Korrigjohet numri i të huajve në Gjermani

A është Gjermania një vend emigrimi apo jo? Kjo është një çështje politike për të cilën ka debate prej vitesh. Por tani ka dalë në dritë një rezultat që ndoshta e bën të tepërt këtë debat. Zyra federale e Statistikave ka gjetur në një sondazh të fundit, të quajtur Mikrozensus, se Gjermania është shumë më multikulturore, se sa kujtohej deri tani.

Deri tani Zyra Federale e Statiskave besonte se në Gjermani jetojnë rreth 7 milionë të huaj, pra as 10 për qind e popullatës në Gjermani. Një numër i gabuar, konstatuan tani staticienët. Rezultati i tyre më i fundit është 15,3 milionë të huaj. Kjo do të thotë, se një në pesë vetë në Gjermani ka si të thuash një prejardhje emigranti.

Sipas mendimit të Johann Hahlen, presidentit të Zyrës Federale të Statistikave, këto shifra e bëjnë edhe njëherë të qartë se emigrimi bën pjesë në përditshmërinë gjermane: "Kur në një shoqëri keni 19 për qind njerëz me prejardhje emigrantësh, atëherë patjetër mund të flasësh për një shoqëri emigrantësh."

Shifrat e reja nuk mund t'i shpjegosh me një gabim të thjeshtë në llogaritje, por me një vështrim të ndryshuar statistikor. Deri tani, i huaj konsiderohej vetëm ai që nuk kishte pasaportë gjermane. Por në statistikën e re përfshihen të gjithë njerëzit me prejardhje emigrantësh. Pra, ose ata që kanë ardhur vetë në Gjermani ose edhe ata, prindërit ose gjyshërit e të cilëve nuk janë me prejardhje gjermane.

"Këtu mund të konstatosh se nga 15.3 milionë vetë, rreth 10 milionë kanë përvojë personale emigranti, pra është fjala për 5,6 milionë të huaj, që kanë emigruar vetë këtu dhe që kanë mbetur edhe më tej të huaj. Kemi pastaj rreth 3 milionë vetë, që kanë marrë nënshtetësinë gjermane, por që kanë ardhur vetë si emigrantë këtu dhe rreth 1,8 milionë të shpërngulur të vontë (shtetas të vendeve të tjera me prejardhje gjermane).

Statistika e re tregon edhe se sa fort i duhen Gjermanisë të huajt.

"Kemi parë se si këta persona me prejardhje të huaj janë shpërndarë në popullatën tonë. Më parë mund t'i paraqisje ata në një piramide demografike, sot mund të flasësh për një bredh gjeografik, sepse pamja ka ndryshuar. Dhe këtu ju shikoni se si njerëzit me prejardhje emigrantësh sillen si bërthamë e shoqërisë sonë, të cilët e frenojnë dukshëm procesin e plakjes së shoqërisë sonë, meqë kontribuojnë që baza e strukturës të kësaj popullate të bëhet shumë më e gjerë. Po të mos e llogarisni këtë bërthamë, do të kishit të bënit me një strukturë shumë më të plakur popullate."

M.Ditrih