Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Të vendosësh vepra të huaja në skenën shqiptare është marrëzi

    Të vendosësh vepra të huaja në skenën shqiptare është marrëzi

    Në komedinë “Pallati 176”, krahas shumë aktorëve që interpretuan, mbajmë të ngulitur në mendjen tonë edhe personazhin e Sandrit, një inxhinier i dashuruar, tepër i sinqertë, por që falë këtij sinqeriteti ai bëhet pre e shumë keqkuptimeve. Në ato vite, Ilir Bezhanin e kemi njohur si aktor. Më pas ai ka shkruar vepra letrare, dramaturgji dhe i është dashur që këto vepra t’i vendosë dikush në skenë, sipas mënyrës apo skemës që ai ka hartuar. Këtë vendosje askush nuk mund ta bënte më mirë se vetë autori. Ka qenë kjo arsyeja që e ka detyruar të bëhet regjisor. E kemi parë si aktor, e shohim se, edhe si regjisor ai ende rrethohet dhe shoqërohet gjithmonë nga suksesi.Veprat e vëna në skenë prej tij pasi kanë korrur pa ndërprerje sukses e kanë stimuluar që mos të tërhiqet nga ky profesion, por ta vazhdojë atë me përgjegjësi të madhe.
    Ju keni formuar sërish trupën e vjetër të Teatrit të Fierit dhe bashkë me të keni vendosur në skenë një komedi. Kush është subjekti i kësaj vepre?
    Kjo është një shfaqje e karakterit popullor. Këtu dramaturgjia është e ndërtuar mbi anektodat. Është bërë një zbërthim i substancave popullore në këtë dramaturgji komike. E veçanta e kësaj vepre është se janë të ndërtuara pesë komedi në një akt të vetëm. Ky është trajtimi që i kam bërë unë këtyre pesë komedive së bashku, të lidhura në një bosht të vetëm. Në brendësinë e tyre kanë mesazhet ballkanike dhe ato shqiptare. Veçanërisht këtu tregohet kokëfortësia, inati, nervozizmi i kombit tonë e mjaft ide të tjera, të cilat përcillen nëpërmjet kësaj komedie. Unë këtë substancë popullore e kam ndërtuar në dramaturgji. Në frazën popullore “për inat të sime vjehrre, shkoj e fle me mullixhiun”, unë kam zbërthyer pjesën e parë dhe pjesën e dytë të frazës. Në komedi shfaqim një nuse dhe një vjehërr që kanë debate të vazhdueshme ndërmjet tyre dhe arrijnë gati sa të vrasin njëra-tjetrën. Djali, me të cilin është martuar e ashtuquajtura nuse, është në emigrim dhe pas shumë përplasjes me vjehrrën, ajo largohet nga shtëpia. Ky është subjekti i pjesës së parë, ndërsa në subjektin e ndarjes së dytë të komedisë shohim takimin e nuses me mullixhiun. Ajo fillon duke ushtruar një presion mbi të duke i shprehur dëshirën e saj për të bërë dashuri me të. Gjatë gjithë kohës, ajo bën një monolog më veten duke pasur të drejtuar inatin drejt vjehrrës dhe e shpreh këtë me sharje të ndryshme. Ajo nuk e dëshiron vërtet mullixhiun, por ai është një mjet për të dhe nëpërmjet këtij mjeti ajo shfryn dufin që ka ndaj vjehrrës. Ky personazh ka në plan të parë të tij, figurën e vjehrrës. Gjatë dialogut të vazhdueshëm që bën ajo me mullixhiun, më së fundmi ai mposhtet dhe arrijnë që të bëjnë dashuri së bashku. Ky është njëri prej akteve të komedisë që shpreh një esencë të fortë të popullit tonë, i cili për inat të diçkaje, shkon e bën diçka tjetër, mbase akoma edhe më të keqe. Këto gjëra të dyja së bashku nuk kanë lidhje të logjikshme por ka vetëm një lidhje psikologjike ndërmjet tyre. Shkarkimi i këtij inati diku tjetër lidhet me të gjitha subjektet. Unë në këtë komedi mora të gjithë aktorët e Fierit dhe ndërtova atë trupë të vjetër të këtij teatri. Ky ishte një eksperiment për mua ku unë doja të shikoja se si i