Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Peja o qytet i bekuar
    Anëtarësuar
    28-03-2002
    Postime
    310

    Kosova gjatë luftërave austro-turke

    Ç’thonë dokumentet italiane për një periudhë ngjarjesh të mëdha, në të cilat ishte përfshirë Kosova e gjysmës së dytë të shek. XVII? Përse historiografia serbe, që i quan këto ngjarje si tragjedinë më të madhe serbe pas Betejës së Parë të Kosovës, anashkalon njoftimet burimore për zhvillimet në këtë periudhë dhe veçmas për përbërjen etnike të Kosovës dhe të trevave rreth saj...?

    PROF. DR. JAHJA DRANÇOLLI
    Në gjysmën e dytë shek. XVII, Kosova qe përfshirë në ngjarje përmasash të mëdha. E quajmë të nevojshme që me këtë rast të paraqesim disa njfotime që dalin nga dokumentet italiane, të cilat deri vonë nuk kanë qenë objekt I ndonjë studimi të veçantë në historiografinë tonë. Ndryshe nga historiografia shqiptare, historiografia serbe këto zhvillime i ka parë si tragjedinë më të madhe që i ngjau popullit serb pas Betejës së
    Parë të Kosovës (1389).

    Ç’thonë dokumentet?

    Dokumentet italiane që i referohen gjendjes në Kosovë dhe më gjerësisht trevave shqiptare, gjatë kësaj periudhe, ruhen kryesisht në arkive e biblioteka të Firencës, Milanos, Romës, Vatikanit, Venedikut etj. Krahas dokumenteve zyrtare, të dhëna me interes ndeshim edhe në vepra të historianëve të hershëm dhe të kronistëve të kohës, të cilët kishin përcjellë me kujdes luftërat dhe kryengritjet që kishin kapluar Ballkanin gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII. Vend të veçantë në këtë aspekt zënë veprat monumentale të kontit Luigji Marsili, abatit Kamilo Kontarini, historianëve Simpliqano Bizozeri, Qiro Gjaneli etj. Rol të veçantë rreth ndriçimit të kësaj çështjeje paraqesin edhe njoftimet që ofrojnë relatorët e papatit, të cilët, nëpërmjet kishës romane, kishin qenë të inkuadruar drejtpërdrejt në ngjarjet që kishin përfshirë Kosovën. Dy burra të shquar të kishës shqiptare-romane, Pjetër Bogdani dhe Tomë Rospasari, madje qenë udhëheqës të kryengritjeve çlirimtare. Dokumentet në shqyrtim sjellin njoftime që hedhin dritë mbi raportet e popullsisë shqiptare të trevave, që u kapluan nga luftërat çlirimtare me përfaqësues kryesorë të ushtrisë austriake, të cilët, falë kryengritjes së popullsisë shqiptare, arritën të depërtonin pa pengesa deri në Lumë dhe në treva shqiptare të Maqedonisë së sotme. Kryengritësit shqiptarë, të kishterë e myslimanë, u rreshtuan përkrah forcave ushtarake austriake, duke krijuar njësi të veçanta me oficerë shqiptarë, si kapitenë, nënkolonelë etj. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen, është fakti se këtu u vunë bazat e bashkëpunimit luftarak midis shqiptarëve të fiseve të ndryshme në luftë për liri, që shërbyen si gurthemeltar për historinë e ardhshme të kombit tonë. Për pjesëmarrjen e populates shqiptare myslimane në luftëra çlirimtare, në mënyrë të qartë bën fjalë edhe një relacion i Pjetër Budit, ku thuhet: “...jo pak here myslimanët ishin prirur që të merrnin pjesë në kryengritje të armatosura”. Ndërkaq, toleranca fetare e popullatës shqiptare, në prag të luftërave austro-turke, shihet edhe nga një relacion i Pjetër Bogdanit, I cili drejtoi ceromoninë fetare tradicionale të gushtit në brigjet e Drinit të Bardhë, në trevën e Prizrenit, në të cilën morën pjesë banorë katolikë, myslimanë dhe ortodoksë të kësaj treve.

