Filmi magjik që theu heshtjen
Admirina Peçi
Asgjë të re nuk ka në këtë botë. I njëjtë mbetet diktati, frikërat që rrethojnë jetën
tonë. Gënjeshtrat e vogla
janë ato të gjithhershmet, të mëdhatë po ato. Humbjet kanë të njëjtën shije. Dhuna, egoizmi, krenaria, po ashtu.
Në botë ndryshon veç dukja, ose format si shfaqen gjithë këto detaje që bëjnë jetën tonë mbi tokë.
Tharmi, boshti...? Mbetet i njëjtë.
E dëgjoj Dhimitër Anagnostin tek flet për këto koncepte dhe kuptoj më shumë filmin e tij të fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”. Kuptoj pse kam qarë ditën që kam parë këtë film, pse më kanë tronditur një grusht personazhesh që vijnë nga vitet ’30-të, pse më ka mbetur në mend bariu i vogël që dëshpërohet deri në dhimbje për një faj naiv, se delet i kanë hyrë në arën e gjitonit ndërsa ai sodiste rrugën ku kalonte një kamion (gjë e rrallë në një fshat të thellë të jugut në vitet e mbretërisë). Nga fjalët e Anagnostit, kuptoj deri në fund ashpërsinë e Abaz Gjikës, që rreh gruan me thupër në sytë e fëmijëve, babanë që ushtron diktat tek i biri për ta rritur sipas modelit të tij, ashtu siç ishte rritur dhe ai prej të atit, apo i ati prej gjyshit....
Jemi në Shqipëri, në caqet e thella të saj. Mund të ishim në çdo vend tjetër të botës, në çdo cep të ashpër, ku ekzistenca ngrihet mbi bazat e patriarkalizmit.
Jemi treçerek shekulli më vonë, por shijet që përcjell ky film, ngjajnë të afërta. “Jemi ende një shoqëri patriarkale, me politikanë që janë të gjithë abazë, që duan ta modelojnë shoqërinë sipas mentaliteti të tyre. Ende ne nuk e kuptojmë çdo të thotë emancipim, evoluim”. Anagnosti kërkon të na bindë. Do të na rrëfejë një histori gojëdhënë, ku nuk flet fabula por karakteret. Përmes tyre ai e shkund vetëdijen tonë, i zgjon kujtimet e fëmijërisë së çdokujt, me imazhet e baballarëve të ashpër, të fortë e të heshtur, baballarëve që nuk i puthin fëmijët e tyre, që i rrahin gratë, që konsiderojnë pronë çdo gjë që lidhet me emrin e tyre...pastaj nënat dhe gjyshet e përulura, shtëpitë, ku çdo gjë mund të ndodhë, e jashtë ka tjetër dukje. Po bota, sytë e botës....?
Krijoni Kontakt