Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009

    Filmi i ri i Anagnostit “Gjoleka, djali i Abazit”

    Filmi magjik që theu heshtjen

    Admirina Peçi


    Asgjë të re nuk ka në këtë botë. I njëjtë mbetet diktati, frikërat që rrethojnë jetën
    tonë. Gënjeshtrat e vogla
    janë ato të gjithhershmet, të mëdhatë po ato. Humbjet kanë të njëjtën shije. Dhuna, egoizmi, krenaria, po ashtu.
    Në botë ndryshon veç dukja, ose format si shfaqen gjithë këto detaje që bëjnë jetën tonë mbi tokë.
    Tharmi, boshti...? Mbetet i njëjtë.
    E dëgjoj Dhimitër Anagnostin tek flet për këto koncepte dhe kuptoj më shumë filmin e tij të fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”. Kuptoj pse kam qarë ditën që kam parë këtë film, pse më kanë tronditur një grusht personazhesh që vijnë nga vitet ’30-të, pse më ka mbetur në mend bariu i vogël që dëshpërohet deri në dhimbje për një faj naiv, se delet i kanë hyrë në arën e gjitonit ndërsa ai sodiste rrugën ku kalonte një kamion (gjë e rrallë në një fshat të thellë të jugut në vitet e mbretërisë). Nga fjalët e Anagnostit, kuptoj deri në fund ashpërsinë e Abaz Gjikës, që rreh gruan me thupër në sytë e fëmijëve, babanë që ushtron diktat tek i biri për ta rritur sipas modelit të tij, ashtu siç ishte rritur dhe ai prej të atit, apo i ati prej gjyshit....
    Jemi në Shqipëri, në caqet e thella të saj. Mund të ishim në çdo vend tjetër të botës, në çdo cep të ashpër, ku ekzistenca ngrihet mbi bazat e patriarkalizmit.
    Jemi treçerek shekulli më vonë, por shijet që përcjell ky film, ngjajnë të afërta. “Jemi ende një shoqëri patriarkale, me politikanë që janë të gjithë abazë, që duan ta modelojnë shoqërinë sipas mentaliteti të tyre. Ende ne nuk e kuptojmë çdo të thotë emancipim, evoluim”. Anagnosti kërkon të na bindë. Do të na rrëfejë një histori gojëdhënë, ku nuk flet fabula por karakteret. Përmes tyre ai e shkund vetëdijen tonë, i zgjon kujtimet e fëmijërisë së çdokujt, me imazhet e baballarëve të ashpër, të fortë e të heshtur, baballarëve që nuk i puthin fëmijët e tyre, që i rrahin gratë, që konsiderojnë pronë çdo gjë që lidhet me emrin e tyre...pastaj nënat dhe gjyshet e përulura, shtëpitë, ku çdo gjë mund të ndodhë, e jashtë ka tjetër dukje. Po bota, sytë e botës....?
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009
    ANAGNOSTI Sekretet e magjisë së një kineasti