    Idetë largvajtëse të Bogdanit

    Kaptinë të veçantë në kuvende ballkanike në luftë kundër turqve paraqet shëmbëlltyra madhore e argjipeshkvit humanist dhe burrit dituror Pjetër Bogdani. Rëndësia e këtij veprimtari shihet sidomos në organizimin e kryengritjeve çlirimtare shqiptare në Kosovë e Malësi kundër turqve dhe në koordinimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare me ushtritë austriake e venedikase. Lidhur me aktivitetin e Bogdanit në Malësi dhe në Kosovë shprehen qartë edhe dokumentet zyrtare venedikase: “E questo prelato utile a negoziati con i Popoli dei Monti dell Albania...” Në këtë kuadër, Bogdani, së bashku me krerë të tjerë shqiptarë, me entuziazëm pritën trupat austriake në krye me gjeneralin Pikolomini në portat e Prizrenit. Në këtë qytet u zhvilluan edhe një varg bisedimesh midis Bogdanit e Pikolominit. Megjithatë, i tërë dokumentacioni i kohës, pa marrë parasysh se nga cili burim vjen, nuk është përfillur nga një pjesë e hiatorianëve të djeshëm dhe të sotëm serbë, të cilët, duke e heshtur aktivitetin luftarak e diplomatic të humanistit tonë, meritat e tij ia atribuajnë patrikut Arsenije Cërnojeviq III, i cili, ndryshe nga Bogdani, qe një figurë margjinale dhe nga frika e luftës kishte braktisur Pejën. E quaj me vend të theksoj se, në këtë periudhë ndërlikimesh dhe luftërash në Kosovë dhe më gjerë, Bogddani përpunoi një ide largvajtëse që shpiente në përspektivë sovranitetin shtetëror e kishtar. Një segment nga kjo ide është edhe ngritja e një institucioni të lartë kishtar shqiptar, më i lartë se ai I argjipeshkvisë, i cili do të ballafoaqohet nga pozita të njëjta me Patrikanën e Pejës. Argjipeshkvi ynë nuk kërkonte një kishë shqiptare-romane autoqefale, por një patriarkat të varur, sikurse ishte patriarkati i Republikës së Venedikut. Ky patriarkat do të fitonte të drejtën e ligjëruar që të përfshinte në vartësinë e vet tri argjipeshkvitë shqiptare-romane të asaj kohe, të Tivarit, Durrësit dhe të Shkupit. Paramendohej që qendra e këtij patriarkati të ishte treva e Kelmendit. Me këtë politikë largvajtëse shprehen prirjet e Bogdanit drejt bashkimit shtetëror, religjioz e kulturor të trojeve shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XVII. Edhe pse Roma nuk e pranoi këtë ide, ajo mbeti në qarkullim një kohë të gjatë, madje filloi të popullarizohat aq shumë, saqë Bogdani filloi të mbiquhej Patriarku i Kelmendit dhe argjipeshkëv i Shkupit ose anasjelltas. Me këtë titull e gjejmë në dokumente zyrtare të kohës. Në anë tjetër, sipas L. Marsilit, qendra e patrikut të rashianëve ishte në Pejë, trevë e kelmendasve shqiptarë: “Il Patriarca dei Rasciani che stalla in Ipek, loco de “Albanesi Climenti”.

