Të jesh a të mos jesh studentë? Kjo është çështja.


Dikur, para disa vitesh, si çdo student, kam qenë edhe unë në shkollë të mesme. Kohë të bukura thonë, por të vështira dhe më e madhja vështirësi ishin pyetjet e shumta që na vinin në kokë asokohe. Edhe mua, mes shumë të tjerave, me lindi një pyetje kur isha në mesin e adoleshentëve.

Ishte një ditë e rëndomtë mësimi. Kam qenë a në vit të tretë a në të katërtin, s’më kujtohet mirë. Diçka kishte ndodhur në klasën tonë dhe përballë nesh gjendej drejtori i atëhershëm i shkollës që po na bënte moral – i bënte analogji shkollës sonë të mesme me licetë francez me që ishte frankofon dhe kishte qenë shpesh në Francë. Mes shumë gjërave që na përmendi tërë pasion balzakian më së shumti në vesh më ra diçka; drejtori jonë ne nuk na quante nxënës, siç rëndon quheshim, por studentë. E habitshme! Atë ditë më lindi për herë të parë edhe pyetja: Një adoleshent që studion në shkollë të mesme quhet nxënës apo student? Kaluan shumë kohë që nga ajo kohë kur më erdhi në kokë, por më kot, unë nuk i gjeta dot përgjigje gjëegjëzës. Më pas e harrova fare.

Ishte një ditë e rëndomtë mësimi edhe kjo tjetra. Tani isha në vitin e tretë të së lartës. Para nesh qëndronte, jo drejtori frankofon i shkollës së mesme, por pedagogia frankofone e shkollës së lartë, që na ra në pjesë. Atë ditë edhe ajo po na bënte moral demoralizues, duke thënë, pas disa polemikash të zhvilluara me të, se nuk donte t’ia dinte se a mësonin nxënësit e saj apo jo. Fatkeqësish, e kishte fjalën për ne.

Menjëherë bëra një retrospektivë; rrufeshëm më erdhi ne kokë dilema që kishte zënë myk në subkoshiencën time. Kësaj radhe pak më ndryshe, disi e modifikuar dhe me nuancë hamletiane: “të jesh apo të mos jesh student; kjo është çështja?” Një i ri që studion në shkollë të lartë quhet student apo nxënës? Epo kësaj here vendosa; do t’i shkoj çështjes deri në fund thashë dhe ia nisa punës.
Mendova të gërmoj nëpër libra, fjalorë, internet; kudo, vetëm këtë dilemë mos ta lija pa përgjigje se po më gërryente nga brenda, dhe për më tepër nuk doja të bija në pozitat e harresës adoleshenteske, tani që atë periudhë të jetës sime e shikoja me përbuzje.

I futa një vrap gomari dhe përfundova në bibliotekën e shkollës të shfletoja fjalorët fletë-mangët me kërshëri. Shkova direkt e tek më i vjetri dhe më i kërrusuri i fjalorëve për dy arsye: 1. Sepse i kam konsiderate të veçantë për të vjetrit për shkak se janë me eksperience dhe 2. sepse ky ishte shqip. Bëhet fjalë për fjalorin fjalëshumë të shqipes së sotme të vitit 1980. E shfletova, e çova tek S-ja dhe kërkova fjalën “student”; u gëzova; e gjeta dhe lexova: “ai qe ndjek studimet në një shkollë të Lartë” – u lehtësova, se me sa di unë Universiteti Ismail Qemali shkollë e lartë është. Por meqë doja që pedagogia ime e frëngjishtes të kishte të drejtë siç kanë gjithmonë të drejtë pedagogët, thashë t’i hedh edhe një sy fjalës “nxënës”. Rifillova të shfletoj dhe përfundova në tek N-ja, gjeta fjalën “nxënës” dhe lexova “ai që studion në një shkollë tetë-vjeçare ose të mesme”. Nuk doja ta besoja por s’kisha zgjidhje tjetër. Megjithatë nuk u dorëzova, kapa fjalorin anglisht-anglisht “Oxford Advanced Learner’s Dictionary” – me që vazhdoj të lartën për gjuhë angleze – dhe fillova ta shfletoj, me shpresën se mos gjeja ndonjë justifikim për gomarllëkun e pedagoges sime të frëngjishtes. Shkova tek S-ja, gjeta fjalën studentë dhe lexova: “a person who is studing at a univeristy or college” që në shqip do të thotë: “një person që studion në një universitet ose shkollë të lartë” – prapë dështova, por nuk i kushtova shumë vëmendje dështimit tim sepse atë ma tërhoqi kuptimi i dytë i fjalës student dy rreshta më poshtë të parit. Interesante! Thuhej se kuptimi i dytë i fjalës student ishte: “a person who is studying at a school, especially a secondary one”, që në shqip do të thotë: “një person që studion në një shkollë, veçanërisht në një shkollë të mesme”. Menjëherë mu kujtua drejtori i shkollës së mesme – ai guxoi të na quante ne studentë për tre arsye, sipas meje, 1. ai ka qenë në dijeni të faktit që në anglisht studentë mund të quheshin edhe nxënësit e shkollës së mesme dhe kështu ai e përdorte me ne meqë ishim për anglisht, 2. atij i është bërë shprehi t’i quaj nxënësit studentë, ndoshta nga dëshira për t’u bërë pedagog ose ngaqë ka qenë i ndikuar nga anglishtja, dhe 3. ai na ka vlerësuar në si studentë e jo thjesht si nxënës, diçka e madhe për ne në atë kohë.
Por, pasi nxora një farë përfundimi për drejtorin tim frankofon të shkollës së mesme, u riktheva tek pedagogia ime, e frëngjishtes edhe kjo, dhe thashë të ngushëlloj edhe njëherë veten time të pashpresë, duke hapur fjalorin në fjalë tek fjala “pupil”, shqip “nxënës”, se, nuk i dihej, mos i quanin edhe anglezët dhe amerikanët ata që ndjekin studimet e larta “nxënës”.

E gjeta po ç’më panë sytë, lemeri; thuhej: “(becoming old fashioned) a person who is being tought, expecially a child at school”, e thënë në shqip: “(po bëhet demode) një person që i jepet mësim, veçanërisht një fëmijë në shkollë”. Më tingëlloi fort në vesh pjesa në kllapa “(po bëhet demode)”. Se kuptova, ne ishim demode në këtë rast apo edukatorja jonë e frëngjishtes. E njësoj si me drejtorin edhe më pedagogen arrita në tre përfundime të mundshme: 1. pedagogia e frëngjishtes ishte injorante për faktin që personat që studiojnë në shkallë të lartë apo universitet quhen studentë e jo nxënës, 2. asaj i është bërë shprehi t’i quaj studentët nxënës ndoshta nga dëshira për t’u bërë mësuese në nëntë-vjeçare, se në universitet duket hapur që ka ardhur gabimisht, dhe 3. ajo na shikon ne si nxënës e jo si studentë, ndoshta për shkak se kur ajo pëllet si arushë kur ndonjë student flet kur ajo është prezent në klasë, të gjithë ia kanë frikën se mos i kafshon.

E kështu, arrita në përfundimin që kishin arritur edhe gjuhëtarët; një i ri që studion në një shkollë të lartë apo universitet quhet dhe duhet të quhet dhe nuk duhet të mos quhet STUDENT. Ndihem i kënaqur që më në fund i dhashë përgjigje një dileme që më ka gërryer nga brenda për një kohë të gjatë. Ndihem i lumtur.