullim”, duke i çuar ata që etiketoheshin si burokratë në prodhim, në ndërmarrje, ose në fshat, Kadare kërkonte që kjo të bëhej duke i asgjesuar fizikisht liberalët dhe burokratët. Kjo ide e Kadaresë bëhej edhe më serioze dhe e rrezikshme për intelektualët shqiptarë me bindje liberale të asa kohe, për faktin se Kadare e shkrojti këtë gjë, në kohën kur vazhdonte fushata kundër liberalizmit e nisur që në vitin 1973, viktimë e parë e së cilës pati qenë miku i Kadaresë, Todi Lubonja.
Kadare, me këtë ide i ofronte Enver Hoxhës një skemë shumë diabolike terrori masiv. Ismail Kadare e dinte se ky koncept i tij qe një apel për terror masiv në Shqipëri, në një shkallë të tillë që, duke konsideruar përmasat e vendeve përkatëse, as Stalini nuk e kishte kryer në Bashkimin Sovjetik. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë 47 viteve (1944-1991) shkaktoi vdekjen e 8000 kundërshtarëve politikë, prej të cilëve 6000 të ekzekutuar, 1000 të vrarë në rezistencën antikomuniste të pas vitit 1944 dhe 1000 të vdekur në burgje nga keqtrajtimet. Në rast se do të zbatohej formula e Kadaresë (liberal dhe burokrat=kriminel) atëhere duhej që regjimi komunist shqiptar të ekzekutonte dhjetëra mijë vetë të cilëve u vihej etiketa liberal ose burokrat, çka natyrisht që do të shoqërohej dhe me internimin e familjeve të tyre. Kështu që genocidi i regjimit të Enver Hoxhës do t’ i afrohej atij të Pol Potit dhe Shqipëria e viteve ‘70 dhe e viteve në vazhdim duhet që të ecte në genocid pari passu me Kamboxhian polpotiane, duke u bërë Kamboxhia në mes të Europës. Nëse do të zbatohej formula e Kadaresë atëhere numri i të ekzekutuarve (të vrarëve) nga regjimi komunist do të qe shumë herë më i lartë dhe numri i të internuarve, që gjatë 47 viteve arriti në 60 mijë vetë, do të qe gjithashtu shumë herë më i lartë.
Ajo çka është edhe më mizore, Kadare e shtoi konceptin e aleancës kriminale të liberalëve me burokratët në versionin që çoi në botim, pasi në versionin e romanit të botuar në vitin 1973, ai ua pati atribuar vetëm burokratëve qëllimin e krijimit të një kaste kriminale. Ja se si shkruan Kadare në romanin «Dimri i vetmisë së madhe»: «Ndihej prirja e rretheve burokratike për të krijuar kastë. Kastë, tha ai me vete. Ngashnjimi i tyre i përbashkët». (Ismail Kadare: “Dimri i vetmisë së madhe”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1973, f. 358) Për të gjitha këto arsye paragrafi i censuruar i romanit të Kadaresë, ku kriminalizohen liberalët dhe intelektualët duhet vënë në pavionin e genocidit komunist në muze, si një traktat-apel për genocid masiv. Ja pra se ç’ qe maska që Kadare donte t’ i vinte Enver Hoxhës, maska e Pol Potit. Dhe për fat të mirë kjo maskë ia vrau fytyrën Enver Hoxhës. Prandaj, censurimi i këtij paragrafi është një gjë e drejtë. Me këtë paragraf Kadare po i ofronte një skemë gjaksore për terror masiv Sigurimit të Shtetit. Për fat të mirë kjo skemë e përbindshme e Kadaresë nuk u pranua. Ismail Kadare, në librin «Kohë barbare», që është një intervistë që ai i ka dhënë gazetarit Denis Fernandez Recatala, zhvillon këtë dialog me këtë gazetar. Denis Fernandes Recatala i thotë: “Disa shkrimtarë e kanë mbështetur regjimin…”(Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 18). Ismail Kadare i përgjigjet kështu: “Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur sloganët e Partisë. Kanë bashkëpunuar në fushatat kundër liberalëve, Perëndimit dhe dekadencës kapitaliste. Madje kanë përgëzuar krimet e kryera nga shteti… Ata u sollën pa diskutim si qen roje të regjimit. Por askush nuk i detyroi ta bënin këtë gjë”. (Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 18).
E pra, këtu na del se vetë Kadare ka bashkëpunuar në fushatat kundër liberalëve dhe është censuruar nga regjimi komunist vetëm për faktin se Kadare i propozonte regjimit enverian që të kalonte në polpotizëm, gjë që ky nuk e pranonte. Në këtë rast regjimi e refuzoi Kadarenë që iu ofrua në rolin e «qenit roje të regjimit» sepse ky qen roje këtë herë u tërbua krejt. Mbetet pyetja nëse Kadare, kur i bënte këto gjëra ka qenë, po të shprehem në termat e Todi Lubonjës komunist ortodoks apo “rrufjan”. Në 1976, kur Shqipëria dridhej nga terrori enverian, Ismail Kadare botoi librin-përmbledhje me poezi “Koha” ku është dhe poezia monstruoze dhe cinike “Terrori i bardhë”, që botohet me shënimin e autorit të vënë poshtë titullit “klasave të përmbysura”. Në ktë poezi thuhet: “Njerëzit pavarësisht nga klasat, buzëqeshin, Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë.
Por veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur, Mes zmaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë”. (Ismail Kadare: Vepra, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, vol. 1, f. 331) Kështu Kadare është i vetëdijshëm se ai urrehet nga viktimat e terrorit të kuq, të cilat ai i kishte prekur rëndë me shkrimet e veta, ai e di se urrehet nga nënat e djemve që janë shqyer nga qentë e kufirit të cilëve qen Kadare u ka bërë hymne, Kadare e di se urrehet nga ata dhe familjet e atyre që regjimi i quante burokratë dhe liberalë dhe që Kadare i përçmon si të deklasuar, komplotistë dhe kërkon që të eliminohen. Pra, Kadare, nuk kishte dilema, ai e pati zgjedhur anën e vet, duke hyrë në avanguardën e terrorizmit tëe kuq. Në një intervistë që Kadare i ka dhënë Denis Fernandez Recatala, ndër të tjera thotë, duke cituar një studiues francez: “A nuk shprehej pikërisht Lautremont-i që ‘Gjithë ujët e detit nuk do të mjaftonte për të fshirë një njollë gjaku intelektual”. (Ismail Kadare & Denis Fernandes Recatala: «Kohë barbare», «Onufri», Tiranë 2004, f. 210) Kjo është e vërtetë sepse në krimet intelektuale nuk derdhet gjak autentik, por gjak virtual, “gjak” idesh, mendimi. Por, kur Kadare ua thotë këto gjëra perëndimorëve ai nuk kërkon ndjesë për “gjakun” intelektual që ka derdhur me librat e veta. Dhe idea e Kadare që unë e analizova në këtë shkrim është pikërisht një krim intelektual, që nuk mund të shlyhet.
Sot.com.al
Krijoni Kontakt