    Prania e shqiptarëve në Nish

    Burimet që i kemi në dorë, të cilat dalin nga provinienca italiane, japin njoftime edhe për aksionet e aleatëve të krishterë në luftë kundër turqve në Kosovë dhe pjesë të skajshme të saj. Këtej, sipas tyre provohet se gjenerali Pikolomini bëri përpjekje të vinte kontakte me shqiptarët e trevës së Nishit, Prokules e Toplicës dhe prej këndej të dilte në Lab (Llap), gjë që arriti pa vështirësi. Me të arritur këtu, ai rrethoi Prishtinën, ku ishin të vendosur trupat e Mahmut Pashës. Meqë u zu ngoje Nishi (qendër e njohur e Dardanisë së antikitetit) në realacion me shqiptarët, është me interes të përmendet një detaj që del nga jeta e Tomë Rospasarit, ku bëhet fjalë edhe për praninë e shqiptarëve në Nish gjatë luftërave austro- turke: “...venni a Belgrado, da dove fui novo richiamato e Nissa dall’ Eccellentissimo Generale Conte Vetrani per causa della lingua natione albanesi”. Zyrat e noterisë dhe kancelarisë italiane shënuan edhe ndërhyrjet e gjeneralit Pikolomini në trevën e Pejës, Prizrenit e Shkupit. Pasi që në fillim të muajit nëntor të vitit 1689 kishte hyrë Pikolomini në Prizren, atje qe i pritur duarhapur nga popullata e qytetit, e shoqëruar nga 20.000 vullnetarë. Për ta përfituar masën vullnetare, merita u takonte Bogdanit dhe françeskanit Tomë Rospasarit. Gjithashtu, Pikolomini u prit mirë edhe në Shkup nga popullata shqiptare e qytetit, gjë që dëshmohet nga një korrespondencë nga Vjena që mban datën e 20 nëntorit 1689: “Arbërit dhe Arnautët, si dhe popuj të tjerë të kësaj treve, si të krishterë, ashtu dhe myslimanë...” (Venezia, Fondazione Cini). Gjenerali Pikolomini ushqente shpresa të mëdha se, përveç populates shqiptare të Prizrenit e Pejës, do t’i përfitonte për aleatë edhe malësorët shqiptarë të Malit të Zi. Kur është fjala për malësorët, është me interes të spikatet këtu një pasazh, ku si miq të perandorit austriak Leopoldit I përmendën edhe shqiptarët e Rozhajës dhe të Bellopojës. Prishja e aleancës shqiptaro- austriake
    Republika e Venedikut i përcillte me vigjilencë të madhe ngjarjet që kapluan Kosovën gjatë viteve 1689-1690. Senati venedikas dhe proveditorët e Venedikut në Dalmaci qenë të interesuar për çlirimin e Pejës nga sunduesi turk. Në këtë kohë, kishte hyrë në Pejë gjeneral Pikolomini. Nga burimet venedikase del e qartë se Pikolomini nuk pati rast të takohej me patrikun Arsenije III Cërnojeviq, I cili, pasi që kishte kapluar zjarri I luftës Pejën, kishte ikur në Nikshiq. Popullata shqiptare, e shtyrë në një anë nga besimtarët venedikas dhe në anën tjetër nga veprimet e ashpra të hercogut Holshtajn, i cili mori postin e kryeeprorit ushtarak pas vdekjes së Pikolominit, dukshëm filloi të largohej nga aleatët e deridjeshëm austriakë. Praninë austriake në trevën e Kosovës e vështirësoi edhe vdekja e Pjetër Bogdanit, bashkëpunëtor më i shquar i Pikolominit. Situata mori pikën e vlimit midis aleatëve austriakë e shqiptarë, sidomos kur trupat e hercogut Holshtajn u futën në Lumë për t’i djegur më tepër se tridhjetë fshatra shqiptare. Eshtë për të vënë re se dokumentet e burimit venedikas, për shkaqe të politikës së çastit, në këtë pikë ruajnë një dozë subjektivizmi. Po këto burime, edhe pse për disa ngjarje japin hollësi me interes të veçantë, heshtin gjendjen në Kosovë pas disfatës së aleancës së krishterë në Kaçanik. Përjashtim në këtë aspekt bën një njoftim që mban datën e 12 shkurtit të vitit 1690, ku një dëshmitar flet në mënyrë mbresëlënëse për tragjedinë e Kosovës...: “Egërsitë e reja të tatarëve për ta shfryrë shtazarinë e vet çnjerëzore mbi arbërit dhe arnautët, duke djegur shumë fshatra, duke i vrarë mizorisht ata banorë të mjerë vetëm nga që kishin treguar respekt dhe kishin ndihmuar ushtrinë gjermane...” Çështje në vete gjatë luftërave austro-turke ndër shqiptarët paraqet procesi i islamizmit dhe revolta e shqiptarëve myslimanë kundër pushtetit turk. Pjesëmarrja e shqiptarëve myslimanë në luftëra kundër pushtuesve osman nuk qe i vogël, gjë që provohet më së miri nga një lajm i P. Budit drejtuar kardinalit Gjokadino në vitin 1621. Sipas disa njoftimeve që ruhen në dorëshkrimet e Bibliotekës e të Arkivit Shtetëror të Bosnjës, autor i të cilave është konti Luigji Marsili, provohet se shqiptarët në përgjithësi qenë të ndarë në gjashtë apo shtatë krahina, të gjithë i përkasin ritit ortodoks: “Gli Albanesi...tutti di rito scismatico”, përveç Kelmendit që në tërësi i përkiste religjionit katolik.

