Familjarët: ”Nduen e vrau Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu!”
(Vet)Vrasja e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
Kujtim Boriçi
Dossier. Nr. 1
Ekskluzive/Një ngjarje e rëndë dhe e bujshme ndodhur më 16 dhjetor 1975, ku Ndue Marashi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, gjendet i vdekur me një plumb në ballë në banesën e tij, e cilësuar zyrtarisht si “vetëvrasje”, por e kundërshtuar në moment e për tri dekada nga familjarët, të cilët akuzojnë se e vrau shteti e kërkojnë veprimin e drejtësisë, sillet për lexuesin në një cikël shkrimesh në vazhdim. Nëpërmjet dokumenteve të kohës, akuzave konkrete të familjarëve, thënieve të dëshmitarëve, synohet të hidhet sadopak dritë mbi këtë ngjarje.
16 dhjetor 1975
Tragjedia e rëndë
Ndue Marashi, 42 vjeç, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, në orën 10. 00 të datës 16 dhjetor 1975, pasi ka lënë detyrat në zyrë, kthehet në shtëpi, ku do të nisej rreth mesditës, familjarisht me pushime në Vlorë. Shkaku i ikjes me pushime ishte gjendja jo e mirë shëndetësore e bashkëshortes së tij, Françeska Marashi, goditur, me synim vdekjen, nga persona ende të panjohur, katër ditë më parë, mbrëmjen e së premtes, teksa po largohej nga puna. Në orën 11.00, siç thuhet në procesverbalin e mbajtur atë kohë nga policia dhe nga denoncimi i fqinjëve, në dhomën e tij dëgjohet një krismë e vetme arme. Pastruesja e shtëpisë, ato momente ishte larguar (?!) për të blerë bukë, ndërsa fqinjët, pas krismës së vetme të armës (goditje në ballë) që ka lënë të pa jetë Nduen, pohojnë se kanë parë pranë derës dy persona që janë larguar menjëherë me një motor. Disa ditë më parë, nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe në një broshurë të Komitetit Qendror të Partisë, Ndueja akuzohej për veprimtari armiqësore (ngordhja e 100 lopëve në Baldushk të Tiranës), si “beu i fshatrave të Tiranës” dhe si feminist. Zyrtarisht u tha se Ndue Marashi ka vrarë veten. Por bashkëshortja, i vëllai dhe dy fëmijët që në moment akuzuan se e kanë vrarë. Prej 30 vjetësh ata kërkojnë të drejtën, duke akuzuar për këtë vrasje të organizuar Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun, por nuk kanë marrë përgjigje as nga drejtësia dhe as nga shtetarët e kësaj periudhe. Ikur familjarisht në Belgjikë, me eksodin e ambasadave më 2 korrik 1990, të rikthyer përsëri në Shqipëri, familjarët përsërisin akuzën dhe kërkojnë zbardhjen e të vërtetës.
Nesër do të lexoni:-Thirrja e Ndues në zyrë nga Enver Hoxha, tri ditë pas përplasjes me Manush Myftiun.
-“Helmimi” i 100 lopëve të Baldushkut dhe përgjegjësia që partia kërkonte te kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.
-Buletini për përdorim të brendshëm në parti, ku Ndueja cilësohej “qehajai i Tiranës”, “i drekave e darkave” e“imoral”, dokument i cili u punua vetëm në një pjesë të partisë.
Ndue Marashi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ndonëse nuk i kishte mbushur ende 42 vjetët, një djalë energjik, i aftë e punëtor, që njihej si mik i Beqir Ballukut e drejtuesve të tjerë të shtetit të kohës e shihej si njeri me perspektivë në karrierë, kishte mundur që të krijonte një emër të mirë te vartësit, bashkëpunëtorët dhe njerëzit e thjeshtë. Por fillimisht një konflikt i hapur me Manush Myftiun, ku Ndueja kundërshton mashtrimin për sigurimin bukës nga fshatrat e Tiranës, më pas ”helmimi” i mbi 100 lopëve në ekonominë e Baldushkut në Tiranë, një qarkore për përdorim të brendshëm në parti (që u hoq shpejt nga qarkullimi e nuk u arrit të lexohej në mbarë vendin), ku Ndueja cilësohej “qehajai i Tiranës”, “i drekave e darkave” “imoral”, ultimatumi i Enver Hoxhës “Të shikohet puna armiqësore e këtij kryetari!”, kërcënimi i Mehmet Shehut “Kemi pak punë me ty!”, goditja banditeske, me qëllim asgjësimin fizik të bashkëshortes Françeska mbrëmjen e 12 dhjetorit 1975, do të përgatisnin eliminimin fizik të tij. E kjo ndodh më 16 dhjetor të këtij viti. Zyrtarisht e në dokumentet e kohës u tha se ishte vetëvrasje me një plumb të vetëm në kokë. Ndërsa bashkëshortja, dy djemtë e saj dhe vëllai i Ndues, Zef Marashi, akuzuan në çast se kanë vrarë dhe nuk është vetëvrarë. Këtë mendim ata nuk e ndryshuan as kur i thirrën disa herë rresht në hetuesi me kërcënimin “Pse thoni se e kanë vrarë” dhe i detyrojnë të firmosin një deklaratë të përgatitur ku flitej për vetëvrasje të Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Pas internimit 15-vjeçar si familje e “armikut të partisë e popullit”, në fillimet e proceseve demokratike, familjarët ripërsëritën akuzën duke kërkuar drejtësi, mblodhën dëshmi e deklarata nga dëshmitarë të kohës, takuan liderin e atëhershëm të opozitës, Sali Berisha, (ai u tha ”E morën në qafë Nduen), dhe kërkuan drejtësi. Por për mbi 15 vjet vetëm heshtje e plotë. ”Ne jemi të bindur e kemi dyshimet- prova, si atë ditë dhjetori të 1975-ës e sot, jemi të sigurt që babanë tonë e vranë, nuk kërkojmë hakmarrje, por të zbardhet e vërteta, e eshtrat e babait të prehen të qeta atje ku janë”, -këmbëngul Xhovalin Marashi, i sapokthyer nga emigrimi 16-vjeçar në Belgjikë. Tashmë, me akuzën konkrete, së bashku me xhaxhanë Zefin, ai pret që drejtësia të nxjerrë të vërtetën në shesh.
Ndueja, shkodrani i varfër që u bë Nr. 1 i Tiranës
Ndueja ishte fare i vogël kur në vitin 1939, në kohën e pushtimit të vendit nga Italia, së bashku me familjen zbret me banim nga periferitë e Shkodrës në afërsi të Varreve të Bamit në Tiranë. Familjen shkodrane (Babai ishte nga fshati Dushman, ndërsa nëna nga Shllaku i Shkodrës), siç kujtojnë sot fqinjët dhe njerëzit që kanë pasur të bëjnë me to gjatë dekadave, të gjithë e mbajnë mend si njerëz zemërbardhë, punëtorë, njerëz që dinin të bënin vetëm mirë, që kishin vetëm miq e kurrë armiq, ndonëse rropateshin ditë e natë për të siguruar me tepër vështirësi bukën e gojës. Në këtë mjedis, mes vëllezërve e motrave të shumta, rritet dhe Ndue Marashi. Ndonëse me një zgjuarsi të lindur, siç pohojnë shokët e tij, i etur për arsim e dije, për shkak të vështirësi për mbijetesë, Ndueja nuk mundet që të ndjekë shkollën rregullisht, por me shkëputje. ”Ndues që ishte më i madhi e duhej t’u vinte në ndihmë prindërve, iu desh të fillonte shkollat pa u shkëputur nga puna, e megjithatë ai shkëlqeu, ishte më i miri dhe me djersë i çau rrugët jetës”, -tregon për gazetën vëllai i tij Zef Marashi, që i ka kaluar të 70-at. Duke punuar e shkëlqyer në punë direkt në prodhim, sipas dokumenteve të kohës, Ndue Marashi mbaron me rezultate të shkëlqyera degën zooteknikë të Institutit të Tiranës. Falë këtyre rezultateve, aftësive drejtuese dhe organizuese, me këmbënguljen e titullarit të institucionit, Ndueja emërohet menjëherë drejtor i Konvikteve të Institutit Bujqësor të Kamzës. Vetëm pak muaj rri në këtë detyrë, duke u emëruar më pas si pedagog pranë këtij instituti. Nga aty pedagogun e ri e çojnë kryetar të kooperativës bujqësore të Kasharit në Tiranë. Në pak kohë që Ndueja qëndroi në drejtimin e saj, kjo ekonomi shënon një rritje të ndjeshme prodhimi e të ardhurave për ditë pune, duke u bërë një nga ekonomitë më të përparuara në rrethin e Tiranës e në shkallë vendi. Por krahas përkushtimit në punë, banorët e Kasharit e kujtojnë edhe sot kryetarin e tyre si një njeri human, ku falë këmbënguljes së tij, shumë familjeve vendëse, të cilësuara si “kulakë”, u hiqet kjo njollë e nis trajtimi si për të gjitha familjet e tjera. Rezultatet e mira në punë e aftësitë organizuese e sjellin Nduen në komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 4 të kryeqytetit, fillimisht si sekretar i dytë, më pas si sekretar i Parë i Komitetit të Partisë. Shpejt Hysni Kapo e ka vënë në shënjestër, dhe Ndue Marashi emërohet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, duke qenë njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë.
Përplasja e parë me udhëheqjen
Viti 1974, viti që në Shqipërinë e shekullit të kaluar mbahet mend si viti i goditjes së “puçistëve” në ushtri e sektorë të tjerë të vendit, do të jetë njëkohësisht dhe viti i vënies në “shënjestër” të Ndue Marashit, të cilësuarit ndër kuadrot më të rinj e më të talentuar të partisë për kohën, deri në shpalljen “armik” dhe zhdukjen fizike. Në këto vite të vështira për vendin, direktiva e partisë dhe shtetit të kohës, si ndër detyrat parësore kishte direktivën e prodhimit të bukës në vend. Ndueja, si kryetar i komitetit të Tiranës, ishte përgjegjësi kryesor për sigurimin e bukës për qytetin e fshatrat e kryeqytetit, ndërkohë që Manush Myftiu, si sekretar i Parë i Tiranës, sipas udhëzimeve, ndiqte po nga afër e raportonte shifrat e realizimit të kësaj detyre, duke raportuar deri tek Enver Hoxha. Në Plenumin e partisë së vitit 1975, për shkak të treguesve të ndryshëm (partia nga njëra anë dhe pushteti nga ana tjetër), sjell përplasjen e parë publike të Ndues me Manush Myftiun, në prezencë dhe të Enver Hoxhës. Raportimi i Manushit në plenum se është realizuar prodhimi i bukës nga vetë ekonomitë, se në “kooperativën e Shëngjergjit janë prodhuar mbi 40 kuintalë grurë për hektarë”, janë kundërshtuar prerë nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv Ndue Marashi. Ai ndërhyn: ”Nuk janë të sakta këto shifra që sjell Komiteti i Partisë. Në Shëngjergj nuk prodhohet 40 kuintalë për hektar, por as gjysma; mund të jepni çfarëdo shifre, por unë nuk mund të gënjej partinë dhe shokun Enver!”. Ndërhyrjes së Manushit se “po të skuqet faqja nga gënjeshtra”, Ndueja i përgjigjet: ”Unë jam i ndershëm, nuk gënjej!”.
Vetëm ndërhyrja e Enver Hoxhës, ka bërë që situata të “zbutet”, por vetëm përkohësisht. .
(Vijon )
30/04/2006
KATEGORIA: Dossier.Shekulli
Krijoni Kontakt