    Është tërhequr. Dhimitër Anagnostit nuk i pëlqen të flasë për sekretet e filmit. I pëlqen të dëgjojë, të ndjekë pak hapa larg rrugën ku ecën krijesa e tij. Më e fundit krijesë artistike e mjeshtrit të kienmasë. Kanë kaluar 17 vjet që prej momentit të fundit, kur ka përjetuar këto ndjesi. Atëkohë ishte i mbërthyer me emocionet e një vepre të guximshme filmike, bazuar në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë. Pas dështimit të francezëve me këtë vepër, Anagnosti ndodhej para një sfide. Realizoi një film të mirë. U vlerësua nga kritika. I ndoqi të gjithë hapat e kësaj vepre filmike. Dhe iu kthye laboratorit të tij. Atje, mes fletësh e historish në mendje, u krodh në një botë të re. Një botë, të cilën nuk do ta nxirrte prej vetes për 15 vjet, deri në momentin e fundëm, kur gjithçka duhej përcjellë përmes kameras. Krijoi një tablo për të gjithë. Tashmë përtej mendjes, përtej zemrës së tij. E ka lënë të ecë vetë, si një fëmijë që sapo ka prekur sinjalet e para të kësaj jete e duhet t’i hedhë vetë hapat.
    “Është një film që më ka prekur, i them. Kam parë spektatorë, që, mbase në shfaqjen e dhjetë të filmit, dilnin të përlotur nga kinemaja, që qeshnin e tronditeshin me karaktertet, spektatorë që duartrokisnin gjatë edhe pse nuk ishte nata e premierës....” Anagnosti nuk thotë asgjë. Buzëqesh pak. Ndihet sedra e përkëdhelur e artistit. Kjo do të thotë, sipas tij, se vepra ka komunikuar me njerëzit. Kjo është e rëndësishme për të.
    “Çfarë është një film i mirë për ju”, - i them.
    Dhe Anagnosti përgjigjet shkurt: “Një film i mirë është një vlerë e madhe shpirtërore e kombit, e sjellë me art të madh nga një shkrimtar ose kineast. Një film është i mirë kur bëhet pjesë e botës shpirtërore të të gjithë njerëzve”.
    Sipas tij, nëse filmi emocionalisht ka një ndikim të dukshëm te njerëzit, të cilët përjetojnë, por edhe mendojnë mbi atë që kanë parë, “kjo ndodh sepse e ndjen se është lëndë, mentalitet, filozofi që drejton ende jetën tonë”.
    Futemi pak më thellë filozofisë së Anagnostit dhe filmit të tij. E pyes për frikërat. Shumë frikëra pushtojnë mendjen dhe shpirtrat e njerëzve. Mbi të gjitha frikë për mbijetesë, frikë mos humbet gjërat e shtrenjta, frikë mos cënohesh në egon tënde, në “pronën” tënde, frikë mos paragjykohesh, frikë nga detajet më të rëndomta të kësaj jete, frikë mos je më i ashpër nga ç’duhet....të gjitha i has në filmin e tij “Gjoleka, djali i Abazit”. Dhe Anagnosti thotë: “Po njeriu është qenie shpirtërore, racionale, që kërkon të përsoset. Mbi të tjetrat, kërkon të mbijetojë. Në vazhdimësinë e jetës, fëmijët e tij kërkon t’i modelojë sipas mendimit e mentaliteti të tij. Është normale, aq më tepër, në një shoqëri patriarkale, siç ka qenë e vijon të jetë kjo e jona”, thotë Anagnosti, ndërsa sjell në mend shumë detaje nga karakteret e filmit të tij.
    Sa nota biografike kanë depërtuar te “Gjoleka, djali i Abazit”? Rrëfimi i Anagnostit për fëmijërinë, për jetën e tij, zbeh shumë paramendime që krijohen pasi del nga kinemaja. Në fillim, kur e pyet se cili është ai në film, Gjoleka apo Abazi, Anagnosti ta pret shkurt: “Unë jam edhe Gjolekë, edhe Abaz, edhe e shoqja e Abazit, edhe të gjithë personazhet që sillen rreth tyre. Është difekt i vjetër imi ky”, thotë regjisori dhe nuk ndalon te asnjë nga karakteret e filmit të tij. E pyes për fëmijërinë. Kujtimet e tij janë ndryshe nga gjithë ç’përcjell filmi. Është rritur në një fmailje të emancipuar. I ati e shkeli Amerikën që kur ishte ende fëmijë. Fliste një anglishte dhe italishte të përsosur. Ishte një qytetar i botës. Kishte fituar një zanat që i jepte udhë ëndërrave dhe dëshirave të tij. Si shofer, kishte bredhur gjithë Ballkanin e më përtej. “Ishte një njeri që lexonte shumë dhe më qortonte veprat e mia, skenarët që i jepja të mi lexonte. Shpesh herë më thoshte: Kjo nuk vlen hidhe poshtë. Ky është realisht raporti me tim atë. Kemi qenë shumë shokë. E donte shumë Rozën, dhe mua më qortonte. Më thoshte je i ashpër...çfarë nuk më thoshte. Por më donte shumë. Ishim miq”.
    Duket nuk ka gjurmë në jetën e tij nga hija e babait sipas modelit të Abaz Gjikës. As vetë nuk është baba i ashpër.
