Rexhep Meidani
Me gjithë fitoren e qartë të bllokut pro pavarësisë në Mal të Zi, avokatët e vazhdimësisë së Bashkimit Serbi-Mal i Zi, ende vazhdojnë të refuzojnë t’i njohin rezultatet, duke shkuar deri aty sa të akuzojnë dhe përfaqësuesit e BE-së – garantë të referendumit, Frantisek Lipka e Miroslav Lajcak, për qëndrim të njëanshëm e favorizues ndaj grupit pro pavarësisë, për mbyllje sysh ndaj parregullsish, etj...
Lëvizjen e parë qetësuese drejt Malit të Zi e realizoi të shtunën presidenti serb Boris Tadiç, i cili në takimin me homologun malazez, Filip Vujanoviç, deklaroi se të dy republikat do të duhet të kenë “marrëdhënie nga më të mirat e mundshmet” dhe si shtete të veçuar.
Po kështu në një deklaratë zyrtare pas takimit të Tadiçit me presidentin (në largim) të unionit Serbi-Mal i Zi, Svetozar Maroviç, u theksua se menjëherë pas dhënies së rezultateve zyrtare të dy shtetet do të fillojnë transferimin e pushtetit të Unionit drejt të dy Republikave. Kurse kryeministri serb Vojisllav Koshtunica ende nuk është deklaruar zyrtarisht mbi referendumin, në pritje të shqyrtimit të ankesave dhe të dhënies së rezultateve përfundimtare.
Në rrugën e saj të pakthyeshme drejt pavarësisë është prej kohësh dhe Kosova, pas afro 7 vjetësh jete në liri dhe administrim ndërkombëtar-vendor. Me atë mbyllet de jure (sepse de facto tashmë kjo ka ndodhur) dhe procesi i diferencimit në Ballkan. Paralelisht me të është filluar e zhvilluar edhe procesi i sintezës apo i integrimit evropian. Fundi i tij është ende i largët, jo vetëm për plotësimin e kritereve të kërkuara dhe standardeve të nevojshme, por dhe për vetë problemet që përjeton Evropa e sotme...
“Lodhja e zgjerimit” dhe Ballkani
BE-ja po përballet aktualisht me një dilemë jo të vogël në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm. Sipas analistëve, është shfaqur “sëmundja e tretjes”, ndryshe e thënë e mungesës së kapaciteteve të absorbimit, apo e ashtuquajtura “lodhje e zgjerimit” (“enlargement fatigue”). Franca dhe Holanda hodhën poshtë në referendumet e tyre projekt-kushtetutën evropiane. Një nga arsyet bazë të këtij refuzimi ishte dhe kundërshtimi në rritje ndaj një zgjerimi të mëtejshëm...
Aktualisht, Sllovenia është anëtare e BE-së dhe së shpejti pretendon të futet në hapësirën Euro. Dy vende të tjera ballkanike, Bullgaria dhe Rumania, janë në pritje të anëtarësimit (2008). Kroacia dhe Maqedonia po trokasin gjithnjë e më fort në portat e BE-së. Me Shqipërinë po firmoset MSA-ja. Kurse në fillim të majit BE-ja i ndërpreu bisedimet me Serbinë, sepse Beogradi nuk dorëzoi Ratko Mlladiçin në Gjykatën e Hagës. Madje, Komisioni Europian, që në atë kohë deklaroi se do të rekomandonte bisedime të veçuara me Malin e Zi për procesin e integrimit në BE. Pas përfundimeve me sukses të referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, një gjë e tillë b ëhet jo vetëm zyrtare, por dhe më se normale. Sidoqoftë, J.Solana, i pozicionuar kundër veçimit kohor të Serbisë ndaj procesit të integrimit, ka paralajmëruar se: “Pa Serbinë në rrugën drejt Brukselit dhe BE-së, nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan, pra dhe në kontinentin evropian”. Megjithatë, çështjet bazë mbeten po ato: A do të zbatohen në kohë premtimet e Samitit të Selanikut? Apo shtyrja e theksuar në kohë do të jetë dhe komenti i radhës për vite të tjera? Ndryshe e thënë, pyetja mund të reduktohet në të njëjtën pikë: kur do të përfshihet në BE dhe pjesa tjetër e Ballkanit?..
Për Ballkanin, edhe SHBA-ja ka interesat e saj politike. Rajoni i Ballkanit, sidomos në shtrirjen e Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe më tej, formon një bllok “Evropë Juglindore-Lindje e Mesme”, që së bashku me shtetet e reja të ish-Bashkimit Sovjetik, si: Kazakistani, Azerbajxhani, Turkmekistani, Taxhikistani, kompletojnë hapësirat dhe korridoret energjetike, të lidhura me shfrytëzimin e rezervave të mëdha të naftës në pellgun e Detit Kaspik…
“Rënia” graduale e shteteve-kombe (perandorake e ideologjike)
Jugosllavia e përfundoi ciklin e saj historik. E gjeneruar pas Luftës së Parë Botërore dhe Traktatit të Versajës, fillimisht si mbretëri e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, i ashtuquajturi projekt i sllavëve të jugut me referendumin e organizuar në Mal të Zi kaloi, në dhjetëvjeçarin e fundit, nga gjendja e komës apo vdekjes klinike në atë të vdekjes fizike...
Pas rënies së Murit të Berlinit, dizintegrimi i Jugosllavisë, ndarja e Çekosllavakisë dhe shkëputja e 15 republikave nga Bashkimi Sovjetik konfirmuan dy aspekte bazë. Së pari, se qenia republikë në një “federate socialiste” është një kusht i nevojshëm, ndoshta dhe i mjaftueshëm për ndarje ose copëtim. Dhe, së dyti, që shumë politologë, historianë dhe analistë ( p.sh, historiani Martin van Creveld, gjeo-strategjisti William Lind, etj.) kanë pasur të drejtë në vlerësimin e tyre mbi procesin të nisur prej kohësh të rënies së shteteve-kombe…
Gradualisht, kombet imperiale (perandorake) dhe ideologjike pothuajse e mbyllën ciklin e tyre. Perandori si ajo britanike apo franceze e kanë mbyllur këtë cikël prej kohësh. Irlandezët që dikur pretendonin të ndërtonin një perandori, në të cilën “të mos perëndonte dielli kurrë”, mezi arritën në një komb të vogël të vetin (1921). E njëjta gjë ndodhi dhe me portugezët, spanjollët, gjermanët dhe italianët. Nxjerrja në plan të parë e etnicitetit, nacionalizmit, besimit dhe historisë provokoi eksplozionin e perandorisë sovjetike. Në shumë drejtime shtetet-kombe po vdesin. Njerëzit gradualisht dhe gjithmonë e më shumë nga sipër po e transferojnë respektin e bindjen, besnikërinë e dashurinë nga shtetet-kombe të vjetër drejt institucioneve mbikombëtare apo ndërnacionale (OKB, BE, OBT, FMN, BB, Gjykata Ndërkombëtare, etj.), ndërsa, nga poshtë, drejt strukturave e shtresimeve më specifike vendore apo “nënkombeve të prejardhjes”, që konsiderohen dhe si “kombe të vërtetë” me lidhje grupore gjaku e toke, gjuhe, letërsie e kulture, historie e tradite, besimi e memorie (p.sh, skocezët, katalanët, baskët, korsikanët, kebekët, etj.). Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se kohët e fundit vizioni ndërnacional e ka humbur ritmin dhe peshën e tij. Madje, në jo pak raste reagimi okëbëist ka qenë mjaft i dobët apo tepër i vonuar. Po kështu, drejtues të rinj si Shavez (Hugo Chavez), Morales (Evo Morales) apo latino-amerikanë të tjerë janë kundër NAFTA-vizionit të Bushit. Mjaft probleme kanë dalë në marrëveshjet (më saktë mosmarrëveshjet) për Tregtinë Botërore në Doha. Një frikë e armiqësi në rritje është shfaqur në Evropë ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE. Probleme serioze po shfaqen midis bashkësisë hispanike dhe anglisht-folëse në SHBA. Fitoret e forcave me orientim të theksuar fetar si në Irak, Palestinë, Iran, etj., kanë goditur një nga shtyllat me përmbajtje demokratike të shtetit- natyrën laike të tij. Por kështu mund të vazhdohet me shumë e shumë shembuj të tjerë.
Një problem shqetësues është dhe fakti që aktualisht “aktorë jo shtetërore” janë duke depërtuar dhe në fusha që më parë ishin monopole të shtetit-komb, p.sh. ai i luftës (që nga Traktati i Vestfalisë). Kjo bëhet sidomos e rrezikshme kur këto aktorë jo shtetërorë janë pjesë e pandashme e karteleve të drogës, krimit të organizuar apo terrorizmit fundamentalist. Ato prej kohësh kanë marrë shtrirje e ndërthurje globale, sidomos me shfrytëzimin e teknologjive të reja të komunikimit dhe informacionit.
* * *
Për të përballuar këtë situatë të re hapësinore-kohore, krahas fuqizimit të strukturave mbikombëtare, kërkohet një zhvillim i mëtejshëm konceptor, si dhe një përshtatje e re politike. Dora-dorëz, rendi global i shteteve-kombe duhet të zëvendësohet me rendin global të shteteve gjithnjë e më të ndërvarura.
Në këtë kuptim dhe perspektiva e Ballkanit mbetet bashkëveprimi i fuqishëm rajonal e evropian, ndërvarësia e ndërsjellët në nivel zonal e kontinental, që nënkupton dhe integrim sa më të shpejtë dhe tërësor të hapësirës evropian. Kjo do të thotë dhe erozion në vazhdimësi të kufijve specifikë shtetërorë, për të garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve e kulturave, mallrave e kapitaleve. Me fjalë të tjera: ndërvarësia është një realitet i ri dhe një pashmangshmëri e botës sonë. Është koha për ta njohur dhe pranuar atë, sidomos në Evropën pasvestfaliane, rezistente ndaj “goditjes”, shuarjes së shteteve-kombe. Këtë duhet ta kuptojnë e realizojnë më mirë politikanët e Brukselit dhe të Evropës së vjetër, por dhe vetë politika ballkanike, dhe në radhë të parë ajo e Beogradit me reminishencat e pakuptimta ndaj një zgjidhje sa më shpejtë për një Serbi normale dhe një Kosovë të pavarur, dy shtete fqinjë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe për t’u bërë pjesë të BE-së.
Krijoni Kontakt