Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon verifikimin e pasurive të Ilir Koçiajt dhe miqve të tij në hipotekat e disa qyteteve
Krimet e Rënda: Miliona USD drogë u investuan në Shqipëri
Ened Janina
TIRANË- Prokuroria për Krimet e Rënda fillon verifikimet në të gjitha hipotekat e vendit, për të gjetur prona të mundshme të shtatë të arrestuarve të dy ditëve, më parë në kuadrin e operacionit “Poter Al”. Organi i akuzës ka mbledhur pjesën më të madhe të provave në lidhje me veprimtarinë e kësaj organizate dhe tashmë e ka zhvendosur hetimin e saj në një tjetër plan. Duke vepruar në bazë të paketës së re “Antimafia”, hetuesit janë duke verifikuar të gjitha pronat e organizatës. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se pronat e anëtarëve të saj janë kryesisht apartamente luksoze në Tiranë, Durrës dhe Elbasan por ende nuk ka përfunduar verifikimi i plotë i tyre. Ndërkohë, pritet që të kryhet edhe një verifikim jashtë vendit, por ky proces nuk ka filluar ende. Lajmi është pohuar dje nga burime të grupit hetimor të çështjes. Sipas tyre, paraprakisht është bërë gati një listë me pasuritë e shumta të kësaj organizate por ende nuk mund të flitet me shifra të sakta pa u kryer më parë verifikimi i plotë.
***
“Mund të themi se bëhet fjalë për miliona dollarë të ardhur nga trafiku i drogës dhe të investuara në Shqipëri”, -thanë dje burimet e prokurorisë. Nga hetimet e prokurorisë është zbuluar se organizata kriminale e trafikut të kokainës dhe heroinës, e shkatërruar dy ditë më parë, ka investuar pjesën më të madhe të fitimeve të saj në prona të paluajtshme. Ata kanë gjetur si zgjidhje për të bërë të ligjshme pronat e tyre, investimin e rregullt. Duke përfituar nga mungesa e kontrollit prej autoriteteve shtetërore ata kanë blerë dhjetëra apartamente të ndryshme në tre nga qytetet kryesore të vendit. Ndërkohë, dyshohet se apartamente ose prona të tjera mund të jenë blerë edhe në qytete të vogla. Për këtë arsye hetuesit do të fillojnë një verifikim në pothuajse të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Lista e plotë e anëtarëve të kësaj organizate do t’i dërgohet të gjitha hipotekave të vendit për të parë nëse ata kanë apo jo prona në emrin e tyre. Burimet e prokurorisë shpjeguan se verifikimit të hollësishëm do t’i nënshtrohen edhe familiarët e të akuzuarve për trafik ndërkombëtar droge.
***
Në listën e organit të akuzës ndodhen disa prona në qytete të ndryshme, të cilat zyrtarisht janë të të afërmve të të arrestuarve. Por ka dyshime se pronarët e vërtetë janë të arrestuarit. “Evidentimi i këtyre pronave është vetëm faza e parë e hetimit. Pas kësaj do të fillojë procesi i verifikimit të tyre duke u bazuar në paketën e re “Antimafia”. Bazuar në këtë paketë ligjore barra e vërtetimit të pronës i takon të pandehurve dhe të afërmëve të tyre. Do të jenë ata që duhet të provojnë se pronat e tyre i kanë blerë me para të pastra”,- thanë dje burimet. Sipas tyre, kreu i organizatës, Ilir Koçiaj, është edhe investitori më i madh në fushën e ndërtimeve. Madje ai ka kaluar miqtë e tij duke u bërë biznesmen e ndërtues pallatesh. Koçiaj ka hapur një firmë ndërtimi dhe nëpërmjet saj ka ngritur dhjetëra pallate në Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Materialet hetimore tregojnë për një bllok pallatesh në qytetin e Elbasanit, pallate në plazhin e Durrësit si dhe pallate luksoze në Tiranë. Një prej këtyre pallateve në kryeqytet ndodhet në zonën më të shtrenjtë të tij dhe sapo ka filluar ndërtimi. Përveç këtyre, Koçiaj dyshohet se ka aksione edhe në një fabrikë tullash, me të cilat ka furnizuar shumë ndërtues të tjerë duke i marrë në këmbim apartamente në pallatet e tyre të reja. Të gjitha këto fakte janë duke u verifikuar imtësisht nga ana e prokurorisë dhe nëse do të gjehen prona në emrin e tyre do të sekuestrohen menjëherë. Burimet e organit të akuzës shpjeguan se hetimi pasuror i kësaj organizate vjen më mbrapa në kohë sesa hetimi i veprimtarisë. Kjo pasi prokuroria nuk ka dashur që të fillojë verifikimin pasuror përpara se të kryhej arrestimi i të dyshuarve si anëtarë të organizatës. “Nëse ne do të fillonim hetimin pasuror përpara se të kryheshin arrestimet atëherë rrezikonim që të kompromentonim të gjithë dosjen. Të dyshuarit mund të merrnin vesh se ndaj tyre kishte filluar një hetim dhe mund të ishin larguar pa rënë në prangat e policisë”, -thanë dje burimet.