    “Në familjen tonë unë isha liberali, Roza konservatorja. Kam patur raport shoqëror me vajzat e mia dhe sot e gjithë ditën ka mbetur një raport i tillë”, thotë regjisori, ndërsa të rrëzon edhe imazhet që ke ngritur brenda vetes, mbi terrenin, shoqërinë ku është rritur ai vetë.
    “Ngjarjet e këtij filmi ndodhin në jug të Shqipërisë. Vendi ku është xhiruar filmi nuk lidhet shumë me të. Filmi mund të ishte xhiruar në Kuç, në Vranisht... Meqë është e vështirë që të gjesh një fshat ku të jenë të ruajtur gjithë detajet, atëherë do të manovrosh, mbase me një ansambël fshatrash ku të gjesh atë atmosferë me të gjithë detajet që ke në mend, për të realizuar filmin”.
    “Unë kam lindur në Himarë, jo në Labëri. Himara është ndryshe. Komunikon me Labërinë, por është tjetër gjë. Himara ka qenë gjithmonë në breg të detit dhe ka pasur më ‘afër’ Evropës. Unë vij nga një familje, pronarë anijesh. Kanë lundruar gjithë Mesdheun deri në Amerikë, e më përtej. Kanë patur anijet e tyre. Jam rritur me këtë vizion me tërë hapësirat e detrave, tregon Anagnosti. Sa hyj atje, shoh Borshin. Një horizont pa fund, jetoj e rijetoj me përrallat e tregimet e detit, e të malit. Veç kësaj familja ku jam rritur unë është familje me shumë histori detarësh, legjendash, tragjedish, vrasjesh, vetvrasjesh...e të tjera drama të shtëpisë sime. Por të gjithë këto nuk lidhen shumë me filmin...” Anagnosti e pohon me zë të sigurt se filmi është një mbarsje me histori e legjenda, të cilat kanë hedhur shkëndija në botën e tij artistike. Ai film psikologjis më thellë, shkon përtej çdo përjetimi personal. Është një vepër që përmbledh përpjekjet e Shqipërisë për t’u emancipuar, për të hyrë me vuajtjet dhe traumat e saj në rrugën e zhvillimit perëndimor. “Shqipëria ka qenë dhe mbetet mes Lindjes e Perëndimit. Ne jemi muslimanë, ortodoksë, katolikë, jemi evropianë. Jemi populli, që ende jeton me zakonet dhe ritet e mesjetës. Kemi një shoqëri që vende-vende është edhe parashtetërore, siç është Malsia me Kanunin e saj. Jemi një vend me traditë kulturore shumë të vjetër, por me një zhvillim të vonë”, thotë regjisori i këtij filmi të veçantë, ku askujt nuk mund t’i shpëtojë një detaj i rëndësishëm: historia. Në krijimtarinë e tij ai nuk merret shumë me ngjarjet. Për të ngjarjet janë sekondare. U jep mbi të gjitha rëndësi karaktereve. Historia jonë, sipas tij, është ngritur mbi karaktere. “Falë Zotit kemi një indentitet të përcaktuar qartë dhe të fortë të karaktereve, për gjëra që quhen shqiptare, qoftë në Malësinë e Veriut apo atë të Jugut. Kemi një identitet shumë të fuqishëm, edhe pse jemi një popull i vogël. Kemi çfarë t’i themi botës. Kemi një histori dramatike, por krenare. Në fund të fundit, kjo specie me një gjuhë të pashkruar, vjen në shekullin e XX me një identitet kulturor të spikatur, mendoni cc’kualitet ka. Ka jetuar mes perandorish të mëdha,rrebeshesh kryqëzatash... dhe vjen me një realitet befasues. Kemi një gjuhë që studiohet në të gjithë katedrat e gjuhësisë”.
    Por a është ky ansambël karakteresh që komunikojnë përsosmërisht në veprën e tij, çelësi për të depërtuar përtej kufijve dhe botës së shqiptarëve? Për Anagnostin kjo nuk është më e rëndësishmja. “Nuk më intereson shumë se si do të konsiderohet filmi në një auditor të huaj. Filmi është pjesë e strukturës shpirtërore të këtij populli. Nëse do të ketë përkitje dhe do të gjejnë edhe të tjerët komunikim me këtë vepër, do të ishte gjë e mirë.Unë nuk e di.Duhet të eksperimentoj. Thjesht doja të bëja një film për popullin tim dhe të them, tek e fundit: Jam unë”. Dhe është vërtetë disa hap larg krijesës së tij artistike. E kundron prej së largu, dhe nuhat pikat e forta dhe ato më të brishtat e tij. Kur e pyes nëse ka bërë divorc të vërtetë më këtë vepër thotë “JO”. Sipas tij nuk mund të ketë divorc të vërtetë. “Nuk ndahesh dot nga vepra. Ajo tani është tek spektatori. Unë e kam vuajtur, e kam mbajtur shumë kohë brenda meje. Tani e kam nxjerrë në jetë. Do të më vijë mirë si për një fëmijën timin, kur të dëgjoj fjalë të mira për të. Zaten, është dëshira ime të dëgjoj fjalë të mira”.



