Në Shqipëri, mbi 290 mijë fëmijë vlerësohet se hetojnë nën nivelet minimale të jetesës.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët prezantoi sot në Tiranë një studim për gjendjen e tyre në Shqipëri, ku analizohet faktorët që kanë çuar në përjashtimin dhe lënien në harresë të një numri të konsiderueshëm fëmijësh. Ndër shkaqet kryesore vlerësohet varfëria, qeverisja e dobët, migracioni dhe diskriminimi.

Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet e ish bllokut komunist që ka nivelin më të lartë të fëmijëve që jetojnë nën nivelin minimal të jetesës. Ky nivel është në masën 33 për qind, ose e shprehur në shifra, përfaqëson 293 mije fëmijë, duke lënë pas vetëm vende si Azerbajxhani, Kirgistani, apo Armenia.

Sipas një studimi të prezantuar sot nga UNICEF-i në Tiranë janë të dukshme pabarazitë mes fëmijëve që rriten në zonat rurale dhe ato të thella malore, kundrejt atyre që rriten në zonat urbane, dhe veçanërisht mes fëmijëve romë dhe pjesës tjetër të fëmijeve në vend.
Sipas studimit, përjashtimi në Shqipëri i një pjese të fëmijëve vlerësohet të jetë pasojë e varfërisë, lëvizjeve migratore, dobësive në qeverisje, si dhe një kuadri ligjor jo të plotë. Kështu, për shkak të varfërisë fëmijët kanë shumë pak mundësi për t’u arsimuar. Në radhët e të varfërve dhe shumë të varfërve vetëm dy në dhjetë fëmijë regjistrohen në shkollë të mesme, në krahasim me raportin 5 me 10 fëmijë tek jo të varfërit.

Nga intervistat e bëra me familjet që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike, rezulton se 11 përqind e tyre kanë të paktën një fëmijë me zhvillim të kufizuar, numri është më i madh në zonat rurale.
Fëmijët me aftësi të kufizuara në Shqipëri llogariten të jenë afër 24 mijë. Një problem shqetësues që del në pah edhe nga studimi, është se shumë fëmijë detyrohen të punojnë.

Pjesa më e madhe e tyre janë të moshës 12-17 vjeç dhe punojnë mesatarisht 7 orë në ditë, gjatë 6 ditëve të javës. Dy të tretat e fëmijëve që punojnë në rrugë e kanë braktisur shkollen, ndërsa një pjesë tjetër e ndjekin atë me ndërprerje, ndërkohë që një tjetër kategori është e prekur nga fenomeni i gjakmarrjes.

Të paktën 100 fëmijë rezultojnë të jenë të ngujuar për shkak të këtij fenomeni. Duke folur sot në prezantimin e studimit për gjendjen e fëmijëve, presidenti Alfred Moisiu tha se Shqipëria duhet të jetë vendi ku nuk mund të ketë qytetarë e aq më tepër fëmijë të përjashtuar.

Kreu i shtetit shqiptar, Presidenti Alfred Moisiu, kërkoi nga organet shtetërore ndjekjen e politikave sociale në mbrojtje të fëmijëve, krijimin e mundësive reale për arsim e kujdes shëndetësor, si dhe dënimin e ashpër të çdo individi që abuzon me të drejtat e tyre, apo që trafikon fëmijë.