    Serbë, apo shqiptarë të ritit ortodoks?

    Ky njoftim dhe disa njoftime të tjera të ngjashme të burimit të njëjtë, ripohojnë se, nga kapërcyelli i shek. XVII ende nuk ishte kryer procesi i islamizimit ndër shqiptarët dhe se kryengritësit skizmatik që i ndeshim në luftëra kundër turqve, nuk qenë serbë të udhëhequr nga Arsenie Cërnojeviqi III, sikur përpiqen të shpjegojnë disa historianë serbë, por shqiptarët e ritit ortodoks, në shumicë dhe serbët ortodoksë në pakicë, të cilët luftuan kundër armikut të përbashkët. Dokumentacioni i kohës provon se treva e Kosovës gjatë luftërave austro-turke, kryesisht qe e banuar nga popullsia shqiptare dhe se kjo trevë përfshihej në kuadër të konceptit shqiptar. Që këtej, popullatën vendëse të trojeve në fjalë në të shumtën e rasteve e ndeshim të bartnin etnonimin “albanesi”, “arnaut”, që në essence kanë kuptim të njëjtë. Por në të njëjtën kohë dokumentet që dalin nga zyra e papatit, Kosovën e regjistrojnë në kuadër të konceptit Servia (Serbia). Kështu, te P. Bogdani, edhe pse qe shqiptar i Kosovës, në shkrime të veta italisht e latinisht, përdorte emërtimet gjeografike që kishte përvetësuar administrata kishtare katolike, e cila për sa u përket trojeve shqiptare përdorte edhe emërtimet e trashëguara nga periudha paraosmane, konkretisht emërtimet e zyrtarizuara gjatë sundimit anzhuin në shek. XIII. Kështu, bie fjala, ai quante Arbëri (Albania), ashtu si dhe aktet e zyrave perëndimore, vetëm viset që kishin hyrë në Mbretërinë e Arbërisë të krijuar në kohën e Karl Anzhusë (1272), kure Kosovën, sadoqë banohej nga popullata shqiptare, vazhdonte të përfshinte, ashtu si në shekullin XIII nën emërtimin Servia, edhe pse shteti serb, si dhe Mbretëria e Arbërisë, kishin tre shekuj që ishin përmbysur. Krahas etnonimit “albanese” dhe shtetit “Albania”, gjatë përiudhës që kemi në shqyrtim, ndeshim edhe etnonimin epirot dhe shtetin e Epirit; maqedon e Maqedoni, që i referohen etnonimit Arbër dhe shtetit të Arbërisë. Përveç konceptit Kosova, si pjesë e Arbërisë dhe pjesë e Epirit, në një relacion që ruhet në Arkivin Mediçi të Firencës, e ndeshim Kosovën si koncept të rajonit të gjerë: “Relazioni di quanto nel paese di Cossova”. Pasqyrë më të qartë për aspektin gjeopolotik të Arbërisë gjatë luftërave austro-turke e shohim të shpjeguar në njërën ndër veprat e Luigji Marsilit, personalitet që njihte drejtpërdrejt gjendjen në Shqipëri. Ky di për Shqipërin turke (Albania Turca), Shqipërinë e lirë (Albania Libera) dhe Shqipërinë venedikase (Albania Veneta). Duke përmbyllur, e quaj më vend të konstatoj se dokumentacioni italian plotëson mjaft mirë dokumentacionin e burimit austriak e turk për çështjen e Kosovës gjatë luftërave austro-turke dhe kjo lëndë ofron dëshmi të pakundërshtueshme për inkuadrimin e shqiptarëve të Kosovës në rrjedhat e ngjarjeve të mëdha të kësaj kohe.
    no respect whatsoever for authority - Richard Feynman.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    15