    kthimi
    Në heshtjen e mjeshtrit

    Pse i ka munguar kaq vite kinemasë shqiptare Dhimitër Anagnosti? Një heshtje 17 vjeçare në botën e filmit, ngjan shumë. Por ai nuk e pranon këtë. “Nuk jam ndarë asnjë çast nga kinematografia. Kam menduar se çdo kohë ka qenë në shërbim të saj. Pse e them këtë? Sepse unë kam bërë një ligj për kinematografinë kur isha ministër Kulture, e falë tij u ngrit një Qendër Kombëtare e Kinemasë ku aplikojnë shumë regjisorë për të fituar financime për filmat e tyre. Në këtë qendër, erdha një ditë që aplikova edhe unë. Fitova nga ky kontribut imi. E duan kineastët apo jo, kjo është punë e tyre. Kineastët nuk mund të më penalizojnë mua si një ministër i dështuar. Mund të më penalizojë dikush tjetër, por jo kineastët”. Përtej këtij angazhimi, që gjithsesi lidhet ngushtë me kinemanë, Anagnosti pohon se as nga krijimtaria nuk është ndarë. Gjatë këtyre viteve ai shkroi edhe dramën “Nata e trokitjeve në xhama”, e cila u vu në skenë dhe u prit mirë nga kritika. Është angazhuar shumë me fondacionin “Fan Noli”, një institucion ku kanë përfituar mbështetje me dhjetëra e dhjetëra artistë. “U ktheva tani, sepse të gjithë jemi qenie të vdekshme dhe të gjithë luftojmë këtë ‘defekt’, nëse mund ta quaj kështu. Ne duhet ta sfidojmë vdekjen. Për këtë duhet të mbetesh në memorien e familjarëve të tu, e brezit tënd, mundësisht në memorien e kombit.



    Koha e shkrimeve

    Në botën e kineastëve, ndër fjalët e para që thonë për Anagnostin është:
    “Ai i shkruan vetë skenaret”. Në të vërtetë Dhimitër Anagnosti është i lidhur fort me botën e të shkruarit. “Kam filluar të shkruaj që në gjimnaz, në atë kohë që Kadare e quan ‘koha e shkrimeve’. Edhe unë shkruaja. Kam dërguar një vjershë të vetme që u botua në gazetën “Rinia” dhe nuk kam botuar më kurrë asgjë. Ka qenë një vjershë ku unë sjell emocionet e votimit tim të parë”. (Qesh kur e kujton atë dhe kohën kur e ka shkruar). Kam shkruar gjithmonë dhe shpesh mendoja me bindje se e ardhmja ime, profesioni im është letërsia. Mbaj mend hartimet e shkollës dhe sfidat që i bëja mësuesit të letërsisë. E përfundoja hartimin brenda 20 minutave dhe dilja nga klasa. Koha e përcaktuar ishte dy orë. Dhe mësuesi me vinte 2, ma konsideronte si një sfidë. Këto janë fillesat. Më tej kur mbarova gjimnazin doja të studioja letërsi. Në tre degët e përcaktuara që kisha shënuar në kërkesën time, ishte letërsi, kinematografi dhe inxhinieri ndërtimi anijesh. Këtë të fundit, meqë familja ime ishte marrë gjithë jetën me anijet. Përfundova në kinematografi. Dikush me një laps, që i ndritë shpirti nëse nuk është më gjallë, mendoi që të më shënonte në kinematografi dhe nisa të studioj në atë fushë, si operator. Ndoshta ai ka qenë shansi më i madh. Ishte privilegj të studioje në shkollën ruse. Dihet fuqia e saj, e njohur për artin e madh, në muzikë, balet, letërsi. Rusia ishte metropol i madh kulturor i botës”. Me hapa tejet të mbarë në botën e filmit, Anagnosti vendosi gjithsesi të mos ndahej nga të shkruarit. Shkruaja skenare, kam shkruar tregime...por nuk kam botuar asgjë. Kam shumë letërsi të pabotuar. Mbase do të botohen ndonjëherë nga fëmijët ose nipërit e mi”, - thotë Anagnosti, ndërsa ngulmon se të shkruarit është primare për të. Edhe me skenaret ndihet në këtë pozitë. Ai realizon një film për të vënë në jetë skenarin e tij, nuk shkruan një skenar për të realizuar një film që ka ndër mend.