DEKLARATA
Ismailaj paralajmëroi pastrimin e parave të drogës në ndërtim
TIRANË- Pastrimi i parave të drogës me anë të investimit në pallate dhe blerje apartamentesh të ndryshme është paralajmëruar një muaj më parë edhe nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Adriatik Islamaj. Ai pranoi ekzistencën e fenomenit të pastrimit të parave në vendin tonë, por e shpjegoi atë duke thënë se ky është një fenomen shqetësues për të gjithë botën por në veçanti për vende si Shqipëria ku favorizohet nga ekzistenca e ekonomisë informale. Verifikimet e kryera nga kjo zyrë, e cila ndodhet në Ministrinë e Financave, kanë zbuluar edhe më parë raste sporadike të pastrimit të parave duke u investuar në pasuri të paluajtshme por edhe nëpërmjet lojërave të fatit. Vetëm gjatë vitit të kaluar punonjësit e kësaj zyre kanë mundur që të zbulojnë katër raste të ndryshme ku janë pastruar paratë e drogës duke u investuar në ndërtime të ligjshme. Për secilin prej këtyre rasteve janë bërë denoncimet përkatëse në prokurori.
ARRESTIMI
Anëtarët e organizatës lëviznin lirshëm
TIRANË- Pjesa më e madhe e shtatë të arrestuarve të djeshëm ishin aq të sigurtë se nuk do të zbuloheshin aq sa lëviznin lirshëm si në Elbasan ashtu edhe në kryeqytet. Vetë kreu i kësaj organizate, Ilir Koçiaj, i cili i kishte shpëtuar më parë edhe arrestimit në Itali, lëvizte pa u druajtur nëpër këto dy qytete. Madje edhe pjesën më të madhe të pronave ai i ka regjistruar në emrin e tij. Edhe anëtarë të tjerë të organizatës janë parë kohët e fundit në Tiranë duke lëvizur me makina shumë të shtrenja. Ndërrimi i shpeshtë i makinave të tipeve të fundit duket se ka qenë një lloj hobi për ta, aq sa ka rënë në sy tek shumë prej banorëve të këtyre qyteteve. Nga ana e saj, prokuroria e ka konsideruar operacionin e dy ditëve më parë si një nga më të suksesshmit pasi asnjë prej të kërkuarve nuk ka mundur që të largohet pa u arrestuar, ashtu siç ndodh rëndom në operacione të tilla të policisë shqiptare.
ANËTARËT
Ilir Koçiaj, nga Elbasani
Geront Tola alias Geront Dedja, nga Librazhdi
Zamir Vadardha, nga Shijaku
Bledi Balliu, nga Fieri
Aleksandër Koliçi, alias Aleksandër Gremi, nga Fieri
Leonard Çobaj, nga Vlora
Ervin Tavanxhi, nga Elbasani
Xhiliano Xhoxhi
Malvin Toto
Bisera Pudiç, shtetase kroate
Gëzim Mekaj
Robert Peçi
ORGANIZATA
Organizata kriminale në fjalë është drejtuar nga Ilir Koçiaj ndërsa krahu i tij i djathtë është Xhiliano Xhoxhi. Të dy këta persona kanë mundur që të ngrenë një rrjet të tërë të trafikut të narkotikëve në të paktën gjashtë shtete të ndryshme të botës
ANËTARËT
Me rekrutimin e anëtarëve të organizatës janë marrë pikërisht dy krerët e saj, Koçiaj dhe Xhoxhi. Nga hetimi është zbuluar se në disa raste anëtarët e organizatës nuk njiheshin fare me njëri- tjetrin. Njohja e tyre e përbashkët ishte kreu Ilir Koçiaj
TRAFIKU
Kryesisht aktiviteti i organizatës është zhvilluar në Itali. Kokaina merrej në Hollandë dhe më pas shpërndahej në Itali, Francë si dhe Gjermani. Në një rast është tentuar trafikimi edhe në Greqi. Heroina vinte nga Turqia dhe përfundonte në Itali
SEKUESTRIMET
Deri tani prokuroria shqiptare ka mundur që t’i sekuestrojë kësaj organizate 73.000 euro, 29.000 dollarë amerikanë si dhe një milionë lekë të reja. Ndërkohë, janë sekuestruar edhe katër automjete luksoze tip “Mercedes Benz” prodhime të viteve të fundit
DROGA
Hetimet e kryera në Itali për këtë organizatë kriminale kanë sjellë sekuestrimin e sasive të ndryshme të tyre të lëndëve narkotike, të cilat arrijnë në 22,240 kg kokainë dhe 20,032 kg heroinë për periudhën fillim i vitit 2003 deri në fillim të vitit 2004
Krijoni Kontakt