    "Shprengulja e madhe"

    Ne historiografine serbe eshte spekulluar shume me te ashtuquajturen " shperngulje te madhe nga Kosova ne fund te shekullit XVII (me konkretisht ne vitet 1689-90".
    Sipas tezave serbe pikerisht ne kete periudhe nje pjese e madhe e popullsise serbe eshte larguar nga territori i Kosoves me ne krye patriarkun e Pejes Arsenije dhe vendin e tyre e kane zene shqiptaret e ardhur nga territoret malore te Shqiperise. Kjo levizje e popullsise ka shkaktuar dhe permbysjen e raporteve etnike ne Kosove ne favor te popullsise shqiptare.
    "Shperngulja e madhe ne Kosove" eshte shnderruar ne nje mit te vertete qe ndeshet ne shume literatura sllave por vetem fakte qe nuk ndesh ne to.Shifrat qe jepen jane nga me te ndryshmet, duke filluar nga 100 000 deri ne 500 000 njerez.
    Eshte i njohur fakti se nje pjese e popullsise se Kosoves, pas terheqjes se ushtrive austriake eshte karguar nga Kosova per shkak te frikes nga hakmarrja qe mund te binte mbi to si pasoje e mbeshtetjes qe i kishte dhene trupave austriake. Por duhet theksuar se pjesa me e madhe e te larguarve nuk ishin nga territoret e brendshme te Kosoves por nga ato veriore e Nishi.
    Gazetat e kohes japin shifra te uleta te numrit te te emigruarve (jo me shume se 10 mije vete) dhe po ashtu eshte burimet osmane. Per me teper nuk eshte e qarte as perberja etnike e te larguarve, te cilet nuk kane qene vetem serbe por edhe shqiptare.
    Nje levizje me permasa kaq te vogla nuk mund te ndryshonte perkatesine etnike te Kosoves, e cila qe perpara futjes se trupave austriake ishte e perbere ne shumicen e saj nga shqiptare. Ne nje permbledhje te dokumenteve austriake ushtarake te asaj periudhe shprehet qarte se Kosova ishte e banuar nga shqiptare, madje Prishtina cilesohet si kryeqyteti i Shqiperise.
    Edhe vete titulli i ketij libri "Trupat perandorake ne Shqiperi 1689" tregon qarte se komanda ushtarake austriake e shikonte Kosoven si pjese perberese te Shqiperise.
    Ka pasur edhe vete autore serbe te cilet kane pranuar se shperngulja e madhe eshte thjesht nje legjende dhe jo nje ngjarje reale historike.

Tema të Ngjashme

  1. Dardani apo Kosovë
    Nga Statovci në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 15-06-2018, 11:31
  2. Kombin shqiptar 7 milionësh në Ballkan e kanë mbuluar retë e zeza
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 01-08-2010, 13:18
  3. Kosova: unjust politics
    Nga bqato në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 08:07
  4. Platform For The Resolution Of The Albanian National Question
    Nga saimiri-uk në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-02-2003, 15:52
  5. ICG: - UNMIK-u ka lejuar ndarjen e Kosovës
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 10-06-2002, 06:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •