A mund të jetë një marrëdhënie dashurie «demokratike»?

ARTA SEITI

20 Maj «Nuk kam më dëshirë të vesh fustane, të përdor makiazhe, të shëtis me një çantë, të kem sjellje më femërore se ç’duhet. Nuk do të ndihesha mirë e veshur me fustan. P.sh., nuk do të rrija dot e ulur, siç jam tani.

Të ardhmen time nuk kam dëshirë ta përcaktoj nga anatomia e gjinisë.

Do t’i shpreh ndjenjat negative, që nga momenti që të jem e ndërgjegjshme, në vend që t’i lë ato të mblidhen.

Sa herë që të ndihem e plagosur, do ta shpall me forcë.

Nuk do ta torturoj veten e të them që partneri im nuk më ka kushtuar kohë. Do marr përsipër vetë të përmirësoj situatat. Sa herë që ai do të shfaqë një anë prej “djali të vogël”, do të marr frymë thellë, e do ta lë të merret vetë me veten e tij.

Sa herë që do realizoj që dua t’i bëj përshtypje një mashkulli që më tërheq, duke i folur për veten time, nuk do t’i bëj më asnjë pyetje; do ndaloj «shfaqjen» e do t’i përqendroj të gjitha forcat te vetja; madje, gjithë kujdesin, e do ta pyes veten, a më përshtatet apo jo ky njeri?»

***

Lista e «rregullave» që përmenda, duket jo vetëm në leximin e parë naiv, por edhe jo prodhuese, e zhveshur nga çdo rezultat pozitiv. Megjithë natyrën e ngurtë e bardhë e zi të kësaj liste, ajo është e destinuar drejt një mëvetësie.

Këto janë disa nga rregullat që sociologu britanik A.Giddens i ka përdorur si shembuj, për të treguar që në kohërat e sotme, «demokratizimi i jetës private shfaqet jo vetëm dita-ditës, por përbën në të njëjtën kohë një tipar indirekt të të gjithë jetës vetjake…».

Ky proces është për Giddens, më pak i dukshëm, sepse ai nuk zhvillohet në arenën publike.

Ashtu si demokracia politike, edhe demokracia e “intimes” përmbajnë në shumicën e rasteve elementë të përbashkët. Kjo përputhje e aspiratave është mëvetësia.

Prej vitesh, në një «marrëdhenie çifti», përtej natyrës magjepsëse të ndjenjës, mendimtarë të ndryshëm kanë investuar shpresa të mirëfillta revolucionare te seksualiteti, duke parë, në këtë mënyrë, një fushë lirie të panjollosur nga shtrëngimet e ndryshme që karakterizojnë qytetërimin tonë.

Nuk kam synim të trajtoj barazinë dhe pabarazinë në një marrëdhënie dashurie, dallimet që shfaqen në lidhje me gjininë mashkullore dhe femërore, në sferën politike dhe ekonomike të një vendi.

Fjala është për lëmin emocional të gruas, qoftë të asaj që ka një jetë të përditshme rutinë, qoftë të një modeli tjetër feminist, plotësisht të ndërgjegjshëm për rolin e saj.

Interpretimet e psikologjisë femërore, i krijuan mundësinë Frojdit të zbulojë emocionin. Megjithëse ndjenja, siç tregoi ai, rridhte nga forca të nëndheshme të pavetëdijes, është për t’u nënvizuar lidhja e saj me arsyen. Edhe pse në konceptin e përbashkët, ndjenja mbetet ana e tjetër e arsyes, vlen të përmendet fjalia: «Asgjë nuk e turbullon ndjenjën… aq shumë sa mendimi».

Së pari, rrugëtimi i «dashurisë romantike», ka pasur dhe vazhdon të ketë një pasojë të dyfishtë e kontradiktore për gruan. Kjo pasojë, sipas sociologut Giddens, ka ndikuar «t’i mbajë ato në një vend», do të thotë në shtëpi; nga ana tjetër mund të flasim dhe për një shqyrtim të ri e rrënjësor të «virilitetit» të shoqërisë moderne, përmes «dashurisë romantike». Kjo do të thotë që «dashuria romantike» nënkupton si të mundshme një lidhje emocionale të vazhdueshme.

Së dyti, gërshetimi i pushtetit të burrit dhe të gruas, i dispozitave të tyre psikologjike, shfaq nëpërmjet anatomisë së njërit dhe të tjetrit, identitetin seksual, i cili po merr formën e një stili të jetuari sot.

Kjo «formë jetese», në formën e një «transaksioni» të lidhjeve vetjake midis dy të barabartësh, del sot në një formë tjetër, në atë të «ndryshimit të intimes».

Kjo gjendje e re, për të cilin flet Giddens, ka sjellë në shoqërinë e sotme një demokratizim masiv të marrëdhënieve mashkull-femër. «Secili kërkon te tjetri një realizim projekti të jetës e një zbulim të vetvetes. Në një marrëdhënie, secili nga ne kërkon të vazhdojë identitetin e tij», shkruan Giddens.

Kjo dukuri mund të sjellë dhe pasoja dhe influenca ekstreme në tërësinë e shoqërisë sonë. «Në një botë sociale, ku lulëzimi emocional e seksual do t’i zinte vendin rritjes ekonomike, do të ndodhnin ndryshime revolucionare të thella», mendon sociologu ynë.

Mund të thoshim që një «marrëdhënie dashurie» është demokratike edhe për arsye të faktorëve biologjikë të nevojshëm për vazhdimin e ekzistencës së species njerëzore. Paçka, këta faktorë kanë të bëjnë me jetën private, realiteti i ditës dhe i sferave të ndryshme publike, ka treguar që seksualiteti në vite është shndërruar në një revolucion seksual.

Ai ekspozohet, kthehet në një çështje publike dhe sundon fushën sociale.

Metropoli.