ndiente populli të gjitha fenomenet që trajton dhe vë në dukje komedia. Bashkova në këtë pjesë karaktere të ndryshme duke i bashkangjitur trupës së vjetër të teatrit edhe aktorët e rinj. Aktorët e një brezi më të vjetër që unë zgjodha për këtë komedi janë shumë të aftë për të luajtur karakteret që përmbante ajo, pasi ata janë profesionistë të vërtetë. Në këtë komedi janë formuar 24 karaktere. Janë vënë në skenë 12 aktorët, të cilët kanë interpretuar nga dy role secili. Arti gjithmonë mbështetet mbi karakteret dhe pa to nuk ka se si të ketë art në teatër. Një vepër mund të mbajë edhe me ndërtimin e tre apo katër karaktereve. Karakteret që kam ndërtuar unë në vepër, mbase nuk janë të përsosura, por gjithsesi është punuar me një volum të madh karakteresh. Arrita t’i ndërthur të gjitha së bashku me të tërë komponentët që ndihmojnë për të vënë një vepër në skenë. Publiku e priti mjaft mirë këtë komedi, e cila do të shkojë në Festivalin Mbarëkombëtar të Vlorës. Ishte një vepër mjaft interesante, falë përmbledhjes së këtyre mesazheve që lidhen me psikologjinë e njeriut. I gjithë mesazhi që transmeton komedia është esenca e popullit tonë. Këtu tregohet gjaknxehtësia që lind prej disa zënkave të kota dhe kokëfortësia shqiptare është e tmerrshme. Në një mënyrë të tërthortë kemi një pasqyrim edhe të karakterit ballkanik. Këto mesazhe janë transmetuar nëpër shekuj dhe, ndaj ekziston në ditët e sotme dhe që unë kam arritur t’i vendos në skenë. Në skenë kam futur edhe një femër, e cila vrapon përmes saj duke u futur dhe duke folur vetë për personazhin. Kjo është një lidhëz e veçantë e komedisë.
    Jeni aktor e dramaturg, por ju shohim edhe si regjisor. Ç’ju shtyu të nisni rrugën e regjisurës?
    Dramaturgu është pjesa kryesore e teatrit, kurse aktorët apo komponentët e tjerë janë rrjedhojë e tij. Ata janë transmetuesit e ideve të tij. Dramaturgjia është letërsia më e vështirë. Një nga kritikët më të njohur rusë e ka quajtur atë matematikë e lartë e letërsisë. Dramaturgjia kërkon një gërshetim të jashtëzakonshëm të matematikës dhe letërsisë. Që të ndërtosh një dramë duhet të kesh një logjikë të fortë. Unë duke qenë dramaturg, jam detyruar që të bëhem regjisor dhe të vendos në skenë pjesët e mia duke përcjellë dhe zbërthyer idetë që kam brenda vetes. Shumë shpesh kam vënë re se disa njerëz nuk i kuptojnë idetë e mia. Kjo ishte arsyeja më e fortë që më shtyu për të hyrë dhe për të ecur në rrugën e regjisurës. Unë e njoh shumë mirë mjeshtërinë e aktorit dhe skenën dhe duke pasur këto dy elemente unë mund të bëjë shumë mirë dhe regjisurën. Tek unë janë ndërthurur tre komponentë, që rrallë mund t’i shohësh tek një artist. Është shumë e vështirë të realizosh një nga këto komponentë dhe aq tepër të harmonizosh tre të tillë, pasi kjo arrihet shumë vështirë. Regjisura tek unë ka nisur thjesht nga një nevojë e imja, sepse kam vënë re në disa vende se idetë e mia nuk janë transmetuar tërësisht, apo në atë sfond në të cilin unë i kam shkruar. Kur kam hyrë në këtë proces, sigurisht që kam pasur sukses, përderisa kam vazhduar ende në këtë rrugë. Mos të kisha pasur ecuri të këtij profesioni, do të isha tërhequr. Me komedinë e parë “Në katin e dytë është parajsa” kam arritur sukses tepër të madh dhe pastaj jam drejtuar në komedinë e dytë “Mashtruesi”, i cili pati një sukses më të madh se komedia e parë. Komedia “Mashtruesi” duke parë se pati shumë sukses, u përkthye