    "Milosao"

  3. #3
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009
    Marjana Kondi Alemja që i zhveshi humorin

    Oliverta Lila

    Në ekranin e madh ende nuk e ka parë veten. Jo se shqetësohet se ndoshta nuk ka dalë bukur në planin e madh, si i kishte flokët, veshjen apo makiazhin. Diku në vitet ’30 këto nuk i duheshin. Të gjitha kishin humbur drejt udhëtimit në kohën e largët. Marjana Kondi jeton ende në ajrin që solli ndryshimin në karrierën e saj. Duhej që fati t’i “vishte” karakterin e Alemes për të bërë dallimin. Fshatarja nga jugu do t’ja privonte të qeshurën Marjanës. Madje do ta bënte të qante, të derdhte lotë nga ata të vërtetët në sheshin e xhirimit. Do t’i kërkonte çdo gjë përtej humorit të fjalëve. Pas bashkëjetesës 23 vjeçare me personazhe groteskë regjisori Dhimitër Anagnosti i krijon një fytyrë të re. “Gjoleka, djali i Abazit” do të ishte i pari projekt filmik për të që do t’i zbulonte dramën. Një film shqiptar që për të gjithë protagonistët shënoi kthesa, rikthime dhe zbulime të reja. E tillë ishte edhe Alemja e Abazit. Ndërsa ka më shumë se një javë që publiku e njeh këtë personazh në ekranin e kinema “Millenium 2” në Tiranë, Marjana njeh vetëm Alemen në sheshin e xhirimit. “Veten nuk e kam parë akoma në film. Gjithë kohën kur dilnin planet e mia unë ulja kokën”, shprehet aktorja duke “fshehur” përballjen me Alemen e kinemasë. Veten e ka lënë në dorë të vlerësimeve të njerëzve, urimet e të cilëve nuk kanë munguar pas premierës. Në to, pas falenderimeve për forcë të zakonit, ka kërkuar të gjejë të vertetën. “Pas premierës urimet janë të zakonshme, por vlerësimet e dy-tre personaliteteve, fjala e të cilëve më duhej, më ka bërë që të ndjehem pak mirë. Akoma nuk jam e bindur për atë që kam bërë” shprehet Marjana. Ndërsa nuk harron regjisor Anagnostin që qëndisi çdo detaj mes saj dhe Alemes. Edhe pse dramën që mbante brenda vetes, e shfaqi në këtë rol, Marjana shprehet se është e lidhur ngushtë me humorin. Por e dëshiron shumë një rol në Teatrin Kombëtar.

    Në çitjanet e Alemes

    Alemja është një grua e bindur. Fjala e Abazit, burrit të saj(Artur Gorishti) për të është urdhër. Ajo nuk mund ta kundërshtojë atë, as zakonet e fshatit jugor në kohën e mbretërisë së Zogut. E di që në çdo kohë është e vëzhguar nga dylbitë e kuriozëve si paparacët e kohëve moderne. E zhytur në çitjanet e gjera me lule ajo pret të shtojë shtëpinë e Abazit, ta bëjë si dikur, të madhe e të fuqishme. Nuk kishte fjalë as kur Gjoleka, djali i Abazit rrihet me thupër nga i ati. Në memecërinë e shtirur fshihet drama e madhe. Me këtë ndjenjë Marjana Kondi ka jetuar për disa kohë. Kur në skenën e parë ajo shfaqet e veshur me çitjane, këmishë, jelek, shami, çorape leshi e opinga, pati shumë nga ata që qeshën. Por aktorja është ndjerë mirë me veshjen e cuditshme kur tregon se “trupi im ishte i përshtatshëm për të veshur çitjanet, apo një jelek e këmishë. Jeleku, këmisha, shamia në kokë, opingat dhe çorapet e leshit më rrinin mirë. Ndërsa çitjanet ishin shumë të rënda, aq sa më pengonin kur lëvizja. Por ishin të bukura dhe ngjaje shumë origjinale”. Pavarësisht këtyre, Anagnosti kërkonte me çdo kusht nga Marjana Alemen e viteve ’30. Xhixhon(kështu e thërrisnin fëmijët) që përtej shikimit naiv lëshohet në shpërthim. Mjafton ikja e Abazit që shthurja t’i kapë të gjithë. Në mungesë të “diktatit” Xhixhoja luan bashkë me fëmijët në shilarës, gjuajnë me jastëk e rrahin me thupër poturet e të jatit. Alemja nuk ka patur personazh konkret për model. Ajo është krijuar në detaje nga regjisori Anagnosti dhe hyri thellë në shpirtin e Marjanës. “Ishte shumë e vështirë sepse unë jam mësuar që në portretin tim të zmadhohen edhe detajet më të vogla. Më tensinonte kamera që më rrinte afër, por Anagnosti më rrinte në kokë. Çdo gjë duhet ta shprehja nëpërmjet shikimit, por e dashurova jashtë mase Alemen. Ishte një rol shumë i bukur dhe ishte komplet brenda meje”, tregon Marjana duke kujtuar shumë detaje nga skenat e xhirimit.

    Gjatë xhirimeve

    Një orë e 40 minutat e filmit “Gjoleka, djali i Abazit” janë vetëm ajo çka kërkonte skenari. Alemja ka jetuar më gjatë me Marjana Kondin se ato pak skena të dukshme. Dëshmitë kanë ngelur në sheshxhirimin në Vuno të Himarës. Aty ku dita fillonte që në 4 të mëngjesit, Marjana ka përjetuar çaste të vështira të realizimit të personazhit. Ka patur edhe momente që e ka vënë në pikpyetje Xhixhon. “U futa në gjendjen e rolit shumë orë përpara se të fillonte xhirimi i skenës dhe ky ishte një gabim teknik i imi. Që në katër të mëngjesit dhe deri nga ora tre pasdite kur më erdhi momenti për të xhiruar skenën isha shumë keq. Isha ftohur e gjitha nga shpirti dhe asgjë nuk mund të dalloja më. Kanë qenë fjalët e Anagnostit që më sollën në vehte kur më tha që të kam besuar rolin”, tregon Marjana. Por sekret e sheshxhirimit ndonjëherë janë të padukshme edhe për regjisorin. Ndodh që aktorët të bëjnë edhe ndonjë kopje të vogël pa u kapur. I tillë është një detaj i vogël që Marjana e tregon duke qeshur. “Njëher kam bërë një kopje nga Roza Anagnosti. Në një skenë duhet të ulja sytë dhe Roza më shikonte nga lart. M’u duk sikur ishte vetja ime dhe kur ajo ulte sytë i ulja edhe unë”. Atje ngelet edhe skena kur Abazi e rreh me thupër. Në fakt po rrihnin një jastëk që ishte vendosur në kurrizin e saj, por që pa dashje i bëri edhe një shenjë në faqe.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  4. #4
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Ka ndonjë informacion mbi shfaqjen e këtij filmi në U.S.A. ?! (Në ndonjë festival filmi apo nq se shitet në internet?!).

    Fiori

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-06-2002
    Postime
    1,611
    www.shekulli.com :

    Filmi pati minimumin e shikueshmërisë

    Anganosti, fat i mbrapshtë me spektatorin


    E. Demo

    Që filmi shqiptar nuk arrin as numrin e spektatorëve të filmit më të keq të huaj, fatkeqësisht, e provoi dhe filmi i Dhimitër Anagnostit. Në dhjetë ditë, 14-24 maj “Gjoleka, djali i Abazit” është ndjekur nga 2700 spektatorë, shifra më e ulët e dy viteve të fundit për ata pak filma shqiptarë të shfaqur. Kjo e dhënë del nga drejtuesja ekzekutive e kinemasë “Millenium”, Eva Bashi, e cila e cilëson shikueshmëri të dobët në krahasim më filma si “Slogans”, “Nata pa hënë” a “I dashur Armik” i Gjergj Xhuvanit, e sidomos ky i fundit që rezulton të jetë më i ndjekuri, me 8 mijë spektatorë. Edhe filmi i Anganostit pati të njëjtin distributor.

    Drejtorja e kinemasë së vetme në Tiranën e disa qindra mijë banorëve, e cilëson jo të mjaftueshme fushatën publicitare për këtë film që ishte marrë përsipër nga distributori. Ndërsa “Millenium” vetë vuan për stenda reklamimi që nuk janë aq sa duhet të jenë. Vetëm 3 në gjithë kryeqytetin, 2 prej të cilave në qendër të Tiranës dhe një pranë kinemasë. “Qiratë e stendave janë të larta dhe nuk na leverdis të marrim. Po të kishim më shumë do të reklamonim më fuqishëm”. Një reklamë e tërthortë ishin edhe ata shikues që kanë dalë të kënaqur nga Anagnosti, e mëgjithatë nami i filmit mbeti vetëm në media, në ato që e quajtën e ngjarje në filmin shqiptar të këtyre 15 viteve. Sadoqë komentet e ndryshme në shtyp kanë pasur një të përbashkët: interpretimin sociologjik të veprës, pra përtej estetikës dhe gjuhës filmike të këtij krijimi që solli regjisorin pas 17 vjetësh tek publiku.

    Përpjekje për ta interpretuar të bukurën e tij jo me elementët mirëfilli kinematografikë, as psikologjikë, as kulturorë, as të traditës, por nëpërmjet interpretimeve sociologjike të llojit se kjo Shqipëri e viteve ’30 dhe fshatrat e thellë të Jugut i thonë shumë Shqipërisë sot.

    Sipas standardeve të shikueshmërisë në Millenium “Gjoleka, djali i Abazit” ka pasur minimumin e spektatorëve që mund të ketë një film: 5 shfaqje nën 180 spektatorë. E nëse një film nuk arrin të shihet nga më shumë se kaq, sipas ligjeve financiare, kinemaja del me humbje.
    Filmi shqiptar mbetet 50% më pak i ndjekur nga filmat e huaj, që do të thotë se mesatarja e interesit ndaj tyre në këto dy vite arrin deri në 5 mijë spektatorë.

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-12-2005
    Postime
    363
    e pashe ne tirane : fantastik. eshte film qe do ti fitoje vlerat qe i perkasin me kohen, ashtu si "Vdekja e kalit". shpresoj te dali edhe ne dvd dhe jua keshilloj te gjitheve sepse mund ta shohesh dhe rishohesh pa u lodhur. eshte film qe na perfaqeson sh mire ne çdo kontekst.

  7. #7
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    189
    Filmi ishte fantastik, bashke me filmin "I dashur armik" te GJ. Xhuvanit, jane filmat me te bukur shqiptare te prodhuar ne periudhen e post komunizmit...
    Sa per shikueshmerine ne kinema, s'e ka fajin as reklama as filmi, publiku shqiptare do akoma kohe te edukohet....
    Ka dy jave qe ne kinema "Millenium" ne Tirane, nuk ka bileta per "kodi i Da Vincit" , besoj se s'ka nevoje per koment..

Tema të Ngjashme

  1. Leter e Anagnostit rreth pensioneve Greke ne Himare
    Nga Iceberg në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 23-12-2002, 11:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •