Në prag të daljes së Windows Vista dhe Microsoft Office, Adobe i ka kërkuar Microsoft të mos përdorë formatin PDF për ruajtjen e dokumentave. Microsoft pritet t'i bindet kësaj kërkese sepse Adobe ruan të drejtat e formatit PDF dhe mund ta hedhë në gjyq Microsoft nëse e përdor PDF pa leje. Sipas Adobe, aftësia për të ruajtur një dokument në formatin PDF duhet të blihet me para si një program më vete, jo të jetë falas si aftësi standarde e Windows dhe Office.
Kërkesa e Adobe ka habitur botën softuerike pasi Adobe gjithnjë e ka prezantuar PDF si një format të hapur që mund të përdorej nga çdo kompani. Tani duket se formati PDF është hapur për disa kompani, por jo për të gjitha.
Ku qëndron interesi i Adobe?
Deri tani, Adobe, si vetë krijuesja e PDF, ka patur edhe programet më të mirë për leximin, krijimin, dhe redaktimin e dokumentave PDF. Programi lexues quhet Adobe Reader dhe është falas, ndërsa programi i krijimit dhe redaktimit quhet Adobe Acrobat dhe shitet për $300-$450 dollarë.
Në treg ka dhe softuere të tjera që lejojnë krijimin e dokumentave PDF, biles edhe falas, por janë të një shkalle më poshtë dhe të papërshtatshëm. Si rezultat, Adobe ka gëzuar një treg të gjerë për softueret e saj dhe kërkon të vazhdojë në të njëjtën mënyrë.
Microsoft, duke menduar se PDF ishte format i hapur (sipas Adobe) dhe duke parë kërkesën e klientëve për ruajtjen e dokumentave në formatin PDF, vendosi të përfshijë formatin PDF në softueret e saj. Këtu lindi problemi me Adobe, pasi tashmë Adobe nuk konkurron më me kompani të vogla, por me një gjigand softueresh. Duke parashikuar rënjen e shitjeve të softuereve të saj, Adobe menjëherë iu ankua Microsoft që aftësia për ruajtjen e dokumentave PDF të ishte një program më vete dhe me pagesë, jo falas.
Idealisht, Adobe do kërkonte që Microsoft të mos përzihej fare me PDF, por nuk e kërkon dot këtë sepse deri tani e ka reklamuar PDF si një format të hapur për çdo kompani. Atëherë, mënyra tjetër për të ndaluar Microsoft dhe për të ruajtur monopolin në tregun e PDF është t'i kërkojë Microsoft-it të krijojë një softuer më vete, në të cilën Microsoft nuk ka interes pasi Adobe zotëron të drejtat e formatit PDF dhe mund ta ndryshojë atë në çdo çast. Pra, Microsoft do binte në një kurth të Adobe duke u munduar të krijonte një softuer që nuk do arrinte kurrë të zëvendësonte Adobe Acrobat apo Adobe Reader.
Cili është rezultati i këtyre mosmarrëveshjeve?
Microsoft pritet të heqë formatin PDF nga Microsoft Office dhe Windows Vista; Klientët e Windows dhe Office, grup që përfshin gati të gjithë përdoruesit e kompjuterit, nuk do mund të krjijojnë dokumenta PDF falas; dhe Adobe do vazhdojë të jetë monopol i tregut PDF duke e mbajtur atë "të hapur", por jo për të gjithë.
Qëndrimi i Adobe është vlerësuar si i padrejtë nga shumë ekspertë, por gjithësesi, është i ligjshëm, dhe do vazhdojë të shfrytëzohet për aq kohë sa Adobe nuk mund të konkurrojë ballë-përballë me Microsoft.
Krijoni Kontakt