dhe u vendos edhe në skenën franceze. Kur kjo pjesë u ble nga francezët, u bë një pedan për hyrjen time në letërsinë franceze. Është për tu habitur, por kjo vepër pati po të njëjtin sukses që pati edhe në Shqipëri, edhe pse u interpretua nga aktorë francezë. Suksesi i kësaj komedie më sugjeroi mua vajtjen për herë të dytë në Francë. Aty isha pjesëmarrës në një edicion të tyre, ku janë të ftuar të gjithë shkrimtarët e një vendi dhe paraqiten përpara publikut. Unë isha një prej atyre të 11-ve. Më pas, pata sërish një ftesë për herë të tretë në një festival, ku aty vura një pjesë të shkurtër, edhe kjo pati shumë sukses. Pas gjithë këtyre arritjeve, ata më ftuan për të katërtën herë në një turne shumë të madh nëpër botë, i cili zgjati tre muaj. Ky turne u zhvillua në 12 shtete të Evropës Lindore dhe asaj Perëndimore. Ishim rreth 20 pjesëmarrës nga 20 shtete dhe shkonim nëpër qytete duke dhënë shfaqje dhe kjo për mua ka qenë një nga gjërat më të bukura. Në Francë jam përfshirë në konkurrime të letërsisë botërore.
    Jeni vlerësuar me çmime për veprat tuaja?
    Kam marrë Çmimin e Parë në Itali në festivalin që u bë në Trieste dhe këtu vepra ime “Sa mirë bëri që vdiq” u vlerësua si mw e mira. Kjo komedi është vënë edhe në Fier. Në këtë vepër, Mirush Kabashi ka marrë Çmimin e Parë në interpretimin e personazhit të tij.
    Mund të përmendni disa prej komedive tuaja?
    Në Teatrin Kombëtar kam vënë komedinë “Në katin e dytë është parajsa”, “Mashtruesit”, “Mysafir i mallkuar” dhe më pas është vënë shfaqja “Kush ma martoi vajzën”. Janë katër komedi që janë shkruar nga unë dhe i kam vënë po unë në skenë. Në Fier unë kam vënë “Sa mirë bëri që vdiq” dhe Gëzim Kame “Zoti godet me putër”. Në teatrin e estradës në Tiranë, kam ngjitur në skenë një komedi tjetër tragjike “Pesha e fajit”.
    Kush është situata e një aktori në komedi?
    Unë si aktor në rolet e mia jam mbështetur në filozofinë se dhënia dhe interpretimi i një sinqeriteti brilant në skenë është një dashuri që mund të japë aktori tek publiku. Çmimi më i madh në lojën aktoreske është pikërisht sinqeriteti i aktorit. Ai duhet ta interpretojë personazhin e tij me vërtetësi dhe sinqeritet. Kjo dhunti nuk mund t’i jepet kujtdo. Ajo është një dhuratë e natyrës dhe lidhet edhe me jetën tënde të përditshme. Në qoftë se do të jesh hipokrit në jetë nuk mund të servirësh në skenë sinqeritetin. Por nëse ky sinqeritet ekziston edhe në jetën e përditshme, atëherë, detyrimisht do të reflektohet edhe në skenë. Sinqeriteti në komedi sjell edhe suksesin, sepse këtë vërtetësi dhe sinqeritet e kërkon vetë komedia. Ne shohim kamerat e fshehta dhe qeshim me një personazh, i cili me sinqeritetin e tij përjeton problemin e tij dhe gati sa nuk qan për këtë, por ne si publik e dimë lojën ndaj edhe qeshim me të. Ai, duke mos ditur asgjë, luan dhe interpreton natyrshëm problemin që ka dhe në disa raste, vihet edhe në një pozicion tepër të vështirë. Ky është personazhi i komedisë që publiku dhe duhet të qeshë, por njëkohësisht edhe të ndihet keq për problemin që ai trajton. Në skenën e kësaj komedie u krijua një situatë e tmerrshme. Sandri që është personazhi im, dashuronte një femër dhe teksa vjen një tjetër femër e panjohur, e cila e vë në një pozicion të tmerrshëm. Ky personazh luhet me një dramacitet të madh për t’i mbushur mendjen asaj se ai nuk e njeh femrën e tretë, sepse i shkatërrohet dashuria dhe jeta. Kjo lojë e vërtetë dhe kjo hedhje në sulm për të mbrojtur vetveten, e bën tepër qesharak, sepse i gjithë spektatori e di këtë lojë. Kjo është edhe karakteristika tepër e veçantë e një aktori. Duhet të ketë një mprehtësi drejt qëllimit pa pasur karagjozllëk, të ketë një vërtetësi të madhe drejt problemit që ka personazhi. Unë duke luajtur në këtë lloj forme, bëra që publiku të qeshte. Unë drejtohesha nga e dashura ime me lot në sy dhe të dyja aktoreve, shpeshherë u vinte për të qeshur sesi unë luaja. Ato kanë qeshur edhe gjatë xhirimit me kamera, sepse të dyja nuk e marrin dot atë pjesë të komedisë nga vërtetësia. Në një moment, ato ende qeshnin dhe unë ndihesha në një pozicion shumë të vështirë, pasi isha përballë publikut. Unë duhet të rezistoja ndaj tij dhe nga inati i drejtohem njërës prej tyre duke i thënë: “Po qeshni? Po qesh, plas. Edhe ti po qesh? Vazhdoni të qeshni! Unë po rri po ulem, po pres kur të mbaroni ju”. Ato nuk arrinin të ndalonin të qeshurat. Kjo frazë është ndryshuar nga unë, pasi mua më vinte inat dhe ndihesha në siklet, sepse qeshnin vazhdimisht. Ato, ditë për ditë, sa herë që jepnim shfaqjen qeshnin me mua. Kjo është një lojë teatrale dhe ne jemi aktorë. Këto janë situata dramatike të vështira të aktorit, por gjëja më e bukur e tij janë sinqeriteti dhe vërtetësia. Publiku duhet të kuptojë se vepra nuk është vetëm për të qeshur, por edhe për të qarë. Ai duhet të ndjejë dhe të përjetojë problemin që ka personazhi në komedi. Nuk mund të kemi komedinë pa dramën dhe këtu qëndron edhe bukuria e artit.
    Si ka lindur ideja për të vendosur në skenë një vazhdim të komedisë “Pallati 176”?
    Unë kam shkruar 11 seritë e vazhdimit të komedisë “Pallati 176”. Këtë ma kërkoi stafi i Tele Bingos. Fillimisht, ia kam servirur autores për ta shkruar dhe ajo nuk e ka kuptuar skemën, të cilën unë ja paraqita. Skema ime ishte që Jovan Bregu rikthehet me fuqinë e madhe të lekut, siç u rikthyen shumë në kohën e ndryshimit të qeverisë. Ky tanimë ishte bërë “bosi”, ndërsa ne të tjerët ramë shumë poshtë. Kjo ishte skemë që më pëlqente dhe nisa ta shkruaj. Kur ajo përfundoi, kolegët e mi e pëlqyen shumë dhe unë e paraqita tek ata që merrnin pjesë në ekipin e Tele Bingos. Ata kërkuan me insistim për të bërë një serial të tillë. Filluam të punonim për këto seri dhe kjo punë zgjati rreth 2 vjet. Më pëlqente shumë në vazhdimin e kësaj komedie situata ime, që futesha në burg dhe dilja pa pasur asnjë faj. Unë isha njeriu më i pafajshëm në botë dhe futesha gjithmonë nëpër ngatërresa, sepse sinqeriteti i madh donte të mbante fabrikën ku ishte shkatërruar gjithçka. Ky njeri idealist tanimë kishte dalë jashtë loje. Më pas, unë shkrova pjesën e çmendinës ku, përveç Jovanit futem edhe unë në çmendinë. Por këtë pjesë ne nuk arritëm dot ta xhirojmë. Personazhi im detyrohet të futet në çmendinë, pasi i bëjnë akuza të rënda dhe e fusin aty për të mos e kapur dot shteti. Aty bëhet si gjysmë i çmendur, sepse gjatë gjithë kohës mundohet të sqarojë se nuk është i tillë. Nga kjo ai del akoma dhe më i çmendur. Një njeri që kërkon të sqarojë në çmendinën se nuk është i çmendur, del fare budalla. Gjithë komiciteti i tij ishte kjo që Jovani ishte i çmendur tashmë, kurse ky mundohej të sqaronte të tjerët se ishte normal. Në fund, atij i pëlqen çmendina duke bërë krahasimet brenda e jashtë, i pëlqen dhe vendos të mos dalë prej aty. Ky është paradoksi i jetës.
    Ju vendosni në skenë vetëm vepra shqiptare që i keni shkruar vetë. Nuk e ndieni të nevojshme marrjen e ndonjë vepre nga repertori i huaj?
    Të gjithë të tjerët kanë vënë vepra të huaja, kurse unë kam qëndruar besnik në veprat e mia. Në gjendjen që jemi ne sot, këto vepra nuk kanë interes. Ata vepra që merren nga repertori i huaj janë një kopjim për ne. Unë dua të vë një tullë në kulturën shqiptare me ato mundësi që kam, tek kjo gjendje snobizmi dhe vjedhje totale që ekziston. Pjesët e huaja nuk i interesojnë aspak kombit tonë. Ato janë vënë nëpër botë në mënyra të shkëlqyera dhe nuk kemi për t’i arritur dot kurrë. Unë kam parë në Evropë vepra të vendosura në mënyrë të përsosur dhe nganjëherë them se për ne, të tentojmë të vëmë në skenën tonë këto vepra, është një marrëzi. Ne duhet të marrim patjetër regjisor të huaj për vënien në skenë të tyre. Është tepër e vështirë të vësh Molierin, apo Shekspirin në nivelet botërore. Nuk mund t’i vëmë dot kurrë dhe nuk mund të ballafaqohemi me letërsinë e huaj. Me letërsinë kombëtare mund të arrijmë një krahasim. Në këto nivele të ulëta që jemi, duke mos patur një teknikë cilësore, duhet të ballafaqohemi me letërsinë tonë. Ajo vepër duhet vënë në skenë në mënyrë të përsosur, që të mos jetë askush i aftë për ta kritikuar. Kështu justifikohen se artin tonë, bota nuk e njeh mirë. Në këtë nivel është e pamundur për ne për të vënë kryevepra. Unë, personalisht nuk angazhohem për të marrë vepra botërore, sepse e di që është e pamundur dhe nuk i shërben publikut dhe letërsisë shqiptare. Unë kam rreth 15 vjet që shkruaj dhe vendos në skenë vetëm letërsinë shqiptare. Këtu është një kaos i kulturës totale, ku asnjë njeri nuk do të dijë asgjë dhe aq më pak të bëjë seleksionime të veprave.
    Si i përzgjedh regjisori aktorët që do të ngjisë në skenë?
    Në bazë të njohjes së karaktereve të tyre. Aktori luan gjithmonë në ujërat e tij. Ai mund të ndryshojë, por jo jashtë këtyre ujërave. Nëse ai do të luajë në një fushë krejtësisht tjetër karakteri që nuk i përputhet aspak, do të dështojë. Aktori duhet të provojë, por brenda të dhënave teknike, shpirtërore dhe psikologjike që ai ka. Brenda një roli janë një sërë ngjyrash. Unë si regjisor kam detyrën e përzgjedhjes brenda kësaj game. Nëse ai ka luajtur në një rol dhe ka dështuar tek ai, unë si regjisor nuk mund t’i jap një rol të ngjashëm.
    Ju në veprën të vendosur në Fier i keni lënë shumë hapësirë aktorëve të rinj. Ç’ju ka shtyrë drejt kësaj?
    Në art nuk njihen moshat, njihet vetëm talenti. Aktorëve të rinj nuk ua jep regjisori mundësinë. Në art nuk njihet pensioni. Aty vlerësohet dhe njihet cilësia jo sasia. Mund të bësh 200 vepra dhe nuk ke bërë asgjë, por mund të bësh një vepër mjaft cilësore dhe bëhesh i famshëm. Aktori mund të bëjë një rol dhe ka bërë çdo gjë. Aktori është përmendorja e krijimtarisë në botë. Shpesh herë kemi aktorë që përmendin numrat e roleve, por arti njeh vetëm cilësinë e tyre. Sasia shërben për cilësinë. “Don Kishoti i Mançes” është një vepër e cila e futi letërsinë spanjolle në elitën e letërsisë botërore. Servantes ka shkruar me dhjetëra romane, por ky ishte romani i tij që tronditi botën. Prandaj njerëzit në art duhet të bëjnë analiza të letërsisë dhe kjo është një arsye që arti ynë është në nivele të ulëta.
    Kush është funksioni i kësaj analize?
    Kjo analizë shërben për të orientuar publikun. Kritika dhe gazetaria në këtë rast janë tamam si periskopi i një nëndetëseje, e cila ecën nën ujë dhe periskopi është ai që del në sipërfaqe dhe shikon, nëse ka apo jo anije të tjera duke lajmëruar poshtë. Analiza është periskopi i letërsisë dhe e orienton publikun drejt një arti cilësor. Publiku përballë teatrit gjithmonë kërkon orientim. Kjo është lufta e kombeve të emancipuara. Evropa është një publik që nuk i pranon vulgaritetet. Nëpër botë ka 500-800 vjet që punon orientimi artistik mbi publikun. Bombardimi i tij mbi vepra banale, bën që ai të stepet duke mos e zhvilluar më tej. Në radhë të parë duhet të njihen këto periskope. Ka raste, kur këta kritikë mund të bëjnë edhe gabime dhe publiku i gëlltit. Kjo analizë ka të mirat, por edhe anët pozitive të saj. Në Shqipëri kjo është eleminuar dhe nuk ekziston.
    Si është qëndrimi i publikut duke u krahasuar me vitet e mëparshme?
    Kohët e fundit, ne shohim dukshëm se publiku i është larguar teatrit. Ai nuk e frekuenton më si dikur. Nuk është aq i gatshëm për të shkuar dhe ndjekur një shfaqje që vendoset ne Teatrin Kombëtar, apo diku tjetër. Para viteve ’90, ky publik ka qenë shumë më i afruar, sepse bëhej një punë e madhe ideologjike me të për ta futur në këto rrjedhoja. Sistemi i atëhershëm të fuste në rrokullisjet e të gjithë asaj force diktatoriale. Ajo kishte parimin se ne nuk duhet të lëmë asnjë minutë bosh. Në këtë drejtim ishte një inkuizicion i pashembullt. Ai sistem kishte parimin që, nëse popullin apo turmën e lije bosh, ajo do të komplotonte kundër teje. Në atë kohë, për këtë arsye investohej shumë në ideologji, në filma dhe çdo gjë e kishte në funksion të vetvetes. Kjo deri diku, institucioneve i bënte mjaft mirë, por nga ana ideologjike i indoktrinonte njerëzit, i fuste ata në një doktrinë totale. Në atë shoqëri nuk kishte prurje nga bota e jashtme siç ndodh tani. Gjatë këtyre viteve ne kemi hyrë në artin botëror dhe duhet të ballafaqojmë atë me artin tonë dhe të mbushim boshllëkun që mbartim. Nuk duhet të harrojmë edhe anën financiare që vihet në shërbim të artit.
    Cilat janë projektet e së ardhmes?
    Kam përkthyer komedinë “Mysafiri i mallkuar” dhe jam në pritje për të shkuar në Paris dhe për ta vënë vetë në skenën franceze. Këtu në Shqipëri, kjo vepër pati shumë sukses dhe shpresoj që ky sukses ta shoqërojë edhe atje. I kam dërguar dokumentet e caktuara dhe jam në pritje të miratimit të buxhetit. Shpresoj të vë në Francë edhe komedinë “Sa mirë bëri që vdiq”,me të cilën jam vlerësuar në Itali. Të dyja këto komedi do të paraqiten në konkursin e Avinjonit dhe shpresoj të fitoj, por rëndësi ka pjesëmarrja në këtë festival.

    Sot.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Theofan Stilian Noli: Jeta dhe veprat e tij
    Nga ILovePejaa në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 85
    Postimi i Fundit: 15-11-2022, 22:39
  2. Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 24-11-2016, 09:56
  3. Plavë e Guci
    Nga Davius në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 05-10-2008, 23:36
  4. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  5. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •